Ti je ketu: Ballina > Opinione > ÇKA NA BËN TË QESHEMI?!
ÇKA NA BËN TË QESHEMI?!
Për qeshje, para së gjithash, nevojitet sinqeriteti, por a thua ka sinqeritet te njerëzit? Çeshja është prova më e sigurt e shpirtit. Ironia ose humori i zi bëhen në llogari të politikanëve, shefave, biondinave... Sot, të ngarkuar me gajle të përditshme, kemi harruar të qeshim nga zemra si dikur, në fakt, cili lloj i humorit mund të na bëjë të qeshemi deri në lot? Ndaj, për këtë çështje i pyetëm disa personalitete të njohura se - çka i bën më së lehti të qeshin?

 

Iliriana Loxha Basha, kostumografe

Dikur na bënin politikanët të qeshim, sot as për të qeshur s’na bëjnë

Më duket se i takoj një gjenerate më optimiste dhe më gazmore. Tani të merr malli të qeshësh. Edhe pse duhet praktikuar edhe e qeshura, duke gjetur gjëra të vogla që na bëjnë të qeshësh. Mjafton një e thënë nga djali im, - mami ti je hamburger dhe do të të ha, ta mbush ditën me gëzim dhe të rrijë buzëqeshja më gjatë në fytyrë. Unë fatmirësisht punoj në një ambient ku e qeshura është profesion. Dhe aq sa ka nerv, ka dhe të qeshura pa fund. Dikur na bënin politikanët të qeshim, sot as për të qeshur s’na bëjnë. Unë kam një shoqëri shumë të mirë, dhe kur kishim 25 - vjetorin e maturës, po ju them se kemi qeshur me lot me ditë të tëra. Sidomos që kemi një shoqe, Arizonën, që e kemi si antistres. Po, normalisht, edhe në jetën e përditshme lexojmë e shohim pa fund çudira, që herë – herë të lënë pa fjalë nga budallallëku e herë – herë të bëjnë të qeshësh.

 

 

Albulena Kryeziu, aktore

Stresi mund të jetë nismëtar i të qeshurave të pafund

Në përditshmërinë tonë me plot stres, shpesh harrojmë gjërat të cilat janë të rëndësishme për mirëqenien tonë, siç është, për shembull, një e qeshur e madhe. Mirëpo, ajo çfarë na bën të qeshim me lot, zakonisht ndodh pas një dite të lodhshme pune. Në momentin kur ulemi të pimë kafe me miq ose me familje, nga lodhja e tepërt ndodh që bisedën e përfshin një histeri, saqë lotët që rrjedhin na sjellin ndër mend se paska kaluar kohë e gjatë që nuk paskemi qeshur! Kështu që konsideroj se edhe stresi nganjëherë mund të jetë nismëtar i të qeshurave të pafund. Shpesh na ndodh sidomos nëpër tv-të tona kombëtare, të shohim gjëra që na bëjnë për të qeshur. Po e njëjta gjë ndodh edhe në rrjetet sociale, ku videot të cilat të bëjnë për të qeshur, shpërndahen në kohë rekorde. Ka shumë e shumë momente që kënaqemi duke qeshur me fytyrat publike dhe me ato jo publike, saqë ato lapsuse që i bëjnë ata, krijojnë njëfarë trendi dhe pastaj ngado që shkon e dëgjon të njëjtin refren.

 

 

Linda Gusia, sociologe

Respekti i jetës dhe aftësia për të qeshur

Më bëjnë të qesh njerëzit që i dua, vajza ime, gjërat e vogla, natyra. Me kohë fillon t’i vlerësosh gjërat e vogla dhe aktet e thjeshta të miqësisë dhe të dashurisë. Prej këtu vjen edhe respekti i jetës dhe aftësia për të qeshur.

 

 

Vlora Merovci, aktore

Prej kur jam bërë nënë, qesh vazhdimisht

E qeshura ta zgjat jetën! – është shprehje që të gjithë e dimë, por sa qeshim në të vërtetë!!! Unë prej kur jam bërë nënë, qesh vazhdimisht, sepse dua që fëmijët e mi, pamjen time ta kujtojnë gjithnjë me të qeshura. Unë qesh shumë me gjestet, veprimet, sherret e fëmijëve, me videot e tyre, sepse ata nuk janë në dijeni që janë qesharakë e në fakt na bëjnë të qeshim me lot. Qesh shumë edhe me miqtë e mi, sepse bisedat qesharake me miq ndikojnë në uljen e stresit tim dhe nxisin prodhimin e hormonit të humorit të mirë. Dhe, në fund, nuk mund të mos e përmend situatën kur dikush mundohet ta frenojë të qeshurën, përpiqet të mos qesh në situata kur e qeshura është shumë e papërshtatshme, për shembull, prezantuesit e lajmeve, pastaj në ndonjë tragjedi, në ngushëllime.... dhe sa më shumë mundohet ta frenojë, ai shpërthen edhe më shumë në të qeshura. Të qeshim sa më shumë, se jeta çdo ditë po na ikën nga pak!
 

 

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version