Ti je ketu: Ballina > Opinione > Shpifjet, përgojimet, xhelozia...
Edukatë
Shpifjet, përgojimet, xhelozia...
Sharjet, ofendimet, mallkimet, përgojimet, shpifjet, nënçmimet, përdhunimet dhe përqeshjet, janë komunikim i papranueshëm verbal dhe joverbal. Janë fjalë e shprehje fyese, të rënda, të pahijshme, kur ia themi dikujt, individualisht ose në grup, ndër sy ose pas shpine.

Shkruan Mr.Shefki Stublla

Sharja është komunikim i papranueshëm në çfarëdo trajte që shfaqet, sepse është fjalë a sintagmë ofenduese. Sharjet në gjuhën shqipe janë të vjetra. Ato deri vonë ishin tabu. Njerëzit nuk i përdornin, sepse shkaktonin mosmarrëveshje të mëdha. Sidomos kur i shahej dikujt nëna, motra, në veçanti kur i shahej gruaja. Për një sharje të rëndë, njeriut i shkonte koka. Me një fjalë, populli shqiptar nuk është aq i prirur dhe ‘erudit’ për sharje, siç është, fjala vjen, populli serb, i cili çdo të dytën fjalë e lidh për këtë trajtë komunikimi, duke share nënën, motrën, gruan, fëmijën, bukën, diellin, Zotin dhe tërë atë që ka të gjallë kundërshtari i tij. Nuk është karakteristikë e shqiptarëve të përdorin sharjet as për njerëz as për kafshë. Sharja dhe fyerja ishte e fundit në komunikim. I besojnë Perëndisë, ruajnë kombin dhe trashëgiminë. Prejardhjen e lidhin me institucionin e besës. Ruajnë miqësinë si traditë dhe të mirën e kthejnë me të mirë, sidomos kanë qëndrim ndaj të largëtit dhe të huajit. Sot, për fat të keq, sharjet janë shpeshtuar mjaft dhe, krahas sharjeve autoktone, në gjuhën shqipe po hyjnë mjaft sharje nga gjuhët e tjera, pa kurrfarë ‘doganimi’.

Ofendimi ose fyerja
Ofendimi ose fyerja, që shprehet përmes një fjale ose qëndrimi, i cili cenon në nder ose prek në sedër të tjetrit, gjatë komunikimit të njerëzve me njëri-tjetrin, nuk lejohet, sepse sjell çrregullim, hidhërim. “Gjuha është prej tuli, por thyen eshtra”, thotë populli. Për njeriun e ndershëm, ofendimet janë sulm mbi jetën dhe trupin e tij. Meqë nderi dhe autoriteti janë të shenjta, dikur bëheshin edhe vrasje dhe belaja ndalej me shumë vështirësi. Çdo njeri që është në pozitë dhe ka mundësi, duhet të ndalojë fjalët fyese kudo, sidomos në libra dhe në tekstet e këngëve të të gjitha zhanreve. Ofendimi ose fyerja jo vetëm që është e papranueshme nga aspekti etik, por ajo është edhe vepër kriminale kundër moralit dhe nderit të një njeriu ose të një institucioni. Në praktikë, ofendimi mund të jetë me shkrim ose me gojë, po edhe me një sjellje, me anën e së cilës shfaqet mohimi i integritetit moral ndaj personit tjetër. Ofendimi shumë i rëndë është fyerja publike e një personi ose një institucioni.

Shpifjet, shpotitë dhe bartja e fjalëve
Shpifjet janë formë e papranueshme në komunikimin e përditshëm. Njerëzit që shpifin e trillojnë me qëllim gjëra të paqena për njëri-tjetrin, që përhapin fjalë të rreme për t’i njollosur dikujt nderin a emrin e mirë, që e ngarkojnë me një faj që nuk e ka bërë ose e njollosin me diçka për synime të pandershme, janë shumë të dëmshëm dhe sjellin çrregullim në marrëdhëniet ndërnjerëzore. Kjo trajtë e komunikimit nuk mund të pranohet dhe është vepër penale.

Xhelozia – trajtë e papranueshme e komunikimit
Xhelozia është trajtë e papranueshme në komunikim, “sepse karakterizon ndjenjat negative intensive të hidhërimit, të zemërimit dhe të pakënaqësisë” ndërmjet bashkëshortëve ose dy njerëzve të tjerë në jetën e përditshme, kur goditen nga i treti ose nga ndonjë interes tjetër intim. Motivi themelor i saj është nevoja për ekskluzivitet, posedim apo frika e humbjes së njeriut ose sendit të dashur përjetë. Këto tipare të këqija, të dëmshme e të pamoralshme të një njeriu që huq, nuk maten me kandar. Psikologët i quajnë sëmundje, kurse Zoti i quan mëkat, sepse nga xhelozia nuk fiton asgjë, askush, por ka dëshirë vetëm të shkatërrojë tjetrin dhe nuk mund të justifikohet me asgjë.
Shumica dërrmuese e njerëzve, dikur dhe sot, mendojnë se femrat janë më të prira për nxjerrjen e dufit të xhelozisë së tmerrshme ndaj meshkujve sesa meshkujt ndaj tyre. Edhe helenët e vjetër konsideronin se xhelozia e femrave paraqet rrezik më të madh për mashkullin sesa armiku i tij më i madh. Sipas këtij botëkuptimi, besohet se xhelozia e femrës është në gjendje t’i sjellë mashkullit të keqe të madhe, ta shkatërrojë atë, madje edhe ta zhbëjë bashkë me vetveten. Ajo është shumë hakmarrëse edhe ndaj rivaleve të vërteta dhe të imagjinuara!

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version