Shkruan Albana Beqiri
Aq shumë merremi me thashetheme, sa tashmë ato janë shndërruar në pjesë të natyrës sonë njerëzore, tërhiqemi prej tyre si me magnet, i duam aq shumë, ashtu si duhet veç dashuria e ndaluar, dhe i kemi kthyer në përditshmëri tonën. I bëjmë çdo ditë, kudo e gjithkund, në çdo lloj ambienti; në shtëpi, në kafene e sidomos në punë. Kafeja nuk shkon pa dozën e mjaftueshme të thashethemeve, të cilat, shkurt e shqip, janë futje e hundëve në punët e tjetrit, cenim i privatësisë së tij, spekulim shpeshherë edhe dashakeq. Thashethemet kanë marrë revan, nuk janë më një modë që kalon shpejt e zgjat sa një sezon, por janë shndërruar në një lloj “realiteti” spekulativ, që na njeh me “të rejat” e fundit. Dhe më të zëshmit në moralizimin antithashethem janë protagonistët e tyre. P.sh., një nga këto ditë, një nga postimet më interesante që kam lexuar në Facebook është ai i fqinjës sime të parë, derë më derë, e cila i ka braktisur “hallet” e dietave të paefektshme karshi peshës së saj, që sa vjen e shtohet, pasi “halle” edhe më të mëdha i kanë rënë mbi kokë. Pasi, falë bizneseve fitimprurëse me tenderë të bashkëshortit të saj, ajo mori një diplomë universiteti e është në udhë e sipër edhe të një diplome masteri, fqinja ime përplot halle, përpos hallit që lidhet me paratë, ka filluar punë si mësuese në një nga shkollat e Prishtinës, e nuk është çudi që shpejt të bëhet edhe drejtoreshë. Halli aktual i saj është edukimi i brezit të ri… Pavarësisht nga ky “hall”, po aq i madh sa paaftësia e saj për të dhënë mësim, ajo nuk i ka harruar zakonet e vjetra, ato të informimit për gjithçka e gjithkënd. Edhe pse është shndërruar në një mësuese “të zellshme”, ajo sërish është e para që ma bën zgjimin e, teksa më zgjat filxhanin e kafesë turke, më tregon për të rejat e fundit, që nga politika e deri te banori i sapolindur te hyrja e ndërtesës sonë. Ndërsa unë prej vitesh vijoj t’i tregoj se nuk më pëlqen kafeja, ajo e injoron këtë fakt, më zgjat kafenë e zier për merak, duke më thënë “pije”, dhe unë e pi pa bërë fjalë, sepse tashmë e kam kuptuar se ajo e di më mirë se unë nëse më pëlqen ose jo kafeja... E teksa më zgjat kafenë, ajo e shton edhe dozën e thashethemeve, një pjesë e mirë e të cilave tashmë natyrshëm sillet rreth punës së saj, kolegëve, nxënësve, drejtoreshës etj., etj. Është e kotë t’i tërheq vëmendjen se nuk më intereson fare çka ndodh në shkollën e saj, pasi ashtu, si për kafenë, m’u desh të kuptoja se ajo e di më mirë se unë se çka duhet të më interesojë mua. Një herë të vetme që tentova ta ndërprisja, ajo mori pozën e njeriut të fyer e më pyeti plot pezëm: mos po të dukem si thashethemexhike unë ty, a? Ndërsa nxitova ta qetësoja, duke i kërkuar falje, po atë ditë ajo postoi në Facebook statusin “Lajmërim! Kërkohet një shqiptar që sheh punët e veta”… Ky postim dukshëm e “distancoi” atë nga statusi i thashemexhikes. Me kaq u mbyll historia e qejfmbetjes së saj, por jo edhe lumi i informacionit mbi gjithçka dhe gjithkënd nga vendi i saj i punës. Ndërsa më dhimbsen në shpirt kolegët e fqinjës sime për atë çka u duhet të heqin prej saj dhe më shumë se ata, më dhimbsen nxënësit, të cilët presupozohet se ajo duhet t’i mësojë dhe t’i edukojë, fqinja ime e parë derë më derë më sjell ndër mend një personazh po aq grotesk sa ajo, një ish-kolegen timen nga puna në ministri, e cila po ashtu e kishte zanat e shkuar zanatit përfoljen. Ishte puna ime e parë në një institucion shtetëror dhe kisha një ide fikse se në zyrat e shtetit thashethemet nuk kanë vend. Aty punohet, mendoja, e ku punohet, nuk ka vend për fjalë e llafe të kota… Shumë shpejt do të ndërroja mendje: zyrat e institucioneve ishin vend ideal për thashetheme e përgojime, përfolje e ngandonjëherë edhe intriga të qëllimta. Thashetheme mbi kolegët e zyrës, shefat, kolegët e zyrave të tjera etj., qarkullojnë me bollëk, janë pjesë e bisedimeve të përditshme jo vetëm në kafenë e pauzës, por edhe gjatë orarit të punës, sepse e vërteta është se pjesa dërrmuese e bisedave dhe diskutimeve mes kolegëve është shumë personale dhe aty ku diskutimet janë personale edhe mundësia e thashethemeve është më e madhe, madje është vendi ideal për to. Gjithmonë gjendet një person i shndërruar në “burim” të pashtershëm informacioni për gjithkënd dhe këdo, për secilin punonjës, që e ka një as nën mëngë, një të dhënë që mund t’i duhet dikur për t’u përdorur kundër dikujt, duke u përhapur më së lehti dhe ashtu si pafajësisht në trajtën e thashethemes.