Ti je ketu: Ballina > Gra të njohura > Zonjat, sypatrembura dhe ambicioze!
Gratë, garda e fuqishme e Kosovës
Zonjat, sypatrembura dhe ambicioze!
Cila është pozita e gruas kosovare sot? Në vazhdim jua paraqesim zonjat ambicioze, që secila ka përgjigjen e saj tërësisht unike, të lavdishme dhe të guximshme, në bazë të së cilës ato e përcaktojnë veten e tyre.

Shkruan Blerina Gashi

Sundimi i gruas. Figurshëm atë nuk e quajnë Mbretëreshë për asgjë. Ndonëse famën e Rita Orës nuk e ka arritur akoma asnjë burrë, suksesin e Majlinda Kelmendit, nuk e ka përjetuar asnjë pjesëtar i gjinisë mashkullore, madje durimin sfidues të orarit të stërzgjatur të bisedimeve në Bruksel, nuk ia besuan asnjë politikani, përveç Edita Tahirit. Gratë sot zënë 30 për qind të vendeve në Parlamentin e Kosovës, aktualisht janë dy ministre në kabinetin qeveritar. Por, gratë nuk e kanë arritur lehtë suksesin e tyre, ato kishin një rrugë të gjatë disadekadëshe për të arritur këtu.
Më shumë. Femrat tani janë: më të sigurta, më përfshirëse në çdo aspekt të jetës. Ato në fakt përherë kanë luftuar për një pozitë më të mirë, ndonëse rruga e tyre shpesh ishte e bllokuar dhe stereotipat e mbajtën atë prapa. Dhe, pavarësisht nga bota sfiduese në të cilën jetojmë, ne tani kemi më shumë shpresë se me fuqinë tonë kemi bërë dhe do të bëjmë akoma më shumë ndryshime. E vërteta është se sot nuk ka një "Grua të suksesshme kosovare", kemi shumë gra të zonja, sypatrembura dhe ambicioze, që në vazhdimësi punojnë për një ambient tolerant për të gjithë ne.

 

EDITA TAHIRI, Politikane

Edhe pas shumë përpjekjeve të grave të Kosovës për barazi gjinore, ende nuk ia kemi arritur qëllimit. Mendoj se pozita e grave është përmirësuar në raport me atë si ka qenë. Mirëpo, një fuqizim i plotë i grave mund të arrihet vetëm kur gratë do të jenë të barabarta me burrat në vendimmarrjen politike dhe ekonomike, e cila mund të arrihet duke mënjanuar paradokset e mentalitetit aktual dhe me demokratizimin e vërtetë të shoqërisë. Nuk mjaftojnë vetëm ligjet për barazi gjinore, por duhet pasur vullnet politik për zbatimin e tyre. Ne do t’i arrijmë qëllimet tona përmes të qenit aktorë të ndryshimeve dhe jo ankues për pozitën tonë të pakënaqshme.
Sa më takon mua personalisht, mendoj se vizioni, idealizmi, interesat kombëtare dhe puna me përkushtim, janë parimet themelore që kanë përcaktuar misionin tim dhe veprat e mia jetësore në shërbim të kombit, shtetit dhe shoqërisë për këto dekada. Motivi im është ideali kombëtar, pra zhvillimi, forcimi dhe bashkimi i kombit shqiptar, puna që na mbeti nga brezat e mëparshëm. Besoj që kam pasur suksese për të dhënë kontribut për çështjen kombëtare, si një prej liderëve të pavarësisë së Kosovës dhe ministre e jashtme në kohën e okupimit të Kosovës, duke vazhduar angazhimin tim për një Kosovë euroatlantike dhe për një paqe të qëndrueshme në rajon dhe në botë.
Mendoj se suksesi im buron nga koncepti im për punën. Asnjëherë nuk kam pranuar refuzimet apo pengesat, sepse pengesat i kam parë si sfida, nëse dikush ka provuar të më vërë para meje. Ata që kanë punuar dhe punojnë me mua, e dinë thënien time “mos mbyll dyer”, që do të thotë përballoji pengesat. Jam një person që punoj shumë, sepse e di se çfarë dua në jetë dhe e dua atë çfarë bëj. Sidomos dua të punoj me njerëzit që kanë integritet, ndershmëri dhe janë perfeksionist. Bashkëpunëtorët e mi janë të tillë. Ndonjëherë i pyes, a mos u teprua puna pa orare, sidomos në maratonat e bisedimeve paqësore në dialogun e Brukselit, ndërsa më pas u them kemi humbur njëqind vjet si komb i ndarë, tash është koha që ta zëmë kohën e humbur, “carpe diem”, siç ka thënë poeti romak Horaci.

 

GANIMETE DEDA, Stomatologe

Pozita e gruas kosovare sot - më e mirë se dje..., por me mund dhe sakrificë tepër të madhe. Motivi im në jetë është: shumë punë, por asnjëherë në llogari të humbjes së asnjë momenti edhe më të vogël të kënaqësisë, me më të dashurit e mi. Veten e identifikoj si një grua të përmbushur profesionalisht, por edhe me fat në jetë!

 

ZAKE PRELVUKAJ, Piktore

Pozita e gruas në Kosovë ka avancuar në krahasim me të kaluarën në çdo aspekt. Nëse analizojmë shkollat, institucionet publike dhe private, mendoj se femra është duke dhënë kontributin e vet të pamohueshëm. Sot jeta është në favor të gruas, shanset e saj për t’u realizuar ekzistojnë. Shumë prej tyre punojnë dhe blejnë banesa vetë. Bëjnë jetën e zgjedhur nga vetë ato. Ato avancojnë veten, mësojnë gjuhë të huaja. Dhe, çka është më e mira, prindërit i mbështesin. Femra jonë është dëshmuar edhe ndërkombëtarisht. Me femrat tona tashmë krenohet edhe bota. Motivi im në jetë është shëndeti dhe ndjenja pozitive, që më bën të respektoj familjen dhe njerëzit që jam në përditshmëri me ta. Identifikohem me mënyrën e të jetuarit, gjuhën dhe profesion...

 

XHEVAHIRE IZMAKU, Deputete

Vizioni për zhvillimin e gruas assesi nuk duhet gjetur tek reaksioni ndaj opinionit për pozicionin e saj në të kaluarën, duke u mbyllur në veten e saj. Shteti ynë, çdo ditë po fuqizohet dhe po fisnikërohet me rritjen e ndikimit të rolit të femrave në shoqëri dhe institucione. Zemra e një nëne-femre tregon mirësinë, mëshirën, por edhe pasqyrën, vuajtjen për të tjerët. Këto virtyte, ne si Parti Demokratike po i kultivojmë dhe po i zbatojmë si në jetën brendapartiake ashtu dhe në atë institucionale. Motivi im në jetë, gjithsesi se nuk dallon nga ai i qytetarëve të vendit tonë, e që ka të bëjë kryesisht me angazhimet për t’i shërbyer me devotshmëri vendit. Sot dëshirat apo idealet e qytetarëve dallojnë nga ato të mëhershmet. Nëse dikur ideal ishte liria e vendit, sot dominon kërkesa për barazi, apo ideali i çdo qytetari për mirëqenie dhe jetë më të mirë. Në këtë mes edhe e gjej motivimin tim për angazhimet e mia konkrete. Ajo që do t’u thosha të gjitha femrave është që të mos ndalen së realizuari vetveten. Njeriu ka parasysh gjithmonë gjërat që ka qëllim t’i bëjë në jetë dhe arritja e këtyre qëllimeve gjithmonë ka sfida. Vështirësitë nuk janë të rëndësishme përballë qëllimeve të mëdha. Femra në shoqërinë tonë ka kapërcyer shumë beteja të tilla, për të qenë sot në një pozitë më të mirë dhe më e përfaqësuar.

 

NJOMZA GECA, Infektologe

Lirisht mund të them se pozita e gruas kosovare sot është në një shkallë të volitshme, e që bie në sy kryesisht në periudhën e pasluftës, dhe jo vetëm kaq. Ky pozicion dita-ditës po forcohet dhe pothuajse AJO po luan rol kyç në vendimmarrje. Më gëzon fakti se Ne si Popull jemi vetëdijesuar goxha në determinonin e termave si “barazi gjinore” dhe “diskriminim gjinorë”. Femra sot është më e lirë se kurrë në veprimet si dhe në vendimet e saj, por njëkohësisht edhe e stërngarkuar. Pa dashur të ekzagjeroj dhe ndoshta edhe të dal jashtë temës, duhet përmendur fakti se liria dhe vetëbesimi i tepruar mund të kenë edhe efekt negativ në përditshmëri, andaj gjithçka që ka një limit, një qëllim - është pozitive. Përfundimisht, ne e kemi dëshmuar veten disa herë dhe në këtë formë edhe gjeneratave të reja ua kemi trasuar rrugën për një të ardhme më të ndritur dhe pa “obstruksione gjinore”. Por, pa dyshim se Ne kemi akoma për të bërë. Tendenca për të bërë diçka më ndryshe, për t’i ikur rutinës, për të menduar globalisht e për të vepruar lokalisht! – ky është motiv imi në jetë. Ndërkaq, veten e identifikoj si person kokëfortë, ambicioze, e drejtpërdrejtë, e vetëmotivuar dhe patjetër pozitive.

 

SANIJE MATOSHI, Mezosoprano

Me gjithë diskriminimin që i bëhet femrës kosovare, kemi mjaft gra të cilat me forcat e veta mundohen të luftojnë këtë dukuri negative të shoqërisë sonë! Uroj që në të ardhmen nga këto pak gra që ngrenë zërin për të drejtat e tyre përmes vlerave dhe pozitës që mbërrijnë me shumë sakrificë, të arrijnë të inkuadrohen në shoqërinë tonë, ku edhe e meritojnë të jenë, sepse gruaja është shtylla e shoqërisë. Gjithmonë më ka motivuar puna me vështirësi dhe jo e thjeshtë, prandaj sa më shumë ballafaqohem me sfidat më të vështira, unë bëhem më e fortë dhe me më eksperiencë, çdo eksperiencë më bën të mësoj diçka të re, prandaj fitorja ndaj sfidave të vështira më bën unike.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version