Ti je ketu: Ballina > Barazia Gjinore > Dhuna nëpërkëmb dinjitetin e gruas dhe të familjes
Abuzimi i lidhjes
Dhuna nëpërkëmb dinjitetin e gruas dhe të familjes
Nganjëherë ndodh që martesa të bëhet varr i dashurisë, siç thoshte Hygo, ose greminë ku përfundimisht fundoset shpresa për jetë të lumtur! Sot, politikat e mëdha qytetarin e zakonshëm e kanë bërë krejtësisht të pavlerë, të vetmuar e të dëshpëruar.

Shkruan 
Shemsi Krasniqi, sociolog

Kurora martesore është jo vetëm e shtrenjtë, por edhe e shenjtë. Tërë ajo pritje e përgatitje për atë ditë solemne, tërë ato dhurata e urime, ato shpresa e gëzime, pastaj ato procedura dhe rituale, emocione, këngë dhe valle, ato kujtime, fotografi e xhirime, tërë ato dëshira dhe ëndërrime për jetë të lumtur martesore, fatkeqësisht në disa raste ndodh të shndërrohen në të kundërtën e tyre. Mjerisht, nganjëherë ndodh që martesa të bëhet varr i dashurisë, siç thoshte Hygo, ose greminë ku përfundimisht fundoset shpresa për jetë të lumtur. Kjo nuk është rezultat i ndonjë mallkimi, por thjesht i abuzimit të lidhjes. Nëse dhuna ndaj gruas bëhet pjesë e jetës bashkëshortore, nëse në jetën martesore ka asimetri totale për sa i përket respektit reciprok, kujdesit për njëri-tjetrin, lirisë dhe mundësisë së vendimmarrjes, nëse në jetën martesore cenohet integriteti fizik i gruas, atëherë jeta e lumtur mbetet një iluzion, një ëndërr e parealizuar. Durimi i paskajshëm i një dhune po ashtu të paskajshme e të pakuptimtë e shkatërron jetën e gruas. Për fat të keq, kjo po ndodh në shumë raste, dhe është e çuditshme pse shoqëria nuk e vëren dhunën e përditshme, por vetëm pasojat finale të saj. E keqja më e madhe e një lidhjeje abuzive nuk është ndarja ose përfundimi i lidhjes, por lejimi i abuzimit deri në kufirin ekstrem të jetës – deri në vdekje. Fatkeqësisht, kjo po ndodh edhe në kohën kur kemi shtet, kemi ligj, kemi gjyqe e polici, kemi medie e internet, kemi forume, shoqata e organizata të llojllojshme që merren me dhunën në familje, me të drejtat e grave dhe të fëmijëve, me këshillime, trajnime, fushata dhe sensibilizime… 
Rasti i fundit ndodhi tash kur shoqëria po merret me debate të mëdha si demarkacioni e asociacioni, në kohën kur politikat e mëdha e kanë bërë qytetarin e zakonshëm krejtësisht të pavlerë, të vetmuar e të dëshpëruar, kur hallet e tij mbeten të parëndësishme, ndërsa zëri i tij i heshtur. Në një situatë të tillë, kur ndien vetëm “zi e terr”, dhuna individuale e familjare merr hov. Duke u marrë me ‘tradhtitë’ e mëdha, po i harrojmë ‘tradhtitë’ e vogla të jetës së përditshme dhe asaj familjare, e që për dikë po ashtu janë histori, janë jetë. Prandaj, politikanët kanë edhe një përgjegjësi, për të cilën duket se nuk janë të vetëdijshëm: të mos e ndotin mendjen dhe shpirtin e qytetarëve me sharje e fyerje të ulëta, me brutalitete dhe vulgaritete, me luftë të pashpirt për pushtet, për para e pasuri. Politikanët duhet t’i kthehen qytetarit të zakonshëm, jetës reale e të përditshme të njerëzve, duhet ta shohin shtetin edhe në familjet dhe shtëpitë e qytetarëve, në vendet e tyre të punës të pluhurosura, në rrugët e baltosura, e jo vetëm në pallatet e veta glamuroze dhe zyrat luksoze, në autostradat kombëtare dhe aeroportet ndërkombëtare.
Jeta martesore ka disa mistere. Ndodh që detajet e vogla bëhen probleme të mëdha, e problemet e mëdha bëhen edhe më të mëdha, derisa të shndërrohen në ndarje, e për më keq edhe në tragjedi. Nuk ka nevojë për kurrfarë alkimie, e as magjie për zgjedhjen e misterit të lumturisë bashkëshortore. Kushti i parë dhe i domosdoshëm është respekti i dinjitetit njerëzor, i së drejtës elementare për jetë, shëndet e mirëqenie. Kusht tjetër është vullneti i mirë dhe vendosmëria për të krijuar një lidhje e cila mbështetet në dashuri dhe përgjegjësi, në qëllimet e mira për prosperitetin e përbashkët. Kjo nuk arrihet pa respektin dhe mirëkuptimin për njëri-tjetrin, pa tolerancën në kuptimin e mendimeve ose pikëpamjeve të ndryshme, por jo edhe të sjelljeve ose praktikave abuzive, jo edhe të dhunës serike, e cila jo vetëm që nuk ka arsye, por as nuk ka të ndalur. Çdo bashkëshort duhet ta ketë të qartë se njohja e vlerës së tjetrit është njohje e fatit të vet, sikurse që mohimi i vlerës së tjetrit është mohim i fatit të vet.
Sa energjia negative shpenzohet kot në familje, sa mundësitë për qetësi e punë kreative, për prosperitet dhe për sjellje humane, për momente të mira për veten dhe shembuj të mirë për të tjerët, humbin për shkak të fiksimeve të njërit apo tjetrit bashkëshort, për shkak të xhelozive të pakuptimta, për shkak të inateve dhe paranojave absurde, për shkak të impulsive shtazarake të burrave të dhunshëm e të papërgjegjshëm për jetën familjare. Sa frustrimet krijohen dhe barten tek anëtarët e tjerë të familjes, sidomos tek fëmijët, për shkak të dhunës dhe tensioneve të vazhdueshme; për shkak të grindjeve, qortimeve, ofendimeve dhe kërcënimeve tmerruese ndaj grave dhe për shkak të krekosjeve të kota për burrëri false. 
Burrat e dhunshëm në familje, ata që krekosen e vetëlavdërohen, ata që mbjellin frikë e pasiguri tek bashkëshortja dhe tek fëmijët, ata që krijojnë atmosferën të rëndë në familje, ata që abuzojnë lidhjen martesore, humbin shumë nga ajo që u ka afruar jeta, nga ajo që shumëkush nuk ka arritur ta ketë, ta shijojë e ta përjetojë. Me dhunën që ushtrojnë, ata jo vetëm që e dëmtojnë shëndetin dhe jetën e gruas, por shkelin dinjitetin e saj, shkelin dinjitetin e familjes dhe dinjitetin e vet personal, nëse fare e kanë. Burrat që ushtrojnë dhunë ndaj gruas, e tradhtojnë edhe “burrërinë” e vet, edhe nderin dhe traditën familjare. Dhuna, edhe sikur të mos shkaktonte kurrfarë dëmesh, është moralisht e turpshme, sikurse që është ligjërisht e dënueshme dhe logjikisht e pakuptimtë. Dhuna është në kundërshtim me logjikën e jetës.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version