Ti je ketu: Ballina > Aktuale >

Helmimet në Kosovë, 1990: Intervistë me Dr. Bernard Benedetti, psikiatër francez

 

Shkatërresa e shqiptarëve në Kosovë pati nisur, veç të tjerash, edhe me helmimin e 7000 nxënësve, si askund në atë ish-shtet! Me gjithë fshehjen e së vërtetës nga mjekët serbë dhe nga autoritetet e atëhershme serbe, Shoqata e Mjekëve të Botës, pas analizave të detajuara të mostrave, doli me deklaratën se: Në Kosovë ka helmim!

 

Bisedoi Sanije Gashi, Paris


Dr.Bernard Benedetti, psikiatër, mjek me famë botërore, anëtar i Shoqatës “Mjekët e Botës” (Medecen du Monde), themelues i Universitetit të Korsikës, është mjeku i cili iu rrek çështjes tepër serioze – analizave të mostrave të gjakut të fëmijëve të helmuar dhe i cili doli para botës me rezultatin se: në Kosovë, megjithatë, pati helmime! Me Dr. Benedettin, njeriu i cili ka shëtitur të gjitha kontinentet dhe i cili ka parë vuajtjet dhe mjerimin e shumë popujve, ndër ta edhe të Kosovës, për temë bosht të intervistës së zhvilluar me të janë pikërisht helmimet në Kosovë.
Angazhimi juaj, në rend të parë human, do të thotë shumë për shqiptarët e terrorizuar. Në mars (1990), ju vizituat Kosovën, biseduat me mjekë, kontaktuat popullin. Cilat janë tiparet që e karakterizojnë, sipas jush, këtë vend?
Dr.Benedetti: Shumë kam udhëtuar, në të gjitha kontinentet: në Amerikën Latine, në Azi, në Afrikë, bile në pikën më kritike të Evropës – në Rumaninë e Çausheskut. Megjithëkëtë, kam qenë tejet i habitur kur kam ardhur në Kosovë. Kosovën e karakterizonin të gjitha tiparet e një vendi të pazhvilluar në pikëpamje mjekësore: vdekshmëria e fëmijëve shqiptarë është më e larta jo vetëm në Evropën Perëndimore, po edhe në atë Lindore, e madje më e madhe se në Rumani. Shifrat e vdekjes janë alarmante, kur dihet se nga 100 fëmijë të vdekur në tërë Jugosllavinë, 33 janë shqiptarë! Unë, si mjek, vizitova spitale, pata biseda të shumta me mjekë shqiptarë, në mënyrë që të kuptoja më mirë gjendjen e vështirë dhe mungesën e barnave.
Sa u përket kolegëve të mi shqiptarë, ata janë të kualifikuar, kanë aftësi të larta shkencore e profesionale dhe janë plotësisht të vetëdijshëm për detyrën e tyre prej mjeku, çfarë nuk ishte rasti me mjekët rumunë, të cilët, mjerisht, që moti kishin hequr dorë nga profesioni i tyre.

Si shkonte puna rreth anketimit të të helmuarve, sigurimit të mostrave të gjakut, në ç’pengesa hasnit?
Dr.Benedetti: Anketa rreth helmimeve ka qenë e vështirë për ne. Më së tepërmi na pengonte policia, e cila ishte në çdo hap, gjë që e ngadalësonte punën tonë. Ajo shkonte kudo pas mjekëve, por më e keqja ishte kur policia e ndiqte popullatën shqiptare. Prandaj, kam shkruar, kam folur, por do të shkruaj e do të flas edhe më tutje se është e papranueshme kur policët civilë hyjnë nëpër sallat e konsultimeve, u japin urdhra mjekëve që shërojnë të sëmurët! Arrogancën e tyre e përjetova vetë. Ata më morën madje tri herë edhe pasaportën! Obligimi kryesor i mjekut është të shërojë dhe të shpëtojë jetën e njerëzve, duke biseduar lirisht me ta. Madje, kjo është njëra ndër vlerat themelore të demokracisë. Demokraci do të thotë së pari të jetosh, mirëpo, për të jetuar, duhet pasur mundësi shërimi, domethënë të shërohesh lirisht nga një mjek i lirë, gjë e cila nuk ishte në Kosovë. Prania e policisë nëpër spitale është presion i padurueshëm, sikurse edhe prania e veturave të blinduara me polici nëpër rrugët e qytetit. Megjithatë, ne arritëm të zhvillonim anketën tonë. Përgjegjësinë për shpalljen e konkluzioneve të kësaj ankete, e kam marrë në emrin tim personal, jo pse dua të luaj si Don Kishoti, po pse e njoh shumë mirë rigorozitetin e misioneve humanitare dhe implikimet e tyre, prandaj nuk i lejoj kurrsesi të flas me hamendje. Unë flas duke u bazuar në argumente shkencore, duke u bazuar në punën e një mjeku, punë kjo që e kam bërë me vetëdije profesionale, maksimale, duke i kontrolluar fëmijët e helmuar dhe ata të supozuar si histerikë, duke biseduar me mjekët shqiptarë, për të cilët dua të them edhe një herë se janë të ndershëm dhe të cilët nuk kanë marrë pjesë në asnjë komplot të imagjinuar. Po të ishte nevoja për të marrë pjesë në ndonjë luftë, mjekët shqiptarë do ta zhvishnin mantelin e bardhë dhe do ta vishnin uniformën përkatëse.
Kam biseduar edhe me familje, meqë këtë e kam ndier obligim. Mjeku as që mund ta njohë patologjinë e pacientit pa i njohur të gjitha rrethanat e tij. Prandaj, jam informuar rreth së kaluarës dhe së tashmes së fëmijëve dhe adoleshentëve. Kam biseduar edhe me motrat e nderit. Ato janë vendosur në fshatin e tyre para njëzet vjetësh dhe i njohin fëmijët që nga mosha e mitur. Ato më thanë se këta fëmijë më parë nuk kanë pasur shenja patologjike, as trazira në sjelljet e tyre. Kam shkuar, gjithashtu, edhe në klasat e mësimit. Një kohë të gjatë kam shëtitur nëpër qytetet kosovare, e veçanërisht në Podujevë, sepse Podujeva simbolizon gjithë atë që po ngjan sot në vendin tuaj. Gjithë këtë unë e kam bërë me vetëdije kritike.

ARGUMENTET KLINIKO-BIOLOGJIKE PËR HELMIMIN

Sa kohë keni punuar në analizat e mostrave të gjakut, në çfarë laboratorësh janë bërë ato?
Dr. Benedetti: Nuk i kam bërë unë analizat, nuk është domeni im. Unë vetëm i kam sjellë mostrat, të cilat i pata marrë tek fëmijët shqiptarë kosovarë. Këtë punë e kam bërë bashkë me mjekë të disa spitaleve, ku shkonim dhe ku bënim punë shumë sistematike në mënyrë që të njihej mirë momenti i helmimit të supozuar, rrethanat e helmimit si dhe profili i çdo individi, të cilit i merrej gjaku. Domethënë, disa të dhëna rreth së kaluarës së tij dhe rreth familjes së tij. Duhet ditur, gjithashtu, a ka pasur në fshatin e tyre ndonjë akt terrorist apo ndonjë demonstratë të përgjakshme. Kjo, pra, ishte puna jonë. Isha, pra, si anketues në vend dhe si përgjegjës i marrjes së gjakut. Pastaj, analizat i kanë bërë laboratorët e specializuar. Emrat e këtyre laboratorëve nuk kam të drejtë t’i them. Megjithatë, mund të them se këta laboratorë janë më të përsosurit në Francë dhe mund të kihet besim të plotë në ta.
Cili do të ishte komenti juaj përfundimtar, pra, përkitazi me helmimet?
Dr. Benedetti: Unë bazohem vetëm në argumente. Kur kam vendosur të them se ka pasur helmim, unë kam zgjedhur jo rastësisht një gazetë provansale, e cila e mbulon tërë pjesën jugore të Francës. Me qëllim ia kam dhënë ekskluzivitetin asaj gazete. Kam thënë botërisht se në Kosovë – ka helmim, meqë jam bindur se ka pasur helmim. Kam pas mbledhur mjaft argumente klinike, biologjike etj., që më kanë mundësuar të them se ka pasur helmim. Sikur të mos kisha qenë plotësisht i sigurt dhe i bindur, nuk do ta kisha thënë dot. Me këtë rast, nuk mund të them se cili do të jetë qëndrimi i Francës ndaj Kosovës, por mund të them se puna jonë ka bërë ndikim në qeverinë franceze!

Pjesa më e madhe e të helmuarve janë të gjinisë femërore. Cilat janë pasojat e helmimit?
Dr. Benedetti: Është vështirë të parashikohen pasojat e këtij helmimi për një kohë të gjatë, po mund të thuhet se nuk do të ketë pasoja, sepse ky helmim ka pasur dozë të dobët toksike. Mirëpo, ka pasur edhe raste recidive, domethënë krizat që shfaqen pas një kohe të gjatë nga momenti i helmimit. Ato kriza i kam vërejtur edhe unë vetë. Ato i afrohen asaj që quhet spazmofili, siç janë, për shembull, krizat e ankthit, shtangimet neurotonike në qafë, dridhjet dhe shtangimet në duar. Ato kriza mund të jenë thjesht psikosomatike. Mirëpo, do ditur pse po shfaqen ato kriza tek ata fëmijë, te të cilët nuk kishte asgjë të ngjashme deri në muajin mars dhe sjellja e të cilëve ishte krejt normale deri atëherë? Duhet ditur, gjithashtu, pse ato kriza shfaqen në mënyrë të përsëritur dhe të rregullt. Është e vërtetë se pjesa më e madhe e të helmuarve është e gjinisë femërore, të moshës 13 deri në 17 vjeç. Ky konstatim lejon të thuhet se fjala është për një infektim të tipit psalmofilik, të tipit neurotik. Pse këto kriza shfaqen te adoleshentet e reja, te të cilat deri atëherë nuk kishte asnjë shenjë të ngjashme ose pse ato shenja shfaqen në mënyrë spontane, pa ndërhyrje as të trupit mjekësor as të familjes? Sa i përket kësaj, është punë e psikiatrit, e psikologut dhe e sociologut. Duhet bërë një studim në këtë drejtim, në mënyrë që të dihet pse një materie toksike provokon në distancë kohore një sjellje të tillë.
Po në sterilitetin e të rinjve, a do të ndikojnë këto helmime?
Dr. Benedetti: Nuk e besoj, meqenëse fjala është për një substancë organoklore, e cila ndikon në funksionet neurologjike. Apriori nuk ka arsye të ketë çrregullime gjenetike as prishje në funksionet e riprodhimit. Personalisht nuk shoh se cili agjent do të mund të provokonte këtë tip pasojash.
Pas rezultateve të analizave, a e keni informuar përkitazi me këtë Ministrinë e Shëndetësisë në Francë?
Dr. Benedetti: Po, natyrisht. Raporti komplet do t’i dërgohet Shoqatës “Mjekët e Botës”. I njëjti raport do t’i jepet edhe Sekretariatit Shtetëror për Çështje Humanitare, i cili është i informuar për konkluzionet e punës sonë.

NJË MJEK SERB PRANOI SE KA HELMIM

Si e komentoni vlerësimin e komisionit të caktuar të qeverisë jugosllave për helmimet në Kosovë, brenda dy-tri ditësh?
Dr. Benedetti: Sa i përket kësaj, ne kemi qenë shumë të qartë kur kemi ardhur në Kosovë (në muajin mars): unë vetë, Federata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, Federata e të Drejtave të Njeriut e Helsinkit, kemi deklaruar gjatë një konference për medie se puna e Komisionit të parë të anketës federale është zero dhe e pavlerë, rezultat i një analize brenda 48 orësh. Për rezultate të tilla nevojiten së paku 15 ditë punë në një laborator. Ne kemi kërkuar gjatë një konference për medie, që të formohet një komision ankete zyrtare, që ky komision të bashkojë disa anëtarë, të pranojë edhe ekspertë shqiptarë, gjithashtu edhe ekspertë të profileve të jashtme. Perspektiva e një komisioni të tillë është refuzuar. Qeveria jugosllave është përgjigjur se anketa është zhvilluar dhe se rezultatet e saj kanë qenë negative. Prandaj, sipas tyre nuk kishte nevojë të bëhej një anketë tjetër nga një komision ndërkombëtar.
A e keni analizuar arsyen e këtij refuzimi?
Dr. Benedetti: Të gjitha pyetjet do të gjenin përgjigje adekuate, sikur qeveria jugosllave ta pranonte menjëherë një komision ndërkombëtar. Tash na mbetet ta analizojmë arsyen e këtij refuzimi dhe të dimë pse janë dhënë aq shpejt rezultatet e komisionit të parë!
Mjekët serbë të Kosovës, kur është fjala për helmimet, si dhe për mjekët shqiptarë në përgjithësi, në çdo të dytën fjalë e përmendin betimin e Hipokratit. Si e komentoni qëndrimin e tyre, kush e shkeli betimin e Hipokratit në rastin konkret?
Dr. Benedetti: Me të ardhur në Kosovë, u paraqita si mjek në klinikat e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, ku kërkova të takohesha me mjekët serbë. Nuk isha vetëm, por bashkë me anëtarët e Federatës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Kërkesa ime u refuzua. Megjithatë, në muajin mars e takova një mjek serb nga Kosova, që ishte shef i Klinikës Neuropsikiatrike në Klinikën e tij, qysh ditën e parë të ardhjes sime në Kosovë. Ai më tha: “Po e ndiej veten shumë keq, sepse jam i bindur se ka pasur helmim e jo kriza histerike!” Ne caktuam takimin për të nesërmen, në mënyrë që të bisedohej më gjerësisht lidhur me këtë, meqenëse edhe unë vetë pata mundësinë të vizitoja disa të sëmurë. Mirëpo, nuk pata rastin të takohesha përsëri me atë mjek, i cili nuk deshi të takohej më me mua! Ndoshta është vështirë për ta (!) ta respektojnë betimin e Hipokratit, mirëpo unë mendoj se çfarëdo presioni qoftë, mjeku do të duhej të respektonte betimin e dhënë. Jam i bindur se, nëse kanë dhënë betimin dhe nëse janë vërtet mjekë, ata do të duhej ta ndienin veten shumë keq.

Paris, 29 shtator 1990

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Lexuar 5533 herë.
#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version