Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Kujtime nga takimi i parë me vendin e shumëdëshiruar
Udhëtimi im i parë në Shqipëri
Kujtime nga takimi i parë me vendin e shumëdëshiruar
Rreth gjysmë shekulli kishim ndalesa takimi me gjysmën tjetër të vendit amë. Kaq vite mall e dhembje për të afërmit e mbetur andej ‘gardhit’, siç praktikohej të thuhej, për qytetet shqiptare, për njerëzit e të njëjtit gjak… Mbetëm me përshtypjet se atje çdo gjë po lulëzonte! Të këtillë e dëshironim dhe e ëndërronim Shqipërinë! Dhe të këtilla ishin mëtimet për ta parë, për ta ndier vendin shqiptar, pa e ditur se çfarë jete po zhvillohej andej. Prandaj dhe, po u bisedua për këtë ‘temë të ndaluar’, gjatë gjithë këtyre viteve, dëshirat ishin të papërmbajtura për ta vizituar e për ta parë për së afërmi çdo gjë që ishte shqiptare. Udhëtimet e para drejt kufirit aq të dëshiruar, ndaj, mbeten kujtime gëzimi e loti, dhembjeje e kujtese … Në këtë përvjetor, ua shtruam një pyetje bashkëbisedueseve tona: Ç’mbresa u ka lënë udhëtimi i parë në Shqipëri? Përgjigjen: Shpresa Gashi dhe Antigona Qena. Përshtypjet e tyre nga ai takim mbetën thellë në kujtesë, që me kënaqësi e rikujtojnë edhe sot atë kalim kufiri shqiptar.

Në Tiranën e pastër e të varfër

 Pata fatin që si studente e Zagrebit, e përfshirë në grupin prej dyzet vetave, të merrja atë udhëtim aq të dëshiruar për në Shqipëri! Ishte pranverë e vitit 1973.

Shkruan Shpresa Gashi

Ky është viti kur për herë të parë e kam vizituar Shqipërinë. Neve, studentëve të Zagrebit, na u dha një mundësi që me Shoqërinë Kulturo Artistike ‘Shkëndija’, të bënim një vizitë në shtetin e ëndërruar! Ndonëse ime më i kishte njerëzit e vet atje, stërgjyshet, Motrën Tone – Mona Lizën shqiptare, asnjëherë nuk kishte mundur të kalonte atë kufi aq të dëshiruar! Kur i tregova se po e vizitoja, e emocionuar më porositi që t’u blija dhurata të afërmve, kështu që i mbusha dy valixhe plot dhe u nisa. Nga Zagrebi deri në Podgoricë fluturuam me aeroplan, pastaj me autobus shkuam deri në kufi, në Han të Hotit. Aty na pritën me autobusin shqiptar. Ishim 40 studentë.

 Mbresa e parë në kufirin shqiptar: Kur m’i panë valixhet e kur u tregova dedikimin, më thanë – lëri këtu, ne ua çojmë! Që në fakt kurrë nuk ua kanë çuar. Unë kisha veshur një palë pantallona - kombinezon, kuq e zi. Pyetja e parë: – Ç’është kjo veshje? Ti duhet të veshësh fustan, më thanë. Mirë, u thashë, dhe u ndërrova, vesha një fund të shkurtër. Përsëri: - Ç’është kjo veshje, moj, fustan është ky? Nuk bën, jo, jo! Mirë, thashë, dhe përsëri u ndërrova. Vesha një palë pantallona kadife deri përfund gjurit. E drejta, si studente, kisha gardërobë të kohës, më të lirshme. Vazhduam rrugën nëpër plot kthesa. Çdo gjë na interesonte të shihnim, natyrën, rrugën, njerëzit, në atë fluturim autobusi. Shkodra qe stacioni i parë ku u ndalëm. Në hotelin ‘Çajupi’, kaluam një mbrëmje të bukur… Nga Shkodra ia dërgova një telegram tezes së nanës sime, t’ia bëja me dije se do ta vizitoja të nesërmen! Vazhduam udhëtimin me kureshtjen që syri të kapte sa më shumë pamje. Ama, ishte koha kur në Shqipëri kinezët ishin vëllezër e kosovarët shokë! Në Tiranë, me adresën në dorë e me një taksist, që raportoi ‘aty ku duhej’, u nisa tek tezja. Si e gjeta? Shumë plakë, por, o Zot, ku po jetonte, në një dhomë - tokë…

Një banjë, kushtet mizerabël…

E, në qendër të Tiranës! Fliste me zë shumë të ulët. I thashë, - moj teze, veç unë e ti jemi në dhomë? Eee, ma ktheu, këtu edhe muret kanë veshë! Ndenja veç 15 minuta. Me programin e shoqërisë artistike, kemi vizituar shumë qytete, veç Shkodrës, edhe Tiranën, Krujën, Gjirokastrën, Durrësin, Vlorën, Beratin… Në Tiranë ishim të vendosur në hotelin ‘Dajti’, i vetmi hotel i asaj kohe. Ç’më bënte përshtypje? Ato gra të shndërruara në burra, t’ua shihje duart, nuk mund t’i dalloje – janë duar femrash a meshkujsh? Shitoret të zbrazëta, nuk mund të gjeje asgjë. Vetëm në ‘Dajti’ mund të gjeje veshje kombëtare dhe ndonjë rekuizitë…
Tirana, ndërkaq, ishte me bulevarde të gjera dhe e pastër, shumë e pastër, ato parqe, ato lulishte, bukuri… Mirëpo, njerëzit i shihje të lodhur, disi të vegjël, të paushqyer, me do biçikleta… Rrugës nuk guxonin as të na shikonin. Ndërsa, për sa i përket ushqimit, na shtronin madje edhe nga dy-tri gjellë, ëmbëlsira, kafe, çaj … të gjitha të mirat… Edhe nëpër shtëpi, ku ndodhte të kishim vizitë, i paralajmëronin se do të kishin mysafirë, ua shtonin ushqimet, që të mos vërehej skamja dhe tryeza ishte plot, plot! Më vonë e kuptuam se ato ishin vetëm për ne, se populli po jetonte në varfëri të mjerueshme!
Unë, brenda viteve 1973 dhe 1979, kam qenë 7 herë në Tiranë! Herën e fundit kemi qenë me flautisten Venera Mehmetagajn, të ftuara nga Radiotelevizioni Shqiptar, një lloj specializimi njëmujor. Të dyja ishim të vendosura në ‘Dajti’. Vinin na merrnin dhe na kthenin me veturë, një tip i vjetër, edhe pse nuk i kishim as 5-6 minuta këmbë deri në Universitet! Nuk i linin të takoheshin studentët e tjerë me ne. Më vonë unë kam dëgjuar nga Ardit Gjebrea, Inva Mula, Frederik Ndoci, si na kishin shikuar me admirim!
Në Tiranë, në atë kohë, mund ta shihje vetëm një Mercedes të zi, kur kalonte Enver Hoxha, dhe veturën tonë! Të gjithë ishin me biçikleta. Për atë muaj, sa qëndruam atje, s’kemi guxuar të dalim të veshura bukur, veç me ato pantallonat në trup. Binim në sy, gjithsesi. Më kujtohet, ishte një berber në Dajti. Unë kisha veshur çizme, herë pas here vishja pantallona. M’u afrua e më tha: - Po si, moj, si, po këtu vajzat nuk veshin pantallona, vetëm fustane. Ani, çka janë këto çizme, këpucë duhet të mbathësh! Kur, ja, një mbrëmje po vijnë djali i Enver Hoxhës, i Hysni Kapos, me nuset e tyre. Nusja e djalit të Enverit i kishte veshur një palë xhinse të ngushta, fare për trupi, çizme të gjata, thonj të gjatë, të grimosura më mirë se ne… Ishim të bindura se ishin të huaja, ngase në ‘Dajti’ nuk kishin të drejtë të hynin vendorët. E pyetëm kamerierin se kush ishin këto gra, prej nga? Shqiptare janë, tha, të funksionarëve! Shkuam te berberi që më kishte qortuar për veshjen, dhe i thashë: baca Rexhep, këto nuk qenkan shqiptare, apo jo? Po, moj, po, shqiptare janë! Po, po, veç shqiptaret nuk mbathin çizme, apo?! Nuk foli!
Ama, ajo ç’mund t’ua kishe lakmi, ishte kultura në nivel të lartë! Mrekulli në operën e Tiranës. Hetohej një aristokraci e brendshme, një kulturë e veçantë! Tashti nuk vërehet më ai pasion për operën, për këngën! Kur kemi shkuar si grup, kemi takuar shumë njerëz të kulturës, dirigjentin Eno Koço, i biri i Tefta Tashkos, Marie Krajën, Ferdinand Dedën, Çesk Zadenë. Me Vaçe Zelën kemi pas lidhur miqësi, ishte edhe Ema Qazimi, Liljana Kondakçi, kalonim mbrëmje të këndshme. Çdoherë na kanë pritur mirë!

 


Dëshpërimi i heshtur

E lindur dhe e rritur në një familje aktorësh, ku teatri, filmi, muzika, libri dhe arti, në përgjithësi, ishin pjesë e pandashme e jetës së përditshme, njihesha me krijimtaritë vendore e botërore dhe posaçërisht më prezantohej e stërmadhuar vlera e krijimtarisë artistike në Shqipëri, ku të rrallët kishin mundësi të shkonin. Dhe, ata që shkonin, zakonisht vinin me lëvdata superlative ...

Shkruan Antigona Qena

Atje secili shofer i di përmendsh veprat e Shekspirit”... kjo kishte krijuar tek unë një botë ideale, të paarritshme dhe kur kuptova se jam e përzgjedhur në ekipin e pjesëmarrësve të Radio Televizionit të Prishtinës, që të japim koncerte në Shqipëri, ishte diçka që plotësonte ëndrrën e gati secilit kosovar.
Sado që prindërit e mi kishin qenë me trupën e Teatrit, me shfaqjen “Erveheja”, dhe kishin sjellë nga atje gazeta me kritika të shumta, lavdërime, shumë fotografi e përjetime të bukura, ishin pritur jashtëzakonisht mirë, por kishin edhe një lloj dëshpërimi të heshtur, për atë që kishin parë e kishin përjetuar atje. Megjithatë, unë mendoja se ata ishin aktorë dhe aktorët janë më të ndjeshëm, me ëndërrimtar. Ishim një grup, apo trupa më e madhe që kishin shkuar ndonjëherë në Shqipëri, ndër ta emra të njohur, si: Nexhmije Pagarusha, Liljana Qavolli, Shpresa Gashi, Bashkim Paçuku, Sabri Fejzullahu, flautistja Venera Mehmetagaj, Ehat Musa, me kitarën e tij klasike, Shahindere Bërlajolli, Luan Hajra,Ymrije Beqaj, e shumë të tjerë, me gjithë orkestrën popullore, zbavitëse e të filarmonisë, gjithsej 85 anëtarë!
Me tre autobusë, nëpër rrugët shumë të këqija, në fund të shtatorit të vitit 1979, arritëm në Tiranë, në hotelin Dajti. Isha shumë e re dhe çdo gjë përjetoja me emocione të mëdha. Tash kam copëza kujtimi, sa të mira, përrallore, aq edhe prekëse e të hidhura nga ajo turne, kur çdo koncert pritej me ovacione e duartrokitje frenetike, posaçërisht kur koncertet i mbanim nëpër stadiume e vende të hapura, gjithë kohën brohoritnin Kosova, Kosova. E kundërta ndodhte në sallat e vogla, publiku ishte i heshtur, duartrokitjet ishin të shkurtra, të njëjta për secilin këngëtar. U patëm nisur për të qëndruar dy javë, por, meqë ndodhën ditët e zisë për politikanin Hysni Kapo, që ndërroi jetë në atë kohë dhe meqë nuk na lanë ta ndërprisnim turneun, atëherë na dërguan në Durrës, në hotel, për 5 ditë, që aty të prisnim të kalonin ditët e zisë dhe pastaj të vazhdonim me koncerte nëpër gjithë Shqipërinë, kështu që turneu ynë zgjati për më shumë se 25 ditë.

Shkonim në çdo qytet, nga Kukësi deri në Sarandën e bukur. Vizituam të gjitha monumentet e vendet historike, muzetë e përmendoret. Më kujtohet deti me plazhet e pastra, me rërën ngjyrë ari, fushat e malet e punuara, deri në çdo lartësi, bulevardet e rrugët e pastra, njerëzit e heshtur, fëmijët të edukuar. Mikpritje e ngrohtë, ushqim i shijshëm, “Elbasan tava” në Elbasan, bamjet në Shkodër, ëmbëlsirat origjinale në hotelin Dajti.
Në secilin qytet, mbas koncertit që kishim, na shtronin darkë dhe vinin aktorët e këngëtarët më të njohur. Një mbrëmje të këtillë, Vaçe Zela këndoi enkas për mua “Këngën e gjyshes”. Ishte e mrekullueshme, magjepsëse. Mbaj mend kur një mbrëmje erdhën një Zotëri me një Zonjë, që dalloheshin nga të tjerët për nga veshja e bukur. Na thanë se është shkrimtari Ismail Kadare me të shoqen. Ndër kujtimet më të bukura, ishin shfaqjet e shumta teatrore që ne i shikuam, shfaqjen e trupës së baletit, “Gocën e Kaçanikut”... Gjatë qëndrimit atje, gjithnjë na i shtronin më të mirat, më të bukurat. Mirëpo, qëndrimi i gjatë në Shqipërinë e asaj kohe, bëri që të shihnim edhe anën tjetër të medaljes, kush nga familjarët, që vinin fshehurazi për t’u takuar e që tregonin nën ethe të frikës se çfarë jete kishin. Disa bile as që kishin nevojë të flisnin. Sytë, shprehja e fytyrës, i tregonin të gjitha. Kishim një shoqëruese të mirë, Jeta quhej, që i kishte të kufizuara bisedat me ne. Filluam të vërenim “shoqëruesit” e shumtë, që na vëzhgonin, dhe nëse shoqërimi bëhej pak më i afërt, të nesërmen më nuk e shihnim! Çdo gjë filloi të bëhej surrealiste, të dukej se ke udhëtuar, jo vetëm në hapësirë, por edhe në një kohë tjetër, larg nga realiteti. Me të zbuluar shumëçka të fshehur nga sytë tanë, edhe ne u bëmë të heshtur, të zymtë. Më i rëndi ishte largimi me autobusët tanë, kur nga dritarja shikoja njerëz të kërrusur nga puna, nga jeta e rëndë, shikimet që klithnin... një ndjenjë dëshpërimi e dobësie.
Me t’u kthyer në Prishtinë, natyrisht, ne flisnim dhe tregonim vetëm atë të bukurën, madhështoren, mrekullinë, ku krijohej, frymohej dhe flitej bukur, vetëm shqip!

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
275

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version