Ti je ketu: Ballina > Opinione > MIRËDITA! Sa ju kushton të jeni të sjellshëm?!
A kanë kulturë njerëzit e popullarizuar?
MIRËDITA! Sa ju kushton të jeni të sjellshëm?!
Pasi vonohet për më se një orë, këngëtarja arrin në takim dhe ne presim, jo për brejtje ndërgjegjeje nga ana e saj, por, eh, sa për mirësjellje, një kërkim-falje. Por, as që bëhet fjalë. Ndodh ajo që një njeri normal dhe me pak edukatë, as nuk mund ta imagjinojë...

Shkruan Antigona Uka

Në klipe, në televizione, në revista, ajo duket e përkryer. Këtë imazh ka krijuar, dhe për të arritur këtë imazh duhet sakrifikuar orë të tëra tek parukerja, grimerja, orë të tëra për t’u veshur... etj., etj..  Mjaftojnë 3-4 ‘shërbëtorë’ që të sillen rrotull që ajo të mendojë se është yll që ka prekur qiellin dhe që të gjithë t’i shohë nga lartësia. Këngëtarja ‘e dashur’, ka arritur të çajë në tregun muzikor të Kosovës, falë investimit të pakursyer në dukje. Kjo ngritje pa meritë, kjo famë e rreme, këta floktarë, grimerë e shërbëtorë të mjerë, që i rrinë gatitu gjithë ditën, e kanë bërë këngëtaren ‘e dashur’, të ushqejë iluzione se ajo është mbretëresha që kudo ku shkon, të tjerët janë në shërbim të saj. Kjo famë e rreme, e ka bindur se duhet shqelmuar edukata themelore, mirësjellja dhe çdo sjellje njerëzore, pasi, sipas botëkuptimit të saj të ngushtë, këto sjellje u takojnë të nënshtruarve të saj. Ajo nuk ka nevojë për to - se e sjell botën në gisht.
Eh sa gabim.
Të jetuarit në këtë Kosovën tonë të vogël, ku artistët e mirëfilltë numërohen në gishta, si revistë na ka detyruar që ndonjëherë të kontaktojmë edhe këngëtarë nga sjellja e të cilëve kemi mbetur thellësisht të zhgënjyer.
E kontaktuam këngëtaren, tashmë nënë e re, dhe caktuam takimin në një hotel në kryeqytet. I treguam se intervista është për jetën familjare dhe se ajo duhet të reflektojë përditshmërinë e saj, jashtë skenës. Jo, jo, jo. Çfarë familjeje, çfarë thjeshtësie. Këngëtarja duhet të shfaqet e përkryer, se vetëm si e tillë mund t’i rezistojë konkurrencës, se vetëm ky imazh ia ruan vetëkënaqësinë dhe prepotencën. Numëron kërkesat para intervistës. Një dhomë të ngrohtë për vajzën e vogël, një dhomë për grimin, një për zhveshjen. Ia qartësojmë se, me përjashtim të kërkesës së parë, të tjerat janë të panevojshme. E kotë. Realizojmë kërkesën e parë dhe presim ardhjen e saj. Në vend të saj, na shfaqet grimeri, i cili e ka pritur për më se tri orë këngëtaren e cila ndodhet te floktarja. Ai kërkon një hapësirë ku do të mund ta grimojë këngëtaren para se të realizojmë fotot familjare dhe intervistën. Intervistën, për të cilën më së paku brengoset këngëtarja. Grimi, flokët, veshja. Këto tri aspekte duhet të jenë në perfeksion, se çka thotë, është krejt e parëndësishme. Vijojmë të presim, pasi ia kemi bërë me dije se jemi në vendin e caktuar, dhe marrim një sms se do të jetë aty për 20 minuta! Kalojnë edhe 40 e ca të tjera. Më në fund shfaqet bashkëshorti me vajzën dhe dadon, dhe, pas më se dhjetë minutave, këngëtarja ‘e famshme’, në përcjellje të shërbëtores që i mban valixhet me fustane...


Na e zgjat dorën dhe ne presim, jo për brejtje ndërgjegjeje nga ana e saj, por, eh, sa për mirësjellje, një kërkim-falje. Por, as që bëhet fjalë. Merr vajzën pak çaste dhe, duke e lëshuar në kolltuk, na drejtohet me pyetjen ‘si e pate emrin?’. Duke qeshur me ironi i tregoj dhe kërkesa e saj drejt nesh kalon caqet e çdo imagjinate. Këngëtarja, me dy shërbëtore që po rrinin në këmbë, më drejtohet me kërkesën që nga hoteli t’i siguroj një hekur (fustanet duhej hekurosur). Për një çast mendoj: jam para liderit të Koresë Veriore, Kim Jong, apo para një ‘artisteje’?! E pyes me habi “Çfarë?”, duke mos u besuar veshëve. Dhe kërkesa e njëjtë përsëritet. Pa fije turpi. Reagimi im, duke u ndier keq për mungesën e saj të edukatës themelore, është se ky nuk është shërbim që duhet ta kryejmë ne, dhe se unë nuk jam shërbëtore. Jam gazetare. Me gjakftohtësi ajo kërkon numrin e redaksisë dhe duke provuar t’ia jap, mendoj se u pendua për sjelljen që bëri. Por, këngëtarja më qëllimin që të më paraqesë për padëgjueshmëri provon të telefonojë në redaksi. ‘Kim Jong’ do të më ‘vrasë’ duke më lënë pa punë, se nuk po ia sjell hekurin. S’po më besohet as derisa po shkruaj, në ç’nivel mund të bjerë një njeri, një femër, nënë, përballë një femre, po ashtu nënë.
Ndërhyn bashkëshorti i saj, të cilit këngëtarja gjakftohtë me qetësi po i rrëfen për arsyetimin që kisha dhënë, ndërkohë që provon të viktimizohet se ajo me vajzë të sëmurë po kërkon hekurin. Bashkëshorti, po ashtu një figurë publike, i kthehet me një nervozizëm të rremë, duke e pyetur pse nuk ia ka kërkuar atij këtë shërbim, ‘se zemër në Kosovë jemi!’. Por, duke injoruar këngëtaren e pasjellshme, bashkëshortit të saj ia kujtoj faktin se të zgjedhurën e tij e pritëm më se një orë dhe, përveç që nuk morëm një kërkim-falje, ajo vjen na kërkon shërbime të tjera. Dhe se ne kemi dinjitetin tonë, të cilin nuk lejojmë të na e nëpërkëmbë askush, e aq më pak një këngëtare mosmirënjohëse. Këngëtarja e qetë pohon se nuk e ka ndër mend të kërkojë falje, ndërkohë që bashkëshorti ka dhënë vendimin e prerë; s’ka foto. PO. Dhe ne jemi të vendosur, s’ka foto e s’ka as intervistë. Por, kjo mungesë elementare e edukatës, kjo sjellje jashtë çdo norme etike, na brengos thellë, jo për shkak të këtij rasti, por për faktin e hidhur se kjo këngëtare, që jeton në një realitet të rremë, nuk është e vetmja. Ajo ka plot ‘shokë e shoqe’, të ngjashëm me të, për nivel të edukatës, kulturës, mosdijes.

Fjalët e cilësuara me të drejtë ‘magjike’, që fëmijët i mësojnë në institucione parashkollore; Ju lutem!; Faleminderit!; dhe “Më falni!”, janë fshirë ose nuk kanë ekzistuar kurrë në fjalorin e të vetëquajturve VIP. Krahas neverisë, po ndiej edhe keqardhje.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version