Ti je ketu: Ballina > Aktuale > “Të padëshiruarit” në mëshirën e fatit
Braktisja e fëmijëve
“Të padëshiruarit” në mëshirën e fatit
Jehona e vajit të thekshëm të tyre, sapo dalin në këtë botë, ngjeth mishrat, shkakton drithërimë e ngrohtësi shpirti, jo rrallë edhe lot gëzimi e kënaqësie për nënat e tyre, që, pas shumë dhimbjesh e vuajtjesh, përfundimisht arrijnë ta ndiejnë ngrohtësinë e krijesës, që sapo është shkëputur nga trupi i tyre. Por, jo gjithherë ardhja e një fëmije në jetë është pritur me padurim e shumë gëzim për prindërit. Me dhjetëra foshnja të porsalindura braktisen çdo vit në Kosovë, ndërsa që nga paslufta e deri më tani janë braktisur 1.039 fëmijë!

Afërdita Uka

Me dhjetëra nëna të reja, ende pa e shijuar mëmësinë, ende pa mbajtur në duar këto krijesa të pafajshme, kthejnë kurrizin dhe ikin nga klinika, duke i lënë të porsalindurit në mëshirën e fatit. Në raste të rralla, të porsalindurit e padëshiruar janë gjetur të braktisur nëpër objekte që nuk janë në shfrytëzim, e në rastet më të rënda edhe në afërsi të kontejnerëve të mbeturinave. Si pasojë e braktisjes së fëmijëve, në Kosovën e pasluftës u formuan mekanizma dhe institucione të specializuara për strehimin dhe përkujdesjen për fëmijët e braktisur. Lider në strehimin, përkujdesjen dhe edukimin e fëmijëve të braktisur janë fshatrat e fëmijëve SOS, që, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, janë shpresa e fëmijëve pa përkujdesje prindërore. Fshati i Fëmijëve SOS ka disa programe strehimi e përkujdesjeje për fëmijët e braktisur: kujdesin alternativ, në të cilin bën pjesë kujdesi afatshkurtër për foshnja, ku strehohen foshnjat e braktisura pas lindjes. Në këtë program aktualisht janë 8 foshnja nga mosha 3 javë deri në 3 vjet.

“SOS-i...” - shtëpi e sigurt për të braktisurit

“Që nga fillimi i SOS-it, nëpër këtë program kanë kaluar pothuajse mbi 486 foshnja të braktisura, të cilat ose janë adoptuar, ose janë ribashkuar me familjen biologjike, ose janë bërë pjesë e kujdesit afatgjatë”, thotë Besnik Peci, udhëheqës i Kujdesit Alternativ. Programi tjetër është Familja SOS, ku aktualisht strehohen 36 fëmijë, në 7 familje të krijuara enkas për strehimin dhe përkujdesjen e plotë të tyre. Përveç, Familjeve SOS, këtu vepron edhe Shtëpia e Rinisë, ku aktualisht strehohen 7 të rinj adoleshentë, dhe Programi i gjysmëpavarësimit, ku aktualisht janë 7 fëmijë, të cilët mbështeten tre vjet radhazi, derisa ta arrijnë pavarësinë e plotë për të funksionuar si individë të dobishëm për shoqërinë. SOS, përveç strehimit, punon edhe në parandalimin e braktisjes së fëmijëve. Përmes programit të Fuqizimit të Familjes mbështeten mbi 600 fëmijë, familjet e të cilëve vijnë nga regjioni i Prishtinës, Fushë-Kosovës dhe Graçanicës. Sipas tij, SOS ka kapacitet të mjaftueshëm dhe ofron një ambient të mjaftueshëm për secilin fëmijë të strehuar. Secila shtëpi në SOS siguron hapësirë të mjaftueshme për 6 fëmijë, që përfshin vendin e fjetjes, hapësirën për mësim, punë e aktivitete argëtuese dhe një hapësirë të përbashkët komode. Ndonëse revista “Teuta” për disa ditë me radhë ka pritur përgjigjet nga Policia e Kosovës, të vetmet të dhëna që ka ofruar Zyra për informim janë shifrat e braktisjes së fëmijëve për vitin 2017 (45 raste) dhe për vitin 2018 (janar-shtator: 31 raste).
Ndërkaq, sipas të dhënave, që ka ofruar Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, nga viti 2000 e deri në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, në vendin tonë janë braktisur 1.039 fëmijë. Ndonëse ky numër është tejet i lartë dhe shifrat e fëmijëve të braktisur kanë ndryshuar nga viti në vit, numri më i madh i fëmijëve të braktisur është shënuar në vitin 2003, kur, në bazë të raportimeve nga qendrat për punë sociale, janë evidentuar 86 fëmijë të braktisur, vlerësuar sipas të dhënave të ofruara nga MPMS-ja, kjo dukuri ka shënuar rënie viteve të fundit.
Magbule Koci, zyrtare e lartë për mbrojtjen e fëmijëve të braktisur në MPMS, thotë se Qendrat për Punë Sociale janë të mandatuara dhe të obliguara që të angazhohen me prioritet që përmes punës së tyre profesionale të veprojnë për bashkimin familjar të fëmijës me prindin/ërit biologjikë, sidomos në rastet kur nëna ose prindërit e fëmijës janë të njohur për autoritetet relevante. Fillimisht, nga nëna merret deklarata për shkaqet e braktisjes së fëmijëve si dhe bëhet vlerësimi i mundësive për mosbraktisjen e fëmijës.
“Edhe në rastet kur të dy prindërit janë të njohur, QPS duhet të angazhohet që të punojnë me të dy prindërit e fëmijës, duke marrë deklarata me shkrim lidhur me mundësinë e sanimit të raporteve ndërpersonale mes tyre, me qëllim të bashkimit familjar të fëmijës me prindërit biologjikë”, sqaron Magbule Koci. Ndërkaq, në rastet kur prindërit e fëmijës së braktisur janë të mitur, punohet edhe me familjen e prindërve biologjikë të fëmijës. Pas marrjes së deklaratave të tyre, ekipi profesional vlerëson nëse është në favor të fëmijës bashkimi familjar me prindërit biologjikë, apo duhet të iniciojë procedurë gjyqësore në gjykatën kompetente për privim nga e drejta prindërore për prindin/ërit biologjikë të fëmijës. Sipas Kocit, në bazë të QPS-ve, shkaqet më të shpeshta pse ndodh braktisja e një fëmije, kryesisht janë shtatzënitë e padëshiruara, të paplanifikuara, si dhe lindjet jashtëmartesore. Ajo thotë se interesimi i familjeve kosovare për të adoptuar fëmijët e braktisur është mjaft i lartë dhe, në bazë të të dhënave nga Regjistri gjeneral në nivel vendi, pothuajse çdoherë në pritje janë rreth 100 kërkesa aktive.

Fëmijët e gjinisë mashkullore më të parapëlqyer

Por, derisa familjet kosovare janë mjaft zemërgjera për të mirëpritur dhe për t’u ofruar fëmijëve të braktisur një familje të re e shtëpi, mjerisht, kjo zemërgjerësi është më e shprehur për fëmijët e gjinisë mashkullore. “Në shumicën e kërkesave, familjet potenciale adoptuese shprehin preferencat e tyre për gjininë e fëmijës që dëshirojnë të adoptojnë. Vlen të theksohet se dominon kërkesa për fëmijë të gjinisë mashkullore, me pak diferencë nga kërkesat për adoptim të fëmijëve të gjinisë femërore”, thotë Koci.
MPMS ka krijuar mekanizma që mbikëqyrin respektimin e procedurave ligjore dhe profesionale gjatë menaxhimit të rasteve të vendosjes së fëmijëve në strehim familjar dhe adoptim, procesin e vlerësimit mbi përshtatshmërinë e prindërve potencial për strehim familjar dhe atyre adoptues si dhe një mekanizëm për monitorim dhe inspektim, që në periudhën provuese tremujore bën monitorimin e ecurisë së procesit të adoptimit mes fëmijës dhe familjes potenciale adoptuese. Koci sqaron se në rastet kur identifikohen elemente të mungesës së adoptimit, atashimit prind-fëmijë, lidhjes emocionale mes tyre, ose edhe elemente të keqtrajtimit të fëmijës, mungesës së kujdesit të duhur, Organi i kujdestarisë vlerëson se nuk janë përmbushur interesat e fëmijës dhe, pas vendimit negativ të Gjykatës, familja largohet nga Regjistri i familjeve në pritje, ndërkaq fëmijën e merr në mbrojtje.
Sado që, në rastet kur prindërit janë të njohur dhe ata para braktisjes së fëmijës duhet të nënshkruajnë një deklaratë pëlqimi për adoptim të fëmijës, ajo nuk është e vlefshme para se fëmija t’i ketë mbushur tetë javë që nga lindja. Ndërkaq, në rastet kur prindi/ërit e fëmijës janë të panjohur, atëherë Organi i Kujdestarisë duhet të punojë për identifikimin e prindit/ërve biologjikë brenda një viti pasi të ketë ardhur fëmija në jetë. Vetëm pas kalimit të kësaj periudhe, fëmija mund të jepet për adoptim. Me gjithë faktin që nëna biologjike në deklarimet e saj të mëhershme mund ta ketë braktisur fëmijën e saj, ajo ligjërisht mund të kërkojë ta marrë në përkujdesje fëmijën e saj në rastet kur fëmija është në proces të zgjidhjes së statusit ligjor. Mirëpo, pavarësisht nga kërkesa e saj për ta marrë fëmijën në përkujdesje, Organi i Kujdestarisë do të vlerësojë nëse bashkimi familjar i fëmijës me nënën biologjike është në interesin më të mirë të fëmijës. Në rast se nënës biologjike me vendim të Gjykatës i është privuar në mënyrë të përhershme e drejta prindërore, zotësia e veprimit, apo edhe pas themelimit të plotë të adoptimit të fëmijës, në bazë të legjislacionit, ajo nënë nuk ka më asnjë të drejtë ligjore mbi fëmijën e saj.
Ndërkaq, sipas Xhevdet Gojnovcit, drejtor i Klinikës së Neonatologjisë, që nga viti 2011, kur është formuar kjo klinikë, e deri më tani janë trajtuar 177 raste sociale. Aktualisht në këtë klinikë nuk është duke u trajtuar asnjë rast i foshnjave të braktisura. Gojnovci konstaton se këtë vit ka rënie të numrit të braktisjes së fëmijëve.
“Pas braktisjes së foshnjës, që pas lindjes, informohemi nga nëna se nuk dëshiron këtë foshnjë, menjëherë pranohet në Klinikën e Neonatologjisë dhe kontaktohet punëtori social”, thotë ai duke sqaruar se në klinikë foshnjat e braktisura qëndrojnë 28 ditë. Sipas Gojnovcit, ka raste që foshnjat pasi braktisen, pas bisedës mes prindërve me punëtorin social, i rikthehen familjes, d.m.th. bëhet bashkimi familjar. Ai thekson se sidomos këta dy vjetët e fundit përkujdesjen në shumë raste e kanë marrë përsipër baballarët.

PROCEDURAT ADOPTUESE
Për adoptimin e një fëmije të braktisur, familja potenciale duhet të kalojë nëpër këto procedura: aplikimi në Gjykatën Themelore, kompletimi i dokumentacionit sipas kritereve ligjore, vlerësimi mbi përshtatshmërinë e familjes potenciale adoptuese nga QPS-ja kompetente, shqyrtimi i kërkesës nga Paneli në DPSF, periudha provuese, që mund të zgjasë deri në tre muaj, themelimi i adoptimit, rregullimi i dokumenteve të gjendjes civile për fëmijën etj. Ndërkaq, i gjithë procesi, që ligjërisht nuk është i specifikuar, mund të zgjasë nga 9 -12 muaj.

Kriteret, që duhen plotësuar një familje potenciale adoptuese
* Prindërit potencialë adoptues duhet të jenë shtetas dhe banorë të Kosovës, që duhet ta dëshmojnë me dokumentet përkatëse (certifikata të gjendjes civile, dokument identifikimi valid);
* Prindërit potencialë duhet të kenë të drejtën e ushtrimit të detyrës prindërore dhe zotësinë e plotë të veprimit, që dëshmohet përmes certifikatave përkatëse nga gjykata kompetente;
* Prindërit potencialë duhet të gëzojnë shëndet të plotë fizik dhe mendor, të dëshmuar me certifikata përkatëse shëndetësore; Së paku njëri prind duhet të jetë në marrëdhënie pune, nga punësimi apo vetëpunësimi, e që duhet të dëshmohet me kontratë pune dhe pasqyrë të qarkullimit të mjeteve për 12 muajt e fundit;
* Prindërit duhet të kenë të rregulluar çështjen e banimit brenda territorit të Kosovës, e që duhet ta dëshmojnë me dokument përkatës.
* Prindërit duhet të jenë unikë në vendimin e tyre dhe duhet të jenë të pëlqimit bashkërisht për adoptimin e një fëmije, që dëshmohet me deklaratat e tyre pranë QPS-së etj.
 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version