Ti je ketu: Ballina > Aktuale > Gjerdan margaritarësh
Portret krijueseje: Vlora Nikçi
Gjerdan margaritarësh
Nëse takimet në jetë janë të përcaktuara nga fati, atëherë fati deshi që Vlorën ta takoja në marsin e vitit 2005. Personi që kishte për të na prezantuar me njëra-tjetrën, nuk ishte më në mesin tonë, por Vlora më gjeti dhe m’u afrua me fjalët: “Unë jam aktorja që kam luajtur me Melin (Ajeti) në filmin e saj të fundit. Ajo më ka folur shumë për Ju e nipat e saj, kështu që më duket sikur po njihemi shumë kohë më parë...”

Antigona Qena Kaçaniku 

 

M’u bë menjëherë e afërt e zemrës, arsyeja ishte pse muajt e fundit të jetës Meli i kishte kaluar me të, apo ngase rrezatonte me një sharm zaptues, nuk e di, porse në praninë e saj e ndieja atë afërsi të shpirtit binjak.
Nga ajo kohë do të palosen vitet dhe Vlora do të shkojë në studime në Amerikë “Atlantic Actin Scool”, pastaj do të kthehet në vendlindje, për ta vazhduar pasionin e saj të aktrimit, do të luajë në shfaqjet e bukura, do të vlerësohet e do të marrë çmime, do të martohet me dashurinë e jetës, duke e kurorëzuar këtë dashuri me lindjen e djalit, do të bëhet nënë e devotshme, do të fillojë biznesin e saj përrallor “N`Mal”, atë të Rugovës, ku e kaluara frymon në harmoni me të sotmen, bashkëthemeluese e portalit “Pikpress” dhe kështu vazhdimisht do t’u qaset projekteve të reja, qoftë përmes aktrimit, qoftë si aktiviste e të drejtave të gruas në Kosovë.
E di se e njihni edhe ju Vlora Nikçin, por desha të shkruaja pak fjalë, për ta lavdëruar edhe unë atë ide të saj, aq frymëzuese e domethënëse, që nga lashtësia t’i hulumtojë, t’i gjejë, t’i grumbullojë e t’i faqosë në një libër, për t`ia sjellë së sotmes, që të mos i gllabërojë harresa, margaritarët e këndimit popullor, lirikën e dashurisë, atij zjarri e pasioni të shprehur e të kënduar sinqerisht, me ndenja më intime të epshit, të kënduar brez pas brezi, duke u rrënjosur në kujtesën e gjeneratave të harruara. Vlora guximshëm i quan këto këngë të lindura nga sinqeriteti i njeriut, erotike e artistike, çfarë edhe janë. Në disa sosh gjen ngjashmëri me sonetet e Shekspirit dhe pajtohem me mendimin e gazetares e feministes Ellen Willis - “Nëse arti sensual nuk zgjon te shikuesi asnjë gjurmë ndjesie erotike, qoftë edhe një hije të ëmbël, është art i keq dhe moral i rremë”.

E po, kjo ndjesi e çiltër ëmbëlsie, ju kaplon përderisa shfletoni librin, filloni të ndieni jehonën e këngëve kreshnike, që kumbojnë në bjeshkët e Rugovës, ju shfaqet një idil piktoresk, dielli e qielli i kaltër, livadhet me bar, lulet, kaçubat, pëshpëritjet e gjetheve të drurëve, ajri i freskët dhe qengjat e bardhë me çobanët e çobaneshat, ndien zërat magjepsës që shprehin pasion e dashuri, dhe mu aty, në atë natyrë mahnitëse, njeriu, më shumë se kudo dhe kurdo, bëhet pjesë e së natyrshmes, e ndjenjave dhe epsheve, nga të cilat të brumosur jemi.
Vlora librin ia kushton gjyshes së saj, Hake, dhe shpjegon:
“Duke u nisur nga ajo që kam pasur gjyshe, gjyshër të cilët kanë kënduar shumë për dashurinë dhe erotikën dhe këngët e tyre më i kam ende në kujtesë dhe se thelbi i vlerës te një popull duhet të tregohet prej nga vijmë si njerëz, prej nga vjen erotika jonë dhe trashëgimia jonë, sa e fuqishme është! Prandaj, besova në këtë sfidë, duke e ndier thelbin e natyrës së popullit tonë, ngase trashëgimia ta jep atë mishërim me të parët”.
Si mbledhëse e folklorit shqiptar shton:
“Mendoj se njohja e vetvetes, duke përfshirë këtu njohjen e kulturës dhe të prejardhjes sate, është çelësi për të ditur se kush je dhe nga po shkon. Erotika jonë shpesh krahasohet me atë franceze, aq është e thellë dhe e bukur, në mos edhe e tejkalon. Prandaj, le ta njohim vetveten, sa të mirë jemi”.
Vërtet, e kaluara e jonë është e pasur dhe meriton të zbulohen pasuritë krijuese të asaj trashëgimie të harruar. Ndër vite melosi i folklorit burimor ishte frymëzim i pashtershëm i kompozitorëve tanë, e tash... disi u harruan.

Vlora: “Suksesin më të madh e lidh nëse kam bërë diçka për shoqërinë ku jetoj. Gjithmonë, kur kam krijuar një rol, kam dashur të di a do të ndihmoj në ndonjë ndryshim për të mirë, një plotësim të dëshirës ose lehtësim të ndonjë dhimbjeje për dikë”.
Ky libër i bukur, si në përmbajtje ashtu edhe në dukje, ilustruar me pikturat e Artan Hajrullahut, që ka një stil unik, i dhurohet lexuesit kureshtar, për të shijuar atë pasuri ndjenjash të sinqerta e çiltërisht të shprehura.
E vendosa librin në sirtar, si një puhizë e lehtë më ledhatoi mendimi se sa magjishëm mund të shkrihen e kaluara, e sotmja dhe e nesërmja, në një të vetmin çast.

 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
279

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version