Gëzohu kur dikush është mirë!
Koha në të cilën kam kaluar rininë, shpesh kërkonte të jetoja me rregullat strikte nën patronazhin e rrethit… Ndërsa t’i kërkoje të jetoje në kufijtë e një shteti ku respektohen të drejtat e njeriut.
Burbuqe Rushiti
Mosha 18-20 vjeçe, që mendohej të jetë kufiri që ndan fëmijërinë dhe pjekurinë e personit, mua më gjeti shumë më të pjekur, por në të njëjtën kohë edhe të papërgatitur për moshën që kisha. Këto dy ekstreme nuk përkonin aspak me njëri-tjetrin. Pos shoqeve dhe shokëve të shkollës, unë në fqinjësi nuk kisha fëmijë të moshës sime, fqinjët ishin rritur kaherë. Shkoja në shkollë, mësimin e kisha pasion, por që në të njëjtën kohë edhe bashkëpunoja në radio dhe medie të tjera të shkruara. Isha e pjekur në aspektin e temave të jetës të cilat ma zgjonin kërshërinë, si filozofia, kultura, arti, drama dhe pas shkollës kisha dëshirë të jem e rrethuar edhe me njerëz të cilët ishin më të moshuar se unë, sepse ata dinin shumë më shumë për këto fusha të interesimit tim. E unë aty e gjeja kënaqësinë e hapjes së një horizonti të ri, gjersa lodrat kishin mbetur nëpër vitrinat e dollapëve. Një hap imi gjendej në bisedat e këndshme të klasës, ndërsa tjetri mundohej të ecte shumë përpara në bisedat më serioze. Në njërën anë pasurohesha, në anën tjetër e fshihja fëmijën që jetonte në mua. Ai fëmijë duhej të ecte me kohën, e jo ta kalonte atë realen duke i shtyrë akrepat e orës apo duke i kthyer faqet e kalendarit shumë para. Shoqëria e të rriturve më pranonte me shumë dashuri dhe simpati, edhe pse shumë e re, ata më inkuadronin në diskutimet e tyre.
Por, ja që në jetë nuk është çdo gjë zi dhe bardh, ashtu si idealizoja unë në moshën e idealeve, aty-këtu kishte kurthe dhe ndërskamca, që ishin të njohura për njerëzit e moshës më të rritur dhe që ishin më të përgatitur të luftonin me to. Dhe mu këtu ndonjëherë ndeshej me realitetin ai fëmija i pjekur para kohe, por i papjekur në shpirt për të panjohurat, befasitë dhe të papriturat e paimagjinuara. Ai fëmijë ishte ende pa sherr, ndërsa bota e të rriturve përreth ishte rryer në to. Kjo shkaktonte dhembje në shpirt, plagë që nuk shëroheshin lehtë. Por që ato goditje më shtynin të isha luftarake e qetë në mbrojtën e së drejtës sime. Miqtë më të moshuar mundoheshin të më ndihmonin me këshilla dashamirëse.
Koha në të cilën jetoja shpesh kërkonte të jetoja me rregullat strikte të kufijve të ngurtë nën patronazhin e rrethit. Në mënyrë metaforike ishte njëjtë si të jetoje në kufijtë e një shteti, cilidoqoftë, diktatorial, ndërsa ti kërkoje të jetoje në kufijtë e ndonjë shteti ku respektohen të drejtat e njeriut. Këto dy koncepte ishin larg njëra-tjetrës.
Vendimet jetike nuk mund t`i merrje vetë, sepse duhej konsultuar rrethi, të respektohej mëhalla, qyteti dhe të merreshin në konsideratë mendimet, shpesh absurde, që nuk përkonin me logjikën e shëndoshë dhe me mirëqenien e secilit. Duhej të ecje shumë shpesh me kohën e gjeneratave të mëhershme, ndërsa ti, edhe pse ende në shpirt fëmijë, i kishe kaluar klishetë e të menduarit për të drejtën tënde elementare për të jetuar lirshëm. Këtu fillonte rebelimi i qetë në jetë dhe në punë për të treguar se unë mundem si femër edhe të shkruaj pa ndihmën e askujt, të mësoj, të jem e barabartë me meshkujt në aspektin profesional. Nuk dëshiroja që në profesion të shikohesha si femër, por si profesioniste, e barabartë me meshkujt. Nuk dëshiroja të jetoja, të punoja nën patronazhin e stereotipave provincialë, ku femra ishte dënuar të shikohej ndryshe. Edhe martesa erdhi në fillim të studimeve. Por, e kisha një fat te madh, sepse pas vetes i kisha prindërit dhe më vonë bashkëshortin, përkrahësit e mi të mëdhenj, ata që besuan përherë në mua dhe kështu arrita të mos çaloja as në studime e as në profesion. Sot, ndërkaq, jam edhe më e lumtur se në moshën 18-20 vjeçe, pas një karriere më shumë se 35 vjet në gazetari dhe 37 vjet martesë. Në jetën time ka dashuri për secilin, por më së shumti i dua fëmijët e mi, që janë me vite e vite mijëra kilometra larg meje. Letra që na e patën dërguar djemtë e mi pas përfundimit të studimeve të tyre, flet se malli dhe përkushtimi i madh ndaj tyre, mua dhe bashkëshortit tim na u shpaguan shumëfish. Do ta ndaj me ju një fragment të letrës, sepse e di që do t’ju shërbejë në jetë `Ju nuk na prangosët me dashuri, dashuria juaj na lejoi të lëviznim lirshëm në hapësirë ku ne arritëm t`i realizojmë ëndrrat tona. Ju jemi mirënjohës përgjithmonë.`
Përjetuam edhe luftën, sot jemi gjallë, kjo është dhurata më e bukur. Unë jetoj ende në Prishtinë, por tani nuk ua vë veshin gjërave që nuk kanë vlerë për ta lodhur trurin me to si dikur, nuk mendoj keq për askënd, sepse ajo ta helmon shpirtin dhe t`i plak qelizat. Çdoherë e shikoj gotën gjysmë të mbushur, gëzohem me sukseset e të tjerëve, këtë ma ka mësuar babai i ndjerë duke më thënë: `Gëzohu kur dikush të jetë mirë, sepse vetëm hairin ia sheh, njeriu që është keq, të sjell vetëm shqetësime`. Nëse mund t’i ndihmoj njeriut, i ndihmoj, nëse jo, e uroj për të mirën. Nuk kalkuloj në sjellje me rrethin, atë që e dua, e dua me gjithë shpirt dhe nuk di të bëj lajka boshe. I gëzohem diellit, borës, shiut, në secilën gjej lumturi. Mësoj nga përjetimet dhe eksperiencat e të tjerëve, mundohem të jetoj pa paragjykime. Tek secili fëmijë gjej kënaqësi...
Atë çka kam mësuar është që: `Nuk duhet lexuar Homeri e Dante në moshën 9 apo 10-vjeçare, por atëherë kur të piqesh për t`i kuptuar ata si dhe mesazhet e tyre. Ka shumë libra në botë për secilën gjeneratë`. Dhe: `Mos e kthe kokën pas duke ecur përpara, sepse mund të marrësh n`thu.` E kaluara le të mbetet vetëm si një mësim i mirë jetësor.
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.