Tregime jete të grave me karrierë
Autorja e librit, me ç’shihet, na jep të gjalla rrëfimet e grave shqiptare me karrierë, që jo rrallë nuk kanë gëzuar jetë e përjetime për t’u lakmuar. E veçanta, prandaj, dhe mbase më e papritura dhe më e pakëndshmja e këtyre intervistave dhe bashkëbisedimeve janë zezonat, të cilat pjesa më e madhe e grave nga Shqipëria, po asgjë mangut edhe nga Kosova, kanë përjetuar në vitet e totalitarizmit dhe të sistemit komunist. Janë copëza historish individuale, dëshmi të rralla dhe të gjalla autentike, momente kyç, kryesisht të pamira, të hidhura dhe herë-herë edhe tragjike e përplot travaje, dëshmi këto, të dhëna dhe të thëna në vetën e parë, secila më kurioze se tjetra, që lexohen me një frymë.