Shkruan Eglantina Mandia
Ajo i donte njerëzit, lulet, pyllin, pranverën. E donte shumë vjeshtën e detin. Frymëzimin për romanin e saj “Vishnjat e Egra”, e kish marë nga një takim i saj me profesor Kondën, në një ditë vjeshte, në pyll. Dhe ajo e dinte fort mirë se bukuria e vjeshtës tiranase, e dimrit të Korçës, të detit e plazheve tona, ishin brenda shpirtit të çdo shqiptari, ndaj në këtë vend ka shumë poetë. “Këto janë visaret tona”, thoshte; në një kohë të egër dhe qesharake, vetëm kjo bukuri të vë përballë dilemës e udhëkryqit të jetës për të mos humbur fytyrën, nderin e respektin për vetveten”. Arsinoi Bino qe një nga ato gra intelektuale e kulturuar, e talentuar, që mbeti për jetë me shpirt të bukur, që ruajti pafajësinë e pastërtinë e shpirtit rinor, rrethuar si në të nëntëmbëdhjetë pranverat e saj, nëntëmbëdhjetë gonxhe të freskëta edhe pse Arsinoi erdhi në jetë, një ditë janari e u nda nga ne, në dimrin e gjatë e pa drita, të këtij dhjetori. Arsinoi, kjo fytyrë e dashur, na la lamtumirën, por jo si një njeri që vjen, ikën e tretet në hapësirë pa lënë gjurmë. Ajo e la porosinë e saj njerëzore nëpërmjet veprës së saj që është mbushur me dashuri për njeriun, për gruan shqiptare që kërkon veten që vuan për të vërtetën, që është që është e pastër dhe kërkon dritë në shpirtin e saj e të njerëzve të saj, që e kupton se gënjeshtrat e vogla, të shpien në gënjeshtrën e madhe. Që Fytyrë e Dashurisë 163 në tregimet e para, veçanërisht në romanin e shkurtër “Zemër e dëlirë”, Arsinoi e dha mesazhin e saj si shkrimtare, të drejtën për të mbetur deri në fund të jetës besnike e zemrës së dëlirë. Një mision tepër fisnik për një krijesë, por tepër i vështirë për t’u krijuar Brenda vulgaritetit dhe pabesive ku jetoi. Siç dihet nuk mund të klithje ti si shkrimtare për përsosmëri të shpirtit, as ta zgjoje njeriun nga avujt e dogmës. Arsinoi Bino ishte në të vërtetë shpërfillëse ndaj bejlurçianave provinciale. Si intelektuale, jetoi gjithnjë e shqetësuar për fatin e kombit e të njeriut shqiptar. Dhe ishte aq e gëzuar, aq e lumtur ato ditë dhjetori të paharruara të vitit 1990. Arsinoi Bino ishte e para dramaturge shqiptare që e donte aq shumë teatrin e dramën. Shumë vite të jetës së saj ja kushtoi kësaj gjinie (që shumë dramaturgë i shpuri nëpër burgje). Me një stërmundim të jashtëzakonshëm, arritën t’i botohen dramat: “Gjaku i ri”, “Lina e urta”, dhe “Motër e dashur”. Arsinoi Bino ishte e ndërgjegjshme, se të luftoje në veprën tënde me sinqeritet për të vërtetën, do të mbeteshe përherë i padëshiruar për nomenklaturën. S’do të kishe asnjë ftesë për jashtë shtetit. Arsinoi iku me një peng në zemër: disa vite pune këmbëngulëse ia kushtoi romanit të saj të fundit, “Vishnjat e Egra”. E gjithë vepra e Arsinoit, tregimet, novelat, romani e dramat, do të zënë vendin që u takon në letrat shqipe. Brezat që do të vijnë, do të gjejnë aty një shpirt të dëlirë dhe do të thonë me respekt për të: “Ajo mbeti njeri, njeri nga të gjitha”.
Lulet e rralla qëndrojnë majë maleve të larta!
Ky është titulli i një shkrimi kritik i poetit Llazar Siliqi, i botuar në datën 19 dhjetor 1961, në gazetën “Drita”, për librin e shkrimtares Arsinoi Bino “Zemër e dëlirë”. “Programi moral i autores kristalizohet qartë në fjalët e një heroine të librit, e cila thotë: “Ajo kërkonte lulet e rralla që qëndrojnë në majë të maleve të larta, të vështira për t’u ngjitur”, vijon Siliqi. Ky shkrim mbeti i vetmuar e ndoshta krejtësisht i harruar, megjithëse unë do të thosha se askush s’pati forcë t’ia vrasë Arsinoit pastërtinë e shpirtit rinor. Edhe në çastin e fundit të jetës së saj, ajo mundi të ballafaqohej me veprën e saj plot dinjitet pe përkushtim njerëzor dhe të shkonte e qetë në parajsë. Arsinoi Ligor (Poro) Bino lindi në Dardhë më 21 janar 1923. Kreu shkollën në qytetin e Korçës. Ajo ishte nga të parat vajza që mbaroi shkëlqyeshëm Liceun Francez dhe vijoi studimet e larta në Bolonjë. Pasioni i saj ishte letërsia. Ajo u kthye në atdhe së bashku me shumë studentë universitarë, që deshën ta vënë jetën në shërbim të atdheut, në luftë kundër okupatorit. Që në vitin 1945, botoi në Korçë tregimin “Flutura” që ishte një shkrim poetik i përkryer. Punoi gjithë jetën e saj si mësuese e letërsisë dhe e gjuhës frënge. Romanin “Zemër e dëlirë” do ta quaja një roman të shkurtër me një mesazh të qartë: çdo njeri në një shoqëri, ka të drejtë të përcaktojë të fatin e vet dhe të drejtën për të mbetur besnik i zemrës së dëlirë dhe në represionin e dyfishtë, të një shoqërie të shpërfytyruar nga dhuna. Vepra e Arsinoi Binos (tregimet, dramat, romanet), buçet nga dashuria për tokën e fatin e njeriut shqiptar. Si intelektuale e vërtetë me kulturë të gjerë dhe me parimet e saj Fytyrë e Dashurisë 165 për krijimin artistik, u ndesh ballë për ballë me pushtetarë që hynin e dilnin si xhola me pelerinat e purpurta të shpëtimit publik, në të gjitha sferat e kulturës shpirtërore, për të vendosur fatin e veprave, autorëve dhe artit në tërësi, me citate e slogane të mësuara përmendësh. Arsinoi është e para dramaturge shqiptare që u ngjit në skenën e Teatrit “Çajupi” të Korçës me dy dramat e saj “Gjaku i ri” dhe “Bijat e çobanit”, të vëna në skenë nga regjisori Pandi Stillu. Të gjithë ata që janë marrë me dramën në atë kohë tragjike, e dinë fare mirë fatin e kësaj gjinie fatkeqe që zakonisht gjykohej nga ish-gjeneralë sigurimi, sekretarë me shpurat e tyre fytyrëhumbura. Me një stërmundim të jashtëzakonshëm, duke paguar dhe haraçin e gjymtimit, doli në dritë dhe libri i dytë i Arsinoit me titull; “Motër e dashur”, me tri drama. Kjo ishte një luftë e lodhshme, që shumë krijues i shpuri në mbyllje në vetvete. Në një shoqëri që lumturohej për qetësinë e ujit të kënetave, në një shoqëri me rrënjë të kalbura, që flakte jashtë vetes çdo zemër të vuajtur, Arsinoi vuante me të vërtetë. Duke gjetur pretekse shëndetësore, disidencat e shpirtit, i tërhoqi gjithnjë e më larg fanfarave ndriçuese. Shpesh herë, ajo thoshte se një ditë prej ditësh, do të hapet sipari i kësaj tragjedie shqiptare e gjithë ai helm e ndyrësi krimi e prostitucioni politik do të shpërthejë e do të duhet një SIZIF për të pastruar hauret e shpirtpuseve tona, andaj shkruan për të bukurën në veprën e saj, për një ëndërr, drejt së cilës duhet të ecim, asaj rruge të gjatë që populli e ka përcaktuar me mençurinë e tij të jashtëzakonshme: “MË E NGUSHTA UDHË E JETËS, ËSHTË UDHË E SË VËRTETËS”. Arsinoi iku me një peng në zemër. Disa vite punë ja kushtoi romanit të saj të fundit të pabotuar 166 Eglantina Mandia “Vishnjat e Egra”. Frymëzimin për romanin e saj “Vishnjat e Egra”, e kish marrë nga një takim i saj me profesorin e njohur të historisë, Kondën, në një ditë vjeshte, në pyll. Romani rreh një temë filozofike. Atë e përshkon ideja që në çdo rrethanë, në çdo fatkeqësi, (siç është rasti i dy protagonistëve të këtij romani, Betit e Bashkimit, që humbasin vajzën e tyre të vetme në një aksident), jeta do të triumfojë mbi çdo lloj vdekjeje shoqërore e morale, mbi çdo humbje. E jetë për Arsinoin, është shpërthimi i mimozave, është një perëndim i bukur, dhe një det me furtunë dhe bardhësia e dëborës në qytetin e saj të shtrenjtë, Korçës. E jetë për të, është dashuria njerëzore, dashuria për tokën, për punën, për gjithçka shqiptare ku lindim, rritemi, jetojmë dhe vdesim. Romani “Vishnjat e Egra” u bë roman odise nëpër redaksitë e Ndërmarrjes së Botimeve, për të prishur padyshim, gjithçka të bukur e njerëzore që ai kishte. Ndoshta ishte fat, që ai nuk u botua. Dhe është përsëri fat, që bashkëshort i saj i mrekullueshëm Xhuvi Bino, miku dhe kritiku i saj, ruan dhe sot kopjen e parë të dorëshkrimit, që të mund t’ju japë lexuesve një libër ku rrjedh lëngu i jetës, i një shpirti të qelibartë që deshi shumë jetën dhe na e la amanetin e përtej vdekjes: “Njerëz Bëhuni të bukur! njerëz ruajuni nga vrasja e pafajësisë suaj! Bashkatdhetarë, mos e shëmtoni dhuratën më të çmuar të zotit, jetën tuaj!” Dhe ishte aq e gëzuar ato ditë të dhjetorit 1990 e mençura Arsino, i shkëlqenin sytë kur thoshte: “Më në fund, do të buçasë fjala e lirë. Më në fund s’do të na vënë në bankat e të akuzuarve për gabime ideologjike. Më në fund, romani im “Vishnjat e Egra” do të shkojë i pagjymtuar në dorën e lexuesit”. Ndoshta ne, të përvuajturit e listave të shkallëve të ulëta të qytetarisë në letërsinë shqipe nga hierarkët, do të kemi Fytyrë e Dashurisë 167 lexuesin tonë për të na gjykuar ashtu siç jemi.E do të vijë një ditë e shumëpritur, kur shqiptarët do të kenë dëshirë ta shohin veten në pasqyrë, pa i ulur sytë e me shpirt të qashtër, do të ulen të lexojnë me gëzim një libër të denjë”. NDOSHTA, NDOSHTA E DASHUR ARSINO, DO TË NGJITEMI DHE NE NË MAJAT E LARTA, PËR TË KËRKUAR LULET E RRALLA SI TI.
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.