Ti je ketu: Ballina > DIASPORA > Ndiqni ëndrrat tuaja dhe besoni në më të mirën!
Ekskluzive: Lorena Haliti
Ndiqni ëndrrat tuaja dhe besoni në më të mirën!
Lorena Haliti u fut në karrierën e modelimit në moshën 17 vjeçe, në vitin 2013, kur fitoi titullin Miss Teen Idaho 2013. Vajza berlineze, e lindur në Gjermani, nga dy prindërit kosovarë, nga Mitrovica, e cila nga viti 2000 jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë kësaj periudhe u shfaq në fushata të ndryshme të modës dhe kozmetikës. Për të mësuar më shumë për karrierën e modelimit, mënyrën e jetesës dhe planet e ardhshme, biseduam me Lorenën, e cila iu përgjigj pyetjeve në mënyrë miqësore dhe me shumë kënaqësi.

 

Blinera Gashi
Foto Carlos Nunez


 

Lorena, ju po vazhdoni të bëni punën e modeles. Çfarë ju frymëzon?
Po, jam duke punuar shumë në fushën e modelimit si profesioniste, me frymëzimin që më jep realizimi i ëndrrave të mia, që çdoherë e më shumë janë më të suksesshme. Natyrisht, falë të gjithëve për mbështetjen.
Jeni vazhdimisht në lëvizje nga një vend në tjetrin, cili është projekti aktual që jeni duke e realizuar?
Gjatë këtij viti kam realizuar disa projekte në vende të ndryshme. Në Londër, për shembull, kam punuar me kompaninë ASOS, në Los Anxhelos me Pretty Little Thing dhe kompaninë Guess, në Machester me Boohoo. Ndërkaq, në Nju-Jork, ku ndodhem aktualisht, jam duke punuar për kompaninë e fustaneve Jovani, dhe fotografin tim të preferuar, Fadil Berisha, në fokusin e të cilit po ndihem shkëlqyeshëm. Jam shumë e lumtur se të gjitha punët fatmirësisht po realizohen suksesshëm.
Jeni modele e cilës agjenci të modës?
Aktualisht punoj në agjencinë e modeleve Orthno.
Cila është puna që ju solli më së shumti fitim gjatë karrierës suaj?
Të gjitha punët dhe sukseset në karrierën time kanë pasur fitime të veçanta dhe vullnet që të vazhdoj gjithmonë t’i bëj krenarë të tjerët.
A mund të jetohet nga puna e modeles në Amerikë?
Natyrisht se mund të jetohet. Çdo profesion dhe punë me pasion, sado e ngarkuar të jetë, gjithmonë është e lehtësuar, kur ke mbështetjen e familjes, shoqërisë dhe veçanërisht gjithë shqiptarëve që edhe në Amerikë më lehtësojnë punën.
Çka ëndërroni të arrini në këtë fushë?
Të jem një modele e suksesshme dhe të arrijë në majat më të larta të modelimit. Që t`i bëjë krenarë të gjithë për punën time, veçanërisht Shqiptarët.
Cili është hobi juaj? Ju pëlqen të kërceni?
Hobi im është leximi, ndërkaq, do t’i veçoja librat: Gone Girl nga Gillian Flynn, Juliet Doesn’t Love You Anymore, nga Benita Paloja, Zëra nga Çernobili nga Svjetlana Alekseviq. Po ashtu, lexoj romane edhe nga shkrimtarët shqiptarë, siç është libri Broken April dhe The Palace of Dreams të Ismail Kadaresë, i cili njëkohësisht është shkrimtari im i preferuar. Po ashtu, kam lexuar librin Malësorja nga Nazmi Rahmani, si dhe shumë romane të tjera nga autorë të ndryshëm shqiptarë. Leximi më ndihmon ta përvetësoj dhe të mos e harroj gjuhën time. Ndërsa për sa i përket vallëzimit, po ashtu më pëlqen shumë.

Cili është stili juaj personal?
Nuk e kam problem për stil, sepse gjithmonë kam punë me stile të ndryshme, mirëpo stili im personal është veshja sa më e thjeshtë, ngaqë mendoj se thjeshtësia është eleganca e një femre.
Si arrini ta mbani trupin tuaj në formë?
Fitnesi është pjesë e rëndësishme në jetën time, dhe ushtroj mjaftueshëm kur kam kohë. Gjithashtu mundohem të ushqehem shëndetshëm.
Në fakt, kohët e fundit keni humbur peshë dukshëm. Cila është dieta juaj?
Nuk kam ndonjë dietë të veçantë, thjesht kujdesem mos ta teproj me ushqim. Nuk ha karbohidrate dhe nuk ushqehem pas orës 18:00. Aktualisht peshoj 51 kg.
Kur nuk mbani dietë, çka ju pëlqen për të ngrënë? Hani çokollata gjatë ditës?
Zakonisht ha ushqim të shëndetshëm, mirëpo ushqimi im i preferuar është flia, që ndonjëherë, për t’ia bërë qejfin vetes, e ha me shumë dëshirë. I ha po ashtu ushqimet e tjera tradicionale, jashtë dietës natyrisht, hahaha. Ndërkaq, sa u përket çokollatave, të preferuarat e mia janë Kinder Chocolate, të cilat i ha ndonjëherë.
Përveç punës si modele, ju gjithashtu punoni edhe si agjente e patundshmërive. Në cilën punë jeni më e suksesshme?
E vërtetë, mundohem që në të dy profesionet ta jap maksimumin tim dhe t’u përkushtoj kohë të mjaftueshme të dyja punëve.
Jeni aktive në rrjetet sociale?
Po, ndonjëherë, kur kam kohë të lirë, angazhohem edhe në rrjetet sociale.

Ju, gjithashtu, keni marrë pjesë në klipin më të ri të Ledri Vulës të quajtur ‘Rio’. E kujt ishte ideja që ju të merrni pjesë në atë klip? Si kaluat gjatë realizimit? Cili është mendimi juaj për Ledrin?
Ideja për pjesëmarrjen time në realizimin e klipit me Ledrin ishte e menaxherit të tij, Faton Shoshit. Gjatë realizimit, kemi kaluar shumë mirë që të gjithë së bashku. Ishte një kënaqësi e madhe të jem pjesëmarrëse në atë klip. Ledri, është një artist shumë i talentuar dhe i suksesshëm, gjithashtu dhe një person i shoqërueshëm.
Ju jeni fëmijë i një çifti emigrantësh nga Kosova? Çka punojnë prindërit tuaj?
Po prindërit e mi janë nga Kosova. Ne jemi një familje gjashtanëtarëshe, unë kam edhe dy motra dhe një vëlla. Motra ime gjithashtu ka qenë Miss Idaho Teen USA, ndërsa babi im ka një biznes shume të suksesshëm, këtu, në Amerikë.
Keni përkrahjen e prindërve për punën që bëni. Janë të lumtur ata me ty?
Po, kam një përkrahje shumë të madhe nga prindërit dhe gjithë familja. Ndërsa unë gjithmonë mundohem t’i bëj krenarë me punën time, ata janë shumë të lumtur me arritjet e mia.
Çfarë këshille do t’u jepnit vajzave të cilat duan të merren me modelim?
I këshilloj që gjithmonë t’i ndjekin ëndrrat e tyre dhe të besojnë në më të mirën. Mos të ndalen asnjëherë, sado që të ketë paragjykime në këtë profesion, tekefundit secili jetojmë jetën tonë me vendimet dhe sukseset tona. U uroj shumë suksese të gjithave!

 © REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version