Shkruan Ibrahim Kadriu
Zonja Nexhmije, paraprakisht Ju falënderoj që më pranuat për intervistë. Unë jam një fans juaji. Kam ndjekur çdo koncert Tuajin në kohën kur isha student në Prishtinë. Në një koncert të madh që qe organizuar në Prishtinë, një koncert jugosllav (më 1977), ju kënduat diku në mesin e këngëtarëve të fundit, si autsajder, që mua më pikëlloi ai rast, meqë kisha ardhur t’Ju dëgjoja pikërisht Juve. Si e keni ndier veten, ju “Bilbili i Kosovës”, si shqiptare, në ato koncerte jugosllave?
Në këtë moshën time gëzohem shumë kur, ndokush, si Ju, i dashur Xhemo, më paraqiteni si fans imi. Kjo më duket sikur të kisha hapur derën, kurse para derës sime më shfaqet ndonjë zotëri i cili do të më dhuronte një tufë lule. Edhe më tepër gëzohem kur takoj aderuesin si Ju, të cilit i kujtohem në koncertin e mbajtur para dyzet vjetësh. Derisa tash e shprehni atë ndjesi të atëhershme duke qenë të pikëlluar pse, në radhitjen e këngëtarëve në koncert paskësha qenë në mesin e të fundmëve. Të të them, si shqiptare nuk kam qenë e kënaqur, por ne shqiptarët kemi qenë të ushtruar me trajtime të ngjashme dhe si përgjigje kemi pasur angazhimin e pandërprerë, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë kreative, vetëm e vetëm që të bindnim opinionin aderues me arritjet tona në arte dhe, në përgjithësi, në kulturë.
Prej kujt e keni trashëguar zërin e mrekullueshëm dhe talentin për muzikë?
Prej prindërve të mi. Babai im ishte mësues. Ai gjatë kohës së Mbretërisë Jugosllave, pat shkuar në Shqipëri dhe atje mbeti pesë vjet, derisa e kreu medresenë. Gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, në vitet dyzet, kur erdhën italianët, ne shqiptarët në Kosovë përjetuam për herë të parë administratën në gjuhën shqipe, por edhe shkollimin në gjuhën shqipe. Babanë tim e caktuan mësues. Ai këtë punë e kryente edhe para luftës, por në mënyrë të fshehur. Ne, në atë kohë (kur i isha 12 vjeç) kaluam nga katundi Pagarushë (ku kam lindur), në Prizren. Pas pak kohësh qemë vendosur në Prishtinë. Babai im ishte i bindur se unë kisha talent për muzikë dhe qe gëzuar shumë kur vokalin tim e pat dëgjuar përmes valëve të Radio Prishtinës, kur këndoja, siç thuhet sot, live.
A ka ngjashmëri mes këngëve shqipe dhe atyre boshnjake?
Kur bëhet fjalë për ngjashmërinë e këngëve, më kujtohet një regjisore bullgare, quhej Adela Peeva, e cila u bë e njohur me filmin dokumentar mbi ngjashmërinë e këngëve tek popujt e Ballkanit. Ajo e mori një këngë të vetme dhe, kudo që shkoi dhe u interesua në mjediset e popujve të Ballkanit, të gjithë i thoshin se ishte këngë e tyre. Ajo vajti në Turqi, Greqi, Shqipëri, Maqedoni, Serbi dhe Bosnjë. Te të gjitha shtetet hasi autorësinë e këngës. Me këtë shembull desha të them se, përgjithësisht në Ballkan, ka ngjashmëri të këngëve, prandaj kjo vlen edhe mes këngëve shqipe dhe boshnjake, e sidomos te këngët me përmbajtje të hareshme, siç i quani ju “sevdalinka”.
A ju kujtohet këngëtari i njohur boshnjak, i ndjeri Safet Isoviq?
Si nuk më kujtohet, kur me këngët e tij gjithmonë jam entuziazmuar. Ishte artist i vërtetë i këngës. Kam ndier dhembje kur pata dëgjuar për vdekjen e tij, sado që ai ishte më i ri se unë. Gjithashtu, kam dëgjuar se gjatë bombardimeve në Sarajevë ai qenka plagosur në shtëpi të vet. Ishim miq. Ai ka qenë në Prishtinë: ka qenë mysafir imi në shtëpinë time. Kurrë nuk mund të harroj buzëqeshjen e tij.
Ju karrierën e keni përfunduar në Sarajevë. A e mbani mend atë koncert të madh?
Si jo. E mbaj mend, ndonëse ndiej nostalgji. Ajo ngjarje (e koncertit) ndodhi në kohën e mbajtjes së Olimpiadës në Sarajevë, më 1984. Derisa isha në skenë dhe këndoja, në një moment m’u shter zëri. Mbeta e ngrirë në skenë. Por, publiku i Sarajevës ishte i mrekullueshëm. Ata e kuptuan tragjedinë time dhe më përcollën me duartrokitje frenetike. Ato duartrokitje më ndihmuan që të qëndroja në këmbë. Sarajeva gjithmonë ka qenë qyteti im i dashur dhe përherë, kur jam gjendur në atë qytet, jam mrekulluar jo veç me pamje, por edhe me sjelljet miqësore të njerëzve.
Si u krijua kënga “Baresha”?
Këngën “Baresha” e ka kompozuar Rexho Mulliqi, ndërsa tekstin e ka shkruar shkrimtari i ndjerë Rifat Kukaj. Kjo këngë është realizuar në vitin 1966, apostafat për koncerte jugosllave të asaj kohe që mbaheshin nëpër qendrat e republikave dhe krahinave. Kjo këngë për herë të parë është realizuar në studion e Radio Beogradit e përcjellë nga orkestra e Radio Beogradit. Pastaj është realizuar nga orkestra e Radio Prishtinës nën udhëheqjen e Isak Muçollit.
Si po ndiheni sot në Kosovën e pavarur, tash kur jeni nderuar edhe me medaljen “Nderi i Kombit”?
Shkëlqyeshëm po ndihem. Sikur të kisha lindur për së dyti. Si mos të ndihem e tillë, kur, në çdo hap, jam e nderuar. Mirënjohjen “Nderi i Kombit” e kam marrë nga kryetari i Republikës së Shqipërisë, nga zoti Bujar Nishani.