Ti je ketu: Ballina > Aktuale >

Arritja e mirëqenies dhe kënaqësisë në jetë

Mirëqenia është arritje e ndjenjës së vazhdueshme të lumturisë sonë personale: të ndihemi mirë me veten dhe jetën, të shfaqim interesim të vazhdueshëm për atë që ndodh rreth nesh, të përjetojmë kënaqësi për atë që bëjmë, të kemi raporte pozitive me të tjerët dhe të kemi një kontrollim për atë që ndodh në jetën tonë.

 

Prof. dr. Neki Juniku, psikolog


Një mënyrë e ngritjes së mirëqenies bëhet duke u lidhur me persona me të cilët gëzojmë respekt dhe përkrahje të ndërsjellë në çdo sfidë në jetën e përditshme. Për mirëqenien tonë emocionale do të preferohej që vazhdimisht të mësojmë diçka, si një stimulim mendor. Vënia permanente e kontakteve sociale, është një komponent i rëndësishëm për mirëqenien dhe kënaqësinë tonë. Duke bërë e duke dhënë diçka për dikë tjetër, është një nga mënyrat më të mira për arritjen e ndjesisë së mirëqenies sonë. Është dëshmuar se të qenit voluntar e zvogëlon vdekshmërinë e personave të moshuar. Fatmirësisht, altruizmi mund të shfaqet pa ndonjë sakrificë të madhe, bie fjala, t’ia lëshosh vendin personit të moshuar në autobusin e stërmbushur. Për njerëzit e moshuar dhe për mirëqenien e tyre, rol shumë të fuqishëm kanë grupimet e tyre sociale, duke u mundësuar atyre të jenë më rezistentë ndaj rënies mendore. Vetëm një llafosje e shkurtër prej 10 minutash, sipas studimeve të bëra, është e dobishme për ruajtjen e kujtesës.

Aftësia e këndelljes
Së këndejmi, sa herë hasim ndonjë person të moshuar, le të ulemi dhe të bëjmë llaf, sepse kjo nuk është vetëm një miqësi ndaj tyre, por edhe ruajtje e funksioneve mentale, të përmendura pak më parë. Gatishmëria për të ndihmuar personat e moshuar është e vlefshme dhe e dobishme jo vetëm për të ndihmuarit, por po kështu u sjell ndjenjën e kënaqësisë edhe atyre që e bëjnë këtë ndihmë. Një kusht shumë i rëndësishëm për arritjen e mirëqenies sonë është rezilienca (elasticiteti) apo aftësia e këndelljes pas ndonjë traume apo ngjarjeje të rëndë që mund të na ndodhë. Psikologët pajtohen se rezilienca apo aftësia e këndelljes, sipas hulumtuesve më të njohur, është e lindur, por ajo mundet edhe të mësohet. Ja disa nga mënyrat e arritjes së saj.
Rezilienca apo këndellja mund të ndërtohet duke u përpjekur vazhdimisht të mësojmë të kërkojmë zgjidhje për kapërcimin e vështirësive dhe pengesave të cilat i hasim në jetën e përditshme. Të shikohet problemi i shfaqur si një shans për mësim, duke ndërtuar shprehinë e besimit dhe të ecjes drejt zgjidhjes së problemit e jo duke ikur nga ai.

Hapja e zemrës
Reziliencën e fuqizon “hapja e zemrës” dhe altruizmi, por ia vlen të përmendet se pranimi i ndihmës së të tjerëve është po aq me rëndësi sa edhe ofrimi i saj, sepse ndjenja e falënderimit është vlerësuar si pjesë shumë e rëndësishme për reziliencën dhe ndërtimin e saj. Le të theksojmë se për reziliencën mendore dhe
emocionale janë fondamentalë gjumi, ushqimi dhe evitimi i stresit. Aktiviteti fizik, madje me gjatësi vetëm prej 10 minutash, do të mundësojë një mbrojtje shumë të suksesshme nga rënia mendore (“rrallimi” apo “matufosja”), si edhe nga depresioni e ankthi në cilëndo moshë. Me rëndësi të veçantë për mirëqenien tonë, është angazhimi dhe kureshtja për atë që ndodh rreth nesh, ajo që ndiejmë dhe mendojmë. Këta faktorë bëjnë që të jemi më të qëndrueshëm kundër rraskapitjes sonë pas tragjedisë së përjetuar. Dy faktorë të tjerë, që ndihmojnë ngritjen e reziliencës sonë, janë kalimi i kohës jashtë shtëpisë dhe të qenit bashkë me njerëzit që i adhurojmë. Ndjenja e falënderimit dhe aplikimi i ndjesisë për humor mundësojnë ngritjen e reziliencës në rastet e emocioneve negative, stresit dhe depresionit; Menaxhimi i suksesshëm i stresit ngrit reziliencën tonë ndaj sfidave të jetës së përditshme.

Qeshja, veprim i fuqishëm
Shkencëtarët rekomandojnë qeshjen si një veprim të fuqishëm për reduktimin e stresit, ngritjen e imunitetit dhe fuqizimin e përgjithshëm fizik e menndor. Njohja dhe vetëdija për veten mundësojnë po kështu kuptimin dhe menaxhimin e mendimeve, ndjenjave dhe sjelljes sonë. Vetëdija jonë për të gjitha cilësitë dhe gjendjet tona emocionale ngrit mirëqenien tonë. Ky vetëdijesim do të mundësojë krijimin e raporteve më të mira me të tjerët. Përjetimi i bashkëndjesisë me të tjerët, po kështu do ta ngrejë mirëqenien tonë. Bashkëndjesia është dëshirë aktive dhe veprim yni për zvogëlimin e vuajtjeve të ndonjë personi. Ajo do të përmirësojë shëndetin tonë fizik e mendor dhe zgjatjen e jetës. Ndikim pozitiv në reziliencën dhe mirëqenien e lumturinë tonë ka edhe të qenit më fleksibil në pranimin e gjërave të cilat nuk mund t`i ndryshojmë.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
275

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version