Ti je ketu: Ballina > Gra të njohura > Gratë që adhurojnë gatimin!
Speciale
Gratë që adhurojnë gatimin!
Profesioni i tyre nuk është gatimi, por ato adhurojnë artin e të gatuarit. Ndonëse, anembanë botës, krerët e restoranteve dominohen nga burrat kuzhinierë, ne zgjodhëm disa zonja, të cilat adhurojnë gatimin, ngase në Kosovë janë gratë ato që punojnë shumë për të bërë më të mirën që munden në kuzhinë. Kështu, nëse ju jeni një femër që aspironi të jeni një kuzhiniere e përsosur, gratë që gatuajnë, të cilat po jua paraqesim në vazhdim, do t’ju frymëzojnë, ngase ato gatuajnë me dashuri dhe pasion. Për pasionin e tyre në këtë aspekt, rrëfejnë: Fikrije Ukelli – Ceka, Dr.Jasmina Tolaj, Valbona Luta dhe Arlinda Haxhibrahimi – Linda.

Antigona Uka
Fotografitë Ridvan Slivova
 

Fikrije Ukelli – Ceka:
Ushqimi i drejtë - gurthemel i jetës së shëndetshme

Ka nxjerr në treg dy libra gatimi, na ka lënë me gojë hapur falë gatimeve të veçanta, të përgatitura me pasion, pedanteri e kreativitet. Kësaj radhe, rrëfen për përvojat e para në kuzhinë që lidhen me pasionin ndaj gatimit, të cilin e cilëson dashuri dhe instinkt.

Gatimi im i parë ka qenë kur, së bashku me gjyshen, e mblodhëm spinaqin, ajo e lau, e griu aq hollë dhe me brumin që e kishte zënë paraprakisht, së bashku i bëmë kuleçtë”, kujton znj. Cekë përvojën e parë në kuzhinë. Edhe në përgatitjet e piteve me petë të pjekura nga ana e nënës ose gjyshes, ajo sa herë kishte qëlluar në shtëpi, ishte afruar, që së paku petët t’i spërkaste me gjalpë ose t’ua hidhte mbushjen. “Ndihesha krenare, sepse lavdin për piten e dalë mirë, ma linin mua. Gëzim i madh ishte për mua dhe motrën kur prindërit largoheshin nga shtëpia për ndonjë vizitë, dhe ne të dyja gatuanim gurabije, petulla ose ndonjëherë kur i thërrisnim shoqet, gatuanim edhe pite”, rrëfen me mallëngjim ajo.
Edhe sot, pas shumë vjetësh, Ceka thekson me bindje se të gjitha llojet e gatimeve i përgatit me ëndje. “Shtrimin e tavolinës e bëj me kënaqësi, duke ia dhënë edhe pamjen e rastit që shtrohet, por edhe ajo e përditshmja nuk shtrohet dosido”. Fillimisht, ishte përpjekur të gatuante ushqime të shijshme sikurse nëna e saj, e më vonë, interesimi për gatimet e kulturave të popujve të tjerë sa vinte e rritej, për të kaluar pastaj “në pasion arti, që të gatuajë edhe sot e kësaj dite me dashuri e kreativitet.
“Ushqimi i drejtë, është gurthemel i një jete të shëndetshme”, shprehet Ceka, duke shtuar se “meqë është një ndër faktorët kyç për të siguruar energjinë e nevojshme për kryerjen e punëve mendore dhe fizike, përpiqem të konsumoj përbërës të ndryshëm gjatë gatimit, me theks të veçantë, kulturën sezonale të përdorimit të artikujve për përgatitjen e ushqimit në harmoni me natyrën”. Supa dhe sallata nuk mungojnë asnjëherë në tryezën familjare, “por edhe pjata kryesore e gatuar me çfarëdo lloj mishi ose peshku, por edhe vetëm me perime stine, nuk mungojnë. Ëmbëlsira kohët e fundit mungon në menynë time, edhe pse e gatuaj rregullisht, sidomos për nipat e mbesat, që i dua shumë”.
Ceka tregon se është besnike e gatimeve autoktone, tradicionale, pasi, sipas saj, këto gatime kanë vërtet shije, por gatuan edhe ato që nuk i përkasin kuzhinës sonë, duke lënë vend edhe për kreativitet. Si çdo grua tjetër, edhe Ceka i mirëpret komplimentet e familjarëve, miqve, për gatimet e saj. “Babai im, një gurman dhe nutricist, i cili na ka mësuar çfarë dhe kur duhet konsumuar, ka qenë instrument thelbësor, por motiv shtesë ka qenë edhe bashkëshorti im, e më vonë edhe fëmijët, të cilët i kanë pëlqyer gatimet e mia. Komplimentet e tyre dhe të familjarëve në përgjithësi, kanë ndikuar pozitivisht në ngritjen e moralit dhe hulumtimin e gatimeve të reja, e që kanë rezultuar me dy libra gatimi”. Për të pasionuarit pas kuzhinës, përfshirë Cekën, stina e vjeshtës dhe ajo e dimrit, siç thotë ajo vetë, “nuk mund të merren me mend pa ajvar, turshi, suxhuk, djathë Sharri, xhem të ndryshëm, llokume, pogaçe ose çahia. Edhe pse më nuk konservohen 300 kg speca si më parë”, shprehet ajo duke qeshur, “turshitë e çdo lloji, në masë të vogël, patjetër e karakterizojnë këtë stinë. Suxhuku dhe proshuta e përgatitur në shtëpi, në masë të konsideruar, por edhe djathi i Sharrit, të cilin e kemi përgatitur vetë, më mungojnë, por përpiqem t’i siguroj nga mjeshtrit e njëmendtë të këtyre artikujve e që u japin lezet mëngjeseve, darkave me familjarë e mysafirë”. Këto ushqime, Ceka tregon se i konsumon me ëndje, por edhe bën ndeja familjare, pasi, sipas saj, “me tavolinën plot me të ftuar, edhe shijojnë më shumë gatimet e brumit me këta artikuj që ne në Kosovë i konsumojmë me kënaqësi”. Të ftuarit, qoftë familjen e ngushtë ose farefisin, ajo, më tepër preferon t’i thërras në shtëpi, pasi thekson se “ua di edhe shijen dhe me kënaqësi gatuaj atë që e preferojnë. E preferoj edhe të ushqyerit në restorant, sepse për të gjithë është më e lehtë, pse jo një ndryshim, megjithatë jam ithtare e drekave ose darkave në shtëpi, sepse atmosfera, humori, relaksi, kënaqësia për të gjithë, është e pakrahasuar me atë në restorant”.
Gjatë udhëtimeve të shumta me bashkëshortin e saj, ajo ka siguruar receta të ndryshme, madje, nëse një specialitet i ka lënë mbresë për shije ose bukuri dekori, ka bërë çmos të sigurojë recetën, ose e ka analizuar mirë, në mënyrë që ta gatuante sapo të kthehej në shtëpi. Nëna e saj i ka përgatitur sarmatë me mish bibe, dhe Ceka tani i përgatit, së paku një herë gjatë dimrit, e kjo ngelet edhe një nga recetat e saj të preferuara.

 

Jasmina Tolaj:
Në shtrimin e tavolinës shihet kultura e të ushqyerit

Me profesion është gjinekologe, por gatimi zë një vend të rëndësishëm në jetën e saj. Pasioni për këtë art ka lindur qysh kur Jasmina ishte e vogël e përpiqej të mësonte çdo gjë që përgatiste nëna e saj. Tani që merret edhe me sport, ka kujdes në përzgjedhjen e produkteve ushqimore, dhe gatuan gjithmonë ushqim të shëndetshëm 

Çdoherë kam pasur dëshirë të gatuaj vetë. Edhe kur isha vajzë e re, e shikoja nanën si gatuante dhe dëshiroja të merrja mësim nga ajo”, rrëfen Dr. Jasmina. “Ajo që fillova të mësoj të gatuaj ishin gjellët që nana ime i gatuante, por më kujtohet, ishte mjaft vështirë ta bëja ashtu shijshëm, siç i bënte ajo. Isha e ngarkuar me studime dhe nana nuk më angazhonte shumë në kuzhinë”, tregon ajo duke kujtuar fjalët e nënës, “thoshte që shumë me rëndësi është të mësosh të gatuash, por më me rëndësi është të mbaroj studimet dhe pastaj do t’i mësoj të gjitha, kur kam vullnet dhe dëshirë. Femra duhet të dijë të gatuajë, sepse ajo është njeriu që gatuan për familjen e saj dhe aty shihet pasqyra e shëndetit të të gjithë familjes. Shumë rrallë ndodh që bashkëshorti gatuan dhe i ndihmon gruas në gatim”.
Për doktoreshën, gjëja më e rëndësishme në kuzhinë është shtrimi i tavolinës. “Duhet të bëhet bukur dhe me stil”, thotë ajo, duke shtuar se “aty shihet gjithë kultura e të ushqyerit të rregullt dhe të mirë për të gjithë ne. I gatuaj të gjitha, shumë pak brumëra, ndërsa gjellë dhe sallata, gjithsesi, në çdo drekë. Ëmbëlsirat i dua shumë, por kam kujdes në konsumimin e tyre”.
Mundohet që në gatimet e saj të mos mungojë asgjë, “por ndonjëherë jam më e lodhur apo e ngarkuar me punë dhe nuk mbërrij që gatimi im të jetë ashtu si duhet apo siç duam të gjithë. Prandaj, ndonjëherë më mungon supa, ndonjëherë diçka tjetër, por, në përgjithësi, kjo ndodh shumë rrallë, sepse rëndësi të veçantë i kushtoj ushqimit dhe kohës së rregullt të të ushqyerit”. Ajo e pranon se vlerësimet pozitive të familjarëve për gatimet e shijshme, ndikojnë shumë në ngritjen e moralit dhe motivimit për të gatuar. “Çdoherë më flasin mirë dhe më japin vullnet edhe më tutje për të gatuar. Edhe për mysafirë përgatis shumë shpesh, sepse dua t’ua tregoj gatimet e mia dhe kjo më jep kënaqësi”.
Pasioni për gatimin bëhet shpesh edhe temë bisedash mes shoqesh prej nga shkëmbehen receta të ndryshme të gatimit.
E tani në dimer, sofrat kosovare nuk janë të plota pa ushqim tradicional, siç janë turshitë, ajvari, suxhuku, pogaçet apo llokumet. Këto ushqime nuk mungojnë as në tryezën e Dr. Jasminës. “Kosova është e njohur me ushqimin tradicional, prandaj edhe kuzhina ime ka këtë ushqim. Unë turshitë, ajvarin dhe suxhukun i dua shumë, por llokumet dhe pogaçet nuk i gatuaj, vetëm në raste shumë të rralla”.
Krahas gatimit në shtëpi, doktoresha e preferon edhe të ushqyerit nëpër restorante, pasi del me shoqëri dhe kënaqen bashkë. “Por, gatimi në shtëpi dhe të gatuash për miqtë është një kënaqësi e veçantë dhe një ambient që ti e krijon vetë”, thekson ajo.
Nga vizitat që u ka bërë vendeve të ndryshme, ka ngelur e impresionuar me gatime të ndryshme, shumë prej të cilave ka provuar t’i përgatisë posa është kthyer në shtëpi. “Ndonjëherë bëhen të shijshme, ndonjëherë dështoj”, përfundon ajo.

 

Valbona Luta:
Meritat për përgatitje të ushqimit të shëndetshëm i takojnë nënës

Si korrespondente nga Londra e revistës “Teuta”, Valbona Luta, është një nga femrat që pasionin ndaj gatimit e ushqen prej kur ka qenë krejt e vogël. Ky art ngelet pasioni kryesor edhe tani që Valbona punon në një organizatë humanitare në Londër dhe ka përfunduar studimet për psikoterapi.

Për herë të parë kishte gatuar krepa (pallaçinka). E mban mend mirë që më së shumti ka “eksperimentuar” në kuzhinë gjatë kohës sa kanë qenë prindërit e saj në punë e ajo në shtëpi, vetëm me dy vëllezërit. “Shumicën e rasteve, krepat i ka përgatitur babai im, sa ka qenë gjallë, i cili e ka pasur edhe zakon të bëjë “show” duke i rrotulluar ato në fultere. Kam shumë kujtime dhe mall për atë kohë”, kujton Valbona.
Sot, si bashkëshorte dhe nënë e dy djemve, ajo i përgatit të gjitha ushqimet me shumë dëshirë. “Shtrimit të tavolinës i kushtoj më shumë kujdes në raste më të veçanta e edhe atëherë më pëlqen ta shtroj tavolinën kryesisht me mbulesë të bardhë apo në ndonjë ngjyrë tjetër të çelët, por jo të ngarkuara me shumë ngjyra. Nuk e preferoj të jetë e stërngarkuar as me aksesorë. Ruaj ende edhe gjëra nga paja, të qëndisura, pastaj një komplet të pecetave të bardha me nga një qershi të qëndisur në qoshe, të cilat i ka punuar nëna ime me dorë para më shumë se tridhjetë vjetësh”, tregon ajo. Nëna është njeriu i parë, prej së cilës Valbonës i është krijuar pasioni dhe dashuria për gatimin, “por”, shton ajo “kam mësuar shumë edhe nga gjyshet e mia, edhe nga vjehrra etj. Por, tani idhull e kam vëllanë tim të vogël, Bashkimin, i cili është edhe chef me profesion”.  Edhe meritat për konsumim të ushqimit të shëndetshëm, i takojnë nënës, pasi, siç tregon Valbona, “nëna, edhe pse me profesion nuk është nutriciste, lirisht mund të them se ka lexuar rreth ushqimit dhe efekteve shëndetësore po aq sa një profesioniste. Kështu që qysh herët na ka ndërgjegjësuar për ushqimin e pashëndetshëm. Gjithmonë është kujdesur shumë që të mos përdorim ushqime që përmbajnë vajra të hidrogjenuar, aditivë të dëmshëm, sheqer artificial, e për shumë gjëra të tjera për të cilat, t’ju them të drejtën, unë di më pak. Viteve të fundit po më bëjnë shumë përshtypje tek ne në Kosovë sa shumë po përdoren produktet e procesuara. Një tjetër gjë që nuk po mund ta kuptoj është, për shembull, stërpërdorimi i kaçkavallit - të shkon mendja se nuk ka gjellë, as brumëra ku nuk përdoret, madje me sasi marramendëse. Jo vetëm dëmin që mund ta sjellë kur përdoret aq shpesh, por besoj që e mbyt çdo shije origjinale të gjellës apo çfarëdo gatimi tjetër”, potencon ajo.
Në tryezën e Valbonës nuk mungon asnjëherë sallata, por edhe ëmbëlsirat rrallë mungojnë. Ajo gatuan ushqime të ndryshme, “tonat dhe të kulturave të ndryshme të botës. Rendin se çka gatuaj ma imponojnë një varg faktorësh, duke u nisur prej motit, çfarë dite e javës është, cila stinë, por më së shumti ndoshta se kë e kam në shtëpi”. E kur merr komplimente për gatimet e shijshme, thotë se lumturohet, derisa kur ishte më e re, komplimentet e tilla i jepnin shumë vullnet. “Shpesh këtë ma kujtojnë djemtë e mi dhe shokët e tyre, të cilët më çudisin shpesh se si e mbajnë mend çfarë kanë ngrënë tek ne vite më parë, kur kanë qenë të vegjël, ose gjërat që nuk i kanë pëlqyer atëherë e tash i shijojnë”, tregon duke qeshur.
Tani në dimer, sofrat kosovare nuk janë të plota pa ushqim tradicional. Se a i përgatit Valbona këto ushqime, ajo përgjigjet, “ushqimet tona tradicionale i përgatis shumë shpesh. Shurup të trëndafilave, lëng shtogu, reçele të ndryshme, turshi të verës e turshi të dimrit, ajvar, pestil etj. I dua petët që t’hollohen dhe piqen për pite, bakllavën etj. Suxhuk kanë përgatitur prindërit e mi dhe kanë qenë mjeshtër, por unë për vete asnjëherë nuk ia kam mësyrë ta bëj, mbase për shkak të tymosjes më duket më vështirë këtu në Angli”.
Nga vizitat që u ka bërë vendeve të ndryshme, shpesh është inspiruar për të gatuar ushqimet që ka shijuar gjatë udhëtimeve. “Gjithmonë dhe kudo që shkoj, mësoj diçka. Edhe sot me kureshtje shikoj edhe të rinjtë, bile edhe nëse vetëm fërgojnë vezë. Këtu mbase edhe është sekreti i këtij arti, që ofron hapësirë për kreativitet pa fund dhe gjithkush është unik në mënyrën e vet, qoftë edhe vetëm se si fërgon vezë. E për sa u përket mbresave që më kanë lënë, ka shumë vende, ushqimin e të cilave e adhuroj, por prej atyre që kam filluar t’i gatuaj edhe vetë mbas ndonjë vizite, duhet të jetë një picë e Korsikës, e gatuar vetëm me djathë gorgonzola, që mund t’i shtosh edhe fiq apo dardhë po, nëse jo, ato mund të serviren anash”, rrëfen për fund ajo.
 


Arlinda Haxhibrahimi - Linda:
Falë të ushqyerit të shëndetshëm, s’kemi nevojë për mjek

Të gjithë kemi mbetur të impresionuar me artin e saj të gatimit. Recetat e Lindës karakterizohen nga përbërës të shëndetshëm, ndërkohë që ajo shquhet për stilin modern në këtë art. Derisa çdo gatim e realizon me pasion, thekson se “ne jemi çfarë hamë”

Ishte krejt e vogël kur ia kishte mësyrë kuzhinës për të përgatitur një recetë, pa ndihmën e askujt. “Për herë të parë kam përgatitur akullore. Kam qenë diku në klasë të tretë. Receta më dështoi, pasi nuk arriti të marrë masën që duhet, megjithatë ishte e shijshme dhe më kujtohet se e konsumuam. Ndërsa gatime, duke i ndihmuar nënës ose gjyshes, kam filluar pak më herët”, tregon Linda.
Të gjitha i bën me pasion, por brumërat i pëlqen shumë, e megjithatë i gatuan me rezerva për shkak të vlerave ushqyese që na japin. “Më me kënaqësi i përgatis perimet, supat etj.” Kur bëhet fjalë për shtrimin e tavolinës, Linda rrëfen se ky aspekt është me të vërtetë një prej kënaqësive shumë të rëndësishme, po aq sa ushqimi, “mirëpo, në përditëshmëri më ndihmojnë fëmijët ose bashkëshorti për shtrimin e tavolinës, pasi unë jam në pjesën tjetër të kuzhinës”. Ajo beson se duhet të kesh talent për të qenë i suksesshëm në artin e gatimit. “Normalisht që hapat e parë në kuzhinë i kam marr nga nëna dhe gjyshja, por gjithmonë ka qenë pasioni për gatimin që më kanë shtyrë të hulumtoj, sidomos 15 vjetët e fundit kam hulumtuar dhe kam marrë informata të shumta rreth vlerave ushqyese dhe të ushqyerit të shëndetshëm”, shprehet ajo.
Linda tregon se në shtatzëninë e parë ka filluar të marrë informata më tepër rreth ushqimit, se çka është e mirë për të dhe për frytin. “Prej atëherë deri tash, nuk është ndërruar kjo mënyrë e të ushqyesit në shtëpinë time, pra ushqimi i shëndetshëm. Besoj në teorinë se ne jemi çfarë hamë. Këtë e them me plot përgjegjësi. Nisem nga fëmijët e mi, dy i kam më të rritur, tjetri është i vogël, dhe e shoh se s’kam pediatër personal dhe kjo më bën të ndihem krenare, pasi s’kam pasur nevojë asnjëherë për mjek, falë të ushqyerit të shëndetshëm”.
Se çka nuk mungon asnjëherë në tryezën e Lindës, ajo bën me dije se supa dhe sallata janë bazë çdo ditë. Pastaj komentet pozitive, pas çdo vakti, janë të mirëpritura edhe për Lindën, “Duke pasur parasysh se gatimi është pjesë e artit, çdo vlerësim pozitiv është stimulim, secili koment i mirë është i mirëseardhur, ta ngrit moralin, vetëbesimin”, thekson ajo. E ndërkohë që familjet kosovare i janë përveshur punës rreth përgatitjes së turshive, Linda tregon se janë xhemat, ata që ajo i përgatit rregullisht. “Varësisht nga stina e frutave, përgatis xhem prej dredhëzave, kajsive, kumbullave, boronicave. Këto i kam gjithmonë në frigorifer dhe nuk mungojnë asnjëherë. Kujdesem për sasinë e sheqerit, shumicën e frutave, që janë më të ëmbla, i përgatis pa sheqer, pastaj ajvarin, pingjurin. Suxhuk nuk përgatis, ndërsa specat në sasi të vogla, mirëpo, gjithmonë duke u kujdesur për mënyrën e sterilizimit dhe i bëj pa asnjë pikë konservans. Nëse kalojnë procesin e sterilizimit dhe vakuumit, janë të qëndrueshme deri në dy vjet, me kusht që të qëndrojnë në temperaturë nën 20 gradë celsius”, rithekson Linda këshillën e dhënë edhe përmes programit të saj televiziv.
E pyetur nëse preferon të ushqyerit në restorante apo i pëlqen më shumë që miqtë t’i ftojë në shtëpi, Linda sqaron se “nëse ka diçka që unë insistoj, gjithmonë është në shtëpi. Më duket ambient më i ngrohtë dhe unë e përzgjedh çfarë të gatuaj. Edhe pse vetë kam restorant, preferoj që t’i frekuentoj në raste të rralla, për të thyer monotoninë me familje ose shoqëri, se zaten atë që e gjej në shtëpi, nuk e gjej askund”.
Nga vizitat që u ka bërë vendeve të ndryshme, Italia është një nga vendet prej nga është kthyer drejt në kuzhinë për të provuar vetë gatimet e shijuara në këtë vend. “Unë e preferoj pak më shumë ushqimin mediteran. Thjeshtësia e tyre më ka lënë mbresa. Italianët gatuajnë thjesht, shijshëm dhe shëndetshëm. Ndoshta pak vaj ulliri, ndonjë borzilok, ose ndonjë xhem, buka e mirë me shumë lloje drithërash, ndonjë djathë i mirë dhie apo deleje, ajo për mua është top. Italia është vendi që më ka lënë mbresa të thella për sa i përket ushqimit, dhe nuk e kam fjalën për vendet turistike, pasi aty e gjen ushqimin e zakonshëm, por e kam fjalën për vende pak më rurale, për ndonjë restorant krejt të thjeshtë, me ushqim të shijshëm”, përfundon ajo.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version