Jeta bashkëkohore e mjediseve urbane e detyron njeriun e sotëm që mesatarisht 80-90% të kohës së tij ta kalojë në lokale të mbyllura. Mjerisht, gjithnjë e më shpesh të dhëna flasin se ajri në shtëpitë dhe në zyrat tona është përherë e më i ndotur me materie helmuese sesa ajri që e thithim në vend të hapur. Në këtë kuptim, janë efikase sidomos palmat, fiernat, urthi, filodendroni, limoni, kaktuset dhe disa citruse të tjera, përveç që e pastrojnë ajrin në dhoma, bimët e shtëpisë, e rregullojnë edhe lagështinë e tij.
Lulet sjellin lumturi
Jeta në ambient me lule do të stimulojë, do të nxisë zhvillimin tuaj intelektual, shoqëror, emotiv dhe fizik. Kjo maksimë është postulati bazë.
Të gjitha rezultatet e deritashme pajtohen në një: shumica e njerëzve kanë marrëdhënie të formuar emotive ndaj luleve. Kur na dhurohet një lule ose një buqetë, rëndom reagojmë pozitivisht, duke shfaqur kënaqësinë, gëzimin. Bimët, të cilat, falë kujdesit, rriten dhe zhvillohen mirë, bëjnë që të ndihemi më pak depresive, të tendosura dhe nervoze. Ikebanat ose lulet e prera e të aranzhuara mirë, do të krijojnë ndjenjë të veçantë të mirëpritjes së miqve e mysafirëve. Nëse interesoheni për kultivimin e bimëve, atëherë do të shihni se sa admiruese dhe ‘mirënjohëse’ janë ato. Kjo do t’ju hapë horizonte të reja, do të zhvilloni shkathtësi të reja dhe do t’i stimuloni shqisat. Po kështu, është e mundshme të ndikoni në pasurimin e jetës suaj sociale. Nëse e bëni kopshtin tuaj, do të kaloni shumë më tepër kohë duke lëvizur në ajër të pastër, duke i soditur e duke i mirëmbajtur. Nëse nuk keni kushte për kultivim të luleve në kopsht, do të mjaftojë edhe një dritare pak më e madhe, me diell, ku do t’i vendosni disa saksi lulesh. Kur lulet fillojnë të lulëzojnë, do të fitoni dozë të re të vetëbesimit dhe të entuziazmit. Por, që të jeni më të suksesshëm, edhe bimët duhet ta ndiejnë se janë të dëshiruara, të dashura.
Siguroni hapësirë të mjaftueshme, kushtojini kohë dhe kujdes, flisni ndonjëherë ndonjë fjalë të mirë dhe suksesi, me siguri, nuk do t’ju mungojë. Trajtoni si gjallesa dhe kënaquni me kohën që e kaloni me to. Pa to nuk do të kishim pasur as ajër as ushqim. Bimët sjellin jetë, gjallëri dhe ngjyra në çdo shtëpi.