Bisedoi Blinera Gashi
E edukuar në Moskë, e specializuar në Londër, Vera Ora, një grua elegante, të cilën nuk e zmbrapsën sfidat në vendin e huaj, por me këmbëngulje arriti cakun që ia kishte vënë vetes para se të shpërngulej nga Prishtina në Londër, konsideron se me shumë punë dhe përpjekje mund të arrihet çdo gjë në jetë. Psikiatrja sharmante, bashkëshortja e Besnikut, nëna e Elenës, Ritës dhe Donit, ka arritur të integrohet në shoqërinë londineze dhe të fitojë respektin britanik. Në intervistën ekskluzive për revistën TEUTA, nëna e Rita Orës, Vera, flet hapur për jetën private, migrimin dhe ndjenjën e të qenit nëna e yllit botëror.
Zonja Vera, afër tri dekada më parë u zhvendosët për të jetuar në kryeqytetin britanik, si ishte fillimi juaj në Londër?
Në vitin 1992, kur kemi ardhur në Londër, unë dhe Besniku kemi pasur një vizion personal dhe profesional, ndaj synimet tona jemi munduar t’i bëjmë realitet. Posaçërisht në periudhën e transicionit jemi përpjekur të mbajmë një ekuilibër, ngase kemi menduar se këtu qëndron i tërë problemi i njerëzve që migrojnë, sidomos i atyre që kanë një profesion, e inkuadrimi në një shoqëri të huaj është shumë i vështirë. Megjithatë, që nga arritja jonë në kryeqytetin britanik, 26 vjet më parë, jeta jonë natyrisht se ka ndryshuar në aspektin personal dhe profesional. Nuk ka qenë e lehtë, ngase adaptimet marrin kohë dhe njerëzit shpeshherë nuk mund të arrijnë nivelin që e kanë pasur, përpara shpërnguljes, në vendin e tyre. Komuniteti i Kosovës, për shembull, mendoj që ka mbetur pak mbrapa, posaçërisht gjenerata e parë migruese mendoj se është më e dëmtuar. Prandaj, shpresoj që gjenerata e dytë, fëmijët tanë, ose fëmijët e fëmijëve tanë, që do të vazhdojnë të qëndrojnë këtu, do ta kenë një integrim më të plotë dhe mund të arrijnë suksese shumë më të mëdha.
Thoni se gjeneratat e reja do të kenë më shumë lehtësi për t’u integruar, por a mendoni se ekziston frika e asimilimit?
Asimilimi është një rrezik për të cilin secili prind apo secila familje duhet të mendojë dhe duhet të punojë me fëmijët e tyre. Dhe, ky është çmimi që ne po e paguajmë. Nuk do të thotë se do të asimilohen në tërësi, porse ndikimi i rrethit dhe vendi ku jetojnë, ku punojnë, ka një ndikim të madh. Kështu, automatikisht, integrimi mund të ndikojë që një përqindjeje e madhe e të rinjve tanë të asimilohen.
Si fëmijë i babait intelektual, ju kishit mundësinë për të studiuar në Moskë, ku dhe u diplomuat në Fakultetin e Mjekësisë. Më pas u rikthyet në Prishtinë, punuat deri në vitin 1992, dhe sërish iu rikthyet studimeve pas shpërnguljes në Britani.
Unë kam përfunduar Fakultetin e Mjekësisë në Moskë, ndërsa pas kthimit në Kosovë kam punuar tre vjet, fillimisht në një qendër mjekësore në Prishtinë, më pas në ambulancën e Ferroniklit. Kjo është përvoja ime si profesioniste në Kosovë, më pas, bashkë me bashkëshortin, Besnikun, dhe vajzat, Elenën dhe Ritën, e cila ishte një vjeçe, jemi shpërngulur në Londër. Në Britani, fillimisht i jam përveshur mësimit të gjuhës angleze, nivelit akademik, ngase ky ishte kushti që unë të studioja dhe të bëja nostrifikimin e diplomës. Kështu, pas përvetësimit të gjuhës, u jam rikthyer studimeve mjekësore sërish, pas një pauze mjaft të madhe, 10-vjeçare.
Ndonëse një grua intelektuale, në dekadën e parë të qëndrimit në Britani bëtë një jetë larg nga mjekësia. E kishit të vështirë të adaptoheshit?
Që nga arritja ime këtu, si një grua refugjate, unë kam pasur një qëllim personal the profesional, të punoj në lëmin e profesionit tim, kurdo që është e mundur. Kam bërë një pauzë relativisht të gjatë profesionale, ngase dhjetë vjet i jam kushtuar rritjes së vajzave, familjes dhe mësimit akademik të gjuhës angleze. Kjo ka qenë detyra ime primare, fillimisht t’i rris fëmijët, t’ju jap një edukatë, një kujdes të posaçëm, sepse e kam ditur se rrethi i huaj te fëmijët mund të ketë një efekt më ndryshe, qoftë pozitiv, apo ndoshta edhe negativ, ngaqë gjatë rritjes dhe adaptimit në një rreth të huaj, fëmija mund t’i marrë disa kahe jetësore. Kështu, unë pa përtesë kam qëndruar në shtëpi, i kam dërguar fëmijët në shkollë dhe aktivitete të ndryshme, do të thotë kam qenë tejet e angazhuar rreth tyre. Kjo ka ndikuar që unë të jem më e lidhur me fëmijët dhe ata, në mënyrë të ndërsjellë, të jenë të lidhur me njeri-tjetrin. Prandaj, jam e lumtur që kam pasur kohë t’i përkushtohem familjes, por nuk e kam harruar asnjëherë qëllimin dhe zhvillimin profesional, që e kam pasur para se të vija në Londër.
Aktualisht jeni duke punuar në trajtimin e çështjeve të shëndetit mendor të gruas shtatzënë. Çfarë, në mënyrë specifike, trajtoni në këtë lëmë?
Unë momentalisht punoj si specialiste e psikiatrisë (Perinatal Consultant), që është degë specialistike e psikiatrisë dhe merret me problemet shëndetësore mendore të nënave që planifikojnë të krijojnë familje, gjatë shtatzënësisë dhe pas lindjes, deri kur fëmija të bëhet një vjeç. Do të thotë, unë i trajtoj ato gra të cilat janë shtatzëna dhe kanë probleme mendore, si: ankthi, depresioni dhe shume sëmundje të tjera më të rënda mendore.
Është shumë me rëndësi që gjatë periudhës së shtatzënësisë të vëzhgohet shëndeti i gruas, si ai fizik po ashtu edhe ai mendor, sepse depresioni është njëra ndër rreziqet më të mëdha, që mund t’i kërcënojë gratë shtatzëna. Ndaj, nëse ato nuk ndihmohen, trajtimi mund të jetë edhe më i vështirë pas lindjes. Do të thotë, nëse nëna është në depresion, edhe raporti mes saj dhe fëmijës mund të afektohet dhe fëmija në moshën madhore mund të ketë po ashtu probleme të zhvillimit emocional dhe depresion. Këtu, në Angli, është me shumë rëndësi që të parandalohen problemet në shtatzënësi, në mënyrë që gjeneratat e reja, fëmijët që lindin, të jenë të shëndoshë.
Keni planifikuar që përvojën tuaj ta bartni në Kosovë?
Pa dyshim, kam dëshirë ta promovoj shëndetin mendor kudo që është e mundur, të jem një zëdhënëse e shëndetit mendor në përgjithësi dhe posaçërisht të grave në shtatzëni. Kam dëshirë që njerëzit të njihen më tepër me shëndetin mendor, sidomos është me rëndësi ta ndalojmë dhe zhdukim stigmën si dhe diskriminimin ndaj njerëzve/grave me sëmundje mendore. Ende është e pranishme dukuria ndaj shëndetit mendor, për të cilin njerëzit nuk flasin, e fshehin dhe nuk e diskutojnë. Kjo është një dukuri problematike, që është në rritje, jo vetëm në Londër, po edhe në vende të tjera. Do të thotë, kam dëshirë të ndihmoj, madje jam në kontakt me disa organizata në Kosovë, të cilat po më kontaktojnë që të bashkëpunojmë ose përmes ndonjë konference t’u ndihmoj, sidomos në lëmin e shëndetit mendor dhe jam gjithsesi e hapur për biseda ose për ndonjë mbështetje që mund ta bëj nga këtu. Jam shumë e lumtur nëse shëndetësia e Kosovës do të përqendrohet më shumë në shëndetin mendor, ngase kjo është një çështje me të cilën duhet të merremi seriozisht sa më herët që është e mundur.
Jeni e kënaqur me pozitën tuaj profesionale? Mendoni se ekziston receta ekzakte për të pasur sukses në karrierën e ndërtuar jashtë vendit?
Londra, si edhe qytetet e tjera të mëdha, ofron mundësi për të arritur sukses. Mirëpo, duhet të punosh shumë dhe në vazhdimësi. Do të hasësh peripeci të ndryshme, por duhet ta kesh një cak dhe ta ndjekësh, mos t’i ndahesh dëshirës gjithë kohën.
Mund të thoni se cila është gjëja më e rëndësishme, të cilën e keni mësuar në Britani të Madhe?
Në Angli unë e kam mësuar sa e vështirë është të kesh një respekt profesional, ndoshta pse këtu është konkurrenca shumë e madhe dhe shumë e vështirë është të kesh sukses të madh. Anglezët janë të avancuar në çdo lëmë aq shumë, saqë është shumë vështirë të jesh në atë nivel, aq më tepër për një të huaj, që nuk ka lindur as nuk është rritur këtu, madje as nuk ka studiuar këtu. Njerëzit që migrojnë duhet të punojnë dyfish për të arritur nivelin e profesionistëve vendorë. Unë e di që më është dashur të punoj më shumë për të bërë ose për të shkruar një punim ose raport, më është dashur të qëndroj më gjatë që të arrij ta përfundoj punën me profesionalizëm të lartë.
Cili është dallimi më i theksuar mes britanikëve dhe kosovarëve?
Familjet kosovare, kur kanë migruar në Londër, e kanë bartur edhe kulturën dhe traditën kosovare, e cila ndryshon dukshëm nga mjedisi ku jetojmë tani. Mendoj që është pak e vështirë për t’u balancuar, sepse jeta kosovare në Londër, brenda shtëpisë është balancuar, por në shoqëri ajo mund të vërehet dhe është pak më e dukshme. Kulturat tona ndryshojnë shumë, është e vërtetë se familjet e Kosovës janë më të lidhura, përderisa anglezët janë pak më të ftohtë si komb. Unë mendoj se ne e kemi vlerën e familjes mjaft të fortë. Deri diku vërehet dhe mendoj se është shumë mirë, sepse fëmijët tanë dhe familjet e fëmijëve tanë do të jenë më të ngrohta me njëri-tjetrin, derisa anglezët janë më duket pak më ndryshe.
Meqë po flasim për familjen, ju, mblidheni të gjithë ndonjëherë?
Gjithsesi, sidomos Besniku insistonte që për çdo javë të dilnim në restorant, të mblidheshim bashkë të gjithë. Kishim dëshirë që fëmijët të krijonin një rutinë, kulturë, dhe ta mbanin atë ndjenjën e familjes dhe afërsinë familjare. Tani që vajzat janë vazhdimisht në udhëtim, përpiqemi që të gjithë të koordinohemi dhe të takohemi bashkë kurdo që është e mundur. Kjo është një rregull, një obligim do të thosha, që një familje e shëndoshë duhet ta vlerësojë dhe t`i japë prioritet. Ndërsa unë me burrin çdo mëngjes pimë kafe jashtë, e kemi si një mbledhje bashkëshortore të mëngjesit, ku diskutojmë, kush çfarë detyre ka gjatë ditës. Këtë e kemi si shoqërim ose ‘takim’ bashkëshortor.
Në këto takime familjare, flisni shqip?
Po, shumicën e kohës ne flasim shqip, madje Elena flet shumë mirë shqip, më mirë se Rita do të thosha, ndërsa Doni flet relativisht mirë gjithashtu. Vajzat gjuhën shqipe e kanë si bonus, ngase, kur kanë projekte apo ndonjë aktivitet dhe nuk dëshirojnë t’i kuptojnë të tjerët, njëra-tjetrës i flasin shqip dhe askush nuk i kupton.
Çfarë fëmijësh ishin vajzat tuaja? Cila nga to ishte më çapkëne dhe cila më tolerante, Elena apo Rita?
Elena ka qenë gjithmonë motra e madhe e Ritës. Ndërsa Rita ka qenë shumë çapkëne, shumë fëmijë i gjallë, gjithmonë e ka dashur zbavitjen, jetën energjike. Ndërkaq, Elena gjithmonë ka qenë më e ndalur, më e tërhequr, motra më e madhe, e cila e ka marrë nën krahët e saj motrën e vogël. Edhe tani, që Elena është pjesë e menaxhmentit, vazhdon ta konsiderojë Ritën si motra e saj e vogël, jo si yll botëror dhe vazhdon të punojë në projektet e Ritës. Ne si çift jemi shumë të kënaqur që ato kanë mbetur të lidhura dhe janë të pandashme, varen dhe kujdesen shumë për njëra-tjetrën. Për ne kjo është një fatmirësi, ngase unë dhe Besniku kemi pasur shumë frikë, kur Rita e filloi karrierën në moshë tejet të re. Por, Rita ka qenë shumë e hapur me ne, na ka kontaktuar për çdo shqetësim ose për ndonjë konsultim. Rita është e drejtpërdrejtë dhe flet, nuk i mban gjërat në vete, e kërkon këshillën e babës së vet, unë mandej mundohem t’ia jap një vizion, përkrahje ose këshillë si nënë. Rita e ka një princip të mirë, nuk bën acarime në komunikim, gjithmonë është shumë e sjellshme dhe nuk e kthen fjalën. Ndoshta e bën të veten, por për ne ka një respekt që ne shumë e vlerësojmë dhe nuk i bëjmë presion.
Me cilin prind është më e lidhur Rita?
Rita thotë se është vajza e babait, madje lidhja e tyre është mjaft e fortë. Në fakt, në shtëpi të gjithë fëmijët janë të njëjtë dhe ashtu dëshiroj të mbesin. Unë nuk kam dëshirë të bëj dallime, edhe pse Rita është e famshme, të gjithë fëmijët e kanë të njëjtin rol. Tek prindërit Rita nuk ka trajtim të posaçëm, ajo është e barabartë me të gjithë ne. Ne e kemi rregull që secili e ka profesionin e vet dhe secili është yll në profesionin e tij që e ushtron.
Sigurisht, sa herë keni mundësi jeni e pranishme në koncertet e Ritës në Londër. Në fillim të karrierës së saj, cila nga ju të dyja kishit më shumë emocione: ju, që e ndiqnit Ritën, apo ajo, që interpretonte në skenë?
Unë Ritën e kam ndjekur prej fillimit, kur ka nisur të këndojë si fëmijë, derisa Besniku ishte me punë. Për Ritën kisha emocione dhe isha shumë e lumtur njëkohësisht, ngase Rita kënaqet me punën që bën. Pas çdo koncerti, Rita më pyeste: si ishte, të pëlqeu? Unë, si prind, duke dashur që përherë të lija një hapësirë që ajo të jetë çdoherë edhe më e mirë, të ecte përpara, i jepja lëvdata për interpretimin në skenë. Përherë e vlerësoj punën e saj dhe e përgëzoj për suksesin. Ajo e di që gjithë kohën duhet të punojë dhe nuk përton. Madje, çuditem si nuk lodhet duke punuar nga 24 orë në ditë! Ndoshta pse e do pafundësisht profesionin e saj dhe e bën me shumë kënaqësi e pasion.
A ka pasur momente që jeni bërë pishman pse Rita i ka hyrë kësaj rruge?
Jo dhe po, unë edhe me Besnikun e kemi biseduar këtë çështje. Personalisht, si profesioniste, e analizoja situatën e Ritës dhe suksesin e saj. Ajo i bën të lumtur njerëzit, me interpretimin e saj, por në të njëjtën kohë, mbrapa skenës, ka raste kur është e sëmurë, na kërkon neve, dhe ne si prindër merakosemi për të. Po ashtu, ne si familje nuk mund të jemi të lirë të dalim si më parë në vende publike. Gjithmonë, në restorant, për shembull, duhet të jemi më të izoluar, ngase Ritës i afrohen fansat, e ndjekin fotoreporterët, do të thotë jemi më të kufizuar në lëvizje.
Ju pengojnë paparacët?
Unë për vete mendoj se fama, pak ta kufizon lirinë. Ndonjëherë je në fokus të kamerave, kur ti nuk kishe pasur dëshirë të jesh e fotografuar, po kjo besoj se është pjesë e karrierës së Ritës, deshëm apo nuk deshëm ne.
Në vendin e punës, në rrugë apo në lagjen ku jetoni, a ju ndalojnë zonjat dhe a ju pyesin për Ritën? Çfarë u intereson atyre më tepër?
Në përgjithësi, komentet janë të këndshme, nuk kam hasur ndonjë problem, ndonjë kritikë apo ndonjë mosmarrëveshje. Gjithmonë mundohem t’i falënderoj për mbështetjen që i japin Ritës. Edhe në punë kam pasur kolegë që më pyesnin për Ritën, madje gjatë gjithë kohës. Prandaj, isha e detyruar të merrja një vendim, në një mbledhje të përgjithshme, kur ua bëra me dije kolegëve që nuk kisha pasur dëshirë të flas për jetën personale, ndërsa sa i përket jetës profesionale, jam e gatshme të diskutojmë në çdo moment. Dhe ata me dëshirë dhe respekt e bëjnë këtë.
Kur e shihni Ritën në medie, në koncerte dhe duartrokitjet e pafundme që njerëzit ia dhurojnë, çfarë ndjenje është kjo për ju? Si është të jesh nëna e Rita Orës?
Për mua dhe Besnikun, është një ndjenjë jashtëzakonisht e mirë që Rita nga Kosova ka arritur të jetë shpresoj një shembull për të tjerët. Rita tashmë është si një ambasadore e Kosovës, e cila i respekton rrënjët e saj. Ndonëse ishte vetëm një vjeçe, kur u largua nga Prishtina, ajo e di prejardhjen dhe u përcjell një mesazh të gjithëve, posaçërisht rinisë së Kosovës, se mund të jesh një person me ndikim, pa marrë parasysh prej nga vjen.
Ndërkaq, koncerti në Prishtinë, më 17 shkurt 2018, ka qenë një vlerësim i jashtëzakonshëm për suksesin e Ritës. Rita më duket që e ka bërë një detyrë dhe një rol shumë të madh për Kosovën dhe kam qenë shumë e lumtur që Rita e ka parë sa shumë e vlerësojnë punën dhe angazhimin e saj për Kosovën. Ajo mori kurajë të vazhdojë me krenari të jetë zëri i gjithë kosovarëve dhe rinisë shqiptare.
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.