Ti je ketu: Ballina > Aktuale > NJË JETË E BEREQETSHME GAZETARIE
NJË JETË E BEREQETSHME GAZETARIE

NJË JETË E BEREQETSHME GAZETARIE

Shkruan Mr. sc. Shefki Stublla

Sanije Gashi: autobiografi-monografike, “Jetë gazetarie, kujtime, itinerare, ese”

Po i jap vetes të drejtën që pas leximit të këtij libri të mrekullueshëm, esenë time ta filloj me një mendim metaforik: …e ndiej veten sikur hyra në një kopsht me lule të bukura, ndër të cilat lulja më e bukur ishte lulja zbukuruese shebojë, me kërcell të degëzuar, me gjethe të ngushta e të gjata dhe me lule tufa-tufa, me ngjyrë të verdhë, të kuqërremtë a në kafe, që ka erën si të vjollcës, menekshe. Ose sikur jam duke shikuar sekuenca ngjarjesh në një film artistik, sikur edhe vetë jam pjesëmarrës, sepse, pothuaj, ngjarjet e prezantuara në libër dhe personazhet e librit janë edhe për mua të njohura. Të them që në fillim, lexuesit në Kosovë i duhej ta ketë një libër të këtillë, një biografi të mirëfilltë jete e vepre, ku lexuesi gjen: qëndrimin e drejtë ndaj punës dhe vullnetin për të, gjen simpatinë dhe empatinë, gjen inspirimin, gjen edukimin dhe dashurinë ndaj njerëzve. Kryesore: gjen “si-në” dhe “pse-në” e shumë çështjeve që shtjellohen.

Kjo autore e merituar, shkroi shumë libra dhe vetes i siguroi vendin e pavdekësisë. Për empatinë e saj flasin njerëzit me të cilët bashkëpunoi. Flas edhe unë si lexues i librave të saj. Sepse, në librat e saj nuk ka agresivitet as urrejtje. Me punën e vet tregon prejardhjen nacionale. Dhe, mund të thuhet, është një pedagoge e mirëfilltë e atdhedashurisë. Në veprat e saj gjen emrat e shumë njerëzve të merituar të shkencës dhe të artit. Me një fjalë, gjen shumë kënde të jetës, në të gjitha stinët e motit. Po e them me plot gojën: përmbajtja e librave të saj s’ka nevoje për syze të zemrës. Teksti i shkruar nga ajo është për lexim e shikim të këndshëm. Në librat e kësaj autoreje gjithçka shihet dhe mësohet pasi të lexohen. Ajo që e karakterizon veprimtarinë e saj është cilësia dhe perceptimet e qarta, ku lexuesi gjen informacion, inspirim dhe edukim.
Nga zonja Sanije, si personalitet erudit krijues, e matur dhe e edukuar, gjen porosi se si të punohet dhe të arrihet qëllimi. Të gjitha mendimet e shfaqura i vendosi si duhet në murin e autobiografisë saj monografike. Është shembull për të mirë, sepse nuk e lë fjalën peng. Fjalës i hap rrugë dhe lexuesin e bën partner për të gjykuar, për të vepruar e për të ndier së bashku. Është një libër historie për çdo stinë të jetës, sidomos për kohën e hordhive barbare serbe, kur Kosovës, në dekadën e fundit të shekullit XX, i sollën zullumin më të madh, çnjerëzor, nga regjimi fashist serbomadh, i mbështetur në memorandumet çnjerëzore të frymëzuara dhe të prodhuara në fabrikën e urrejtjes antishqiptare, në Kishën Ortodokse Serbe.

LIBËR EMPATIE
Libri autobiografik “Një jetë gazetarie”, përveç përmbajtjes, tërheq shumë edhe bukuria e tij estetike me dizajnin shumë cilësor, i veçantë ndër ne. Veçanërisht më bëri përshtypje falënderimi dedikuar të bijave, engjëllusheve, me shpirt të pastër, me pamje të ëmbël dhe të këndshme: Blerinës, redaktore e librit dhe BliNerës, mjeshtre e dizanjit dhe faqosjes së librit, për frymëzim dhe mbështetje që u falet me zemër nëne. Kjo qasje amnore e përshkon librin në të 9 pjesët e tij. Tërë librin e përshkon kjo erë nëne, pasi amësia, jo vetëm në këtë libër, është burim i çdo gjëje të mirë në këtë botë.
Itinerari i autores, në rrugën e gjatë 55-vjeçare, fillon natyrshëm, duke lëvizur vertikalisht, duke mos iu përkulur askujt, sidomos regjimit gjenocidal serbomadh. Gjatë kësaj ecjeje kreu shumë detyra që shtron jeta përparimtare. Gjeti fatin e vet, u martua, bëri dy vajza, dy engjëllusha, ndërtoi shtëpi dhe tani familjarisht e gëzon pensionin, duke mos rënë në dembelizëm, por duke vazhduar punën në Revistën prestigjioze “Teuta“. Në kuadër të këtij itinerari, realizoi shumë biseda, bëri shumë intervista me njerëz të njohur, me emër e mbiemër, të cilët shënuan kohën në shkencë, në art dhe në politikë. Gjithmonë duke treguar prejardhjen humane nacionale dhe unin e vet me energji pozitive.

Çelësi në të gjitha fazat e shkrimeve të saj është: me çehre të mirë, me fjalë të buta, pa demagogji, me perceptime të qarta. Këtë edukatë të mirëfilltë e mori në familjen e saj shumanëtarëshe: katër motra e një vëlla, ku prindërit, do të thosha, konsideroheshin si dy antena programi për jetën në familje: për jetën jashtë familjes, kujdesej babai, i cili siguronte gjërat e nevojshme për ushqim e veshmbathje, kurse nëna, për jetën e brendshme dhe konsiderohej si “shpirti i sh’pisë.” Asokohe, respektoheshin shumë të moshuarit, sidomos prindërit. Askush nga të rinjtë të moshuarve nuk u drejtohej me emër, por axhë, bac, gjysh, kurse për femrat ekzistonte përshëndetja me hallë, gjyshe, hanëm, inxhe, ablla etj. Asokohe nuk kishte shkollë, por familja luante rolin e saj njerëzor edukativ, admironte fisnikërinë dhe bujarinë. Autorja që atëherë ishte mësuar t’i respektonte njerëzit me burrëri, njerëzit e fjalës.

Ecim bashkë me autoren rrugës, sipas itinerarit të saj:
Në pjesën e parë të librit ballafaqohemi me nostalgjinë e autores për shtëpinë e vjetër të prindërve të saj, për lulet e shumta në oborr, për aromën e bukës së ngrohtë, të së ëmës, për makinën qepëse “Singer”, për ujtinë me prush, e cila përdorej për hekurosjen e rrobave, për sahatin e vjetër me qostek, për radioaparatin e vjetër etj. Fotografitë e këtyre objekteve muzeore, që i gjen në libër, ilustrojnë kohën, janë dëshmitarë të asaj që thuhet me fjalë. Ishte kjo një edukatë “bio” e kulturës familjare: se si duhet të ruhen gjërat e vjetra me të cilat identifikohemi para Zotit dhe para botës.
Përveç kësaj, autores i kujtohet se si dikur në Prishtinë, në vitet ‘50, “kishim teatër të fëmijëve, teatër të kukullave, bibliotekën, ku jo vetëm merrnim libra për lexim, por që në fundjavë, të dielave, organizoheshin aktivitete të ndryshme, ku recitonim, bënim teatër”, kurse në të tetëdhjetat asgjë! (f. 17). Gjejmë rrëfimin prekës si nga klasa e katërt e shkollës fillore shkonin në kinema, si shkonin në teatër dhe i kujtohen shfaqjet që kishte parë: ”Kryet e hudrës”, ku luajnë Bekim Fehmiu, Xhevat Qena, shfaqjen “Nuk martohem me pare” dhe “Sikur t’isha djalë”, ku luanin Melihate Ajeti, Katarina Josipi, Matej Serreqi dhe shafqjet e tjera, ”Matura”, ”Erveheja”. I kujtohen aktorët e njohur: Abdurrahman Shala, aktor dhe regjisor, Mysherefe Preka, Hyrije Hana, Leze Qena, Malo Gami. Dallon nga të tjerët, artistin Bekim Fehmiun, i cili do ta kryejë Akademinë e Teatrit në Beograd, dhe do të bëhet artist me famë botërore i filmit dhe teatrit.
Shumë herët filloi të angazhohej me punë. Së pari merret me korrekturë, duke i ndihmuar të vëllait, i cili punonte në gazetën Rilindja. I kujtohet korrektura e librit “Vocërraku”- Alfons Dode dhe i disa librave të tjerë.

I kujtohen rrëfimet e të përjetuarve të vitit ‘45, për torturat e partizanëve “çlirimtarë” ndaj qytetarëve, ndjekjet dhe burgosjet e mbi tre mijë vetave. I kujtohen vitet 1955/56, vite këto të shkombëtarizimit të shqiptarëve në turq, vrasjeve, mbledhjes së armëve inekzistente. I kujtohet burgosja e të atit, Halitit, i dënuar me pushkatim. Me dhimbje shpirtërore kujton shpërnguljen e shoqeve të saj, Edibes, Shefkatit, Suhatit, Lirijes dhe Kimetes në Turqi.
Kujtesë mbresëlënëse është edhe kur i kujtohet arsimtari i gjuhës shqipe, Salih Kolgeci, si dhe bija e tij, Vjollca, shoqe e klasës. I kujtohet Shkolla Normale e Prishtinës, bashkë me shoqet e saj Emine Rakovica dhe Kimetet Baraku, Fëllanza Luzha, profesorët Pajazit Nushi, Vahide Hoxha, Shefqet Veliu, Rexhep Hoxha, Engjëll Berisha, Beqir Kastrati, Ahmet Mumxhiu, Zeqir Bajrami. Shkolla Normale e Prishtinës, asokohe luante rolin e shkollës amë për arsimimin e shqiptarëve në ish-Jugosllavi.
Përveç të tjerash, i kujtohet edhe shëtitorja “korzoja” e Prishtinës, e cila asokohe luajti rol në emancipimin e vajzave dhe femrave shqiptare.

Në pjesën e dytë të librit, e hasim autoren në profesionin e veprimtarisë së saj, në jetën e gazetarisë, me të cilin bëri emër gjeorajonal, me nam.
Kur Sanija filloi punën në gazetari, në Kosovë gazetaria ishte “profesion burrash”. Punën e fillon në revistën “Zani i rinisë”. Kontakti i parë ishte me kryeredaktorin e kësaj reviste, Ali Sutaj, pastaj me dy kolegët, Rrustem Berishën e Abdyl Bunjakun, si dhe me shkrimtarin Ramiz Kelmendin, Zenun Çelajn dhe Mustafa Rushitin. Aty do të ketë rastin të takohet me bardin e letërsisë shqipe në Kosovë, Esad Mekulin, kryeredaktor i revistës “Jeta e re”, elbasanasin Tajar Hatipin, kryeredaktor i revistës “Pionieri”, prof. Ali Hadrin, kryeredaktor i revistës shkencore “Përparimi”. 
Punës te revista “Zëri I rinisë” ia fillon “me frikë e pa përvojë, por me guxim”. Kjo revistë e ilustruar për të rinjtë, u bë me idenë dhe angazhimin e studentëve tanë në Universitetin e Beogradit: Masar Murtezai, Ramiz Kelmendi, Ramadan Vraniqi, Rexhai Surroi, Gjon Shiroka, Murat Morina. Revista për herë të pare botohet në vitin 1953.

Krahas gazetarisë, jetën e autores e begaton edhe jeta sentimentale, kur njihet me bashkëshortin e ardhshëm, me Sadri Gashin, student i matematikës, me të cilin e fillon jetën e mbarë bashkëshortore, duke krijuar familjen, e cila për të ishte pasuri e shenjtë. Autorja me të drejtë nuk lë pa përmendur edhe lindjen të bijave, edukimin dhe arsimimin e tyre të lartë universitar në Londër e Gjermani. Po e përsëris, kur flet për vajzat e saj, zemra s’ka nevojë për syze.
Në këtë kohë, pas përvojës së fituar në “Zëri”, me 1972, autorja kalon me punë në revistën “Kosovarja”. Ishte kjo revista e pare për gra, në gjuhën shqipe, me kryeredaktoren e pare Drita Dobroshi. Me punën e saj, në këtë revistë, Sanija u angazhua për emancipimin e gjithanshëm të grave, për ndërrimin e mentalitetit të atëhershëm ndaj grave. Në vitin 1975 Sanija do të emërohet kryeredaktore e kësaj reviste, ku qëndron deri në vitin 1994, kur jep dorëheqje, sepse në krye të Njësisë së Revistave emërohet një mjeran. Këtë hap e bën për ta ruajtur dinjitetin e vet si njeri dhe si gazetare. Mirëpo, Sanija, pas kësaj dorëheqjeje, nuk heq dorë nga gazetaria, por vazhdon punën në revistën “Teuta”.

pjesën e tretë të librit, autorja flet për kohën e destabilizimit, që solli regjimi fashist i Sllobodan Millosheviqit në Kosovë. Ngjarjet fillojnë me grevën e minatorëve të “Trepçës”, në Stantërg. Ishte kjo koha kur në Kosovë prangoseshin ideja, bindja dhe njerëzit. Mirëpo, regjimi i riokupimit të Kosovës nuk arriti ta thyente rezistencën paqësore që bënte Lidhja Demokratike e Kosovës, FG, si lëvizje masive dhe demonstratat masive të studentëve të UP-së. Ishte kjo koha e territ informativ, kur mbyllet RTP-ja, mbyllet gazeta Rilindja, revistat. Ishte koha e helmimit të nxënësve, koha kur nga ushtria jugosllave ktheheshin ushtarët e vrarë shqiptarë. Të theksoj, në ballë të demonstratave e gjen edhe autoren e librit.

pjesën e katërt, autorja flet për vizitat e bëra në Shqipëri, për themelimin e Shoqatës “Motrat Qiriazi” dhe për shumë veprimtari e reprezalje të tjera që bënte UDB-ja, të cilat i konsideronte si armiqësore. Flet për burgosjen e saj dhe jetën në hapsane, ky episod jete burgu në qeli të rrëqeth, kur kupton për kushtet e rënda, jonjerëzore që përjetonin shqiptarët e pafajshëm.

pjesën e pestë autorja flet për fillimin e botimit të revistës “Teuta”. Kjo revistë prestigjioze e përmuajshme për gruan dhe familjen, edhe pse në rrethana të vështira, nën okupimin serb, rifreskon kujtesën e autores. I kujtohet kur nga biseda me shkrimtarin Azem Shkreli dhe Flora Brovinën revistën e kishin pagëzuar Teuta. Kjo revistë u bë krah i fortë i familjes shqiptare dhe për 25 vjet të botimit të saj zgjoi interesim dhe krijoi një rrjet të gjerë lexuesish të rregullt. Për vlerën e revistës dhanë mendime të çmueshme emra me nam, si: Nermin Vlora, Jozefina Topalli, Karyn Posner Mullen, Mehmet Gjevori, pedagog i njohur, Musine Kokalari, pena e parë shqiptare, Laura Kondi, ikonë e Zërit të Amerikës etj.

Pjesën e gjashtë, të librit, autorja flet për Luftën 1999, luftë kjo të cilën autorja nuk e shpjegon, por e përjeton, me vrasje, nga një sistem totalitar, me heqje kokash të fëmijëve, në prani të nënave, masakrim të shtatzënave, dhunime të vajzave në prani të etërve, lot vuajtjesh e dhembjesh. Të gjitha këto travaja autorja do t’i dëgjojë nga vetë gratë, të cilat kishin kaluar nëpër këto tmerre lufte dhe i lutet Zotit që të mos ketë më kurrë luftë në asnjë cep të botës.

pjesën e shtatë, autorja në mënyrë origjinale shfaq shumë mendime të pjekura në ese, me përmbajtje të prekshme – me erë nëne. Flet për qëndrimin stoik të nënave shqiptare. Këtë ese do ta quaja me plot gojën, kurorë amësie.

Shkrimet e Sanijes edhe në kapitujt e tjerë të librit janë pjesë e përvojës aktive të jetës saj. Punimet e saj janë të pranueshme, krejt brilante, të komunikimit të kohës që tërheqin vëmendjen e shumë lexuesve, pasi burim kanë kontaktin me publikun në terren. Vlerat e këtyre shkrimeve nuk janë produkt i thjeshtë i një “makine shkrimi”, por aleat i ndriçimit të jetës së femrës në shoqëri dhe familje. Sanija e kishte kuptuar drejt thënien e latinëve të vjetër: “Verba volant, scripta manent” (Fjalët i merr era, shkrimi mbetet!). Në këtë mënyrë Sanija u drejtohet me krenari lexuesve të njohur e të panjohur dhe komunikon me ta me një gjuhë të kuptueshme. Qëllimi i librit të saj nuk përmban vetëm kuptimin njëdrejtimësh, me përmbajtje formale intelektuale, por jep shumë të dhëna, shumë emra aktivitetesh të njerëzve me nam, të shkencës dhe kulturës, duke hapur shumë dyer kohe dhe hapësire. Është si një arkiv i gjallë, pasuri intelektuale, jo vetëm për gazetarinë e Kosovës. Është pasuri e ndërgjegjes dhe besimit për komunikim të drejtë.
Në kohën kur punoi Sanija, si gazetare, gazetaria në Kosovë, sidomos në dekadën e fundit, të shekullit XX, ishte nën kontrollin e shtetit fashist serb. Censura, por edhe autocensura kontrollonin çdo gjë të shtypur e të botuar, sepse çdo fjalë matej e peshohej.

Kur lexuesi lexon librin “Jetë gazetarie – Autobiografi Monografike”, bindet se:

1. Autorja, Sanije Gashi, respekton dhe zbaton, në të gjitha llojet e shkrimeve të saj parimin e së vërtetës;
2. Mbron parimin e lirisë së fjalës së shkruar dhe të mendimit kritik;
3. Asnjëherë nuk e gjymton, as shtrembëron të vërtetën;
4. Gjatë punës respekton etikën e gazetarisë profesionale;
5. Është kundër diskriminimit racist, gjinor dhe fetar, në të gjitha trajtat e komunikimit;
6. Është kundër plagjiaturës, në çfarëdo forme të saj;
7. E pranon si të shenjtë profesionin e gazetarisë, luftën për të vërtetën, kundër logjikës së gjymtimit në komunikim;
8. Shpifjet, thashethemet, përgojimet dhe trillimet e “furtunës së shkencës serbe”, sidomos në dekadën e fundit të shekullit XX, i plandos përtokë, së bashku me reagimin human të botës demokratike. Si armë kishte lapsin, mendjen e mprehtë me argumente. Bashkë me shumë veprimtarë ishte në krye të kolonës kundër dhunës serbe. Pastaj mori pjesë në shumë tubime dhe në varrosjen e dhunës serbe në Kosovë.

Kur njeriu lexon shkrimet dhe veprat e autores Sanije Gashi, bindesh se kjo autore e bind me fakte lexuesin se gazetaria nuk matet me busull, por sipas peshës së fondit të vlerave të vërteta që i ofrohen lexuesit me vështrim kritik. Po ashtu, komunikimin e saj e karakterizon mendimi bazë njerëzor, i cili sugjeron që, në vend të fantazisë, të përdoret dija, e në vend të fodullëkut, të përdoret mendimi aksiologjik, si terapi në çdo skenë të jetës. Librat e Sanijes janë arkiva të gjallë, pasuri historike, jo vetëm për gazetarinë e Kosovës.

Të gjitha veprat e autores, Sanije Gashi, kanë etosin (moralin) e vet, që lidhet dhe farkëtohet me gjeografinë dhe historinë e njerëzve, jo vetëm të mileut të saj, por me tërë njerëzishmërinë. Këtë autorja e dëshmon në të gjitha veprat e saj, të cilat mbesin si fanar i ndriçimit të ngjarjeve dhe zullumit që solli mesjeta serbe në Kosovë: largimin e mjekëve nga puna, dëbimin e gazetarëve shqiptarë nga mjetet e informacionit publik, moslejimin e lindjeve në klinikën obstetrike-gjinekologjike, moslejimin e hapjes së arkivoleve të ushtarëve të vrarë në ushtrinë “popullore” jugosllave, të mbyllur me llamarinë. Atë e gjen në hotelin “Grand” kundër vandalit të sëmurë Arkanit, në këtë hotel, në hyrje të të cilit ishte vendosur urdhri i shkruar: “ndalohet hyrja për qen dhe për shqiptarë” .Kjo gazetare-publiciste, në çdo hap, është kundër regjimit serbomadh i cili shihej dhe praktikohej e realizohej sipas planit ogurzi, fashist serbomadh për zhdukjen e shqiptarëve të Kosovës nga toka e vet denbabaden.

Sanija heroinë e rezistencës paqësore
Në bazë të shkrimeve të saj dhe pjesëmarrjes aktive në të gjitha manifestimet e rezistencës paqësore, kundër veprimtarisë së regjimit fashist serb, Sanije Gashi, e meriton të shpallet heroinë e rezistencës paqësore, si triumfuese në gazetari, si grua e fuqishme dhe e shkathët, e cila theu pengesat e portretizimit të një gazetareje të spikatur shqiptare të skenës së komunikimit, që e dallon këmbëngulja dhe guximi i saj në emancipimin e gruas shqiptare, si ikonë shenjtore e tyre.
Tipari i saj karakteristik: modestia dhe empatia si doajene në gazetarinë kosovare, trimëria, qëndrimi heroik dhe mospërulja në hapsanën e Prishtinës, e kurdisur nga regjimi serb, e bëjnë atë që kombi të nderohet me të.

Krejt në fund, dy fjalë për stilin e veprës
Sanije Gashi e kishte kuptuar se çelësi i çdo kulture është gjuha e atij kombi. Dhe se gjuha është dokument e monument, me të cilin çdo popull përfaqësohet para Zotit dhe para Botës. Se, pa etnitet s’ka identitet. Domosdo duhet pranuar se Sanija nuk e ka vetëm prirjen e vet krijuese, por ka edhe prirjen e të menduarit kritik. Kjo vërtetohet nga moria e veprave të saj që u botuan.
Vështrimi kritik në shkrime është po aq i domosdoshëm sa frymëmarrja. Ajo shkruan e gjykon, por asnjëherë nuk sakaton. Shkrimet e saj janë të gjalla, nuk janë të plogëta, inerte as neutrale, sepse gjithmonë kanë të ndezur llambën e arsyes. Janë një miratim i fakteve njerëzore, nuk ia kthejnë shpinën kurrë asaj që i ka shërbyer si burim inspirimi.
Gjuha e veprave të Sanije Gashit është e qartë, ka një individualitet të përcaktuar. Ka një shprehje dhe elegance origjinale si në libra ashtu edhe në publicistikë, si në formë ashtu edhe në përmbajtje. Të gjitha këto veti e shquajnë komunikimin e qartë të Sanijes me lexuesin, duke e bërë atë të shquar ndër shkrimtarët e kësaj gjinie krijuese, si shembull të parë, si për temat që trajton ashtu edhe për mjeshtërinë dhe shijen, si pakkush për kodin e saj të etikës së gazetarisë, duke mos përdorur intriga, fyerje dhe njëanshmëri. Veprimtaria e saj është e pastër, larg çdo interesi egoist, të dëmshëm për vete dhe për shoqërinë.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version