Ti je ketu: Ballina > Moda > Rruga deri te fama botërore
Fashion
Rruga deri te fama botërore
Fushatat e modës sot po xhirojnë manekinet ndër më sharmantet. Vajza me përvojë dhe fytyra të bukura po shkëlqejnë me bindshmëri, në fotografitë e realizuara. Rinia gjithmonë ka qenë obsesion i industrisë së modës dhe i kozmetikës, porse në disa vjet të fundit gjërat kanë ndryshuar thelbësisht.

Shkruan Gresa Drini
Foto Fadil Berisha

Para luftës, pjesëmarrja në organizimin e miseve dhe të modelimit në hapësirat tona dukej tërësisht amatore dhe ndryshe nga e sotmja. Ishte ajo kohë kur manekinet ecjen nëpër pistat e modës e kanë konsideruar si hobi të rastit dhe nuk kanë pasur asnjë mundësi pjesëmarrjeje në qarqet ndërkombëtare. Aty nuk kishte kurrfarë glamuri. Nuk kishte as përmendje të honorarëve të vegjël e as të majmë. Megjithatë, sot nuk duhet shikuar nga ajo perspektivë e të qenit modele. Falë angazhimit të palodhur të fotografit botëror Fadil Berisha, gjërat kanë ndryshuar tërësisht dhe rrënjësisht. Vajzat nga Kosova sot janë shndërruar në yje glamuroze të fushatave dhe të revyve në qendrën botërore të modës në Nju-Jork, ato po punojnë fuqishëm për të qenë të famshme. Madje ndodh që honorarët e tyre dyditore për realizimin e fushatave të kapin shifrën prej 40.000 dollarësh, siç ishte rasti i realizimit të fotografive për brendin kozmetik të modeles elegante Diana Avdiu. Por, kjo nuk është e vetmja. Prandaj, nëse keni ëndërruar përherë për të qenë një modele, pjesëmarrjen në organizimin e missit, vajzat nga Kosova, të cilat dëshirojnë të jenë pjesë e industrisë së modës botërore, duhet ta shfrytëzojnë me seriozitet, ngase ato e kanë këtë mundësi që u ofrohet çdo vit, këtu në Prishtinë.

Duke iu referuar miseve paraprake, që triumfuan në Miss Kosova Universe, organizim i cili filloi tetë vjet më parë, ku u zgjodhën më të bukurat e vendit, prirë nga Zana Krasniqi, më pas Afrërdita Dreshaj, Kështjella Pepshi, Marigona Dragusha, Diana Avdiu e Mirjeta Shala, bukuroshe të cilat lindën nga këto organizime, dhe zbarkuan në Miss Universe, si përfaqësuese të vendit të tyre, vazhduan lundrimin në industrinë e modës dhe u shndërruan më pas në yje shndritëse të kreatorëve e agjencive të ndryshme. Ato janë shumë aktive, madje ndër manekinet kryesore të disenjatores amerikane Sherri Hill. Shumica e këtyre modeleve kishin një kontratë disavjeçare me agjenci të ndryshme, prirë nga ajo e Donald Trump-it, apo janë të angazhuara në fushata të ndryshme sezonale. Në këtë rrugë, e cila duket e pamundur dhe e paarritshme në shikim të parë, ngase lista e modeleve botërore është e gjatë dhe tejet e ngjeshur, vajzat tona sot janë me fat, ngaqë në këtë rrugëtim është z.Berisha ai, i cili u prin dhe i ndihmon për të arritur në cakun e synuar. Gjenetika natyrisht se luan një rol të rëndësishëm, por për të depërtuar në industrinë e modës dhe për të qenë një konkurrente e kërkuar, nevojitet më shumë se pamja e përsosur. Ju nevojitet të keni një karakter të çeliktë, që askush të mos mund t’ju pengojë, të keni energji të madhe për t’i bërë ballë punës së vazhdueshme dhe të keni aftësi për ta parë veten si një pikturë ku të tjerët do ta realizojnë vizionin e tyre. Përveç kësaj, duhet të keni aftësi sociale, gjithmonë të jeni të gatshme për të punuar.
Shmangia e ushqimit kalorik, ushtrimet në palestër, pastaj shmangia e qëndrimit deri në orët e vona pa gjumë, janë gjërat me të cilat duhet të ballafaqoheni vetë, ngase vetëm me punë serioze, ju mund të arrini të bëheni një modele e kërkuar dhe e paguar, në të kundërtën, industria e modës, e cila lulëzon çdo ditë, fillon të preferojë dikë tjetër. Kompania investon kohë dhe para për të bërë engjëj të famshëm.
 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version