Shkruan Drita Kadriu
Dhe, duke e njohur këtë problem nga rrethi im, familjar e shoqëror, nuk dita se si ta emërtoja këtë grup social, si ta quaja e ta thërrisja, e që është grup i cili ekziston në shoqërinë tonë dhe ka nevojë për shumë përkrahje.
Vërtet, shoqëria jonë nuk do të duhej të heshtte para një problemi bukur të madh, si shoqëror, ashtu edhe kulturor, por më së shumti ekonomik. Problemi, si i tillë, vetvetiu ka shije të keqe, prandaj edhe mendoj se nganjëherë nga qarqe të ndryshme sikur kapet për bishti, ndonëse e drejtë e secilit është të mendojë për problemin dhe të ketë qëndrime personale.
Unë dëshiroj që me të gjithë ju të ndaj disa nga mendimet dhe qëndrimet e mia për këtë çështje:
1. Mendoni për vitet 1990, kur shqiptarët, duke e ruajtur dhe duke e mbrojtur gjininë e fortë, por edhe për shkak të krizës ekonomike e dembelisë sonë, u pajtuan që ata, pra burrat, të ikin nga vendlindja. Ikën aq shumë, "saqë, në mungese të facebook-ut", askush nuk ka thënë se kanë ikur 200.000 mijë burra. Atëbotë filloi të krijohej një mit dhe një profil i ri i burrit evropian, ndërsa shoqëria foli me zhargonin "ikën pëllumat e mbetën shkrumat".
Kjo ikje i ka pasur anët e veta pozitive dhe negative.
- Ata dërguan para në familje, e mbajtën familjen, por i mbajtën edhe të tjerët, që nuk i kishin as fis as farë. Shumica u ballafaquan me mungesë të zhvillimit të mendimit dhe arsimimit, mungesë të integrimit, ndaj mbetën në zero. Në njëfarë mënyre, e zhvilluan jetën në karaktere të shumëfishta, "atje jetën, e mendjen këtu".
- Kanë ëndërruar se do t’i bëjnë letrat, pastaj do të ndahen nga "gjermanka" dhe, kur të vijnë, do të marrin për nuse shqiptaren e ndershme. Jeta në të shumtën e rasteve i ka dërrmuar, por edhe i ka lënduar familjet e tyre dhe rrethin e tyre shoqërore.
Për vajzat e familjeve ngriheshin gjithashtu legjenda: se si ato po i këqyrin pleqtë e familjen, se si janë sa shtatë burra, se si janë të pazëvendësueshme, se si janë bërë nëna, gra, vjehrra, e plaka të shtëpisë para kohe. Njëkohësisht, ato mbetën pa mundësi arsimimi a të marrjes së ndonjë zanati, pa mundësi punësimi, pa mundësi të zgjedhjes së fatit, pra pa mundësi për t’u martuar!
2. Besoj se ju kujtohet lufta, kur vajzat/femrat ishin në role të shumëfishta. Duke dashur t’i ruanin meshkujt, familja, por edhe vetë gratë, motrat, nënat, morën detyra karakteresh të ndryshme. Më kujtohet një rast gjatë luftës, kur nëna dhe motra ia qitën shallin e grave një mashkulli (besoj djalë/vëlla). E trishtueshme ishte pamja e burrit me shall të grave në kokë, por edhe për burrin jeta ishte e ëmbël... Ka ndodhur kjo me 16 maj 1999 në stacionin e autobusëve në Mitrovicë, kur nga dhuna serbe ishim detyruar të rrinim aty, ndërsa burrat i merrnin, i ngarkonin në kamionë dhe i çonin në burg të Mitrovicës dhe Smrekonicës. Më qenë kujtuar legjendat që i mësonim për trimat e pamposhtur dhe, o zot, o zot, o zot... Bindja jonë ishte se ata /meshkujt, pra/ duhet të ruhen e të mbrohen me çdo kusht. Kjo sakrificë e femrave, për meshkujt e shtëpisë, ishte reagim i natyrshëm dhe ndodhte gjithandej Kosovës.
Në çdo lëvizje sociale; demonstrata, protesta, organizim të qytetarëve, nëpër sindikata, në grumbullim të ushqimit, në shpërndarje të ushqimit nëpër komunitet, çdokund, ato qenë të përfshira në periudhën e paraluftës.
3. Imagjinojeni situatën: 19 vjet pas luftës, por edhe nja 10 vjet para lufte, nga vitet 1990, një vajzë e re atëherë, sot ka një moshë bukur të madhe. Ka mbetur pa e përfunduar asnjë nivel shkollimi, asnjë zanat... Ajo vazhdon të shërbejë në shtëpi, vazhdon të jetë në shërbim të të gjithëve, merret me familjen, kujdeset për pleqtë dhe për fëmijët e kunatave e të motrave. Është kujdestare për secilën nevojë, kërkesë dhe obligim. Nuk ka punë, nuk ka pension, nuk merr social, nuk ka të ardhura! Ajo nuk ka asnjë euro të hyra, as për nevojat e saj elementare, as për unihopka nuk ka! Më tha një ditë një shoqe imja, se si, për ta blerë një pako cigare, i vëllai ia kishte dhënë dy euro tinëz së shoqes. Mua edhe sot më djegin lotët e saj.
4. Ky grup i margjinalizuar pret se kush do të shtrijë dorën e mirësisë. Njerëz të ndryshëm këtë problem e shohin në mënyra të ndryshme, si:
- Filania mund të jetë dashnore e mirë, mund të më bëhet grua e dytë, e tretë..., ku të dish se çka ka që nuk është martuar, ka mbetur si rrogëtare. U thonë çikave të veta, mos u bëj si filania, dil gjeje burrin, se krejt të tjerat presin...
E ato, lëneshat, vazhdojnë të përbuzen e të nënçmohen...
Një mike e rrethit tim më tha se do të kishte dëshirë të martohej me dikë që i ka vdekur gruaja, që jeton jashtë shtetit, që ka letra. Ai, domethënë shteti i burrit, do t’ia siguronte pleqërinë.
Ka disa raste shumë pozitive të kësaj forme të zgjidhjes së këtij problemi. Mirëpo, gjithashtu ka edhe shumë mashtrues, që jetojnë më shumë se 30 vjet jashtë. Shpesh femrat, për të mos u bërë temë e vazhdueshme dhe për të mos e ndier nënçmimin, kanë bërë martesë, veç sa për të thënë, porse ato martesa (u thënçin!) në heshtje po vdesin. Këto femra bëhen pjesë e një problemi të ri, të një familjeje të re, e temë kyç e martesës së babës me një femër/çikë të vjetër është: “kjo ka ardhur të na e marrë pasurinë e babës sonë, por ky le ta mbajë sa t’i vyen për t’i bërë hyzmet, derisa është gjallë, e më pas do të dalë fluturim prej këtu. A mos ia ka lënë babai i vet këtë pasuri a?” E kjo e shkreta mbetet as te baba, as te burri i ri i vonshëm! Dhe, pas një shërbimi shumëvjeçar, përsëri del edhe prej derës së burrit pa asgjë.
Kam takuar një plakë, të cilën, pas 60 vjet shërbimi te burri (kishte lëvruar që nga parmenda deri me traktor), familja e burrit e kishin përzënë nga shtëpia, se nuk kishte pasur fëmijë. Dhe pasi i kishte rënë të dilte, kësaj së gjorës, si shpërblim për punën 60-vjeçare, ia kishin dhënë një kuti keksë, një koka-kolë dhe një palë dimi te reja. Më kujtohet, këtë histori, për të cilën ndjeva dhembje të thellë, ma rrëfeu ajo vetë kur e takova në të pame të hallës sime. Ditën e dytë të së pames, ia çova një kuti llokum, sa për ta nderuar historinë e saj, qe gëzuar pa masë. E mira e tërë kësaj historie të hidhur ishte se, për fat, kjo jetonte mirë, te nipat e stërnipat, që ia kishin hatrin shumë.
Disa, që patën rast të punonin me të huajt, edhe u martuan me ta. Kam dëgjuar se jetojnë mirë dhe gëzojnë respekt. Sado të shkolluara të kenë qenë, ato kanë shkuar me traditën tonë, se burrit duhet t’i shërbesh, e kjo traditë i ka bërë të veçanta dhe të admiruara në bashkëshortësi dhe në rrethin e tyre social.
Kohë më parë, një kolege e studimeve, Gjeri, që jeton në Norvegji, më tha: “Oj Dritë, po t’i bësh ndonjë shërbim një mashkulli këtu, kafenë po t’ia përgatitësh, do të jetë tejet mirënjohës, sepse këtu të dy gjinitë janë bukur të barabarta në të gjitha detyrat dhe obligimet familjare! Janë edukuar në atë mënyrë dhe mendojnë se nuk duhet të marrin shërbime personale njëri nga tjetri. Këtu kanë mentalitetin e pavarësisë individuale, thonë: veç i sëmurit shërbehet!
Sociologët tanë, fakultetet e shkencave humane, hulumtuesit, studentët, hartuesit e politikave, deputetet (të cilat brengosen më shumë për lukun dhe gardërobën e tyre, se për problemet sociale!), e kanë mundësinë e madhe ta jetësojnë këtë ide me punë dhe politikat të orientohen në përkrahjen e këtij grupi të margjinalizuar tej mase. Mediet tona merren me të pasmet e disa femrave te bukura, me seriale të kota, me debate të përditshme politike, çka po bën ky e ai politikan, deri tek veshjet dhe të pasmet e deputeteve, por jo me problemet e përditshme reale shoqërore!
Unë besoj se femrat/çikat e vjetra meritojnë një trajtim dinjitoz. Edhe ashtu jeta i ka dërrmuar. Mendoj se shoqëria duhet t’i trajtojë si grup i veçantë. Derisa ta marrin pensionin e pleqërisë, edhe më tej ato do të kenë shumë nevojë për përkrahjen e të gjithë atyre të cilëve u shërbyen, posaçërisht shoqërisë, së cilës aq shumë i dhanë e nga e cila asgjë nuk morën. Edhe nëse ngrihet obelisku kushtuar kontributit historik të femrave, pozita e tyre nuk ndryshon aspak! Ata që do të ngrenë këtë, do të nderojnë veten, do të thonë se, ja çka bëmë për femrat, por problemi edhe më tej do të mbetet siç ka qenë. Shoqëria jonë nuk do të duhej të turpërohej të flasë për problemin e këtij grupi të madh (s’e di sa?) shoqëror. Besoj se ato femra janë yje, që po shuhen qetë-qetë, ashtu qetë, siç ishte jeta e tyre e padukshme dhe pa u vlerësuar nga familja e nga shoqëria. Mëkat.
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.