Ti je ketu: Ballina > Gra të njohura > BOTA E GRUAS, BOTË E DHIMBJEVE...
Eni Çobani
BOTA E GRUAS, BOTË E DHIMBJEVE...
Me flokë të artë e sy bojë qielli, pa gërshetat e dikurshme, me trup të lartë, e veshur hijshëm; tej dukjes së saj si “Ana Karenina”, kemi një Madeleine Albright, e tëra shqiptare, për nga thellësia e mendimit dhe maturia me të cilën ajo rrëfen. Eni Çobani, çdo të diel shfaqet përmes televizionit Klan me rubrikën e njohur: “Shihemi në gjyq”.

Shkruan Miranda Haxhia
Foto Maks Haxhia

Kreu studimet me medalje ari. Ka filluar të punojë si pedagoge e Fakultetit Juridik qysh 22 vjeçe dhe ka një profil akademik për t’u admiruar.
Libri “Të drejtat e njeriut” - një përmbledhje leksionesh, është teksti i vetëm që përdoret në fakultet, herë-herë i keqpërdorur nga të tjerët. Fusha e saj është “E drejta kushtetuese”. Sfida e madhe e Eni Çobanit është që historitë e rubrikës “Shihemi në gjyq” t’i botojë. Sot është avokate e dhjetëra, qindra rasteve, sidomos në çështjet e dhunës kundër gruas, konflikteve në familje dhe shoqëri. Copat e historisë që i sjell, i përplas në fytyrat e indiferentëve që kanë në dorë të bëjnë diçka dhe heshtin. Po i bën një lloj avokatie shpirtit të gruas, si nuk është njohur deri më sot. Eksperienca dhe bashkëpunimi i shkëlqyer me drejtuesin e mirënjohur, Ardit Gjebrea, zgjojnë kërshërinë e çdokujt se çfarë dhe si ka mbërritur zonja Eni Çobani. Sot ajo është modeli që shumë vajza të reja kërkojnë të imitojnë në rrugën e profesionit, të karrierës dhe të jetës familjare.
***
RRËNJËT...
Vila Ambasador është një lokal i qetë në zemër të Tiranës. Për Enin është në tokën e familjes, pasi të parin njeri që përmend me respekt dhe mirënjohje, si idhull të ëndrrave të para për t’u bërë mjeke, ishte daja i vet, doktor Fadil Spahiu, një ndër mjekët e famshëm në Shqipëri. Pikërisht në këtë vend ajo ka studion e punës.
Ju përmendët dajën dhe famën e tij si mjek. Nëse shtojmë: babai apo nëna kanë ndikuar më shumë në jetën tuaj?
Është e vërtetë që unë kam një lidhje të veçantë me babanë, ai ka qenë një shtyllë ku unë jam mbështetur fort. Mund të kem marrë goditje të ndryshme, por kur kam kthyer kokën, kam parë që ai është gjithmonë aty. Jam produkt i dashurisë së jashtëzakonshme të babait tim edhe në profesion, sepse ai është një nga figurat më të njohura në fushën e agronomisë. Deri më sot unë kam atë, por vajza paska gjithmonë nevojë për babanë dhe i uroj të jetojë sa më gjatë. Kjo nuk e zbeh rolin e mamasë sime. Mamaja është gjithmonë pikë referimi për mua, ajo ka qenë edukatore, mësuese gjithë jetën, pak e sertë, por ne na ka bërë mirë.
Kërkesat e mamasë sime për të qenë gjithmonë në lartësinë e duhur, sidomos në pjesën akademike, bënë të mundur që të kërkoj shumë nga vetja, të bëj më të mirën e mundshme. Ia kushtoj asaj që jam pedagoge prej 18 vjetësh në Fakultetin e Drejtësisë.
Thonë se jeni shumë e rreptë si pedagoge e drejtësisë?
Drejtësia është dashuria më e madhe profesionale që kam dhe studentët që dalin nga duart e mia dua të jenë të zotë. Pjesa e rreptë interpretohet negativisht, kurse unë e marr si lavdërim, kam qenë gjithmonë e atillë.

“MAMI PO TI KE NDENJUR PA GJUMË?”
Ishte një moment shumë i vështirë kur unë nga vajzë u bëra grua. Koha që kemi jetuar nuk ishte e hapur për shumë gjëra që lidhen me jetën e gruas. Mbaj mend që ajo mami e fortë e përjetoi shumë, vuajti, sikur i erdhi keq që mua më mbaroi vajzëria dhe u futa në botën e grave. Unë nuk e dija që bota e gruas është bota e dhimbjes, e dashurive. Kujtoj gjithmonë lotët e saj, qëndrimin e saj mbi mua tërë natën. Kur u zgjova, e pashë në atë vend si ishte një natë më parë. E kishte gdhirë mbi kokën time gjithë natën.
“Mami, po ti ke ndenjur pa gjumë?” Ajo nuk foli, bëri atë përshëndetje me kokë si çdo mëngjes dhe u largua pa folur. Edhe pse nuk ia kam kujtuar asnjëherë, nuk i jemi kthyer asnjëherë atij çasti, shumë e shumë vjet e kam kujtuar pagjumësinë e saj dhe kam kuptuar se ai qëndrim i nënës sime ishte vetëm dashuri e kujdes.

PAS ÇDO SUKSESI, GJITHMONË E SHKËLQYER DHE ME MEDALJE ARI
Me cilin nga prindërit keni dashur ta ndani herën e parë gëzimin e suksesit?
Me nënën, megjithëse babai ka qenë idhull për mua, por me nënën … edhe për faktin se babi ka qenë kaq i dhënë pas detyrave të tij, sa harronte vitet ku ishim. Im atë thoshte shpesh: “Baba të bën vajza, jo djali.”
Kam një vëlla më të madh, tre vjet më i madh, lidhja me të është shumë e veçantë, është vëllai i madh, por, ngaqë nuk kam motër, ai është motër dhe vëlla për mua. Flas hapur për gjithçka.
Keni ndonjë kujtim nga fëmijëria?
Kam një fustan që ime më e ruan me një fanatizëm të paparë, vë nga to kundër molës, sepse është i punuar me dorë nga gjyshja prej babait, ngjyrë pjepri, trikotè, një dy përparëse të kopshtit, me qëndisma, po ashtu e kam ruajtur unë një fustan martese të mamasë, e kam veshur shumë pak, se trupi im është më i madh, e ruaj si gjë të veçantë, copa është e mrekullueshme, qepja e veçantë, se edhe sot do të bënte “ferk”, ajo ruan një fustan që do të donte ta vishte vajza ime, por ajo deri sot nuk ka ardhur… Kam një fjalë nga babai, “Prind ose baba ndihesh kur bëhesh me vajzë, pa të, mos thuaj që jam baba…”. Ah, babai im ruan gërshetat e mia, qysh ditën që i preva, shumë e shumë vjet më parë.
Si mësuat të bëni nënën?
Prindërimi është biologjik, e ndien brenda vetes, të ndryshon bota, je kureshtare për atë që do të bësh, kur ti e prek, besoj çdo nënë e ndien, jeta jote merr një drejtim tjetër…
Djali im është 19 vjeç, është i dhjetorit ‘98, është biond, sy bojë qielli, po më kalon edhe mua, uroj të bëhet i gjatë, se jam rritur mes të gjatëve, nga shtati, është shumë i dashur, i dhimbsur, ka gjetur veten te kjo bota ime.
Ndodh që t’ju kërkojë ju të parën, për ndonjë hall në telefon?
Kam një raport, që, në fakt, bën xheloz bashkëshortin tim, pret të kthehem unë në shtëpi, futemi në dhomë dhe pëshpëritim gjërat tona. “Po mirë, mor bir, qëndrove me mua dhe s’më the asgjë, erdhi mamaja dhe …të gjitha ia rrëfen.” - bën shaka i ati.
Nuk ju tremb kjo lidhje tepër e fortë?
Ia ushqej shumë, sepse është mosha delikate e tij, ka nevojë për mua, por deri në atë pikë që mua më vlen për të ditur ç’bën ai gjithë ditën. Sepse nuk e ndjek dot. Dua sinqeritetin e tij, drejtësinë për vlerësimin që bën në lidhje me mësuesit, pedagogët dhe shokët e tij, sigurisht që kam burimet e mia për jetën e tij, ia kam thënë, shiko se versioni yt krahasuar me çka thotë mësuesi nuk më shkon, mos më fshih asgjë, se më bën të ndihem keq para mësuesve. Por, është fëmijë që deri sot nuk më ka sjellë probleme.
Nëse jeni larguar për çështje pune larg djalit tuaj, si e keni përjetuar?
I shmang me sa mund largimet. Ai është arsyeja e vetme që nuk shkëputem gjatë. Kam pasur dy - tri udhëtime të gjata, por ju betohem që kanë qenë çastet më të vështira, njëherë ishte shumë i vogël, unë e di si e kam lënë… dhe tani vonë kam lëvizur, por ka qenë më e vështirë se atëherë, ndoshta lidhja ime shpirtërore me të është e parezistueshme.
Ndodh që zemëroheni. Me cilin nga dy “djemtë” e shtëpisë rrini më gjatë?
Sherri ka lezetin e vet, se rikthimi në paqe sjell një zjarr të ri. Më gjatë rri me bashkëshortin, me djalin zbutem. Për këtë më kritikon im shoq, sepse e fal lehtë tim bir.
Familja juaj është e madhe?
Kur u them të tjerëve që jetojmë me prindërit e tim shoqi, e deri para pak kohe edhe me motrën e bashkëshortit, nuk e besojnë. Kemi krijuar një raport normal, ku ka gjetur secili vendin e vet. Ja, edhe kjo është eksperiencë dhe sfidë.
Ndonjë natë pa gjumë...? Në pamje të parë duket sikur jeni grua e fortë…?
Unë e lë këtë përshtypje te njerëzit. Më thonë se nuk të afrohet dot njeriu, se dukesh e sertë. Jam përfshirë deri diku me emocionet e të tjerëve. Jam një natyrë shumë emotive. Edhe unë kam pikat e mia të dobëta, rri edhe pa gjumë, edhe qaj shpesh. Prapa asaj Eni të fortë, është Eni njeri, Eni e vërtetë, thjesht, qytetare bashkëkombëse, bashkëshorte, nënë, si të tjerat.

E GJEN GJITHMONË NJË KËSHILLË, ZGJIDHJE LIGJORE PËR NJERËZIT E PAMBROJTUR. POR, NDODH QË EDHE VETES I DUHET T’I THOTË - BËHU E FORTË, JE SHUMË E BRISHTË!

Çdo problematikë që vjen, civile, familjare, administrative, penale ka pika takimi edhe me ne, kemi familjarë, shoqëri që kanë po ato probleme. Ti nuk tërhiqesh dot kur ndeshesh me një problem. Tani jam bërë emblematike prej programit televiziv. U them atë që u duhet thënë. Por, të përkthyer te vetja, shumë gjëra që u them njerëzve, ato çka duhet të bëjnë, kurajën që u jap, ndoshta në jetën time nuk e di si do t’i zgjidhja. U jap atë që do të dëshiroja të bëja edhe me veten.

KUR VJEN E DIELA, SHUMË NJERËZ QË MBARTIN HISTORI NGA MË TË NDRYSHMET NË JETËN E TYRE, SHOHIN SE ÇFARË DO TË NDODHTE NËSE DO T’I BESONIN NJË ZONJE TË MENÇUR, TË HIJSHME DHE TË FORTË DERI NË NJË PIKË LOTI, SI ENI ÇOBANI.

Ju kanë ofruar një post të rëndësishëm në qeverinë e re?
Me dashamirësi ju them që postet janë politike. Nuk kam pritur nga politika që të më bëjnë oferta, kurse për anën profesionale, vazhdoj të kërkoj derisa të kem mundësitë e mia, brenda kritereve ligjore dhe standardeve që ligji kërkon. Po të kem edhe pak fat në atë që kërkoj, di që unë do të shërbej me devotshmëri.
Deri në ç’masë do ta falë një grua dhunën?
Kemi eksperienca që e kanë falur derisa kanë mbyllur sytë dhe nuk kanë folur kurrë. Kur e kam filluara këtë emision televiziv, nuk e kam ditur sa shumë dhunë kishte në familjet shqiptare. E tani, e quaj mision dhe sfidën time më të madhe të ndihmoj sa më shumë njerëzit, sidomos gratë e dhunuara. Asnjë sekondë, dhuna nuk është e pranueshme, neve jeta na jepet vetëm një herë, është e pafalshme sikur edhe një qime floku të na prekin... Unë jam për t’u ulur, për të ndërmjetësuar dhe për të zgjidhur, por, nëse nuk funksionon... Gruaja duhet të largohet menjëherë, sapo shikon një sjellje të dhunshme mbi të.
Ç’lloj librash ju tërheqin?
Lexoj shumë të fushës juridike. Dëshira më e madhe janë librat autobiografikë, kam marrë me radhë tërë pjesën historike botërore, Madeleine Albright, Klinton. Te Albright kam parë gruan që është kthyer si idhull.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version