Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Lufta nuk bëhet vetëm me pushkë
Kujtime të kohës
Lufta nuk bëhet vetëm me pushkë

Shkruan Resmije Qena Aliu

Si pensioniste që ndaj fatin e këtij realiteti të sotëm, shpesh më kaplojnë kujtimet, ashtu si përkëdheljet që zbusin melankolinë.

Dhe sa herë i afrohem dritares së dhomës, ku po i shkrij ditët, që më bëhen gjithnjë e më të shkurtra, më kujtohet një dritare tjetër, ajo e klasës, në shkollë ku jepja mësim vite të tëra dhe ku, sa herë që nuk doja të m’i shohin vocërraket sytë e përlotur, shikoja nga dritarja në oborrin e shkollës.

Unë punoja si mësuese, në shkollën fillore të ashtuquajturën "Vëllazërimi" në Obiliq. Obiliqi, besoj ka qenë çerdhe e nacionalizmit serb dhe drejtori i shkollës ishte serb, kuptohet. Por pas një kohe, nuk di se çfarë kishte ndodhur "atje lartë", zgjedhet drejtori shqiptarë, Tahir Aliu. Ishte kjo hera e parë në historinë e Obiliqit. Dhe ne filluam të ngjallemi, u rrit numri i mësimdhënësve, ngase ne kishim nga 32-36 nxënës në klasë, gjersa kolegët serb punonin me 15-16 nxënës në klasë. Kështu pra u rrit numri i klasave dhe mësimdhënësve shqiptarë, e meqë Obiliqi ishte afër Prishtinës, u inkuadruan edhe disa student në punë, ata studionin dhe punonin njëkohësisht.

Edhe tash, në këtë moshë të shtyrë, më kujtohen disa nga ata: Fadil Sylejmani, Isa Dema, Ramadan Blaka, Qeram Telqiu, Ibrahim Rugova etj. Përveç tyre, kolektivi u pasurua me punëtorë nga të gjitha trevat: Prizreni, Gjakova, Peja, Mitrovica, Dibra, Podujeva etj. Kështu, tash formohej çerdhja e të rinjëve në këtë shkollë, që jepnin një gjallëri e shpresë frymëzuese. Nuk kaloi shumë kohë dhe shpërthyen demonstratat e vitit 1968, në mëngjesin e ditës së ardhshme u mbush shkolla me "ekipin hetues", qëndruan aty gjatë, ngase ndërrimi i dytë fillonte nga ora 13. Unë që punoja në të dytin ndërrim, me të hyrë në shkollë, ndjeva një atmosferë të zymtë, asgjë nuk bëzante, isha mësuar me zërat e ëmbël të nxënësve, me atë gjallëri, sa të zhurmshme, po aq të dashur dhe më mungoi në atë çast. Hyra në sallën e arsimtarëve, me një humor të zakonshëm, pa menduar fare se ishim të "rrethuar". Kolegët që kishin arritur para meje, rrinin pa zë, i përshëndeta duke buzëqeshur dhe iu drejtova me ca vargje:
-"Po çka keni kështu që rrini, në një qoshe plot hidhërime..."
Shoqet më bënë me shenjë që të heshtja, u ula dhe ato më treguan për "vizitorët" që i kishim. Pas pak, na tubuan në një klasë, ku zakonisht i mbanim mbledhjet. Posa u vendosëm, njeri nga ata, filloi fjalimin me disa lajka:
-"Shpresojmë që në kolektivin tuaj, nuk gjenden pjesëmarrësit e demonstratave të djeshme, duhet ta dini që ata janë armiqtë e popullit, ata janë irredentistët, separatistët, janë të rrezikshëm për vendin tonë...", dhe fjalimi vazhdoi në këtë frymë disa minuta, derisa në një moment folësi ndërpreu "ligjërimin" dhe i ra tavolinës me sa fuqi që kishte i zemëruar : "Ne po flasim për çështje të ekzistencës së një populli e dikush merr guximin të shkarravis atje."
Ne të gjithë kthyem kokën, për të parë se kush ishte ai, që në këtë moment kaq serioz po shkarraviste ... Ishte Ibrahimi, që kishte ulur kokën mbi bankën me përplot fletore dhe i korrigjonte hartimet. E qoi kokën ngadalë, pa e prish terezinë dhe tha: - "Ma mirë unë t`a kryej punën time, se të dëgjoj përralla këtu", (shumica nga serbet e kuptonin shqipën), u mërdhezën, vloi klasa, u ngritën në këmbë si të dirigjuar për ta lëshuar mbledhjen. Ne rrinim të ulur. Eprori na kërcënoi me të dalur. Atë ditë patëm "pushim" dhe nxënësit i lëshuam të shkojnë në shtëpi.

Pas kësaj ngjarjeje, drejtori i shkollës një kohë të gjatë kishte probleme, ngase kërkonin largimin e arsimtarit Ibrahim Rugova nga shkolla me çdo kusht, ndërsa drejtori nuk lëshonte pe, duke thënë se mezi kishin gjetur arsimtar të frëngjishtes, se është afër fundi i vitit shkollor, se nxënësit do të humbin shumë, nëse e largojnë arsimtarin, meqë nuk gjendej askund edhe një arsimtar i frëngjishtes, kështu disi përfundoi ky kapitull, por provokimet nuk ndaleshin.

Atëherë, si refren i kohërave, kur historitë përsëriten, më kujtohej shumë shpesh një varg nga Gjergj Fishta, në "Lahutën e Malësisë", në atë kohë, kur pasi bie Vranina, janë fjalët e shqiptarit që ia thotë Mbretit:

"Se mue Shkodra më ka çue, për nji dert nji korb të zi
Që i ka ra s`mjerës Shqipni, qysh se i ka dreqnit kojshi..."

Dhe unë, që isha nga Mitrovica (as veriore, as jugore) por Mitrovica e bukur e asaj kohe, me dy lumenj si loti, që e rrethonin qytetin me freski, me parkun buzë Ibrit, ku dilnim, ne fëmijët me nënat tona, posaçërisht të dielave, kur ne loznim e ato pinin çaj, atëherë në lumturinë tonë fëmijërore nuk shihnim e nuk besonim në ndasi e fatkeqësi, as atëherë e as më vonë, kur si mësuese e vocërrakëve të padjallëzuar, nuk doja t’i besoja asaj parandjenje, se e keqja po na afrohet.

Në shkollën tonë, nuk ndërpriteshin provokimet nga kolegët serb, vazhdimisht shkruanin parulla si "Kosova Republikë" e na akuzonin ne dhe nxënësit tanë, gjersa mbledhjet disiplinore vazhdonin. Kisha një kolege nga Gjakova, që nuk dinte mirë gjuhën e tyre dhe kërkonte që unë të jem "përkthyesja" e saj , sa herë që donte të debatonte me ta. Ishte Dragani që ankohej për parullën "Kosova Republikë", dhe ajo i përgjigjej me çudi, se çdo pasdite, nxënësit në rresht, të tubuar largohen nga shkolla dhe nuk mbetet askush që t’i shkruaj ato parulla, që zbardhonin në mëngjes. Kjo nuk i bindte shumë, i pëshpërita koleges nga Gjakova që t’i thotë Draganit, se ai që po e shkruan parullën, nuk po e di gjuhën bash mirë, se Republikë po e shkruan pa (ë), ajo ia tha dhe të gjithë filluan të qeshin, tensioni u zvogëlua, përkohësisht...

Nga kujtimet e asaj kohe, i kthehem të sotmes dhe sërish shikoj nga dritarja. Po, janë kohëra të tjera, ndryshimet vërehen, por tek unë një gjë nuk ndryshon, edhe tash i drejtohem dritares, sa herë që nuk dua të m’i shohin sytë e përlotur.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

Revista TEUTA
Teuta Magazine

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version