Me martesën fillon një etapë e re e jetës… Shtëpia juaj! Për të keni ëndërruar që moti, si vajzë e re, e sot mund t’i pritni…Është i rëndësishëm intimiteti, të cilin do t’ia jepni shtëpisë suaj; kjo varet nga shija, sensi për të bukurën dhe maturia. Në banesat e rregulluara me shije, koha kalon shpejt, dëshirojmë të qëndrojmë më gjatë në to, e ndiejmë veten mirë…
Mirëpo në këtë rast, e që është qëllimi i këtij libri, do të ndalemi e të përqendrohemi vetëm në një ‘kënd’ të shtëpisë, siç e quajmë shpesh, ku amvisja (apo më mirë – gatojca) e kalon një pjesë të mirë të kohës së saj – në kuzhinë. Ndaj qëllimi ynë është t’i dalim në ndihmë gatojses së re, amvises të papërvojë, që të dijë të organizojë në përgjithësi punët e kuzhinës dhe rreth saj, duke u kujdesur për funksionalitetin dhe pajisjen e saj me elemente të nevojshme, për të arritur kështu deri te qëllimi kryesor: gatitja e gjellërave cilësore e të shëndetshme, preokupim ky që duhet të jetë i secilës gatojce.
1982