Ti je ketu: Ballina > DIASPORA > Vajza nga Vushtrria, modele e suksesshme në Evropë!
Ekskluzive: Heidi Lushtaku
Vajza nga Vushtrria, modele e suksesshme në Evropë!

Blinera Gashi
Foto Fadil Berisha

Lista e zonjave shqiptare, të cilat me punën e tyre intelektuale suksesshëm kanë depërtuar në shoqërinë evropiane dhe botërore, po vjen duke u rritur. Kjo listë përbëhet nga zonja të profileve të ndryshme, përfshirë supermodelet, gra të njohura, të cilat me bukurinë, sharmin dhe seriozitetin në punë, kanë arritur të depërtojnë në industrinë e modës. Në mesin e këtyre zonjave, pa dyshim nuk mungon as emri i Heidi Lushtakut, vajzës e cila lindi në Vushtrri, u rrit në Zvicër dhe me shumë përkushtim në moshën e fëmijërisë filloi punën e modeles.

Si keni arritur të integroheni në jetën zvicerane dhe posaçërisht në sektorin e industrisë së modës?
Unë kam filluar modelimin si aktivitet krahas studimeve, vetëm për të fituar pak lekë. Nuk kam menduar se do të bëhem modele. Arti gjithmonë ka qenë pjesë e jetës sime. Ndërsa punën si modele e kam marrë gjithmonë seriozisht. Përherë jam përpjekur dhe kurrë nuk e kam bërë vetëm për bukuri. Besoj se kjo më ka ndihmuar shumë që të kem sukses, ndaj dhe modelimi është bërë pjesë e jetës sime tani e disa vjet.
Kur keni filluar të merreni me modelim?
Në moshën 13 vjeçe kam filluar rrugëtimin tim. Fillimi ka qenë një befasi për mua, sepse unë si fëmijë dukesha porsi djalë. Kur më përgatitnin për reklama, pamja ime si vajzë nuk më pëlqente, por gjithmonë punën e kam përfunduar pa ankesa. Ndërsa në moshën 16 vjeçe kam filluar të punoj për brende veshjesh për të mëdhenj. Gjatë punës sime kam punuar shumë për reklama komerciale dhe video, punë të cilën ende vazhdoj ta bëj.
Çka vlerësoni kulm të karrierës suaj? Cilët janë kreatorët më të njohur me të cilët keni bashkëpunuar? Aktualisht me cilën agjenci të modës bashkëpunoni?
Në vitet e fundit të jesh modele nuk do të thotë t’u tregosh të tjerëve se je vetëm e bukur. Tani, modelet kanë zë, jemi të shëndetshme, dhe jo një figurë skelet, siç ishin modelet para 10 vjetësh. Tani, po ashtu, jemi shembull edhe nga ana sportive, por gjithashtu edhe për ngrënien e shëndetshme të ushqimit dhe të qëndruarit fit. Ndërkaq, vlerësoj bashkëpunimin me brendet e mëdha, siç janë: Nespresso, Grisogono, Nivea, Canon, Gillet, Ulysse Nardin, Tissot, Swatch, Evian, Netflix, Ermanno Scervino, DeMaquet, Clinic Lémanic, Julie Genet, e disa të tjerë. Ndërsa, për sa i përket realizimit të fotografive, bashkëpunimi më i bukur ka qenë me fotografin Fadil Berisha. Sa i përket agjencisë, pesë vjetët e fundit punoj me Option Model (Elite Swiss) në Cyrih.
Çka vlerësoni në punën që bëni, cila është gjëja më e rëndësishme?
Të jesh e shëndetshme dhe fit, ky është një motivim shumë i madh për mua. Sporti dhe njëkohësisht ushqimi i kontrolluar, sot janë gjërat më të rëndësishme të cilat ndikojnë për të qëndruar me shëndet të mirë dhe të pastër, larg sëmundjeve.

Krahas modelimit, a keni edhe ndonjë profesion me të cilin merreni aktualisht?
Unë kam studiuar mjekësinë e dhëmbëve. Kam përfunduar tri vitet e para të studimeve dhe më pas kam filluar të punoj si higjieniste e dhëmbëve. Më pas për shkak të punëve të shumta në Evropë, kam qenë e detyruar t’i ndërpres studimet. Besoj se në të ardhmen do t’i përfundoj.
Cili është dallimi më i madh mes emancipimit të shoqërisë kosovare dhe zvicerane?
Dallime ka shumë, sepse kultura dhe mentaliteti marrin shumë fuqi në shpirtin e njerëzimit. Ndonjëherë gjërat negative për një popull, mund të jenë pozitive për një kulturë tjetër. Ky është mendimi im. Por, mund të them se dallimi mes zviceranëve dhe kosovarëve, qëndron te fakti se kosovarët japin çdo gjë për familje ose shoqëri, ndërsa zviceranët në këtë aspekt janë pak të ftohtë. Ne shqiptarët jemi njerëz shumë të ngrohtë, sikur italianët ose komuniteti latin. Besoj se kjo është fuqia dhe bukuria jonë më e madhe. Ne shqiptarët jemi të bekuar nga Zoti, ngase kemi shumë kualitet, në art, në sport dhe në studime.
Kur jeni larguar nga Kosova dhe cili është qyteti që jetoni tani? Cila ishte arsyeja e largimit?
Kam lindur në Vushtrri, ndërsa në moshën 5 vjeçe, unë dhe familja ime jemi larguar nga Kosova kundër vullnetit. Thuajse si çdo shqiptar , i cili ka ardhur në Zvicër, edhe ne ishim refugjatë politikë. Shqiptarët duhet të jenë shumë krenarë, sepse ne kemi filluar nga asgjë. Askush nuk të ndihmon, nuk është e lehtë të arrish sukses në një vend të huaj, madje si refugjat.
Mund të na tregoni si është një ditë juaja, zgjoheni herët, flini vonë. Keni kohë për aktivitete të tjera jashtë profesionit?
Me të fejuarin tim udhëtojmë shumë. Nuk i kemi gjithmonë orët e gjumit fix. Bëjmë aktivitete dhe punojmë shumë. Momentet e lira gjithmonë i kalojmë me familje.
Ju pëlqen të vini në Kosovë?
Gëzohem shumë kur vij në Kosovë për vizitë. Atje mbushem me energji maksimale.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version