Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Familja
Familja

Re e vjehërr konflikt i vjetër

E di çka ka të re? - më pyeti në telefon Arta, mikesha ime në natën e zgjedhjeve. Duke menduar se ajo kishte ndonjë informacion për rezultatin e zgjedhjeve të partisë për të cilën kishim votuar të dyja, u çudita kur m’u kthye e më tha duke qeshur: nuk do ta besosh se çfarë oferte kam hedhur poshtë sot. Ta dinte ajo partia jonë se çfarë sakrifice m’u desh të bëja sot për hatër të saj dhe bindjeve të mia, do të më kishte bërë një kundërofertë të denjë.

Albana Beqiri

Qe nja 10 ditë Agroni (bashkëshorti i Artës, i cili është simpatizant dhe votues i një partie kundërshtare), u përpoq të ma ndërronte mendjen për votën, por sot, kur e pa që ishte e kotë çdo lutje apo kërkesë e tij, në dëshpërim e sipër më ofroi dhuratën e ëndrrave. Ndahej edhe nga nana, veç të më shihte mua t`ia votoja të vetët... Më pastë në qafë partia, se mbeta tërë jetën me vjehrri, oj shoqe... Arta ia këputi një të qeshure dhe kështu i dha fund bisedës për ofertën tunduese të bashkëshortit, e cila edhe do të mund t’ia plotësonte atë dëshirën e saj të fshehur për pak privatësi...
“Ma hëngri shpirtin, po ma shkurton jetën... Nuk duroj dot më, nuk e duroj dot më...”. Po të mos ishte kjo fjali kaq dëshpëruese, as që do tundohesha të lija celularin prej nga që prej një ore po lundroja në internet, për të dëgjuar bisedën e dy vajzave të reja, të cilat dukeshin se ishin sa gjysma e moshës sime. Të ulura në tavolinën përbri meje, në një nga kafenetë e Prishtinës, ato ishin zhytur në bisedën e tyre mes shoqesh, për çka do të mendoja se ishte thjesht një bisedë mes studentesh, bisedë e tipit “më la, e lashë” etj., etj., çka edhe janë shqetësimet e asaj moshe. Por, vajzat duket se nuk kishin halle të tilla studentore. Përqendrimi (të kuptohemi, jo përgjimi) pak më i shtuar në bisedën e tyre dhe kuptova që ajo që fillimisht e kisha marrë për studente ishte nënë e një fëmije të vogël dhe objekt i bisedës ishte vjehrra e saj, njeriu që ia kishte ngrënë dhe po ia hante shpirtin... (O Zot, sa kanibalë jemi ne shqiptarët, i thashë vetes, ndërsa kujtova se si një nga shprehjet tipike me të cilat shfaqim dashurinë është “ta hëngsha zemrën”...). Vajza, e cila nga biseda doli të ishte nuse dhe nënë e re, nuk i ndalte që nuk i ndalte ankesat për vjehrrën, e cila në përfytyrimin tim filloi të merrte trajtat e përbindëshit. Përfytyrova një gojë të stërmadhe, që hapej për të përpirë brenda rropullive të veta nusen e re e të pafajshme. Së paku kështu e prezantonte ajo veten: të pafajshme, përkundrejt vjehrrës gogol, që po ia hante shpirtin.

Nusja e pamarifet
“S’ka ma keq se insani i keq, që të hyn në shtëpi tanden e ta prish rodin, oj gru. Ta prish rendin e gjithçka, ta merr djalin e t’i përzë çikat... Ma keq s’ka... Zot, baje mirë...”, e ndërsa shihte miratimin që ia bënte me kokë shoqja e saj, me të cilën kishin dalë të shëtisnin në parkun e qytetit, gruaja që ecte para meje, nisi të tregonte bëmat e resë, e cila në përfytyrimin tim filloi të merrte trajtat e një kuçedre. Ishte dembele e madhe, madje as fëmijët e vet nuk i pastronte e nuk i ushqente, gjithë ditën e kalonte në telefon me nanën e motrat apo në Facebook, e paedukuar deri në atë pikë që as “mirëmëngjesi” nuk u thoshte vjehrrive, e parespektueshme, agresive dhe e pamarifet, intrigante dhe shtijajkë... Po çka me i ba djalit, atij ia ka marrë mendtë e s’sheh e s’dëgjon kurrgjë tjetër, veç saj”, me këtë ankesë klasike e përmbylli ciklin e pakënaqësive për nusen e pamarifet të djalit të vetëm, gruaja e panjohur me të cilën fati na përpoqi gjatë një shëtitjeje në park.
Të tri tregimet e mësipërme, kanë një emërues të përbashkët: nuset dhe vjehrrat, si dhe konfliktin e përjetshëm mes tyre. Është një konflikt i vjetër, sa vetë njerëzimi dhe jo vetëm shqiptar. Një konflikt i përbotshëm, që në vende të ndryshme merr ngjyrime të ndryshme, varësisht nga niveli i emancipimit të shoqërisë, mentaliteti i saj etj. Te ne, tregimet e tilla janë të zakonshme. Nga njëra anë, nuse që nuk e duan bashkëjetesën me vjehrrat, nga ana tjetër vjehrra që janë të pakënaqura me nuset e djemve, të dyja palët të pakënaqura me njëra-tjetrën, nuse që sillen keq me vjehrrat, por edhe vjehrra që sillen po aq keq me nuset.

Nuse e vjehrra që nuk e kuptojnë njëra-tjetrën
Të parat nuk e kuptojnë frikën e vjehrrave që po humbasin djemtë dhe dashurinë e tyre dhe të dytat nuk e kuptojnë dëshirën dhe nevojën e nuseve që të bëjnë jetën e tyre pa u ndërhyrë apo pa u kontrolluar nga askush, aq më pak nga nëna e burrit. Ka konflikte deri edhe tek ato të ashprat, por ka edhe mirëkuptim e harmoni mes të dyja palëve. Histori mirëkuptimi dhe harmonie është, p.sh., historia e Artës, mikes sime shpirtmirë e altruiste, që është në gjendje të të falë edhe shpirtin, vetëm që të të bëjë të ndihesh mirë. Arta është një nga gratë më të mrekullueshme që njoh. Edhe si mike është e tillë. Kur e lavdërojnë në sy, thotë s’ka si të jetë ndryshe, pasi jeton në shtëpi të madhe, ku njerëzit hyjnë e dalin dhe s’ka asnjë minutë qetësi. Që 15 vjet, prej kur është martuar, jeton me vjehrrit, tri kunata të pamartuara dhe pothuaj përditë në shtëpi i defilojnë edhe tri kunata të tjera, të martuara, bashkë me një kallaballëk fëmijësh, shto këtu dhe tre fëmijët e saj dhe shtëpia e Artës ngjan në secilën ditë me një kantier ndërtimi plot zhurmë. Por Arta nuk e prish kurrë zemrën, çohet herët në mëngjes, bën gati mëngjesin për vjehrrit, ua përgatit edhe çajin, bën gati fëmijët për në shkollë dhe pastaj niset për në punë, ku pozicioni i saj është drejtues. Por, kur kthehet nga puna, përvesh mëngët dhe kthehet në nuse shtëpie. Gati kurrë nuk ankohet, në ndonjë rast të rrallë, kur ndoshta, si i thonë një fjale shpirti i vjen në majë të hundës, si e zënë në faj, thotë se e ëndërron një ditë të tërën për vete, pa vjehrri, kunata, që i sillen nëpër shtëpi dhe zhurma e shtyrje fëmijësh. Por, sikur të ketë bërë sakrilegjin më të madh, shpejt nxiton që ashtu buzagaz të shtojë se prindërit e Agronit, janë njerëz shumë të mirë. Ia lehtësojnë bashkëjetesën. Tek e shoh ashtu në ngarendje të përhershme t’i zërë të gjitha, t’i kryejë të gjitha punët dhe detyrimet si dhe t’ua bëjë qefin të gjithëve e vetes më së paku, e di se sa nevojë ka për privatësinë e saj që e ka humbur qe 15 vjet. Por ajo e ka ndarë mendjen se privatësia e saj nuk është një mundësi reale, jo për atë se financiarisht nuk e përballojnë dot, por se Agroni, vëllai i vetëm i gjashtë motrave, as që e merr me mend se mund të jetojë ndaras nga prindërit, aq më pak nga nëna. Ai po ashtu nuk mund të lërë të vetme tri motrat e pamartuara, të cilat, për hir të së vërtetës, janë të zonjat e vetes dhe e kanë kaluar me kohë moshën kur kanë nevojë për përkujdesje.

Bashkëjetesa: llafi i mirë zbut dhe gurin
Historia e Artës është një histori e zakonshme dhe si Arta ka me mijëra nuse shqiptare, të cilat, me apo pa dashjen e tyre (pothuaj gjithmonë pa dashjen e tyre), jetojnë me familjen e burrit dhe përjetojnë të gjitha të mirat dhe problemet që në përditshmëri sjell me vete bashkëjetesa. Por Arta e ka gjetur formulën e harmonisë. Ajo është pajtuar me faktin se ndarja me familjen e të shoqit asnjëherë nuk do të jetë temë dite, madje edhe kur si me shaka i shoqi ia afroi si dhuratë në shkëmbim të ndryshimit të bindjes dhe votës, Arta, si njeri me principe, e hodhi poshtë. E trajton vjehrrën si nënën e saj, ia merr punët nga dora, ndihet mirënjohëse që ajo e ndihmon me fëmijët, nuk e prish shpirtin me kunatat - kujdeset për tri të pamartuarat dhe i pret mirë ato të martuarat dhe kur dikush i thotë: nuk u lodhe nga gjithë ajo gjullurdi?
- Arta tund kokën gëzueshëm dhe thotë se është e lumtur që fëmijët e saj rriten në familje të madhe. Dhe, si për t’ia mbushur mendjen më shumë vetes se të tjerëve, shton se fëmijët që rriten nga gjyshërit janë më të lumturit... E njoh edhe vjehrrën e Artës: nuk është nga ato gratë bash të urta, por e do me shpirt nusen e djalit të vetëm dhe është mirënjohëse që ajo ia mban të bashkuar familjen. E kanë gjetur një emërues të përbashkët dhe bashkëjetesa, me gjithë vështirësitë e kuptueshme, është e mundur. Arta i kryen të gjitha punët dhe detyrimet duke buzëqeshur dhe kur e shoh ashtu në këmbë e të paepur, shpesh e pyes veten se si ia del të jetë gruaja, nëna, reja, kunata, vajza, motra, shoqja dhe shefja e përsosur?!... Me maturi, mençuri e durim, i them vetes, ndërsa mendoj se Arta duket si e prerë për të qenë modeli nga ku këngëtarja popullore Artiola Toska është frymëzuar për të kënduar: Mirë me vjehrrën, mirë me burrin/ llafi i mirë moj zbut dhe gurin/ merri punët urtë e butë/ tërhiqe penin mos e këput... Ndërkaq në mendje më enden edhe motive nga dy këngë aq popullore për veshët e mi: ‘e para më është nana e dyta më je ti... si dhe ... kallma cigaren, paja çka t’kallxoj / me ma idhnu nanën, guhën ta shkurtoj..., këngë të cilat janë pjesë e repertorit të dasmave tona dhe nuk çuditem aspak për rivalitetin mes dy grave të jetës së burrave shqiptarë. Për mua është e kuptueshme që nana të jetë e para, por pak si i pashpjegueshëm ai “kërcënimi” për shkurtim gjuhe, aq më tepër në ditën më të lumtur të jetës së një femre, në ditën e dasmës së saj... Gjithsesi, mendoj se më mirë është të mbahet mirë me vjehrrën / mirë me burrin..., ashtu si na mëson Artiola...

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
277

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version