Ti je ketu: Ballina > Opinione > Veshja
Veshja

Stili i veshjes prishtinase i viteve ‘50 të shekullit XX

Kur është fjala për veshjen dhe modën, prishtinaset mundoheshin të ndiqnin stilin e viteve ‘50, që ishte dekadë e glamurit, e femërsisë dhe e kthimit magjik të modës së lartë evropiane, ndikuar nga veshja (allafrënga) e Francës.

Sanije Gashi 

Në ato vite gratë ishin të uritura për krijimin e stilit, kështu që i frymëzoi liria e modës së epokës. Vitet 1960 të modës dhe veshjet e 1970-ës, më shumë kanë qenë të fokusuara në stilin eklektik dhe të vetëshprehjes. 
Njëri nga trendët e atyre viteve ishte - fundi i fryrë, me gjatësi nën gjunjë, dhe fustani i ashtuquajtur ‘bustier’. Glamur i viteve ‘50 ishin dorashkat e gjata nga dantella, që kombinoheshin me këpucë takash të larta. Ato vite sollën edhe trendin e sofistikuar dhe joshës të stileve të flokëve, që duhej të ishin me shkëlqim dhe të fryra. Kjo u jepte grave pamjen e zonjave të vërteta. Prishtinaset e asaj kohe kanë provuar të ndjekin modën e kohës, sidomos për sa i përket gjatësisë së fundeve dhe stilit të fryrë të flokëve. Në fillim të viteve ’60, po kështu dalin edhe zhyponat, që i mbanin të fryrë fustanet (pjesën e poshtme), e që përdoreshin me kënaqësi, sidomos nga vajzat.
Sa i përket veshjes së atëhershme, plotëson mendimin krenueshëm znj. Xhyzide Hasan Beu: 
– Si jo, edhe atëherë ne e ndiqnim modën, visheshim bukur. Edhe atëherë ishin në trend peliçet, çizmet…! Për veshjen e për modën fliste edhe mësuesja Nadire Dida: 
- Njëmend, jam veshur bukur, them për veten! Kur jam martuar, më 1949, unë nuk kam dashur të vesh fustan të bardhë nusërie, por kostum e fund. Ka qenë një stof anglez i blerë në Beograd. Bashkë me kostumet e kam qepur edhe jelekun, që ishte në modë. Kostumet i kam pas qepur te Mehmet Terzia, rrobaqepës i njohur në qytet, që u qepte, siç u thoshin, ‘buxhevanave’(njerëz në pozitë). Të shtoj edhe një të dhënë të kohës: atëherë, flokët i lanim me humëz, një lloj shtrese dheu, që na binin jevgjit, e nxirrnin nga toka në fshatin Dobrevë (Miradi). Aty thoshin ishte humëza më e mirë! Më vonë dolën shampot. 
Mirëpo, pavarësisht veshjes së kohës, që pretendonin ta kultivonin ato pak femra të arsimuara, gratë myslimane deri në fillim të vitin 1950, kur u dha urdhri të hiqej, ishin të mbuluara me perçe e me çarçafë të zinj. Natyrisht, reagimet e shtresave konservatore ishin të mëdha. Me heqjen e perçes e të çarçafit, por me zëvendësim të manteleve dhe të shamisë deri vonë, ose me jemeni (shami koke grash, zakonisht e zezë, për ato më në moshë), në vitet ‘50 dolën edhe çorapet kajzer e të najlonit, ndërsa gjatësia e fundeve ishte nën gjunjë. Preferoheshin materialet për fustane si – zhorzhet, krebanja, mëndafsh, kadife, organdin, taft, tyl, atllas... Tashti, veshja allafrënga po dominonte në qytet.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version