Ti je ketu: Ballina > Opinione > Nisja në shkollë
Këndi i psikologut
Nisja në shkollë

Nisja në shkollë është një ngjarje shumë e rëndësishme, që sjell ndryshime qenësore në jetën e fëmijës dhe të tërë familjes.Prindërit ndihen të entuziazmuar dhe krenarë, por mund të ndiejnë edhe një brengosje: a është fëmija i tyre i gatshëm për nisje në shkollë?

 

Neki Juniku, psikolog

Disa fëmijë, ende pa shkuar në shkollë, mund të kenë mësuar shkronjat, numërimin, por, në anën tjetër, mund të jenë shumë të turpshëm, të tërhequr. Disa janë plot vetëbesim, por gjithmonë shpërthejnë në zemërim, nëse të gjitha gjërat nuk shkojnë sipas kërkesës së tyre e disa të tjerë shumë vështirë arrijnë të zënë shoqëri me moshatarët e vet.
Këta shembuj dhe shumë të tjerë e aktualizojnë çështjen e gatishmërisë së fëmijës për nisje në shkollë, me ç’rast theksohet arritja e pjekurisë sociale dhe emocionale dhe zotërimi i shkathtësisë së kontaktit e komunikimit me të tjerët, në mënyrë që fëmijët të shmangin stresin në mjedisin shkollor, të ndihen mirë dhe të arrijnë sukses në mësim.
Nga ngrohtësia e mjedisit familjar apo të lojës në kopsht dhe në programin parashkollor, tani kalohet në një mjedis rrënjësisht tjetër dhe në raporte të tjera me të rriturit. Tani duhet respektuar shumë rregulla dhe duhet komunikuar me së paku 30 bashkëmoshatarë në klasë.
Bashkëpunimi, sjellja e përshtatshme si dhe kontrollimi i emocioneve janë të domosdoshme.
Kur është fjala për moshën e nisjes në shkollë, disa studiues rekomandojnë nisjen në shkollë sa më herët që është e mundshme. Një bindje e këtillë është e pranishme te shumë prindër ambiciozë. Ndërkaq, studiues të tjerë insistojnë që me nisjen në shkollë të mos ketë ngutje. Sipas tyre, shumë nga fëmijët e emërtuar si “agresivë”, “të ngadalshëm” në të mësuar, mund të kenë shkuar shumë herët në shkollë. Ata mund t’ia dalin në pikëpamje akademike, por janë të prirur të kenë probleme më vonë, veçmas në pubertet, ngase janë më të vegjël se të tjerët në klasë.
Ndryshimet në pikëpamje të gatishmërisë për nisje në shkollë janë porsi ndryshimet në moshën e të ecurit dhe të të folurit. Disa fëmijë i zotërojnë këto funksione më herët, disa më vonë. Kështu duhet sugjeruar edhe nisja në shkollë, më herët ose më vonë, varësisht nga pjekuria e fëmijës, e cila do të duhej vlerësuar me ekzaminim të hollësishëm profesional.

DISA UDHËZIME PRAKTIKE PËR TË VLERËSUAR NËSE FËMIJA MUND TË KONSIDEROHET I PJEKUR PËR NISJE NË SHKOLLË

Mendohet se fëmija e ka arritur nivelin e duhur të pjekurisë për nisje në shkollë, nëse:

  1. Flet lirshëm dhe qetë me të rriturit;
  2. Nuk shqetësohet, nëse prindi largohet;
  3. Është i vetëdijshëm se, në rast zemërimi, nuk lejohet goditja apo lëndimi i të tjerëve;
  4. Pa ndonjë shtytje apo inkurajim e kryen atë që kërkohet prej tij;
  5. Interesohet të bashkëpunojë me bashkëmoshatarët;
  6. Inicion lojën dhe mund të vendosë për veprimet e veta, e jo vetëm të ndjekë të tjerët;
  7. Ka miq dhe mund të zërë miqësi pa ngurrim.

Disa udhëzime praktike për ta ngritur gatishmërinë e fëmijës për nisje në shkollë:

  1. Ndihmojeni fëmijën të shoqërohet me fëmijë të tjerë, sepse fëmijët e tërhequr, agresivë dhe të parehatshëm, të cilët nuk janë në gjendje ta arrijnë dhe ta mbajnë afërsinë me fëmijë të tjerë, nuk adhurohen dhe vështirë pranohen në grupin e moshatarëve. Andaj, vëreni fëmijën tuaj në kontakt të vazhdueshëm, në lojë dhe në piknikë me fëmijët e familjarëve tuaj, të cilët do t`i imitojë dhe do të bëhet më elastik në rastet e përjetimit të situatave emocionuese, madje pa e hetuar këtë ndryshim të vetin pozitiv;
  2. Mësojeni fëmijën tuaj t`i respektojë rregullat në lojë, t`i kapërcejë konfliktet me fëmijët e tjerë, pa agresivitet;
  3. Me rëndësi të veçantë është që fëmija ta mësojë kontaktin me sy dhe të flasë me vetëbesim në rastet “sy më sy”;
  4. Ndihmojeni fëmijën tuaj të mësojë empatinë (vënien në situatën dhe gjendjen e personit tjetër).

 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.


 

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version