Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Menaxhimi i stresit
Menaxhimi i stresit
Në psikologji stresi konsiderohet si një shtrëngim dhe presion apo shtypje, një lloj i dhembjes psikologjike. Një sasi e vogël e stresit është e dëshiruar, madje e dobishme dhe e shëndetshme. Stresi i tillë pozitiv ngrit performancën, motivacionin dhe adaptimin. Niveli i tepërt i stresit është i dëmshëm, sepse e rrezikon seriozisht shëndetin tonë.

 

 

Prof. dr. Neki Juniku, psikolog

Stresi mund të jetë i shkaktuar nga faktorë të jashtëm, por edhe nga perceptimet e brendshme, që individit i shkaktojnë përjetimin e ankthit dhe të emocioneve të tjera të pakëndshme, gjendje këto që ai i përjeton si stresuese. Themi se individi përjeton stres kur e ndien një mospërputhje ndërmjet kërkesave që i shtrohen atij dhe mundësisë së tij për t’i realizuar, për t’i kryer ato kërkesa. Pas një kohe, e tërë kjo sjell çrregullimin e shëndetit të tij.

Simptomat apo shenjat e stresit
Ndër simptomat më të shpeshta apo shenjat që sinjalizojnë se jemi të përfshirë me stresin, do të veçonim këto: vështirësitë me gjumin, ngritja ose/edhe rënia e peshës, dhembjet e barkut, nervozizmi i shpeshtuar, shtrëngimi ose kërcitja e dhëmbëve, sulmet e panikut, dhembjet e kokës, vështirësia e përqendrimit, zemërimi, gjumi i tepruar, izolimi social, lodhja, rraskapitja etj.

Përse stresi është i dëmshëm?

Ballafaqimi i shpeshtë dhe për një kohë të gjatë me stresin sjell vështirësi në shëndetin trupor dhe psikologjik, siç janë vështirësitë kardiovaskulare, diabeti, ankthi dhe depresioni. Stresi është i pashmangshëm, është një reagim yni. Në anën tjetër, akumulimi i numrit të tepruar të stresuesve, që sjellin nivelin e pamenaxhueshëm të stresit, është i njohur si rraskapitje ose “djegie” totale (burnout).

Menaxhimi i stresit
Përveç intervenimeve profesionale psikologjike, që bëhen me rastin e formave të çrregullimeve klinike të stresit, menaxhimi i stresit në jetën e përditshme mund të bëhet duke aplikuar një varg veprimesh apo shkathtësish, që u ndihmojnë njerëzve të përballin me sukses stresin në jetën e tyre, me qëllim të zvogëlimit të efekteve të tij. Ndër këto veprime, më së shpeshti aplikohen teknikat e relaksimit (frymëmarrja e thellë, relaksimi progresiv i muskujve, ballafaqimi i drejtpërdrejtë dhe ai i imagjinuar dhe meditimi. Këto teknika do t’i sqarojmë në prezantimin tonë të mëtejmë. Le ta themi qartë që në fillim se qëllimi ynë nuk është të lirohemi nga stresi plotësisht, por të përjetojmë një nivel të tolerueshëm të stresit.

Frymëmarrja e thellë ose abdominale
Aplikimi i frymëmarrjes së thellë duket kështu: vendosim njërën dorë në pjesën e abdomenit, menjëherë nën brinjët. Merret frymë ngadalë, me hundë, duke e çuar ajrin sa më thellë që është e mundur, me ç’rast dora e vendosur në abdomen do të ngrihet ngadalë. Pas marrjes frymë thellë, ndalemi për pak dhe pastaj, ngadalë, e lëshojmë frymën nga thellësia. Zakonisht rekomandohet që frymëmarrja e këtillë e thellë të bëhet për dhjetë herë, qetë dhe me një ritëm të rregullt. Për pesë minuta të aplikimit të kësaj frymëmarrjeje të thellë, mund të arrihen efekte të dukshme në reduktimin e stresit.

Relaksimi progresiv muskulor
Një gjendje e thellë relaksuese apo qetësuese do të arrihet nëse grupe muskujsh të ndryshëm të trupit shtrëngohen për 3 deri 5 sekonda dhe pastaj lëshohen, çlirohen. Mund të fillohet me muskujt e gishtave të këmbëve, të shputave, me muskujt e këmbëve nën gjunjë, pastaj mbi gjunjë, deri tek ijët, pastaj të muskujve të barkut, gjoksit, krahëve, të duarve deri te bërrylat, pastaj nën bërryla, muskujt e shuplakave të duarve dhe gishtave. Vazhdohet me muskujt e shpinës, qafës, kokës, ballit dhe nofullave. Përmes kësaj teknike evitohen dhembjet e kokës, shpinës, tensioni i lartë i gjakut dhe pagjumësia e po kështu mundësohet edhe qetësimi i mendjes.

Ballafaqimi me situata të pakëndshme
Në jetën e përditshme, ballafaqimi me situata të pakëndshme është mënyra më efektive për tejkalimin e tyre. I këtillë është rasti me situatat frikësuese, te llojet e ndryshme të fobive. Shmangia ose ikja nga ato situata, në të vërtetë e mban frikën gjegjëse. Duke ikur, individi shpërblehet, meqë evitimi i frikës është shpërblim. Ikja, pra, është shpërblim apo përforcues i frikës. “Asgjë nuk funksionon më mirë për kapërcimin e frikës se ballafaqimi me të”.

Meditimi
Meditimi është një përqendrim apo vëmendje ndaj çfarëdo që vjen në vetëdijen tonë, pa bërë asnjë formë gjykimi apo vlerësimi, duke “vetëvërejtur” përjetimin gjegjës ashtu siç është, pa bërë përpjekje ta ndryshojmë, pa asnjë reagim ndaj tij, pa ndonjë ndërhyrje në rrjedhën e tij. Meditimin e karakterizon pranueshmëria e përzemërt dhe pa gjykim e çdo përjetimi tonë të brendshëm, pavarësisht se për çka bëhet fjalë. Falë zotërimit të praktikës së meditimit, do të arrijmë të veprojmë qenësisht ndryshe në çastet e frikës apo të dhembjes, duke i soditur ato (frikën a dhembjen) qetë në vetëdijen tonë. Ndër trajtimet më të njohura klinike, që mbështeten në aplikimin e meditimit, janë edhe ato të reduktimit të stresit, kurse efektet që sjell meditimi janë ngadalësimi i punës së zemrës, rënia e tensionit të gjakut, reduktimi i shqetësimit të përgjithshëm, ngritja e përqendrimit, përformancës, shëndetit dhe kënaqësisë në jetë.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version