Ti je ketu: Ballina > Shëndeti >

10 parime të plakjes së hijshme

Nëse jeni të rinj, mësoni se si të përgatiteni për pleqëri, e nëse keni hyrë në moshën e tretë, provoni që sa më bukur dhe më mirë ta përjetoni këtë periudhë të jetës, këshillojnë sociologët.

Të gjithë e dimë se pasiviteti i çdo lloji qoftë, është i rrezikshëm për shpirtin dhe për trupin. Njerëzit e moshuar e pranojnë se janë kryesisht inert dhe se presin që dikush t’u troket në derë ose t’u telefonojë që t’u ofrojë ndonjë aktivitet. Ky është një ndër rezultatet e studimeve të mëdha lidhur me jetën e të moshuarve. Hulumtimi ka treguar se njerëzit e moshuar frikohen të merren me ndonjë aktivitet, sepse kjo do të ishte në dëm të nipërve, të nuseve të punësuara ose të partnerit, të cilit gjithherë i duhet diçka. Te ky brez ka plot frikë, shprehi të këqija dhe paragjykime. Nuk kanë vetëbesim dhe nuk e njohin mirë veten, ndërsa edhe hidhërohen pse nuk po i kuptojnë të tjerët, thonë profesionistët. Për plakjen dhe për pleqërinë duhet menduar në moshë të re, sidomos kur dihet se transicioni, globalizimi dhe marrëdhëniet e reja familjare, kanë ndryshuar mjaft sikurse edhe kushtet e jetesës në pleqëri. Pleqëria mund të jetë e bukur, nëse e presim bukur – thonë sociologët dhe i theksojnë 10 parime të plakjes së dobishme për të gjithë brezat.


1. Mos jetoni në iluzione
Nëse kemi fat, të gjithë do të plakemi. Pleqërisë nuk mund t’i shmangemi, as mund ta mashtrojmë, as që do të vlente kjo. Dhe, kur ta pranojmë këtë si të vërtetë të pamohueshme, atëherë shëndetshëm, psikologjikisht dhe në mënyrë sociale, përgatitemi për pleqëri.

2. Kërkoni ndihmë
Të moshuarit që jetojnë në fukarallëk dhe në vetmi, shpesh mendojnë se kështu duhet të jetë dhe se nuk mund të kihet ndihmë. Nuk është ashtu. Të gjithë kanë të drejtë për ndihmë dhe për mbështe-tje, veçse duhet ta kërkojnë. Duhet folur hapur lidhur me problemet dhe pengesat, kështu që do të gjendet ndonjë nga shërbimet e shumta, organizatat ose serviset për ndihmë të të moshuarve.

3. Silluni në mënyrë të përgjegjshme
Nëse nuk dëshironi të jeni pasiv dhe të varur nga anëtarët e familjes, nga farefisi, fqinjët, nga shërbimet sociale e shëndetësore të shtetit, atëherë silluni përgjegjshëm ndaj vetvetes dhe ndaj shëndetit tuaj, të ardhurave, pasurisë e kursimeve. Mundohuni që me mënyrën tuaj të jetesës t’ua dërgoni porosinë sa më të mirë gjeneratave më të reja.

4. Mësoni, mësoni, mësoni
Me pensionimin, përjetohet një boshllëk i madh kohor, porse edhe liria e cila duhet plotësuar. E, mundësitë janë të mëdha. Nuk është vështirë të gjendet ndonjë kurs i përshtatshëm ose pa pagesë për gjuhë të huaja, për punëdore, mësim për punë në kompjuter, aktivitete sportive… Çfarëdo që të mësoni, do të jetë e këndshme.

5. Mos mbani inat
Shumë njerëz të moshuar, ndonëse ndiejnë nevojën për ndihmë dhe për mbështetje në funksionimin e çdoditshëm, e refuzojnë në mënyrë kategorike për shkak të mosbesimit, frikës, modestisë, shprehive të këqija… Ndryshimi i këtyre shprehive të këqija do t’jua zbukurojë jetën.

6. Bëhuni sa më aktivë
Ndryshojeni qëndrimin ndaj plakjes dhe pleqërisë. Mos kukatni për fatin, skamjen dhe sëmundjen, veçse dilni nga shtëpia, lidhuni me moshatarët, ndihmoni të tjerët, gëzojeni dikë.

7. Zvogëloni pritjet
Akti i pensionimit është sulmi më i madh për dikë-dikë, për standardin e tij, personalitetin dhe pozitën, sepse shoqëria nuk është aq mirënjohëse ndaj të moshuarve. Njeriu i ri konsideron se në pleqëri do të ketë krejt çka i takon, dhe se i ka merituar, ose se të gjitha këto do t’i ofrohen si në tabaka nga të afërmit si dhe nga shoqëria. Porse jo, edhe për këtë duhet të përgatitemi me kohë.

8. Jetoni në harmoni me mundësitë
Kurthi më i shpeshtë i të moshuarve është - marrëdhënia jokritike ndaj moshës, mosplotësimi i nevojave dhe mundësive. Duhet qenë real në çdo pikëpamje gjatë kreimit të nevojave, mundësive, shpenzimeve dhe dëshirave. Vendimtare është masa.

9. Respektoni ndryshimet midis brezave
Në zënkat ndërmjet brezave nuk ka të pagabueshëm dhe për këtë duhet shikuar në mënyrë kritike edhe veten si dhe vërsnikët tuaj, por edhe brezat më të rinj. Pyetni çfarë dini për problemet e të rinjve, a e kanë ata më lehtë se brezi juaj. Dëgjoni me vëmendje dhe do të kuptoni se të gjithë brezat kanë problemet e tyre dhe se zënkat ndërmjet tyre mund të kapërcehen lehtë.

10. Largoni paragjykimet
Nën ndikimin e përvojës, frikës nga të qenit i pafuqishëm dhe i ligsht, gjë e cila shfaqet madje edhe në të pesëdhjetat, por edhe nga fati i keq i njerëzve të moshuar në rrethin ku jetoni, shfaqen paragjykimet ndaj plakjes. Harrojeni këtë dhe shikoni shembujt pozitivë, sepse ka plot të kënaqur në mesin e shtatëdhjetëvjeçarëve, të cilët bëjnë jetë aktive dhe përmbajtjesore!


© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
277

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version