Ti je ketu: Ballina > 240/241 > Të mishëruar me artin e mjekësisë
Në familjen e Dr.Ngadhnjim dhe Merita Domit
Të mishëruar me artin e mjekësisë
Pak kilometra në dalje të Prishtinës, në magjistralen për Gjilan, Dr. Ngadhnjim Domi dhe bashkëshortja e tij, Merita, kanë ngritur në këmbë të shëndosha poliklinikën e tyre private “Ars Medica”. Është aty vendi ku shkojnë njerëzit që kanë nevojë jo vetëm për ndërhyrje e mjekim, por edhe për të provuar artin e kirurgjisë maksilofaciale. Dr. Ngadhnjimi është ai që i kombinon bukur të gjitha këto së bashku...

Intervistoi Faik Hoti
Fotografitë Ridvan Slivova

I qetë, kreativ dhe i gatshëm për të ndihmuar pacientët, edhe jashtë programit të planifikuar, kirurgu i njohur maksilofacial, dr. Ngadhnjim Domi, ndihet komod brenda profesionit të tij, e aq më tepër me arritjet. S’e ka ndryshuar fama. Ka mbetur ai djaloshi i dashur i ditëve të rinisë së shëndoshë të Çabratit.
Duke mos mundur t’i durojë disa vjet më parë (2000), ato që ai i kualifikon si seleksionime negative brenda Katedrës së Stomatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, dr. Ngadhnjimi lë prapa 19 vjetët e kaluar në sistemin publik shëndetësor si kirurg, për të kaluar në atë privat. Një nisje e re, por jo nga zeroja. Përvoja e gjatë prej specialisti të kirurgjisë maksilofaciale dhe sukseset e shumta, do ta bëjnë atë tepër të kërkuar, si nga pacientët e tjerë, ashtu edhe nga klinikat private që ofrojnë shërbime të lëmit të tij. Kulmi do të jetë më 2007, kur dr. Ngadhnjim Domi, do të ngrejë vetë në këmbë të shëndosha poliklinikën e tij private “Ars Medica”, pak kilometra në dalje të Prishtinës, në magjistralen për Gjilan, një nga më të frekuentuarat në Kosovë, nga ata që kanë nevojë jo vetëm për ndërhyrje e mjekim, por edhe për të provuar artin e kirurgjisë maksilofaciale. Dr.Ngadhnjimi i kombinon të gjitha këto së bashku, ndërkohë që shumëçka në jetën e doktorit dhe familjes së tij, është e lidhur tashmë pikërisht me klinikën, me vendin, ku kryhen rreth 200 lloje të ndërhyrjeve mjekësore maksilofaciale dhe stomatologjike.

Të lidhur me klinikën

“Na është bërë klinika shtëpi e parë”, thotë Merita, bashkëshortja e dr. Ngadhnjimit. Ajo ka lënë anash anglishten, për të cilën ka studiuar dhe është bërë drejtoreshë e klinikës, në të cilën fjalën kryesore, pa dyshim që e thotë puna e dr. Ngadhnjimit, por të cilit i duhet ndihma e bashkëshortes. E ai e vlerëson këtë edhe me sens humori. “Drejtor në shtëpi, drejtor në klinikë”, thotë për bashkëshorten. Gjatë intervistës për revistën TEUTA, familja Domi tregojnë për shumë gjëra të jetës së tyre të përbashkët dhe interesante.
“Jemi qe 24 vjet bashkë. Kemi tre fëmijë Arbrin, Mjellmën dhe Lekën. U takuam në studime, unë po i mbaroja ato e Merita po i fillonte”, tregon dr. Ngadhnjmi. Si shembull të harmonisë mes tyre, ata kanë faktin se punojnë bashkë, duke i ndarë edhe përgjegjësitë po ashtu së bashku. “Nuk është e lehtë të jesh në krye të një institucioni si klinika jonë, sepse ka përgjegjësi, por së bashku ia dalim”, thotë Merita, derisa doktori shton: “Është shumë vështirë të kesh punë me njerëz të shëndoshë e mos të flasim me njerëz të sëmurë, me njerëz në nevojë”. Mirëpo, kjo ka edhe anën tjetër të  medaljes, që i ka inkurajuar ata gjithmonë. “Gjatë 19 vjetëve, sa kam punuar në klinikë, në QKU, dhe viteve të tjera si doktor në klinika private, kam pasur mundësi të kryej shumë e shumë ndërhyrje të suksesshme, por edhe situata të vështira. I jam gëzuar çdo suksesi, por në kirurgji ka edhe raste kur një komplikim ta nxin jetën. Mirëpo, prapë po them, ndihem shumë mirë në privat, sepse së paku këtu e ke mundësinë që t’i kryesh dikujt punë, me çmime më të arsyeshme, por edhe duke e kryer ndonjë ndërhyrje falë, për dikë që nuk ka mundësi të paguajë”, tregon ai.
Këtë privilegj s’e kishte në spitalin publik, prej nga kishte ikur. “Ofendimi që përjetonim si specialistë, ndonjëherë edhe nga pacientët, seleksionimi negativ, imponimi i disa gjërave, edhe ofrimi i mitës, u bë një diçka që nuk mund të tolerohej më, sepse unë s’kisha menduar kurrë se arrijmë në një situatë të tillë! Dhe, duke qenë se isha djali i një babai idealist, që e njihnin të gjithë, që kishte përjetuar vite të tëra burg, dhe që kisha një gjysh të njohur në Gjakovë, kisha vendosur të mos lejoja të ofendohesha nga ato gjëra që po viheshin në sipërfaqe dhe vendosa të kaloja në privat”, thotë dr. Ngadhnjimi, teksa tregon se babai e kishte lënë 16 vjeç. “Babai më la 16 vjeç dhe nuk u plak. Respekti që njerëzit kishin për të, më la mua një barrë të rëndë dhe s’guxoja ta koritja prindin”, thotë doktori, rruga jetësore e të cilit do të njohë, gjithsesi, suksese të shumta, duke nisur nga mbarimi i shkollës së mesme në Gjakovë, diplomimi në Fakultetin e Mjekësisë - dega e Stomatologjisë në Prishtinë, puna si asistent në këtë degë, specializimet në Beograd, ndjekja e subspecializimeve në Londër...
Ajo që vazhdon ta pengojë edhe sot e kësaj dite dr. Ngadhnjmin është thyerja e rregullave. Ai thotë se është bërë “virtyt” që njerëzit të diplomojnë pa bërë asgjë, as studime e as shkencë, e fatkeqësia, sipas tij, është se shumë të rinj po ndjekin këtë diskurs. “Unë kam vetëm një porosi për fëmijët tanë dhe të rinjtë: të shohin çfarë po bën Evropa e neve mos të na ndjekin, silluni e punoni si evropianë”, porosit ai. Dr. Ngadhnimi dhe familja e tij jetojnë në Kodrën e Diellit në Prishtinë. Por, puna ua merr pjesën më të madhe të kohës. “Shumë pak kohë të lirë kemi dhe ndodh që të shkojnë disa ditë e të mos mund të bëhemi bashkë të gjithë ”, tregon Merita, derisa kjo mungesë kohe, si pasojë e preokupimeve që sjell profesioni i mjekut, në ndonjë moment e ka qitur në telashe edhe vetë dr. Ngadhnjimin. Ai kujton një moment nga viti 1987. “Isha midis idesë, a të shkoja për të punuar si teknik medicinal në Zvicër, apo t’i kthehesha violinës që e kisha pasion”, tregon ai. Kjo zbulon edhe talentet e tjera që i ka pasur dr. Ngadhnjimi.

Sporti, muzika, librat dhe politika

“Kam qenë në shkollë të muzikës për harmonikë dhe violinë. Isha i pranuar edhe në orkestrën kryesore të Kosovës... Por, kam dashur dhe kam qenë i mirë edhe në futboll, atletikë, skijim dhe në sporte të tjera. Kërcimet nga Ura e Shenjtë...”, tregon dr. Ngadhnjmi, teksa kohët e fundit, flet për një tërheqje paksa nga sportet agresive, për t’iu kthyer më shumë ecjes. “Të shtunën e të dielën nuk punoj, prandaj po dalim për të ecur, bëjmë nga 10-15 kilometra”, thotë ai. Këtë e bëjnë më shokët e tij në Prishtinë, që kryesisht janë të profesionit, ndërkohë që në Gjakovë, ku është lindur, doktori ka shokët e fëmijërisë, të cilët janë ekspertë nga fusha të tjera, si: inxhinierë të bujqësisë, ekonomistë etj. Ndërkaq, Merita, që është nga Mitrovica, por që babanë e ka nga Gjakova, kur ka mundësi, e shoqëron bashkëshortin e saj në aktivitete të ndryshme rekreative, derisa thotë se ndihen mirë edhe gjatë pushimeve, që vijnë si një relaksim pas punëve të ngjeshura që bëhen në klinikë. “Shkojmë në Shtoj, në Ulqin, ku babai ka një vilë dhe ndihemi të relaksuar atje”, tregon ajo. Zaten, vetë ecjet e dr. Ngadhnjimit kanë një shpjegim prej tij.“Më pëlqen të dal në natyrë dhe po ashtu më pëlqejnë edhe shtazët. Sapo hyj në shtëpi, marr telekomandën e televizorit dhe e qes programin ‘Animal planet’, ku nuk ka politikë dhe gjëra që të ngarkojnë. Aty relaksohesh duke shikuar pamje dhe krijesa interesante. Duke i parë ato, pushoj, relaksohem dhe frymëzohem e marr energji për të nisur të nesërmen një ditë të re pune”, tregon dr. Ngadhnjimi. E, nga pozicioni i menaxheres, Merita tregon se puna në klinikë nis nga ora 9 e mëngjesit e zgjat deri në orën 18, shpeshherë duke vazhduar edhe më tutje, deri në orët më të vona. Kjo mënyrë e jetës, ndërkaq, nuk lë shumë kohë për libra, për më shumë relaksim për çiftin Domi. Por, megjithatë, ata gjejnë kohë edhe për të lexuar, jashtë mjekësisë, sidomos best-sellerët e letërsisë së sotme. Dr. Ngadhnjmi dhe Merita thonë se shkrimtari shqiptar Ismail Kadare është për ta i pakrahasueshëm. “Kam lexuar kohë më parë autorin hungarez Lajosh Zilahi, por, vërtet, Kadareja ynë është i pakrahasueshëm. Ka disa libra të tij që edhe nga 4 herë i kam lexuar si ‘Kronikë në gur’, ‘Qyteti i Jugut’... Po pata kohë, sërish do t’i lexoja”, thotë dr. Ngadhnjimi. Por, atij nuk i kanë ikur pa i lexuar as autorët si Tolstoj, Balzaku, Coelho etj. Dhe, ndërsa pohon për ato që thotë bashkëshorti, Merita e përshkruan atë si një njeri të përgjegjshëm dhe komunikativ. “Është shumë komunikativ, me shumë humor dhe bashkëshort shumë i përgjegjshëm”, thotë ajo. Në një kombinim profesionesh, por të përshtatur brenda mjekësisë, gjithsesi, Merita e dr. Ngadhnjimi thonë se ndihen shumë mirë me punën dhe jetën që bëjnë. “Kirurgjia është një shkencë që të jep shumë mundësi dhe rezultatet shihen aty për aty ose shumë shpejt”, thotë dr. Ngadhnjimi. Ndërsa menaxherja e klinikës thotë se është kënaqësi kur njerëzit vijnë për të falënderuar. Por, që rezultatet të mos mungojnë dhe respekti të jetë në vendin e vet, ata mendojnë se njeriu së pari duhet t’i pastrojë gjërat me vetveten. Çifti Domi nuk planifikojnë të ndryshojnë diçka nga mënyra e jetesës. Nuk joshen as nga politika, ku, megjithëse dr.Ngadhnjimi ishte ftuar si ekspert të kontribuonte për një parti kosovare kohë më parë, gjithnjë nga cilësia e një eksperti të suksesshëm në fushë të caktuar, e asnjëherë me pretendimin për të arritur diçka, ai nuk ka ndonjë dashuri që të hyjë në të. “Ndihem më së miri me mjekësi dhe nga këtu mund të bëj që të tjerët të ndihen mirë e të lumtur me jetën e tyre”, thotë dr. Ngadhnjimi. Ai, ndonëse e vlerëson si të dobishëm sistemin pluralist në Kosovë, prapë vlerëson se përkufizimin më të mirë politikës ia ka bërë ish-presidenti amerikan Ronald Regan. “Politika është zanati i dytë në botë për nga vjetërsia, prandaj i përngjan shumë të parit”, citon Reganin. Për të, mjekësia mbetet vendi ku jeta dhe veprat kanë më së shumti kuptim.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Lexuar 13546 herë.
#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jenë të interesuar në..

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version