Ti je ketu: Ballina > Opinione > Vjehërr apo... nënë e dytë?
Psikologji
Vjehërr apo... nënë e dytë?

Vjehërr apo... nënë e dytë?

Si të vihen marrëdhënie të mira dhe fer ndërmjet vjehrrës e nuses, është pyetje e vështirë, e cila i mundon shumicën e nuseve, të cilat duhet të KOMUNIKOJNË NJERËZISHËM me familjen e burrit, para së gjithash, me nënën e tij.

A thua vjehrra do t’ju bëhet rivale, shoqe, armiku më i madh ose nënë e dytë, do të varet edhe nga ajo si silleni ju si nuse me të që në ditët e para të jetës suaj të re, cilin ton do ta caktoni në marrëdhëniet tuaja? Me disa këshilla që shërbejnë si mësim jete, do të përpiqemi që t’ju ndihmojmë e t’ju udhëzojmë në këtë pikëpamje.
Kurrë mos harroni se njeriu dhe veprimet e tij janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Kritika konstruktive duhet drejtuar jo personit po veprimit. Që nga ditët e para të martesës suaj, është me rëndësi që të ndërtohen marrëdhëniet me burrin dhe me vjehrrën, në mënyrë që t’ju respektojnë, ta respektojnë personalitetin tuaj. Ose, në mënyrë taktike duhet të dini të veproni ndaj gjërave më pak të rëndësishme, duke qenë parimore për ato që keni nevojë. Nëse nuk pajtoheni me vjehrrën për disa gjëra, mund të heshtni, ose ta thoni në mënyrë taktike mendimin tuaj dhe pa hidhërim të tepërt apo me ngritje të tonit. Nuk duhet thënë se - vjehrra juaj është amvisë e keqe, nëse nuk ju pëlqen si i ka fërguar bërxollat, ose gjyshe e keqe, si e ka pastruar nipin. Nëse e lavdëroni atë që bën nëna e burrit tuaj për fëmijët tuaj – atëherë do të keni një gjyshe të kujdesshme dhe të butë ndaj fëmijës suaj.

Baza e konfliktit- xhelozia
Mundohuni të kuptoni se nëna është dashuria e parë dhe më e fuqishmja e të zgjedhurit tuaj. Përpiquni që vjehrra juaj të kuptojë se ajo nuk e ka humbur dashurinë e të birit, veçse, përkundrazi, te ju e ka gjetur aleatin e besueshëm. Mos u bëni kundërshtare e takimeve të tij me të ëmën dhe mos harroni që herë pas here t’i organizoni ndonjë befasi për të mirë. Mos harroni se pikërisht ajo grua, pra vjehrra juaj, e ka edukuar atë djalë, të cilin e keni dashuruar ju dhe me të cilin keni dëshiruar ta ndërtoni familjen tuaj. Nëna e tij ka investuar shumë dashuri, fuqi dhe shpirt, prandaj dhe dëshiron që si kundërshpërblim ta ketë mbështetjen e të birit, butësinë dhe kujdesin e tij. Ju si nuse, prandaj, përpiquni të kuptoni çka do e çka nuk do vjehrra juaj (që ka të bëjë me ushqimin, veshjen, shprehitë në shtëpi, marrëdhëniet me njerëz të tjerë). Kjo do të jetë ndihmë e madhe për ju. Nëse vjehrra nuk dëshiron të flasë për veten e saj, atëherë vështrojeni si dhe çka punon. Burri juaj ka shumë shprehi të edukuara nga nëna e tij. Nëse nuk pajtoheni për diçka, mos provoni që aty për aty dhe menjëherë ta ndryshoni, më mirë është që korrektesat t’i bëni gradualisht. Ndoshta në sjelljen dhe shprehitë e burrit tuaj ka diçka që nuk ju pëlqen, as ju e as vjehrrës suaj. Meqë jeni bërë aleate në këtë pikëpamje, ju edhe të tjerat probleme do të filloni t’i zgjidhni së bashku. Nëse marrëdhëniet tuaja me burrin i krijoni në saje të dashurisë dhe respektit të ndërsjellë, atëherë nëna e tij do të shohë se i biri është në duar të mira, kështu shumë më shpesh do të anojë nga ana juaj.

Durimi si armë
Jeta nuk është e lehtë as e thjeshtë, kështu që qysh para martesës duhet t’ia përcaktoni vetes disa rregulla. Në mënyrë që jeta juaj familjare të mos fillojë me grindje, është e nevojshme që të jeni e gatshme në përpjekjen për ndërtimin e marrëdhënieve të mira me farefisin e burrit. Familja nuk është familje vetëm në ditët e festave, por janë edhe ditët e zakonshme, punët më të rëndomta të shtëpisë - edukimi i fëmijëve, marrëdhëniet me miqtë dhe me kushërinjtë. Edhe këtu durimi është i domosdoshëm, nëse dëshironi të ndërtoni marrëdhënie të mira me vjehrrën tuaj. Madje edhe nëse ngandonjëherë keni vështirësi, duhet ta pranoni se për shumë gjëra vjehrra juaj është grua më e kthjellët dhe më me përvojë.

Ndonjëherë, në komunikim me vjehrrën, është mirë që të përdorni hapin vijues: të pajtoheni me vërejtjen e saj. I thoni se i keni kuptuar fjalët e saj, se do të përpiqeni të veproni në harmoni, në përshtatje me to, ndërsa më pastaj veproni ashtu si dëshironi. Këshillat e saj duhet t’i dëgjoni në mënyrë sa më të qetë dhe të kthjellët, me siguri do të vini marrëdhënie të mira me të. Nëse nëna e bashkëshortit tuaj është spirituoze, provoni që situatat konfliktuoze t’i ktheni në mahi, për shembull, me fjalët se ju ende nuk jeni magjistare... Në rastin kur ju duhet patjetër të flisni, mos e bëni këtë kurrsesi me ngritje të tonit, mos lejoni fyerje të ndërsjella! Përpiquni t’u shmangeni konflikteve të panevojshme, në të cilat do të humbni fuqinë tuaj shpirtërore dhe fizike, ndërkohë që nuk do të arrini kurrfarë rezultati.

Dy zonja të shtëpisë (!)
Shpesh, guri më i madh pengues në marrëdhëniet e gruas së re dhe të vjehrrës me përvojë, është pikërisht jeta e përditshme dhe punët e zakonshme të shtëpisë. Në çdo shtëpi ekzistojnë disa imtësi personale për sa i përket amvisërisë, të cilat mund të ndryshojnë mjaft nga familja në familje. Pikërisht për këtë arsye shumë familje të sapokrijuara, dëshirojnë që vetë ta udhëheqin amvisërinë shtëpiake. Mirëpo, pikërisht këtu mund të ndodhin papajtueshmëri ndërmjet dy amvisave, nëse ato ndodhen në të njëjtën kuzhinë. Sipas rregullit, gruaja e re nuk e ka përvojën që e ka nëna-vjehrra.

Dhe, natyrisht, për shumë çështje ajo, nusja, duhet të jetë e gatshme ta dëgjojë gruan më të pjekur: si të ekonomizojë buxhetin familjar, si të gatuajë me shije… Pra, si duhet vepruar në situata të këtilla? Me siguri, ju dini t’i bëni disa gjëra më mirë se vjehrra, mirëpo kjo nuk duhet t’ju shërbejë për demonstrim të superioritetit tuaj.
Le t’ju shërbejnë kualitetet tuaja e të vjehrrës për gëzime dhe mburrje të ndërsjella për të dyja. Nëse thoni se kurrë nuk keni ngrënë bakllava më të shijshme ose çorbë nga lulelakra, si te nëna e burrit, kjo nuk do ta zvogëlojë vlefshmërinë tuaj as të ndikojë në ­dinjitetin tuaj, veçse do t’i vijë mirë vjehrrës suaj, ajo do të kuptojë se ju po e çmoni si amvisë dhe si rojtare të vatrës shtëpiake. Prandaj, që me ditët e para të martesës suaj, duhet të ndërtoni marrëdhënie të mira me vjehrrën tuaj, duke mos e anashkaluar e duke mos e përulur me sjelljet tuaja të paedukatë!

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version