Anemia paraqet zvogëlimin e numrit të rruazave të kuqe në gjak, përqendrimin e hemoglobinës ose edhe të masës së eritrociteve në gjak, për ç’arsye reduktohet dërgimi i oksigjenit në tru, në zemër, në muskuj dhe në organet e tjera.
Rreth 10 për qind të popullatës në planetin tonë vuajnë nga anemia, në masë të madhe gratë, vegjetarianët dhe fëmijët e vegjël.
Anemia mund të shkaktohet si pasojë e gjakderdhjes së tepërt, mungesës së thartirës folike ose vitaminës B12, për shkak të çrregullimeve në pjekjen e eritrociteve si dhe për shkak të rritjes së shpejtuar të rruazave të kuqe të gjakut. Megjithatë, shkaktari më i shpeshtë i pagjakësisë është mungesa e hekurit që shpie në krijimin e anemisë sideropenike.
Kush i takon grupit të rrezikut
Edhe pse anemia me mungesë të hekurit mund të shfaqet në cilëndo periudhë jetësore, pak më shpesh ndeshet te bebet dhe te fëmijët e vegjël, sidomos nëse janë të lindur para kohe ose me peshë të ulët, sikurse edhe te fëmijët që nuk janë mbajtur në gji. Grupin e dytë të të rrezikuarve e përbëjnë fëmijët në periudhën e zhvillimit të përshpejtuar, sepse organizmit të tyre i nevojitet sasi më e madhe e hekurit. Nëse në këtë moshë të rritjes fëmija nuk ha ushqim të llojllojshëm, atëherë rritet rreziku nga shfaqja e anemisë. Pagjakësia sideropenike mund të jetë pasojë e gjakderdhjes së madhe menstruale, për ç’arsye gratë kanë probleme me numrin e pamjaftueshëm të eritrociteve. Në grupin e rrezikut bien edhe vegjetarianët, sepse organizmi nuk është në gjendje të absorbojë hekur të mjaftueshëm nga drithërat dhe perimet.
Komplikimet
Anemia e butë, e shkaktuar nga mungesa e hekurit, rëndom nuk shkakton komplikime, mirëpo, nëse nuk shërohet mund të nxisë probleme serioze shëndetësore.
Meqë te pacientët anemikë zemra duhet të pompojë në mënyrë që të mund të kompensojë mungesën e oksigjenit në gjak, janë të mundshme problemet në formë të përshpejtimit të të rrahurave ose të punës së çrregullt të muskujve të zemrës. Komplikimet më të shpeshta janë zhvillimi i angjina pektorisit (dhimbje në gjoks, të shkaktuara nga depërtimi i zvogëluar i gjakut dhe i oksigjenit nëpërmjet muskulit të zemrës).
Shërimi
Qëllimi i shërimit të anemisë është rritja e nivelit të hekurit në organizëm si dhe kontrollimi i faktorëve të cilët e kanë shkaktuar sëmundjen. Në të shumtën e rasteve problemi zgjidhet me përdorimin e suplementeve të hekurit dhe me përdorimin e ushqimit të pasur me këtë element. Tabletat e hekurit pihen çdo ditë aq sa e përcakton mjeku, ndërsa për t’u përshpejtuar absorbimi i hekurit rekomandohet përdorimi i vitaminës C, qoftë në formë të suplementit ose të lëngut të portokallit, boronicës së kuqe ose të dredhëzës. Edhe pse shumica e të sëmurëve ndihen më mirë pas disa ditësh nga fillimi i terapisë, suplementet duhet të konsumohen 6 muaj deri në 1 vit, sepse organizmit i duhet kaq kohë që përsëri të plotësojë sasinë e mjaftueshme të hekurit.
Kujdes me suplementet
Edhe kur ekzistojnë simptomat e qarta të anemisë, suplementet e hekurit nuk bën të merren pa konsultim me mjekun! Shfrytëzimi i pakontrolluar i këtij minerali mund të shkaktojë helmim.
Masat e kujdesit
Edhe pse mishi bie në burimin më të mirë të hekurit, nuk duhet tepruar me konsumimin e ushqimit të tillë, sepse kjo mund ta shkaktojë dezekuilibrimin e fosforit dhe të hekurit në organizëm dhe ta rrënojë absorbimin normal.
Pijet mirëbërëse
Çfarë duhet të hamë?
Anemia relativisht rrallë shfaqet te njerëzit të cilët ushqehen shëndetshëm. Mirëpo, nëse ekziston debalanca në ushqim ose humbja e gjakut te rastet e hemorroideve të pashëruara ose te gjakderdhjet në traktin digjestiv, është e domosdoshme që të merren ushqime që janë të pasura me hekur.
SIMPTOMAT
Njerëzit që vuajnë nga anemia, në fillim nuk i vërejnë shenjat e çrregullimit, të cilat zhvillohen ngadalë dhe gradualisht, pa simptoma të dukshme. Vetëm pasi sëmundja të bëhet serioze, shfaqet lodhja e shoqëruar me marramendje. Për aneminë janë karakteristike - kokëdhimbjet e shpeshta, zënia e herëpashershme e frymës për mungesë të ajrit, humbja e përqendrimit, lodhja dhe aritmitë e zemrës. Fytyra zbehet, thonjtë bëhen të thyeshëm si dhe shfaqet ndjeshmëria e tepërt ndaj infeksioneve. Është me shumë rëndësi t’i drejtoheni mjekut sapo të dyshohet për ekzistimin e anemisë, ndërsa çfarëdo terapie merret vetëm në marrëveshje me mjekun, sepse me përdorim të pakontrolluar të hekurit mund të shkaktohen dëmtime serioze të mëlçisë.
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.