Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Intervistë ekskluzive me tenorin Ramë Lahaj
Intervistë ekskluzive me tenorin Ramë Lahaj

 

Intervistoi Blinera Gashi
Foto Fadil Berisha


Ndër emrat e rinj, të yjeve të mëdhenj të operës, të cilët po arrijnë të shkëlqejnë dhe të triumfojnë me trimërinë vokale në teatrot më me renome botërore, pa dyshim renditet tenori i talentuar kosovar Ramë Lahaj, i cili, me interpretimin magjik dhe me mjeshtërinë artistike, po arrin të zgjojë kureshtjen dhe imagjinatën e çdo adhuruesi të artit. Ai, përmes fuqisë së zërit, mirësisë dhe fleksibilitetit, është shndërruar në tenor të guximshëm. Që i vogël këndoi në sofrat e shtruara dukagjinase, krah babait të tij, ndërsa rrugëtimin për ndërtimin e karrierës e nisi pas përfundimit të studimeve në Akademinë e Arteve të Tiranës dhe, nga atëherë, po arrin t’i ngjisë majat me karakteristika të pakonkurrueshme.

Edhe pse i lindur dhe i rritur në një shoqëri ku pak është dëgjuar për botën operistike, Ramë Lahaj, shtatlarti sharmant, përmes zërit të tij të fuqishëm, hapi dyert e suksesit dhe arriti të interpretojë në skenat më prestigjioze botërore, andaj sot, pothuajse dhjetë vjet nga performanca e tij e parë në Evropë, në gusht të vitit 2010, në vazhdimësi po i rendit sukseset në teatrot operistike. Nga ajo kohë ka punuar krah tenorëve më të famshëm botërorë në shtëpitë më prestigjioze operistike, andaj Madridi, Moska, Londra, Berlini ishin bazat e tij gjatë dekadës aktuale. Nga Budapesti mahnitës, i cili zë vend të rëndësishëm në jetën e tij, ku ndodhet për premierën e radhës, Rama rrëfen të pathënat e jetës së tij, rrugëtimin jo të lehtë, çastet dramatike dhe shumë ngjarje të padëgjuara ndonjëherë.
Aktualisht ndodheni në Budapestin hyjnor, vetëm një ditë përpara premierës. Si po ndiheni?
Jam shumë mirë, por këtë periudhë të vitit, ka shumë vjet që jam i zëne... Sot, në fakt, kisha një ditë të lirë, isha i liruar nga provat, por isha i zënë me punë që kanë të bëjnë me planifikime profesionale. Ndërkaq, sa i përket premierës, në Operën shtetërore të Budapestit, mbahet shfaqja teatrale La Boheme. Roli im në këtë shfaqje është ai i Rodolfo’s, i cili njëkohësisht është edhe roli kryesor. Në fakt, Budapesti është i veçantë për mua, ngase në vitin 2011, punët kryesore i kisha të lidhura me këtë qytet. Unë kam filluar karrierën me rolin e Alfredo Germont në La Traviata në 50-vjetorin e Festivalit të Eutinit në Gjermani në vitin 2010, por, pas këtij interpretimi, në atë kohë, isha i angazhuar me produksione shumë të rëndësishme këtu në Budapest. Prandaj, kjo është edhe arsyeja pse jam kthyer sërish këtu.

Në fakt, që nga viti 2010, karriera juaj është zhvilluar jashtëzakonisht, ngase ju keni arritur të interpretoni në teatro me renome, në shtete të ndryshme evropiane dhe botërore. Nëse do të bënim një rezyme të ngjarjeve, a mund të na i thoni sukseset më të mëdha dhe performancat me të cilat krenoheni pafundësisht?
Vitet e fundit ka shumë performanca të paharruara, sepse ka qenë një lloj vazhdimësie, do të thotë çdo vit ka pasur ngjarje me rëndësi. Por, gjithsesi, do ta veçoja vitin 2013, i cili për mua ishte një vit tejet me peshë, për faktin se kam pasur një prej kontratave më të rëndësishme profesionale, të lidhur në atë periudhë me Operën e Dresdenit, e cila njëkohësisht është një prej operave më të rëndësishme në Gjermani. Më pas, në vitin 2014, kam performuar në Royal Albert House në Londër, një ngjarje tejet e rëndësishme, po ashtu. Kështu, vit pas viti vijonin paraqitjet e mia në teatrot e Hamburgut, të Palermos, pastaj, në vitin 2016, në Meksiko në ‘Operalia’, një nga festivalet më të vlerësuara në botën e operës, si të them, një lloj Oskari i dytë i filmit. Prandaj, jam i lumtur që deri më tani interpretimet e mia nuk kanë të ndalur.
Në cilën gjuhë interpretoni?
Operat kryesisht interpretohen në gjuhën italiane dhe gjuhën frënge. Po ashtu, La Boheme është në gjuhën italiane.
Flisni italisht?
Unë flas anglisht, ndërsa italisht flas pak.
Si arritët të depërtonit në skenën ndërkombëtare operistike, kush e zbuloi talentin tuaj?
Kam përfunduar shkollën e mesme teknike në Istog dhe më pas kam studiuar në Tiranë, në Akademinë e Arteve të Bukura, gjatë viteve 2004/2008. Në vitin 2009/2010 kam qenë i punësuar në RTV21. Në atë periudhë, pas interpretimit në një koncert të Tiranës, sopranoja Ermonela Jaho, tenori i shquar Saimir Pirgu dhe miku im Fadil Berisha, ishin treshja e cila kanë insistuar dhe më kanë bindur që unë të filloj audicionet nëpër botë, ngase, thoshin se një vokal si imi patjetër duhej të dëgjohej në Evropë.
Për çfarë e mbani mend performancën tuaj të parë jashtë Kosovës?
I jam shumë mirënjohës skenës gjermane, edhe pse shijet e mia personale janë shumë ndryshe nga shija artistike gjermane. Do të thosha se jemi shumë të kundërt nga ajo çka kultivohet atje. Porse, në skenën gjermane kam ndërtuar pothuajse 80% të repertorit dhe gjithë eksperiencën e parë e kam bërë në Gjermani. Gjermania ka qenë vendi i cili vërtet m’i ka dhënë mundësitë për të punuar.

Jeni i tensionuar përpara se të shfaqeni në skenë?
I kam bërë disa vjet përvojë pune, prandaj konsideroj se eksperienca i largon emocionet në natyrën dhe karakterin e njeriut. Kur çdo gjë shkon mirë dhe funksionon shumë mirë, nuk ka arsye për tension. Në fakt, një teatër ku përherë ke ëndërruar të performosh e ka atë veçantinë dhe kënaqësinë e tij. Përveç ndonjë sikleti kur nuk jam mirë me shëndet, dhe kjo ndodh shpesh, kjo mund të më shqetësojë. Për shembull, para se të vija në Budapest, isha në një ishull ku temperatura ishte 35 gradë, ndërsa këtu është -4 gradë, ky ndryshim mund të ndikojë në vokalin tim. Prandaj, natyrisht, ndodh të shqetësohem nëse nuk jam mirë me shëndet, përndryshe çdo gjë është në
rregull.
Meqenëse interpretoni në shtete të ndryshme, a e përmendni përherë faktin se jeni shqiptar nga Kosova?
Mburrem me prejardhjen time dhe fatin që kam pasur të zhvillohem në botën e operistike. Në fakt, ky është një profesion i klasës së lartë, i cili kërkon investim që nga fëmijëria, ndërsa unë kam filluar vonë dhe kam pasur shumë sukses. Kështu që kjo më bën akoma më krenar për faktin prej nga vij dhe ku kam arritur, ky edhe është rrëfimi im. Unë jam Ramë Lahaj, i lindur në Istog të Kosovës. Nuk është që e cek për ndonjë lloj të patriotizmit, as për t’u imponuar, por unë jam ky. Dhe kjo tregon se ju nuk duhet të jeni nga Berlini ose ndonjë metropol tjetër për të qenë i suksesshëm në fushën tuaj. Dua, gjithashtu, t’ju tregoj një ngjarje, e cila më ka ndodhur në një nga koncertet e mia në Firence, një koincidencë shumë e lezetshme, ku, pas koncertit ishim duke u përshëndetur me disa kolegë, pjesëmarrës të operës dhe ishte Toni Blair ai i cili po vinte në drejtimin timin dhe mua në sekondë, nuk m’u kujtua nëse ishte dikush nga kolegët me të cilin kisha punuar apo dikush nga organizatorët, ngase në 9 vjetët e fundit kam takuar shumë njerëz. Ai m`u afrua dhe tha - jam Tony Blair, ish-kryeministër i Britanisë së Madhe dhe jam shumë i lumtur që po e shoh një fëmijë të asaj periudhe të vështirë kosovare, i cili ka arritur në këtë lloj fushe!
Me gjithë marrëdhëniet jo të mira politike mes Kosovës dhe Rusisë, si ju kanë pritur në Teatrin Bolshoi në Moskë?
Në shumicën e rasteve nuk u bie ndër mend ku është Kosova. Unë, nga viti 2016, këndoj çdo vit në Bolshoi, sepse është një nga teatrot më të mëdha në botë dhe është i një rëndësie të madhe, dhe deri më tani nuk ka pasur asnjë lloj reagimi negativ. Një koincidencë më ka ndodhur me një nga pjesëmarrësit e korit, i cili ishte aty, dhe më pyeti nga cilit vend je, i thash se jam nga Kosova, po, po, por, nga cili qytet, më pyeti sërish, i thashë nga Istogu, unë kam qenë në Malishevë, më tha, me KFOR-in rus.
Natyra profesionale e artistit, ndodh t’i detyrojë këngëtarët të performojnë në momentet kur ata kanë përjetuar gjëra jo lehtë të kapërcyeshme në jetën e tyre. Ju, a keni pasur ndonjë rast kur e kishit të vështirë të këndonit, për shkak të përjetimeve personale?
Jeta të ballafaqon me momente të papritura. Në vitin 2017 në një periudhë kur isha i angazhuar në dy projekte të rëndësishme, e para, duhej të këndoja krah tenorit me famë botërore Plaçido Domingo në Meksikë dhe më pas në Teatrin Bolshoi të Moskës, që ishte një ngjarje me shumë rëndësi për mua - humba babanë tim. Isha tejet i lënduar për të vazhduar tutje, prandaj ideja ishte që t’i anuloja koncertet. Në Meksikë, duhej të interpretoja në ditën e pestë të vdekjes së babait, ishte shumë shpejt. Në fakt, ishte Domingo ai i cili më shtyu, për të mos u ndalur dhe më bindi të udhëtoja me të, edhe nëse nuk isha në gjendje për të kënduar, ishte OK, por, nëse do të qëndroja në shtëpi, kjo nuk do të më ndihmonte asgjë. Sinqerisht, ka qenë shumë e vështirë, një emocion i përzier, kur unë jam shfaqur në skenën operistike meksikane. Për mua ka qenë një përvojë jetësore në praktikë, e cila më ka bindur për të vazhduar tutje, ngase nuk duhet vetëm të flasim, por barrierat në jetë duhet të kapërcehen.

Cilat janë mbresat tuaja më të mëdha nga fëmijëria juaj, nga shkollimi në vendlindje?
Nuk kam qenë prej nxënësve të shkëlqyer, nuk e di a kam qenë edhe mesatar apo ndoshta nën mesatar. Ajo çka unë e them shpesh në intervista të huaja, është se fëmijëria ime, për fatin e keq timin dhe të shumë brezave në Kosovë, është ajo fëmijëria e improvizuar, e jetuar në periudhë të regjimit serb, në kohë të luftës, e shumë gjërave kur ne shkonim në shkollat-shtëpi. Në fakt, këto përjetime mua më kanë ndihmuar dhe më kanë forcuar në gjithë rrugëtimin tim, i cili nuk ka qenë i lehtë për shumë arsye, më kanë frymëzuar gjithmonë në jetë. Është e lehtë të lindësh në Paris dhe të bëhesh piktor, mendoj se nuk është ndonjë punë e madhe, ngase je i rrethuar me artistë. Ndërkaq, në vendin ku kam lindur unë, jeta ka qenë e improvizuar në çdo lloj aspekti, prandaj ky ka qenë motivi im.
Ju jeni fëmija më i vogël i një familjeje relativisht të madhe kosovare. Nga kush e keni trashëguar zërin dhe a jeni i vetmi fëmijë në familje i cili këndon?
Ne ishim tetë fëmijë, porse një motër imja ka vdekur e vogël, ndërkaq shtatë të tjerë jetojmë. Besoj se zërin e kam trashëguar nga babai im, i cili ka kënduar shumë bukur. Në sofër me babën kemi kënduar shumë këngë të vjetra qytetare. Axhallarët, kushërinjtë e mi janë nga Rugova dhe çdonjëri nga ta di të luajë në instrumente. Kështu, gjatë mbledhive familjare, dikush luante lahutë, tjetri çifteli... Në atë kohë unë isha i vogël, por mendoj se aty ishin fillimet e mia, aty do të thosha se e kam kuptuar se mund të këndoj. Po ashtu, kur isha në ngjarjen TED Prishtina, bashkë me një mik timin, Adhurimin, e kemi kënduar këngën ‘Vijnë pampurat’, një këngë shumë e vjetër, të cilën e kemi kënduar me babën dhe me axhallarët gjithashtu.
Kudo ku paraqiteni shkëlqeni me interpretimin brilant, duartrokiteni pafundësisht nga publiku dhe përherë kritika ju vlerëson në superlativ. Megjithatë, a keni ndonjë peng në jetë ose diçka që ju frikëson?
Shpesh, kur flas me kolegë, dhe u them se shpejt mund të ndodh të distancohem prej muzikës, ata më pyesin se - si do të jetosh pa muzikën!? Unë jam nga ata njerëz që e kam jetuar luftën. Kemi përjetuar sekondën mes jetës dhe vdekjes, prandaj mendoj se eksperienca ime jetësore m’i ka shoshitur shumë gjëra dhe nuk kam arsye të kem frikë nga jeta, e cila është një destinim, të cilin do ta ndjekim. Nuk mund t’i ikim as t’i shmangim gjërat, gradualisht çdo gjë do të bjerë në vendin e vet. Nuk kam asnjë brengë, as frikë, as ndonjë super ëndërr përrallore, që pres të ndodhë. Po e jetoj jetën ashtu siç më vjen. Natyrisht, unë i kam qëllimet e mia, të cilat nuk i takojnë vetëm fushës së artit, por janë synime të përgjithshme.
Jeni përherë i angazhuar, udhëtoni shumë, megjithatë, kur nuk keni angazhime profesionale, si i kaloni ditët tuaja, me çka merreni?
Aktualisht jam duke gatuar pure. Ndërkaq, përveç darkës, siç ju tregova në fillim të bisedës, sot, jam marrë me planifikimin e kalendarit për dy vjetët e ardhshëm, ngase duhet renditur projektet për të cilat duhet të vendos. Zaten, më pëlqen të gatuaj, ngase është një lloj antistresi dhe eksperimentoj shumë me atë çka bëj. Këto ditë e kisha një mik këtu në Budapest, për vizitë 3-4-ditore dhe kam eksperimentuar disa gjëra të ndryshme. Ndërkaq, ushqimi im i preferuar janë frutat e detit dhe ushqimi vegjetarian. Ndërsa në vendlindje të preferuarit e mi janë specat e kuq me mazë.
Do të thotë se jeni një djalë i cili zgjidhni ushqimin?
Unë kam peshuar 120 kg. Lufta ime më e madhe ka qenë të largohem nga ëmbëlsirat. Në fakt, ato janë pika ime e dobët, madje gjatë gjithë kohës jam në luftë me to.

Realisht ku jetoni ju, ku e keni shtëpinë tuaj (jashtë Kosovës)?
Jetoj në Gjermani, aty ku gjithashtu jetojnë edhe dy vëllezërit dhe motra ime. Zyrtarisht jetoj në qytetin e Dyseldorfit, që nga viti 2011.
Me gjithë këtë jetë dinamike që keni, a keni kohë për jetën private?
Është pak problematike, sepse kur udhëton dymbëdhjetë muaj të vitit, është problem, por gjithsesi unë besoj në thënien famoze të plakave, kur është fat, del edhe koha, por, ja që nuk paska qenë fat deri më tani. Unë jam një djalë singëll dhe çdo gjë është në rregull.
Mendoni se ka raste kur disa njerëz udhëhiqen nga interesi dhe dashurohen pas emrit dhe jo pas personit?
Mendoj se jam një djalë i pjekur dhe më mjafton të rri me dikë 20 minuta për ta kuptuar. Nuk mendoj se dikush mund të arrijë ta gënjej dikë. Në qoftë se njerëzit kanë një lloj qëllimi, synojnë të arrijnë diçka që nuk funksionon, thjesht kjo është humbje kohe. Në botëkuptimin tim secili e jeton jetën e vet dhe nëse njerëzit kanë kohë të humbin kot, kjo le të mbetet në ndërgjegjen e tyre.
Ku synoni të arrini?
Një numër të madh të teatrove që një artist i ka ëndërr të performojë, unë pothuajse i kam kaluar. Por, mbetet La Scala e Milanos, për t’u provuar. Është dëshirë imja për ta kompletuar CV-në time me këtë teatro.
Nëse i besojmë thënies se njeriu ndihet më së miri në shtëpi të vet, atëherë kur keni planifikuar të vini sërish, për të kënduar në Prishtinë?
Ka mundësi që koncerti i Prishtinës të bëhet tradicional, prandaj besoj që gjatë stinës së verës do të jem atje.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

Lexuar 27379 herë.
#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
276

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version