Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Buzëqeshja në pasqyrë të huaj
Opinion
Buzëqeshja në pasqyrë të huaj

 

 

Shkruan Antigona Qena 
Foto Jeton Kaçaniku


Tashmë janë shumë të rralla shkrimet që lexoj, ngase çdo gjë më prekë në damarin më të ndjeshëm, ngase është kohë kur bombardohesh me lajme e pamje shqetësuese e të trishta, të cilat, ashtu pa pardon, hynë në dhomën tënde, dhe si shuplakë në fytyrë të dhunojnë sekuencat e dhembjeve njerëzore e natyrore. Duke ikur nga këto tmerre, gjithnjë e më shumë, shohë se po hyjë në lëvozhgën e qetësisë së rrejshme, mendore e shpirtërore. Por ngjarjet e këtyre ditëve, të luftës e refugjateve, m’i rikthyen kujtimet e hidhura. Gufojnë gjithë ato ndjenja, që mendoje se janë palosur, të përgjumura, për të fjetur e mos u zgjuar asnjëherë më.

Kështu që për të ikur nga pamjet e sekuencat që shfaqen në media, iu ktheva leximit, dhe atë të një kritike muzikore për realizimet e reja nëpër botë, si për dreq hasa në një shkrim, që më nxori brutalisht nga kjo "lëvozhgë qetësie", mu ngase fliste me zërin tim, si refugjate e dikurshme, e tash prind i fëmijëve të mërguar.
Edhe unë, si gjithë këta që ikin nga vendlindja e nga vetvetja, për të shpëtuar fëmijët, pasurinë më të çmuar të jetës, pajtohem me thënien e Eglantine Jebb, aktivistja e shquar për të drejtat e fëmijëve, mu ajo që krijoi edhe organizatën botërore "Save the children" , se, secila luftë është luftë e drejtuar kundër fëmijëve.
Në gazetën Norvegjeze Klassekampen, kritiku muzikor, gazetari Yohan Shanmugaratnam, jep recension për albumin më të ri muzikor, të një grupi shumë aktual reperësh, Karpes Diam ( janë dy të rinj, me prejardhje njëri nga India e tjetri nga Egjipti, të rritur në Norvegji), dhe shkrimin e fillon kështu:
" Baraf, do të thotë akull apo borë, në shumë gjuhë, arsyeja pse e di këtë fakt është se e dëgjova në një këngë të duos Karpes Diam: Baraf/Faruz, "këmbët e kafta në borën e bardhë", një lojë fjalësh, në strofën e parë, për t’i deshifruar dallimet klasore, shoqërore e familjare të rrënjëve prej nga vijnë.
E po edhe vet ky gazetari është i huaj, në vend të huaj, me prejardhje nga Shrilanka, dhe e kupton më së miri atë ndjenjë të fëmijëve të ardhur me prindërit e tyre, në një vend të largët, shkëputur nga fëmijëria, nga familja e gjerë, nga shokët e shoqet, nga rrënjët e historia, nga të cilat të brumosur janë. Ai di të kuptojë domethënien e teksteve, të shkruara nga këta reperë, që në njërën nga këngët i drejtohen nënës, reshtur me pyetje, "...pse duhesh të vishesh ndryshe, pse duhet të hash gjëra të yndyrshme, pse aq shumë ëmbëlsira, pse çajin me 5 lugë sheqer, pse asnjëherë nuk ushtron, pse nuk i beson mjekut, pse e gënjen mjekun, pse... “
Dhe gazetari e ndjen këtë mllef të këtyre fëmijëve refugjatësh, që ishin shumë të vegjël, kur u detyruan të rriteshin para kohe dhe se shpesh lëndoheshin, me gjithë atë nënçmim e bulëzim të fëmijëve vendas, për prindërit që nuk dinin gjuhën, që flisnin me akcent qesharak, visheshin e ushqeheshin ndryshe, nuk donin të integroheshin në shoqëri, e po kjo revoltë, te dikush më pak, te dikush më shumë, u mbetet si lëngim e vragë, për të provuar së shëruari, gjatë jetës në mënyra të ndryshme, si në rastin e këtij grupi reperësh, ku tekstet e këngëve pasqyrojnë qartë atë mosbesim ndaj një rrethi, që i pranoi shpesh me dyfytyrësi. Gazetari shkruan se e kupton pse i parashtrohen këto pyetje prindërit të moshuar, i cili gjithë rininë e kaloi duke punuar punë të ndryshme, shpesh denigruese e të rënda, për ta rritur, shkolluar e bërë fëmijën e vet të lumtur, për t’u ndjerë i barabartë me të tjerët. Aq më shumë ai e bashkëndjenë këtë hezitim të atij fëmije, tashmë të rritur, që ta pranojë të vërtetën e dhembshme, se sëmundja e prindit të shtrirë në një spital të huaj, shumë larg nga atdheu, është rezultat i një trupi të shpenzuar, dhe se për nënën e babanë ajo ëmbëlsirë e tej ëmbëlsuar, ishte shuarja e këndshme e mallit, një lloj bilete e lirë, zemër qetësuese, për të fluturuar, së paku për një çast, së paku në mendje, drejtë vendit të lindjes.

Natyrisht se dhembja, kur prindërit largohen nga kjo botë, nuk është vetëm "privilegj" i fëmijëve të mërgimtarit, por tek ata, humbja e prindërit bëhet më shumë se dhembje, është edhe këputje e vargut të zinxhirit, aq të dashur me të kaluarën, me rrënjët e historinë, me një botë të braktisur dhunshëm në fëmijëri, për t’u mjegulluar e humbur ndër vite, ngase vazhdimisht insiston, me aftësitë e vlerat tua vetjake, të zaptosh e ndërtosh një vend meritor, aty ku megjithatë, gjithherë i huaj mbetesh. Është si një buzëqeshje në pasqyrë të huaj.

Sigurisht që e gjithë kjo nuk mund të gjeneralizohet vetëm tek një popull apo vend, ka nuanca të ndryshme dhe fate, ndër më të ndryshmet, nga kohërat e popujt e ndryshëm. Por, një fije e trishtimit, një shije e hidhët e mërgimit, e të gjitha kohërave, ta ligështon shpirtin, dhe pyetesh se - cila do të ishte zgjidhja më e mirë, duke e ditur qartë, se cilëndo rrugë po ta kishe zgjedhur, një hise pendimi do të të mbetej në shpirt.
Warsan Shire, poeti anglez me prejardhje somaleze thotë: " Askush nuk e vendos fëmijën e vet në barkë, nëse nuk mendon se uji është më i sigurt se sa toka". E po kjo tokë e jona përballoi furtuna të shumta dhe erërat i shpërndan njerëzit tanë në katër anët e botës dhe sado që tash bëhet ngushëllues fakti se gjeneratat e reja nga prindërit mërgimtar, po dalin të veçuar në shumë profesione, për t’u mburrë ne dhe e gjithë bota me ta, përgjithmonë mbetet athtësia e mallit, tek shpirtrat e ndarë në dysh.

Megjithatë, lumturia mund të jetë e thjeshtë dhe lehtë e kapshme, nëse nuk e lëndojmë me kotësi e përkufizime, me mallëngjim e ndërgjegje të vrara, por nuk mundesh vazhdimisht të fshihesh në sigurinë e qetësinë e strofullit tënd. Asnjë popull, asnjë qenie nuk mund të ketë lumturi e paqe, nëse në një vend tjetër klithin fëmijët e rrezikuar nga plumbat e çmendurisë.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version