Ti je ketu: Ballina > Aktuale >

Pezmatimi i hemorroideve mund të ndalohet

Të gjithë ata që janë ballafaquar me problemin e hemorroideve të pezmatuara, e dinë se sa të pakëndshme janë dhe në ç’mas e vështirësojnë funksionimin e çdoditshëm. Të tillë ka mjaft, sepse konsiderohet se çdo i katërti person i rritur vuan nga hemorroidet. Mjekët shpjegojnë se hemorroide kanë të gjithë, ato janë jastëk normal arterio-venor në pjesën përfundimtare të zorrës së trashë, ndërsa shfaqen probleme vetëm kur zgjerohen, ënjten dhe pezmatohen.


Fajtor është qëndrimi ulur dhe ushqimi i yndyrshëm
Pezmatimi i hemorroideve ndodh me rastin e qëndrimit të gjatë ulur dhe situatave të cilat e zmadhojnë shtypjen në rektum. Po kështu, për krijimin e vështirësive më së shumti shkaktar është kapsllëku dhe tendosja e madhe me rastin e zbrazjes së zorrës së trashë, por edhe diarreja e gjatë shpesh rezulton me sëmundjen. Personat e trashë (me kilogramë të tepruar) janë më shumë të rrezikuar, të gjithë ata që janë të detyruar të mbajnë peshë të rëndë si dhe shtatzënat. Mënyra bashkëkohore e jetesës, që do të thotë qëndrimi i gjatë ulur dhe aktiviteti i paktë fizik, gjithashtu janë shkaktarë të shfaqjes së sëmundjes së hemorroideve tek të rriturit.

Hani pemë dhe pini sa më shumë ujë
Hemorroidet mund të jenë të jashtme dhe të brendshme, sipas kësaj ndryshojnë edhe telashet të cilat i shkaktojnë pezmatimet. Te rastet më të shpeshta shfaqen dhimbjet, gjakrrjedhja, dalja jashtë e nyjave me rastin e zbrazjes së zorrës së trashë, si dhe kruajtja rreth anusit. Kur bëhet fjalë për shërimin, kjo varet nga stadi i sëmundjes. Meqë stilet jo të shëndosha të jetës janë shkaktarët më të shpeshtë të problemit, për fillim është e domosdoshme që të kultivohen shprehitë e shëndosha të jetesës, të cilave duhet t’u përmbahemi. Kjo, para së gjithash domethënë të ushqyerit e drejtë, të ngrënit e sa më shumë të pemëve dhe perimeve, me shumë ushqime fijezore, përdorimi i sa më shumë lëngjeve dhe njëherësh shmangia e ushqimit të yndyrshëm, të thartë ose djegës. Kjo ndihmon që jashtëqitja të jetë e butë dhe e rregullt.

Kur nuk ndihmon asgjë, ndihmon operimi
Nëse, krahas ushqimit të drejtë, praktikohen edhe shëtitjet e rregulla, ushtrimet ose çdo aktivitet tjetër fizik, telashet e hemorroideve mund të parandalohen plotësisht. Është me rëndësi, gjithashtu, mbajtja e higjienës së mirë të regjionit anal, me ujë të vakët dhe me sapun të butë pas çdo zbrazjeje, ndërsa në fazën e dhimbjeve mund të shfrytëzohen yndyra të ndryshme dhe supozitorë që i rekomandon mjeku. Hemorroidet e pezmatuara duhet të shërohen, sepse në të kundërtën mund të komplikohen përmes infeksioneve, gjakrrjedhjeve të forta dhe trombozës. Për stade më të rënda të sëmundjes, ndonjëherë e vetmja zgjidhje është shërimi kirurgjik i hemorroideve të pezmatuara, kur me anë të operacionit hiqen nyjat, kryesisht përgjithnjë. Ekzistojnë më shumë metoda të shërimit kirurgjikal të hemorroideve të pezmatuara, duke filluar nga operacioni klasik, përtej koagulimit me anë të laserit dhe me radio valë, të cilat janë shumë efikase.

Dallohen katër stadie të sëmundjes
Stadi i parë – kruajtja rreth anusit, jashtëqitja e fortë dhe jo e rregullt ose gjakrrjedhja, veçse nyjat nuk dalin nga anusi
Stadi i dytë, kur nyjat dalin nga hapja anale me rastin e zbrazjes së zorrës së trashë, porse me rastin e defeksionit kthehen vetë brenda.
Stadi i tretë – nyjat nuk kthehen vetë, por duhet të kthehen me anë të gishtit
Stadi i katërt – dhimbjet janë të forta, gjakrrjedhjet më të shpeshta dhe më të vëllimshme, ndërsa nyjat nuk mund të kthehen në anus as me anë të gishtit.

 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version