Së bashku me fillimin e verës, nisa një rrugëtim drejt së kaluarës, për ta sjellë në të sotmen, për hir të kujtesës, për të sfiduar harresën, e bindur se asgjë nuk e ndal më këndshëm kohën sesa deti dhe dielli.
Antigona Qena Kaçaniku
Duke ecur nëpër rrugët e Ulqinit, buzë plazhit, ndiej vazhdimin e të gjitha atyre ditëve verore, që me vite u palosën në kujtesën tonë, nga ky qytet; deti, valët, rëra, njerëzit...
Sa shumë të rinj filluan dashurinë në këtë vend, në këto valë deti, nën diellin e buzëqeshur apo nën yjet e natës, të dehur nga hëna e plotë, po aq fëmijë për herë të parë shijuan ujin e njelmët, shkelën me këmbët e vockla rërën e plazhit dhe nga viti në vit, në pushimet e bukura verore, u rritën me kujtime nga ky vend. Edhe vitet e pjekurisë, po ashtu i vulosëm me këto valë deti, aq shumë kujtime vodhëm nga ky vend, për t’i ruajtur përherë në zemrat tona, për ditët e zymta të vjeshtës. Prandaj, për hir të të gjitha këtyre kujtimeve e ndjenjave të zgjuara, sa herë që shtrihemi në rërë, hyjmë në det, përkëdhelemi nga uji i njelmët, shijojmë ajrin e freskët të mëngjesit bregdetar, pra për hir të këtyre dallgëve, që ngrohin ëmbëlsisht gjakun e damarëve tanë, desha të sajoja një kartolinë të bukur fjalësh e kujtimesh nga Ulqini i fëmijërisë, rinisë dhe tash, të këtij çasti, që të mos më ikën pa e shndërruar në falënderim për kënaqësinë e dhuruar ndër vite.
Ulqini është një qytet bregdetar, në jug të Malit të Zi, i cili lahet nga Deti Adriatik, është një pikë e rëndësishme turistike dhe qyteti me rrethinë posedon një pasuri të madhe kulturore, historike e natyrore.
Sot, në kohën e internetit, informata për historinë e qytetit gjenden lehtë dhe janë të shumta.
“Ulqini është themeluar rreth shekullit V p.e.s. nga ilirët. Në vitin 163 p.e.s. u pushtua nga Perandoria Romake dhe, pas ndarjes së perandorisë, i takon Perandorisë Bizantine. Gjatë mesjetës ishte nën udhëheqjen sllave dhe pastaj nën atë të Balshajve. Në këtë kohë ishte qendër e rëndësishme e pushtuesve të rinj. Më 1405 u morr nga Republika e Venedikut, e pastaj, më 1571, nga Perandoria Osmane. Më 1880 e pushton Principata e Malit të Zi. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, Ulqini do të përjetojë edhe epokën e tij të artë, që u ngrit nga turizmi i nivelit të lartë.
Dëshmia e parë në formë të shkruar për emrin e lashtë të Ulqinit ndeshet te Plini Plak, i cili në veprën e tij “Naturali Historiae”, pohon se Olciniumi (Ulqini i lashtë) më parë është quajtur Col-Chinium, pra, sipas një hipoteze, emri më i hershëm Colchinium ka të bëjë me kolkët apo kolhët nga Azia, si themelues të këtij qyteti, në mbështetje edhe të së dhënës mbi poetin helen Apolonin nga Rodosi, i cili, kur këndon për Argonautët, thotë se kolkët janë vendosur në trevat ilire. Ndërsa historiani dhe gjeografi kroat Grga Novak pohon se banorët e vjetër të Ulqinit i kanë takuar fisit ilir të Taulantëve...”
Pra, Ulqini është njëri ndër qytetet më të vjetra në bregdetin e Adriatikut dhe në rrugëtimin e jetës urbane mbi 2000-vjeçare janë ndërruar stinë e mote të panumërta, të shoqëruara me bukuri joshëse të kohëve të arta legjendare, por edhe me furtuna e rrebeshe të kohëpaskohshme, që kanë kanosur ekzistencën dhe jetën e këtij qyteti.
Ulqinin e bën një pikë të nxehtë të pushuesve, nga muaji maj e deri në shtator, plazhi i madh, që është një plazh ranor 12 kilometra i gjatë, ndërsa në brendësi të qytetit, është plazhi Rana, 376 metra i gjatë dhe në kohë të sezonit arrin kapacitetin maksimal.
Simbol kryesor arkitektonik i Ulqinit është Kalaja (Qyteti i vjetër), që është bërthama e gjithë qytetit. Ajo që dallon Ulqinin nga qytetet e tjera bregdetare, është, sigurisht, pazari, i cili gjendet në rrugën kryesore të qytetit. Këtu, sidomos të martave dhe të premteve, ditëve të pazarit, mund të blini prodhimet autentike vendëse, në çdo kohë mund të gjeni qumështin e freskët vendor, djathin, vezët, pemët dhe perimet, ullinjtë e vajin e ullirit.
Natyrisht se për turistët është një përjetim edhe më i bukur, kur kuptojnë që Ulqini është shumë i pasur nga pikëpamjet e etnokulturës, për çka mund të njihen e të shohin në muzeun e qytetit, që ndodhet brenda kalasë. Pranë muzeut punon reparti arkeologjik, në ndërtesën e kishë-xhamisë, dhe reparti etnologjik e galeria e arteve në kullën e Balshajve. Institucioni më i rëndësishëm për kulturë është qendra e kulturës, në kuadër të së cilës punojnë biblioteka, muzeu e kinemaja. Ulqini posedon një pasuri të madhe arkitektonike, që ka vlera të mëdha kulturore, ndër to bëjnë pjesë kishat, xhamitë, krojet dhe mbetjet arkeologjike. Sporti është pjesë e pandarë e jetës së përditshme të shumë banorëve të këtij qyteti, me shumë klube të ndryshme.
Dhe, për Ulqinin mund të shkruash e të flasësh shumë, por qëllimi i këtij shkrimi është të rikujtoj se Ulqinin e shijuam gjatë gjithë jetës, posaçërisht në kohët kur e kishim të pamundur të laheshim në detin e Shqipërisë dhe uji i Ulqinit ishte aq i këndshëm, ngase e ndienim si një vazhdimësi e po të njëjtit ujë, që puth e përqafon tokën e ndaluar.
Ulqini dhe ulqinakët hapën dyert e zemrën për kosovarët edhe në kohët e vështira, gjatë luftës, kur u detyruam ta linim Kosovën, këto miqësi të asaj kohe vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, ashtu siç vazhdon dëshira që t’i kthehemi këtij qyteti, ku zgjohen kujtimet e vjetra e krijohen të rejat.
Në ditët e sotme kemi gjithë bregdetin shqiptar për ta kaluar e për ta shijuar verën përcëlluese, por i themi faleminderit Ulqinit për verat e kaluara këtu dhe për ndjenjën e bukur asokohe, kur kishim një copë det, një vendpushim, të sigurt se aty do të gjenim qetësinë e zemërgjerësinë.
Do të vazhdojnë ta vizitojnë gjenerata këtë perlë bregdetare dhe le ta dinë se këtë det e këtë rërë i shkelëm edhe ne, shumë kohë më parë.
Sado që retë e nxira e shiu i këtij qershori nuk linin diellin të më buzëqeshte në ndarje, e dija se është aty dhe se do ta përqafojë me rrezet e veta këtë bukuri, që ne e shijuam ëmbëlsisht.
© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.