Blerina Gashi
Foto Ridvan Slivova
Ju keni pasur jashtëzakonisht probleme gjatë shtatzënësive tuaja, megjithatë vullneti juaj i fortë, thuajse i çeliktë, nuk ju ka lejuar të dorëzoheni asnjëherë?
- Lufta deri tek shtatzënësia e parë ka zgjatur shumë, nuk u ndala kurrë derisa nuk erdhi momenti që e kuptova se jam shtatzënë. Për asnjë moment nuk u ndala. Nga çdo rrëzim unë ngrihesha me forca të reja, sepse e dija se, po u dorëzova, do të humbja, e nëse vazhdoja, një ditë do të fitoja.
Shtatzënësia juaj e parë ka dështuar, thuaja në fund të saj?
- Shtatzënësia ime e parë përfundoi tragjikisht në javën e 29-të, javë kjo kur të gjithë prindërit numërojnë ditët deri tek momenti i ardhjes në jetë të bebes, koha kur përgatiten edhe me blerjen e gjërave, si dhoma, veshmbathjet etj.... Për ne lajmi që bebi nuk jeton, krijoi një konfuzion. E pabesuar, herë-herë na dukej si një ëndërr e keqe, thjesht thënë dhimbja ishte shumë e madhe, s’e përshkruaj dot. Ishim në Berlin, larg familjeve, vetëm me ca miq atje që kemi. Trajtimi në spital ishte i veçantë për ne, falë atij stafi që na mësuan se ndonjëherë natyra është ajo që tregohet e keqe me ne, disi u pajtuam, edhe pse na është dashur periudhë e gjatë deri te kthimi në normale. Pas 22 muajsh, përsëri tentim e trajtime pa u ndalur për asnjë moment, erdhi dita kur testi i shtatzënësisë tregoi pozitiv. Sa shumë u lumturuam përsëri. Se do ta humbja edhe këtë herë beben, nuk e mendova kurrë, isha shume pozitive.
Pas sa vjetësh martese lindi Doni, djali juaj i parë?
- Doni ka lindur pas 12 vjetësh martese. Edhe pse ne përgatiteshim që të shkonim në Berlin për të lindur Donin, ndodhi lindja e parakohshme në javën e 34-t. Lindja u bë në Shkup, në Klinikën Remedika. Disa kontrollime të rëndësishme i kemi kryer në Berlin, për sa i përket zhvillimit të bebes, ndërsa të tjerat në Shkup. Ishim shumë të lumtur që bebi po shkonte mirë dhe e morëm lajmin që është djalë. Nuk bleva asgjë derisa isha shtatzënë, përveç jastëkut të shtatzënësisë, e më vonë që do ta përdorja edhe për bebin gjatë gjidhënies.
Mund të na i përshkruani emocionet tuaja kur e morët në dorë foshnjën tuaj?
- Fakti që vetëm ia dëgjuam zërin kur qau, na bëri që bota të bëhej jona, lindi Doni shëndoshë e mirë. Sapo ma afruan, u përqafuam fort bashkë mes lotësh, gëzimit që të tre, unë, Mentori e Doni, sepse edhe Mentori mori pjesë në lindje. E falënderova Zotin shumë që çdo gjë përfundoi si është më së miri dhe s’po besonim ëndrrën e vërtetë, ëndrrën më të bukur në botë. Ishim të bekuar e me shumë fat këtë radhë.
Pas disa vjetësh, ju planifikuat të keni edhe një fëmijë, megjithatë sërish u ballafaquat me probleme gjatë shtatzënësisë? Çfarë nuk shkonte, cila ishte diagnoza e mjekut?
- Me ardhjen në jetë të Donit, ne ishim të plotësuar, ndiheshim të mbushur shpirtërisht dhe as që mendonim për fëmijë të tjetër. Kur Doni u bë 16 muajsh, unë e kuptova që jam shtatzënë përsëri. Tani më të lumtur që Donit do t’i bëhej një motër o vëlla. U shpërngulëm në Berlin për ta ndjekur tërë shtatzënësinë që të mos na ndodhë ajo që na ndodhi me Donin, pra lindja e parakohshme. Çdo gjë shkoi mirë për 7 muaj. E kuptuam se Doni do të bëhej me motër. I gjetëm edhe emrin, do ta quanim Doa. Vendosëm të vinim në Prishtinë për disa ditë e për t’i mbledhur gjërat si karrocën e gjëra të tjera që do të më duheshin për lindjen si dhe pak të rrinim me familjet në Prishtinë e Shkup, dhe të ktheheshim përsëri në Berlin për të pritur një moment tjetër të madh. Si duket nga udhëtimi fitova kontraksionet dhe më duhej të shtrihem në Klinikën e Çairit në Shkup për t’u trajtuar. Ndodhi përsëri lindja e parakohshme. Pavarësisht nga shumë komplikime të mia gjatë operacionit, gjithmonë falënderim Zotit dhe Dr. Mendu Jegenit, drejtorit të klinikës, arrita të mbetem gjallë. Lindi Doa shëndoshë e mirë, edhe pse e vogël në peshë, e transferuan në Kliniken Shtetërore në Shkup, në Qendrën e Neonatologjisë. Fati deshi që ajo të jetonte veç 3 ditë, nuk mundi të luftonte për të mbijetuar. Përsëri u thyem. Dhimbja ishte shumë e madhe. U kthyem në shtëpi duarzbrazur pa Doan, por të lumtur që kishim Donin për të na e plotësuar këtë zbrazëti. E kishim një engjëll të vërtetë, por tani na u bënë dy që nuk jetuan: Engji e Doa.
Ju paralajmëronte mjeku se do të kishit probleme gjatë shtatzënësisë?
- Për asnjë problem nuk më ka paralajmëruar mjekja ime që më trajtonte gjatë shtatzënësisë, sepse në kontroll çdo gjë shkonte si është më së miri. Por, ndonjëherë ndodhin të papritura që nuk parashikohen. Kështu, unë kam pasur 2 shtatzënësi të dështuara.
Megjithatë, ju asnjëherë nuk hoqët dorë nga dëshira për të pasur edhe një fëmijë. Ju ka thënë ndonjëherë mjeku se nuk mund të rrezikoni më?
- Jo që kam qenë këmbëngulëse për fëmijën e dytë. Mjeku asnjëherë nuk më ka paralajmëruar për ndonjë rrezik nëse do të vinte edhe një fëmijë, sepse gëzoja shëndet të mirë.
Më pas ju vendosët të shpërnguleshit në Gjermani, për të pasur një kujdes më të mirë mjekësor atje?
- Pas vetëm 6 muajsh nga lindja me Doan, ende me plagë të freskët në zemër, unë kuptova për shtatzënësinë e katërt, atë me Detin. Përsëri morëm rrugën e Berlinit. Kisha më shumë siguri të ndiqja shtatzënësinë atje. Por, këtë radhë pa lëvizur fare nga ky qytet.
Sa vjet, pas djalit tuaj të parë, lindi bebja juaj e dytë?
- Pas tre vjetëve të Donit, lindi Deti. Në këtë shtatzënësi në muajin e 4-t, i jam nënshtruar një operacioni, sepse më në fund në Klinikën ku bëja kontrollimet, zbuluan problemin e lindjeve të mia të parakohshme. Deri atëherë askush nga mjekët nuk e kishin vërejtur, me rëndësi që tash isha më e sigurt se nuk do të më ndodhte e papritura. E pabesueshme për mua kur përsëri në javën e 33-të kam ndier disa dhimbje, por jo kontraksione, dhimbje nëpër tërë barkun. Ka ardhur Urgjenca në shtëpi më kanë shpënë në Klinikën Charité në Berlin. Nuk mund ta kuptonin nga më vinin ato dhimbje dhe pas 5 ditësh janë detyruar të më operojnë. Ka lindur Deti, ndërsa gjatë operacionit është vërejtur që dhimbjet kanë ardhur nga plasja e plagës nga operacioni paraprak, sepse shtatzënia ka ndodhur në periudhë të shkurtër. Me rëndësi që çdo gjë përfundoi mirë, pa komplikime të tjera. Deti për ca ditë ka qenë në inkubator. Pastaj kemi shkuar në shtëpi te Baba Mentori, Doni dhe Bigji. Të lumtur që çdo gjë përfundoi si është më mirë.
Tani jetoni në Prishtinë, bashkë me dy djemtë tuaj dhe bashkëshortin. Si i kaloni ditët tuaja, jua bëjnë lëmsh shtëpinë djemtë?
- Po, përfundimisht jemi kthyer në Prishtinë. Në shtëpi gjithmonë kemi rrëmujë. Por s’ka gjë, ne gratë jemi të zonjat e të forta dhe i përballojmë të gjitha. Natyra na ka krijuar të tilla. Unë kam shumë përkrahje nga Mentori. Kështu që me ndihmën e tij ditët më bëhen më të lehta.
Dëshironi të keni ende fëmijë?
- Dëshira për të pasur ende fëmijë ekziston, por duke e marrë parasysh përvojën time të hidhur e aspak të lehtë deri tek fëmijët që kam sot, falënderim Zotit, kemi vendosur të mbetemi me kaq.
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.