Njerëzit e lumtur
A jeni, njëmend, të lumtur? A e dini, në fakt, ç’është lumturia dhe ç’ju nevojitet që të mund ta arrini? Këto janë pyetje të rëndësishme për çdokënd që dëshiron të jetë i lumtur. “Po e jetoj jetën time, që të mund të jem i lumtur dhe që të jap çdo gjë nga vetja, e të mos e bëj të palumtur as rrethin ku jetoj”, është një mendim pozitiv.
Shumë njerëz mendojnë gabimisht, duke thënë se nuk e kanë merituar të jenë të lumtur dhe se fatkeqësinë e kanë fat (nafakë)! Sikurse të gjitha vlerat në jetë, edhe lumturia duhet kultivuar. Ja disa këshilla për jetë të lumtur. E para: duhet të përpiqeni të kuptoni se çfarë ju bën të lumtur. Secili ka nevoja të ndryshme dhe, nëse njërin e bën të lumtur diçka, tjetrin ndoshta jo. Gëzojuni individualitetit tuaj dhe mos mbani dert për krahasimin me rrethin tuaj. Bëjeni planin e kultivimit, mbajtjes së lumturisë me gjërat të cilat do t’ju bëjnë të lumtur. Humori juaj do të rritet me arritjen e qëllimeve ose të vlerave.
Shoqërohuni me njerëz të lumtur
Nëse diçka shkon nga e keqja, fokusohuni në zgjidhjen e saj, e jo në pikëllim të vetvetes. Kaloni disa minuta në ditë duke i kujtuar gjërat që ju bëjnë të lumtur. Në ata pak minuta mendoni në gjëra pozitive, të cilat me siguri do t’ju shpien nga lumturia. Është me shumë rëndësi që së paku një herë në ditë të bëni diçka për vetveten. Kështu, në ndërdijen tuaj, do ta bëni veten të lumtur. Qëndrim me rëndësi është që në situata negative të gjeni diçka pozitive, të hareshme, edhe kjo mund t’ju lumturojë. Kultivimi i shëndetit tuaj ju mundëson që të jeni të lumtur. Gjatë ushtrimeve fizike tajiten peptidet, të cilat ju krijojnë ndjenjën e lumturisë.Në fund, gjëja jo pak e rëndësishme është të kuptuarit se vërtet e meritoni të jeni të lumtur! Nëse ia arrini që këto këshilla t’i zbatoni në jetën tuaj, me siguri do të jeni të lumtur, prandaj sukses!
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.