Bisedoi Blerina Gashi
Fotot Ridvan Slivova
Znj.Nazë Sejdiu:
KRENOHEM ME KORABIN
Nuk ka asnjë dashuri aq të qëndrueshme, aq të fortë, aq të pastër sa dashuria e nënës. Si e përjetoi zonja Nazë Sejdiu largimin e Korabit nga shtëpia, pse pas këtij largimi ajo kurrë nuk gatoi ëmbëlsirë në shtëpi… Në vazhdim zbuloni momente emocionuese dhe të veçanta nga jeta e tyre, larg dhe afër njëri-tjetrit.
Zonja Nazë, ju jeni nënë e tre fëmijëve, keni dy vajza dhe një djalë, megjithatë, a ka qenë Korabi përherë fëmijë i përkëdhelur dhe i veçuar nga motrat, kur ishte fëmijë?
Ndoshta edhe paksa, sepse, si më i vogli në familje, ka pasur tolerancë shtesë në krahasim me vajzat. Mirëpo, asnjëherë pse ishte djalë. Si shembull, ne kemi pasur një rregull për kryerjen e punëve të shtëpisë gjatë fundjavës dhe të gjithë kemi qenë të angazhuar në këtë drejtim, përfshirë edhe Korabin, i cili ka pasur detyrat e shtëpisë, si marrja e pluhurit nga shkallët, tharja e enëve dhe vendosja e tyre në vendet përkatëse.
Çka kujtoni përherë nga fëmijëria e tij?
Korabi ka qenë një fëmijë shumë i urtë dhe me jetë tejet të programuar. Për shembull, ne rregullisht kemi vizituar prindërit e mi dhe, meqë këto vizita bëheshin në kohën e kryerjes së detyrave të shkollës, Korabi vazhdimisht pyeste sa do të qëndronim tek gjyshërit. Nëse përgjigjja ishte më shumë se dy orë, ai nuk vinte me ne për vizitë, sepse i sakrifikohej koha për mësim. Prandaj, gjithmonë më duhej t’i premtoja Korabit se qëndrimi tek prindërit e mi do të ishte më pak se dy orë, dhe ai sigurohej që unë e zbatoja marrëveshjen e bërë.
Ju keni jetuar shumë vjet ndaras, ngase Korabi ka studiuar në Amerikë. Si ka qenë shtëpia pa të, si e keni përjetuar largimin e tij?
Momenti më i vështirë në jetën tonë ka qenë ai kur jemi ndarë nga Korabi. Jeta pa Korabin ishte e zbrazët dhe shtëpia nuk ishte e njëjtë si më parë, ngase në çdo cep të shtëpisë ishin kujtimet që nuk na lejonin të rrinim të qetë. Pas largimit të Korabit nga Kosova, unë si nënë asnjëherë nuk kam gatuar ëmbëlsira, sepse gatimi i ëmbëlsirave ka qenë diçka që unë dhe Korabi e bënim së bashku çdoherë, pasi Korabi ishte adhurues i tyre. Mirëpo, si nënë që e njoh mirë karakterin e djalit tim, nuk kam pasur asnjë dyshim që do të vijë dita ime e lumtur, e njëjtë sikur ditën kur e kam sjellë në jetë, ashtu edhe dita kur ai do të kthehej nga Amerika. Prandaj, mund të them lirisht se kam përjetuar gëzim të dyfishtë.
Insistuat ju që ai të kthehej, apo ishte tërësisht vullneti dhe vendimi i tij?
Gjatë kohës kur Korabi ishte në Amerikë, ai ka marrë nga një letër çdo dy javë. Dhe në letër, ndër të tjera, ka pasur tri kërkesa të përsëritura – që t’i qëndrojë larg alkoolit, të mos eksperimentojë me drogë dhe se atdheu e pret. Mirëpo, pa dyshim, vendimi i tij për t’u kthyer, edhe pse i ndikuar nga unë, ka qenë i Korabit. A ka ndikuar kërkesa ime – besoj se po.
Kur e mendoni sa gjatë ishit të ndarë, jeni pishman që e lejuat të shkonte në Amerikë?
Sikur të mos kishte qenë frika ime se mos nuk do të kthehej Korabi në shtëpi, mund të them se asnjëherë nuk jam penduar pse ka shkuar dhe është shkolluar atje.
Thënia ‘Nënat kanë ndikim magjik në jetën e djemve të tyre’, në rastin tuaj, a është e saktë?
E saktë.
Për çfarë ju konsulton Korabi, kryesisht?
Për çdo vendim që merr, Korabi e konsulton familjen, përfshirë edhe mua, si dhe unë e konsultoj atë.
Ndonëse ai është i martuar dhe ka krijuar familjen e tij, jetoni bashkë?
Jemi familje tradicionale dhe si e tillë ne jetojmë se bashku, si një familje relativisht e madhe dhe shumë e lumtur. Kisha dy vajza dhe, me martesën e Korabit, u bëra me tri vajza, pra shtova vajzën e tretë, domethënë nusen e Korabit, e cila na solli në jetë Odetën dhe Alekun. Por, më duhet të them se më mungojnë shumë dy mbesat nga vajza ime, Jona dhe Nesa, të cilat jetojnë në Zelandë të Re.
Si ndiheni kur e shikoni në paraqitjet televizive?
Krenohem me sjelljet e tij, si në shtëpi, ashtu edhe në paraqitjet televizive, si dhe në çdo mes ku gjendet Korabi.
Korabi, në fakt, veçohet për edukatën dhe kulturën e përgjithshme. Mendoni se ky fakt do të ndikojë në krijimin e imazhit të ri të politikanit kosovar?
Kisha pasur dëshirë, dhe nuk e them vetëm pse jam e ëma e Korabit, që ky të shërbejë si model jo vetëm për politikanët, por edhe për të gjithë brezat kosovarë se si duhet ta prezantojë veten në publik një njeri.
Dëshironi që ai të largohet nga politika, apo e motivoni të jetë tani e tutje edhe më aktivë?
Unë si nënë asnjëherë nuk kam pasur dëshirë që Korabi të merret me politikë, veçanërisht duke pasur parasysh gjendjen dhe mënyrën se si bëhet politikë në vendin tonë. Mirëpo, duke pasur parasysh se sa shumë Korabi mund t’i ofrojë vendit tonë dhe se arsyeja kryesore pse Korabi është kthyer nga Amerika është pikërisht për të kontribuuar në zhvillimin e vendit, unë si nëna e tij mundohem ta motivoj për të vazhduar, sepse besoj që Kosova ka nevojë për njerëz të ngritur si Korabi, me qëllim që ata t’u ofrojnë një jetë më të mirë brezave të rinj.
Mendoni se djali juaj ka një karakter të fortë dhe është e vështirë ta nxjerrësh nga takti?
Korabi është njeri i fjalës dhe me karakter të fortë. Për 39 vjet jetë, çkado që më ka premtuar dhe për çka jemi marrë vesh, ai e ka realizuar. Korabi është i qetë dhe shumë racional, prandaj ta nxjerrësh Korabin nga takti është shumë vështirë.
Kujt i ka ngjarë ai me personalitet dhe pamje?
Korabi me personalitet dhe me pamje besoj më ka ngjarë më shumë mua.
Znj.Emine Abdixhiku:
LUMIRI DO TË KETË PËRKRAHJEN TIME...
Njeriu mund të humbasë çdo gjë në këtë botë, por jo dashurinë e nënës, përkushtimin dhe mbështetjen e saj. Zonja Emine Abdixhiku rrëfen detaje nga jeta e fëmijërisë së Lumirit, kujton çastet dhe dëshirën që kishte për profesionin e të birit.
Zonja Emine, ndiheni krenare me djalin tuaj, Lumirin? Konsideroni se angazhimi juaj për rritjen dhe edukimin e tij nuk ka shkuar kot?
Mendoj se që në momentin e të qenit nënë fillon të rritet krenaria, pa menduar se si do të jetë rrita e fëmijës tënd. Dihet mirëfilli se nënat shqiptare dinë të rrisin dhe të edukojnë si dhe të bëjnë të pamundurën për fëmijët e tyre. Besoj se edhe unë i përkas kësaj kategorie. Jam munduar të jap maksimumin dhe mendoj se ia kam arritur qëllimit dhe se ia ka vlejtur i gjithë përkushtimi. Krahas punës që kam mbajtur, kam besuar gjithnjë se qëndrimi im në shtëpi pranë fëmijëve është i domosdoshëm. Puna me ta si dhe përkushtimi maksimal që prindërit duhet të japin, është investimi më i rëndësishëm te ta. Nuk mundem pa e theksuar se për të qenë një fëmijë në plotni i kompletuar duhet t’i ketë që të dy prindërit, gjë që Lumiri gjer në moshën e pjekurisë ishte me të dytë, andaj për të gjitha sukseset, merita nuk më takon vetëm mua, por edhe bashkëshortit tim.
Si është Lumiri në shtëpi?
Me Lumirin ndaj të mirën e të keqen. Është i sjellshëm, i papërtueshëm, nuk e do rrëmujën, di të bëjë diferencën, shumë solidar e sidomos ndaj të sëmurit ka një kujdes të jashtëzakonshëm. Qe sa kohë jam ballafaquar e po ballafaqohem me sëmundjen e shekullit – kancerin, e që Lumirit i ka rënë hise që në çdo moment të bashkëndiejë me mua. Më jep kurajë pas çdo terapie, duke mos më anashkaluar qoftë edhe në punët dhe detyrat shumë të rëndësishme që i dalin përpara. Mundohet që çdo të keqe ta mënjanoj nga kujtesa dhe t’i lë vendin paqes së brendshme, ashtu si dora që fshin gjurmët me shumë takt. Ka një instinkt që të lejon të ecësh përpara.
Mund të na flisni pak për fëmijërinë e Lumirit, çfarë fëmije ishte, ju dëgjonte, mësonte pa e detyruar ju, apo përherë i keni qëndruar pranë dhe keni mësuar bashkërisht?
Fëmijëria e tij ishte si e të gjithë moshatarëve të tjerë, pa kompjuter, pa internet e pa rrjete sociale. Ka qenë shumë i pavarur e i dëgjueshëm. Tërë klasën e parë udhëtimin e ka bërë me autobus që nga Bregu i Diellit e gjer te shkolla fillore “Gjergj Fishta” pa asnjë shoqërim. Gjatë rrugës së tij fëmijërore më ka dhënë shume gëzime. Ndoshta pse vetë isha nga fusha e letërsisë, më bënte të ndihesha tepër e lumtur kur herë pas here në revistën për fëmijë “Pionieri” i botoheshin ca vjersha, qoftë për nënën, natyrën e pranverën. Ka qenë tepër i pavarur, pos në raste të rralla, atëherë ndonjëri afroheshim dhe në mënyrën më të mirë të mundshme së bashku e zgjidhnim problemin.
Për çfarë e keni qortuar dhe akoma ndiheni pishman pse e keni bërë një veprim të tillë?
T’ju them të drejtën, nuk më kujtohet ndonjë rast me peshë të madhe. Dënimet dhe qortimet i kam urryer dhe edhe sot jam kritikuesja më e madhe. Me fëmijë duhet pasur kujdes e durim, duhet të mësohen si bëhen debate, t’u lëmë hapësirë dhe të drejtë edhe atyre e të hyjmë në botën e tyre, t’i ndihmojmë gjatë rritës, mos t’i lëndojmë me fjalë, t’u japim kurajë edhe për punën më të vogël që e bëjnë. Një qortim apo më mirë të them një dëshirë e nënës ka qenë ajo pas maturës. Duke ia ditur aftësitë, doja që ai të studionte mjekësinë, ndërsa Lumiri vendosi për ekonomi, gjë që më vonë e mësova se jo çdo dëshirë e prindit është e mirë. Por, shihet se intuita e tij për ekonomi ishte vendim i duhur.
Në këtë periudhë aspak të dinjitetshme politike, vendimin e Lumirit për t’u angazhuar në parti e përkrahët apo e kundërshtuat, kishit drojë pse do të merret me politikë?
Nënat si nënat. Edhe kur të rriten e të bëhen zot të vetvetes, mendojnë dhe kanë drojë se mos po gabojnë, andaj edhe unë e ndjek në çdo hap. Frika gjithmonë ekziston, e sidomos në këtë kohë të pakohë. Nuk kam qenë përkrahësja më e madhe e tij në angazhimin politik. Nuk e kam dashur politikën asnjëherë për shkak të ambientit në të cilin ajo zhvillohet. Por, e kuptoj dhe mirëkuptoj në tërësi vullnetin e Lumirit për të kontribuuar për vendin e vet. Ka dashur gjithmonë një Kosovë më të drejtë. Tash që ka marrë këtë rrugë, do të ketë gjithnjë përkrahjen time.
Tani kur e shihni në prezantimet televizive, ndiheni krenare apo ka raste edhe kur e kritikoni?
Lumiri, tash e sa vjet është angazhuar publikisht dhe njihet si figurë publike. Në fillim si opinionist ma merrte mendja se kishte nevojë për konsultime e kritika, e që vetëm prindi është ai që ta thotë troç, pa asnjë interes. Ia thosha gjithnjë. Por, nëse ka vend për lëvdata, atëherë edhe ato s’duhet të mungojnë. Të them se a jam krenare, them se po. Ndiej kënaqësi kur më thonë fjalë të mira për të.
Jeni ju personi i parë të cilin e kontakton Lumirin pas paraqitjeve televizive, a e dëshiron ai përherë opinionin tuaj lidhur me këto paraqitje?
Po. Çdoherë kur niset, i uroj rrugë të mbarë dhe të ketë një paraqitje sa më dinjitoze. Edhe pas mbarimit të paraqitjeve televizive, menjëherë bie telefoni dhe më pyet për opinionin tim. Mundohem që nga këndvështrimi im ta mbështes, ta fuqizoj, ta kritikoj, por besoj se tanimë nuk ka nevojë dhe aq për mua, sepse, me një bagazh dijeje dhe pjekurie që posedon, nuk do të ishte e udhës të bëjë gabime të mëdha e që nuk do t’i faleshin kurrë. Them se Lumiri më parë është kombëtar e pastaj politikan, andaj edhe di si të veprojë.
Për çka e porosisni vazhdimisht atë?
Të jetë i dinjitetshëm dhe i drejtë e të mos i lëndojë njerëzit. Për mua fjalët që më kanë bërë të ndihem mirë kanë qenë - të lutem e faleminderit. Pra, është mirësjellja pasuria më e madhe e një njeriu. Do të doja ta ruante mirësjelljen e tij gjithherë.
Thuhet se djemtë janë të nënave, madje shumë prej tyre nuk ndihen rehat kur ata vendosin të martohen. Ju, si e përjetuat martesën e djalit tuaj?
Meqenëse kam dy djem dhe kisha bashkëshortin, gjithmonë u thosha se unë ndihem si minoritare karshi tre meshkujve në shtëpi. Ardhja e një të reje në shtëpi ishte gjëja më e bukur në jetë. Aty ku frymon femra, i jep kuptim çdo gjëje. Tanimë kemi edhe Erën e vogël, pa të cilën nuk mund ta marr me mend se si do të gjendesha. Më kënaq me belbëzimet e saj, më bën që çdo gjë të keqe ta qes prapa krahëve dhe të ndihem njeriu më i lumtur në botë. Është engjëlli mbrojtës imi. Shkurt, më jep jetë.
Mendoni se djali juaj ka karakter të fortë dhe është vështirë ta nxjerrësh nga takti?
Karakteri pak fitohet nga gjenet e pastaj sforcohet me kalimin e kohës - viteve, por në një shoqëri në të cilën ndodhemi është shumë vështirë të mos dalësh ndonjëherë nga vetvetja. Lumiri ka karakter jashtëzakonisht të fortë.
A keni pasur përherë ndikim në jetën e djalit tuaj?
Shumë gjëra Lumiri i ka zhvilluar i pavarur nga mendimet e mia. S’do të doja të ishte ndryshe. Për mua është e rëndësishme që vendimet që i merr të jenë të drejta. Tani Lumiri është një person që punon dhe vepron me kokë të vet për të mirën e familjes, rrethit, shoqërisë dhe shtetit tonë. Jam më se e lumtur dhe ndihem e privilegjuar që është djali im.
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.