Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Këshilla për rrezitje të parrezikshme
Këshilla për rrezitje të parrezikshme

Para se të shtriheni në plazh me TEUTËN në dorë, përgatituni për takimin me diellin – në mënyrë që të shmangni efektet e dëmshme, ndërsa “të thithni” vetëm bukurinë dhe shëndetin. 

Të gjithë ata që kanë planifikuar që pushimet verore t’i kalojnë në det, vera është si e krijuar për kënaqësi: tashmë e imagjinoni veten të shtrirë në plazh, duke absorbuar ngrohtësinë e rrezeve të diellit. Është plotësisht e qartë pse e duam aq shumë diellin: ai na e ngrit serotoninën, na bën më të lumtur dhe më të relaksuar. Mirëpo, prej viti në vit mjekët po tërheqin vërejtjen se ekspozimi karshi rrezeve të diellit është i - rrezikshëm! Prandaj, nuk duhet harruar që në valixhet tuaja t’i vini prodhimet të cilat do t’ju mbrojnë nga efektet e dëmshme të diellit. Dhe, jo vetëm të skuqjeve të pakëndshme ose ndezjeve, për shkak të të cilave ju ka ndodhur që ta keni kaluar natën pa gjumë, por edhe për arsyen se dëshironi që lëkura t’ju mbetet e butë, e jo të rrudhet para kohe! Pa frikë, nuk do t’ju këshillojmë që të mos dilni fare nga hija e flladit – edhe në diell mund të qëndroni pa gajle, nëse u përmbaheni këshillave vijuese.

Nuk mjafton të përdorni vetëm kapela e syze dielli
Një nga efektet më të dashura nga rrezet e diellit është ngjyra e bukur, falë së cilës për disa muaj do të harroni përdorimin e pudrës. Mirëpo, nëse nuk dëshironi që para kohe të plakeni ose të rrudheni, atëherë duhet të mbroheni nga dielli. Rrezet e diellit, në fakt, e thajnë lëkurën dhe, pa marrë parasysh sa e kultivoni me kremra ose me serume, rrudhat do të jenë më të dukshme dhe më të thella.
Shumica mendojnë se mjafton të vihet kapela (borsalina) dhe syzet e diellit, që të mbrohet fytyra nga rrezet e diellit, porse është e nevojshme të bëhet shumë më shumë. Për fillim, para se të shkohet në pushime verore, patjetër duhet përdorur kremra hidratante me faktorët mbrojtës 15. Ndërsa para përdorimit, fytyra duhet spërkatur me ujë termal, i cili do t’i ndihmojë lëkurës që të hidratohet më mirë. Një herë në javë duhet përdorur maska. Para se të dilet nga shtëpia (pa marrë parasysh nëse shkoni në plazh a në qytet), fytyra duhet lyer me krem për rrezitje që përmban faktorin 15. Përdoret edhe gjeli për lëkurën rreth syve, sepse freskon mirë dhe ofron lagështinë shtesë.

Syzet do të duhej të bllokonin së paku 60% të rrezeve UV
Assesi nuk duhet dalë në diell pa syze dielli, sepse shikimi i gjatë në diell mund të shkaktojë kataraktin dhe sëmundjet e tjera. Veç kësaj, lëkura rreth syve është tepër e brishtë dhe e ndjeshme dhe, kur nuk përdorni syze dielli, fytyra vazhdimisht është nën grimasa, kështu që rrudhat rreth syve do të bëhen më të theksuara. Veçse, syzet duhet të jenë cilësore. Prandaj, nëse syzet nuk kanë dëshmi se mbrojnë nga rrezet UV, nuk duhet blerë.

Çadra e diellit është e mirë, por mund t’ju mashtrojë
E përdorni çadrën dhe mendoni se dielli nuk mund t’ju bëjë asgjë?! Sikurse qëndrimi në hije, edhe çadra e diellit mbron deri diku nga rrezet e diellit, por jo plotësisht. Uji, sipërfaqet e gurta ose rëra, reflektojnë rrezet UV dhe, nëse në plazh qëndroni tërë ditën nën çadër, megjithatë ekziston mundësia që të digjeni. Prandaj, edhe nën çadër duhet të përdoren mjetet mbrojtëse.

Ana e errët e diellit
Shumëkush mendon se njerëzit me lëkurë të vrugët rrallë digjen nga dielli, që pjesërisht është e saktë. Por, shumica mendojnë se personat me ten të vrugët janë të mbrojtur nga kanceri i lëkurës, - e këtu nuk kanë aq të drejtë…
Edhe pse karcinoma e lëkurës është më e rrallë te njerëzit e zeshkët, kur shfaqet, është më agresive. Përveç kësaj, diagnostikohet më vonë, kështu që sëmundja është më vdekjeprurëse. Profesionistët shpjegojnë: në lëkurë të zeshkët pigmenti është më i fortë, kështu që janë më të rralla kallot nga dielli. Sa më e zeshkët të jetë lëkura, aq më i madh është filtri natyror i rrezeve UV (për shembull, lëkura shumë e errët ka faktorin mbrojtës 13). Mirëpo, profesionistët këshillojnë që para ekspozimit në diell duhet të lyheni me kremin mbrojtës me faktor së paku 15-20, sepse faktori natyral 13 nuk është mbrojtje e mjaftueshme. Personat me lëkurë të bardhë i takojnë grupit të më të dëmtuarve nga ndikimi i dëmshëm i diellit, veçse këta do t’i vërejnë më herët ndryshimet në trupin e tyre, kështu që edhe do të trajtohen më herët e më lehtë.

Më shumë kujdes nëse përdorni barna...
Nëse përdorni kontraceptivë, antidepresivë, antihistaminikë ose ndonjë lloj tjetër të ilaçeve, duhet të rreziteni me shumë kujdes, sepse ilaçet dhe dielli nuk shkojnë bashkë! Disa ilaçe mund të shkaktojnë njolla të errëta, skuqje ose ënjtje në lëkurë, prandaj do të ishte mirë që para se të shkoni në det, të konsultoheni me mjekun. Po kështu, duhet të jeni të kujdesshëm nëse përdorni edhe vitamina.

Mënyra e mbrojtjes së lëkurës
Si ta mbrojmë lëkurën në këtë verë? Duhet të lyheni me krem për rrezitje, t’i shmangeni solarit dhe të hani çokollatë! Po, kjo është e vërtetë: hulumtimet e shkencëtarëve amerikanë kanë zbuluar se personat të cilët përdorin çdo ditë nga 20 gramë të llojit të caktuar të çokollatës, në kohëzgjatje prej 3 muajsh, janë të mbrojtur më mirë nga rrezet e dëmshme UV, sesa ata që i shmangen përdorimit të kësaj ëmbëlsire.
Shkencëtarët besojnë se shkak i kësaj janë flavanoidet që përmban kakaoja. Mirëpo, këto flavanoide nuk gjenden në secilën çokollatë, ky ushqim i shëndoshë gjendet vetëm në çokollatat e errëta me përqindje të madhe të kakaos. Nëse dëshironi të shmangni rrudhat dhe kancerin e lëkurës, duhet përdorur kremi për rrezitje me
faktor të lartë mbrojtës. Domethënë, në kohën e pasdites lirisht qerasuni me çokollatë, sepse kjo i bën mirë trupit tuaj, por mos mendoni se kjo mjafton
për mbrojtje të lëkurës!

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 
 

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version