Ti je ketu: Ballina > 240/241 > Femra dhe erërat e Abu Dhabit dhe Dubait
Reportazh nga Arabia
Femra dhe erërat e Abu Dhabit dhe Dubait
Në këto qytete kozmopolitane, ku tradicionalja dhe modernia janë ndërthurur në njëra-tjetrën, si hojet e bletëve në një trung lisi, erërat e zhvillimit po fryjnë pandërprerë.

Shkruan Burbuqe Rushiti

Çdo mëngjes nga gjumi më zgjonin cicërimat e zogjve, të cilët kurrë më parë nuk i kisha dëgjuar, sytë hapeshin në një oazë në mes të shkretëtirës, mes palmash, sipërfaqesh të bleruara me bar të njomë dhe liqene të vogla të një klubi të golfit të Abu Dhabit. Derisa në ballkon e pija kafenë e parë të mëngjesit, nëpër terrenet e golfit kishin arritur edhe golfistët e parë, ata në të shumtën e rasteve ishin femra, të cilat kishin pasion këtë sport relativisht të shtrenjtë. Duke më interesuar arsyeja përse kryesisht femrat luajnë që në mëngjes, e gjeta përgjigjen me një fjali të shkurtër, por me kuptim shumë të gjerë – ‘Janë Gratë në Abu Dhabi.’
Në këtë qytet kozmopolitan, ku tradicionalja dhe modernia janë ndërthurur në njëra-tjetrën si hojet e bletëve në një trung lisi, erërat e zhvillimit po fryjnë pandërprerë. Shumë ekspertë, punëtorë shërbyes dhe teknikë e fizikë nga mbarë bota vijnë në këtë vend për t’i realizuar ëndrrat e tyre. Me ardhjen në këtë vend të Gjirit, shumica prej tyre, të cilët realizojnë të ardhura të mira, vendosin të shpërngulen për disa vjet së bashku edhe me familjet e tyre.
Dhe, kështu fillon jeta e të huajve në një shkretëtirë të shndërruar në parajsë, ku mbretëron klima shumë e ngrohtë, por që edhe fitimet dinë t’ua ngrohin xhepin, gjë që dhe hap rrugën për një jetë më të rehatshme me shumë mundësi.
Kështu fillon dhe rrëfimi për ‘gratë e Abu Dhabit’. Pra, bashkëshortet e atyre të cilët punojnë dhe kanë fitime relativisht të mira në Abu Dhabi apo Dubai në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) e që atje vendosin të rrinë në shtëpi apo ende nuk kanë gjetur punë të përshtatshme në fushën e profesionit të tyre, ose janë femra të cilat punojnë, por që para se të nisen në punë apo pas orarit të punës, në vend se të merren me punët e shtëpisë, ato ia kushtojnë kohën jetës së shëndetshme dhe shëtitjes. Në të shumtën e rasteve ato i vizitojnë klubet e golfit, terrenet e shumta sportive, notojnë në det ose pishina, që ka pothuajse në secilin kompleks banesor, apo merren me rrëshqitje nëpër dallgët e ujërave të ngrohta të Gjirit. Shumica e këtyre femrave kanë ndihmëset për punët e shtëpisë si dhe dadon po qe se kanë fëmijë të vegjël. Ndihmëset dhe dadot kryesisht jetojnë nëpër shtëpitë apo banesat e këtyre familjeve tek të cilat janë të punësuara.
Femrat, të cilave u punojnë bashkëshortët në pozita që paguhen mirë, pos me sport gjatë ditës, rrezitjes nëpër plazhe, i vizitojnë shumë edhe qendrat e mëdha tregtare si dhe restorantet e shumta të njohura në Abu Dhabi dhe Dubai. Krijojnë rrethin e shoqërisë së tyre, vizitojnë muze, ekspozita dhe bëjnë planifikime për shëtitje të fundjavës me familje dhe shoqëri,

‘Zonjat e shtëpisë’

Derisa të huajat i përshtaten jetës së re, vendëset janë ‘Zonjat e shtëpisë.’ Derisa shumica e të huajve jetojnë nëpër apartamente, vendëset jetojnë nëpër shtëpi luksoze. Derisa të huajat, kryesisht nga Perëndimi, fillojnë të klimatizohen me ditët e verës ‘valë të nxehta’, të mësuara që nga lindja në vapën përcëlluese gjatë ditës, edhe vendëset mund t’i takosh nëpër restorante apo qendrat luksoze tregtare. Të veshura kryesisht me veshjen e tyre tradicionale të quajtur ’abaja’, emirataset rëndom i kushtojnë shumë rëndësi grimit të syve, vetullave dhe mirëmbajtjes së thonjve. Nga aksesorët, për këto femra të bukura ‘syzeza’, më të preferuara janë syzet e diellit dhe çantat e dorës. Syzet që i përdorin janë ndër më të shtrenjtat, të firmave të njohura botërore, ndërsa çantat e tyre të preferuara kryesisht janë ‘Louis Vuitton’ apo të ndonjë firme tjetër shumë të njohur botërore në dizajnimin dhe prodhimtarinë e çantave unike.
Me përfundimin e orarit të punës, atëherë kur freskia e mbrëmjes e mbulon Abu Dhabin dhe Dubain, restorantet dhe qendrat tregtare fillojnë të mbushen me vendës dhe të huaj. Emirataset, së bashku me bashkëshortët dhe fëmijët, apo me shoqet e tyre, dalin për të darkuar dhe për t’u argëtuar. Kafe-restorantet rreth bregdetit janë të preferuarat e tyre, ndërsa gjatë fundjavave lundrimi familjar dhe pushimet në resorte nëpër shkretëtira. 
Meqenëse vendësit, që nga koha kur është zbuluar nafta në këtë pjesë të botës, janë kryesisht të pasur, në këtë vend ka femra të cilat ende më tepër preferojnë të mos punojnë në zyra. Meqë burri i shtëpisë kujdeset për të ardhurat të cilat nuk janë të pakta, ato dëshirojnë shpesh të mbeten ‘Zonja të shtëpisë’, të jenë në ‘shtëpi’, por jo edhe të merren me ‘punët e shtëpisë’, sepse secila nga to kanë ndihmëset në shtëpitë e tyre.
Por, me kalimin e kohës dhe zhvillimit të vrullshëm ekonomik në këtë vend, femrat vendëse çdo ditë e më tepër po inkurajohen në çdo aspekt për t’u shkolluar dhe për të punuar jashtë ambienteve të shtëpive familjare si dhe për të marrë pjesë në vendimet shtetërore.
Sipas BBC-së, nënkryetari dhe Kryeministri i EBA-s dhe Emiri i Dubait, Sheikh Mohammed bin Rashid Al Maktoum, kohë më parë njoftoi formimin e Këshillit të Balancimit Gjinor në EBA, këshill ky që, sipas raporteve të shtypit lokal, do të promovojë strategji të reja për fuqizimin e femrës.
Këshilli do të kryesohet nga vajza e tij, Sheikha Manal Bint Mohammed Bin Rashid Al Maktoum. Sheikha Manal është dhe Presidente e Establishmentit të Grave të Dubait.

Femra - pilote e luftës

Ky inkurajim dhe këto përpjekje të shtetit po japin dhe frytet e veta. Femrat emiratase tani i gjen në poste të larta shtetërore si udhëheqëse të ministrive të shtetit, në ballë të agjencive të rëndësishme qeveritare, në ushtri, polici, menaxhim, inxhinieri, medie, banka, financa, në botën e artit dhe të modës. Në Emirate ka dhe femra pilote. Mariam al - Mansouri nga Abu Dhabi, është femra e parë pilote e luftës, e cila u diplomua në Akademinë e Forcave Ajrore të EBA-s. Më 2014 Mariam, duke pilotuar me ‘Skifterin luftarak’ F-16, udhëhoqi Misionin e EBA-s në sulmet ajrore në Siri. Kjo e tëra flet për fillimin e fuqizimit të femrës në të gjithë sektorët e jetës në Emirate.
Me kalimin e kohës, edhe koncepti i poligamisë në Emirate ka filluar pak nga pak të zbehet. Sipas shtypit lokal, gjeneratat e reja kanë filluar ta shohin me sy opozitar këtë koncept, duke e vërejtur se kjo lloj jete është e rëndë dhe në të ‘barabarësia është e pamundur’, sidomos në kohërat e tanishme. Shtypi lokal thekson se, sipas të rinjve emiratas, tradita e poligamisë është në rënie, sepse dikur mashkulli martohej me shumë gra, që të kishte më shumë fëmijë për të qenë i sigurt për jetesën në pleqëri, ndërsa tani më tepër i kushtohet rëndësi ngritjes së fëmijëve.

Të huajat kërkojnë relaks jetese

Derisa jeta e tyre familjare mbetet brenda mureve të shtëpive të bukura përplot vezullim, në vendin e tyre shumica e fuqisë punëtore është nga vende të ndryshme të botës. Në mesin e tyre ka edhe shumë femra të huaja, të cilat punojnë në poste të larta të kompanive të ndryshme apo si eksperte në fushën e teknologjisë, kulturës e turizmit. Këto eksperte paguhen me rroga të larta, janë të respektuara, punojnë shumë, por në kohë të lirë bëjnë një jetë që mbase në vendet e tyre nga vijnë nuk do ta kishin pasur mundësinë ta kenë të mbushur me tërë atë shkëlqim, pa shumë ngarkesa dhe me relaks jetese.
Ndërsa femrat të cilat punojnë në sektorin e shërbimeve si ndihmëse të shtëpisë, dado, kameriere, ato paguhen më pak, kontratat shpesh aranzhohen nga agjencitë, të cilat në këtë rast janë pala e tretë dhe nuk janë kontrata aq fleksibile. Mirëpo, që sërish edhe nga këto paga ato arrijnë të ndajnë pak të holla dhe t’i ndihmojnë familjet e tyre në vendet prej nga vijnë. Këto janë zakonisht vendet me shkallë të lartë të papunësisë dhe varfërisë. Ato e ndiejnë aromën e luksit në vendet në të cilat punojnë, e shijojnë atë duke jetuar dhe duke punuar nëpër ambientet përplot dritë, të bindura se me punën e tyre janë duke i ndihmuar familjet e tyre të kenë një jetë më të mirë.
Dadot dhe ndihmëset e shtëpisë, edhe pse jetojnë nëpër familjet në të cilat punojnë një herë apo dy herë në javë, kanë ditë të lira, të cilat ia kushtojnë tërësisht vetvetes.

Në Emirate asnjëherë nuk e vëren që një mashkull në rrugë, në mjetet e transportit, nëpër vendet publike ku frekuentojnë qytetarët, nëpër plazhe apo pishina, ta shqetësojë me fjalë apo me ndonjë gjest të pahijshëm ndonjë femër, qoftë ajo e mbuluar apo me pantallona të shkurtra ose me mini-funde. Këtë nuk e bën as vendësi e as ata të cilët kanë ardhur për të punuar përkohësisht në këtë vend, gjë që nuk mund të thuhet për disa vende të tjera të regjionit. Në Abu Dhabi dhe Dubai lirshëm mund të dalësh vetëm, pa pasur asnjë frikë se mund të shqetësohesh, përkundrazi, nëse kërkon ndihmë për orientim, meshkujt janë shumë të sjellshëm dhe të gatshëm për të të ndihmuar me shumë respekt.
Respektohesh, por edhe duhet t’i respektosh rregullat e vendit ku ke shkuar për të punuar, për të jetuar apo për të vizituar e në të cilin të ofrohen të gjitha mundësitë për t’i shijuar bukuritë e oazave përrallore në mes të shkretëtirës.

 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version