Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Bebe Rexha: Vokali unik që ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm
Bebe Rexha: Vokali unik që ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm
Ka diçka në vokalin e saj, që tërheq miliona vëmendje. Ajo ka një spektër të mahnitshëm të zërit, ndaj arrin të këndojë të gjitha zhanret e muzikës pop. Emocioni dhe pasioni me të cilin këndon është kaq autentik dhe i prekshëm. Ndaj, pa dyshim mund të thuhet, një yll ka lindur, Bebe Rexha është vetë fenomeni aktual! Vetëm disa vjet më parë, kur realizonte muzikë për të tjerët, askush nuk e kishte imagjinuar se një ditë ajo vetë do të depërtonte dhe do të triumfonte kaq fuqishëm në industrinë e muzikës! Biondja sharmante, e cila përmes ndryshimit të ngjyrës së flokut arriti të krijojë imazhin e saj ultramodern dhe tejet tërheqës, rrugëtimin drejt famës botërore e ka nisur me shumë vrull dhe siguri.

Blinera Gashi

Fuqia, muzikaliteti, ndjenja, a janë këto disa nga arsyet pse Bebe ka arritur të depërtojë suksesshëm kudo që është shfaqur? Nuk është çudi që ajo konsiderohet si një nga këngëtaret më të mira të kohës. Versioni i të kënduarit dhe interpretimit i Bebes është magjik. Prandaj, tërë bota e adhuron muzikën e saj! Ashtu sikurse Rita Ora e Dua Lipa, edhe Bebe është me prejardhje shqiptare. Ky është një fakt të cilin ajo kurrë nuk e fsheh, madje me shumë krenari thotë: `Ne jemi të forta, jemi të ndërtuara në atë formë, saqë mund të përballojmë çdo gjë.`
Shqiptarja 29 vjeçe, Bleta Rexha, e cila u bë e njohur me pseudonimin BEBE, është e lindur në Brooklyn nga dy prindërit shqiptarë, nga babai Flamuri dhe nëna Bukurija. Përtej ekstravagancës skenike, ajo është një person tejet i ndjeshëm, e cila jo rrallë qan, madje edhe publikisht, dhe nuk i fsheh lotët, sa herë e tradhtojnë. Në këtë kontekst, veçanërisht Bebe shquhet si një artiste e sinqertë në prononcimet mediatike: ‘Nuk arrij ta besoj se unë jam duke u intervistuar. Nëse dikur unë i ndiqja intervistat e artistëve në revista, radio e shfaqje televizive, sot jam protagonisti kryesor në to. Kjo më duket e pabesueshme, përrallore dhe shumë emocionuese, do të thosha.’
Edhepse, vazhdimisht është e angazhuar me projekte muzikore dhe është në lëvizje nga një qytet në tjetrin, madje, vetëm gjatë vitit 2018 ka realizuar mbi 100 fluturime, ajo ka një lidhje të fortë me prindërit e saj, ndaj përherë shpreh publikisht ndjenjat që ka ndaj tyre. E vetëdijshme se roli i prindit luan rolin kyç në edukimin e fëmijës dhe se personin e formëson ajo që ka mësuar derisa është rritur, ndërkaq disa prindër, mjerisht, nuk i mësojnë fëmijët me vlera të njëmendta, ndërsa të tjerët janë të bekuar me edukim të mirë, Bebe në prononcimin e saj publik lidhur me këtë çështje shprehet: -‘Nuk mjafton një prind vetëm ta ushqejë fëmijën e saj dhe të konsiderohet nënë e mirë. Prandaj, NËNË, faleminderit për çdo gjë!
Ndaj, suksesin e saj pa mëdyshje ia dedikon familjes dhe posaçërisht babait, me të cilin ngjan jashtëzakonisht shumë, nga i cili mbase ka trashëguar shpirtin e ndjeshëm, melankolik. E, megjithatë, babai i saj, emigrant nga Dibra e Maqedonisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u zhvendos kur ishte vetëm 21 vjeç, vendlindjen e të cilit e bija nuk arrin ta vizitojë aq shpesh sa do të dëshironte, është përpjekur përherë me shumë zell për të punuar dhe për ta ndihmuar e për të ngritur familjen e tij. Bebe, e vetëdijshme me angazhimin e pakursyer dhe vështirësitë me të cilat është ballafaquar i ati, shpeshherë e emocionuar kujton sfidat e tij dhe premton se tani e tutje do të jetë krah i fort i babait të saj. "Mami dhe babai punuan vërtet shumë, por ne kurrë nuk e kuptuam se nuk kishim para", thotë ylli. Përtej vështirësive dhe faktit se fillimisht në shtëpinë e saj karriera muzikore u konsiderua si diçka e keqe, tani gjërat kanë ndryshuar dhe Bebe ndihet e bekuar, me përkrahjen që ka nga dy prindërit e saj.
Qetësinë shpirtërore si duket ia dha muzika, përderisa thotë: - "Duke u rritur, isha gjithmonë shumë e shqetësuar dhe nuk e dija pse, e vetmja mënyrë për t’u qetësuar vërtet dhe për t’u ndier e sigurt ishte koha kur dëgjoja muzikë". Ndërkaq, forcën, vetëbesimin dhe guximin mbase i mori nga Nju-Jorku, qyteti i saj ku ka lindur dhe është rritur, metropoli botëror, qyteti multikulturor, i cili nuk e lë askënd të ndihet i huaj në të, qytet i cili i ofron mundësi secilit individ, i cili ka ambicie dhe talent, një qytet në të cilin është kënaqësi të jetosh.
E këngët e Bebes, këngëtares së talentuar, karriera e së cilës është përherë në rritje, kanë porosi të fuqishme, ajo është krenare në skenë, krenare me adhuruesit dhe me vetëbesimin që ka tek vetja. Ajo, bashkë me njerëzit e mbarë botës, kënaqet në muzikë. Nga Nju-Jorku, në Los Anxhelos, nga Majami në koncerte dhe evente gala, kudo që paraqitet në skenat e shumta prestigjioze, shkëlqen, bën për vete publikun dhe triumfon me zërin madhështor. Më e magjishmja është se Bebe, falë suksesit dhe famës së arritur, ka mundësi për t’i njohur idhujt e saj, madje është e rrethuar dhe e lidhur me njerëzit që janë ikona të vërteta. Është punë e shkëlqyer që muzika e saj po dëgjohet, ndërsa ajo po zbavitet aq mirë dhe në mënyrë fenomenale po i kalon ditët e saj.


E vetëdijshme se industria muzikore edhe më tej është botë e meshkujve ose që shumica e shefave të studiove dhe shtëpive të producentëve i takojnë gjinisë mashkullore, ajo është angazhuar personalisht që të gjejë mundësi të avancojë gratë kompozitore, numri i të cilave në këtë industri është tejet i vogël. Ndaj, për herë të dytë në Los Anxhelos, ka organizuar një darkë, ku ishin të pranishëm personalitete të skenës muzikore, në të cilën janë diskutuar mundësitë dhe gjetja e shtigjeve për të mbështetur gratë krijuese në biznesin e muzikës. ‘Ishte momenti aq domethënës, ideja për të drejtuar darkën e quajtur ‘Gratë në harmoni’. Dëshirojmë që të kemi një mjedis, ku ne do të ishim me gratë e tjera, dhe së bashku do të mund të bisedonim për përvojat tona në biznesin e muzikës. Kështu që, kjo darkë e jashtëzakonshme mblodhi shumë femra kreative, duke përfshirë Charli XCX, Avril Lavigne, Kelsea Ballerini, kompozitore të jashtëzakonshme. Ishte një natë kaq e mahnitshme’, kujton Bebe, duke shtuar se kjo ishte një nga ngjarjet me shumë rëndësi në jetën e saj, e cila ravijëzoi vitin 2018.
Porse, veç këtij rasti janë edhe tri momente tjera të magjishme që shënuan vitin 2018 në jetën e Bebe Rexhës, të cilat i kujton me shumë krenari: ‘Ngjarja më e madhe për mua ka qenë definitivisht lancimi i albumit tim të parë, titulluar ‘Expectations’. Kam qenë jashtëzakonisht e përkushtuar për këtë album, me gjithë faktin se gjithmonë kam qenë e frikësuar që të nxjerr një album, ngase kam dashur të jetë diçka madhështore, sepse unë jam një perfeksioniste e tillë dhe albumi ka qenë pjesa e punës sime të parë. Gjithashtu, me këngën ‘I’m A Mess’ ka qenë një moment vërtet i madh për mua, sepse nuk kam pritur që adhuruesit ose njerëzit e tjerë të reagojnë në atë mënyrë sikur kanë reaguar. Në të vërtetë, ishte një moment shumë i frikshëm për mua, sepse isha aq e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë, dhe nuk kisha dëshirë që njerëzit të merrnin mesazhin në mënyrë të gabuar. Në fakt, ata e pranuan këngën në atë mënyrë që unë doja. Ishte diçka e mrekullueshme.
Po ashtu kënga ‘Meant To Be’ është shumë e rëndësishme për mua. Unë kurrë nuk kam menduar se do të kisha një këngë pop-country, sidomos duke qenë një vajzë nga qyteti i Nju-Jorkut, e cila është rritur me muzikë hip-hop dhe pop ose me muzikë për vallëzim. Besoj se gjërat më të mira në jetë janë ato të papriturat, për këtë arsye edhe e kam emërtuar albumin tim të parë ‘Expectations’.  Unë mendoj se kënga ‘Meant to be’ më ka mësuar se nuk ka më kufij në muzikë. Dhe mua nuk më duhen kufijtë për të realizuar këngë të mira, ose që të kem sukses. Kjo me të vërtetë më bën të motivuar, sepse nuk e ndiej veten që jam e mbërthyer në një kuti.

Dhe në fund, performanca ime në Grammy, padyshim, ka qenë një ndër momentet më të mira të vitit 2018, ku kam kënduar me Cyndi Lauper, Camila Cabello, Julia Michaels, Kesha dhe me të gjitha këto gra të mrekullueshme. Performanca në Grammy, nuk ka pasur të bëjë me ne, por me lëvizjet e grave, për të përkrahur njëra-tjetrën, ka qenë një mesazh për të gjitha gratë në biznesin e muzikës, për artistet dhe producentet e reja që do të vijnë. Nuk do të kisha zgjedhur ndonjë mënyrë tjetër për të performuar për herë të parë në Grammy, përveç atij momenti aq domethënës’, thotë këngëtarja e talentuar e cila me zërin e saj ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në avancimin e zhanrit të cilin e kultivon, ndërkaq me këngët e saj ka frymëzuar miliona të rinjë anembanë globit.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version