Ti je ketu: Ballina > Aktuale > A është banesa e juaj vërtet e pastër?
Shëndeti
A është banesa e juaj vërtet e pastër?
A e dini se cilat janë burimet potenciale të infektimeve shtëpiake? E vërteta mund t`ju befasojë, prandaj mësoni si të mbroheni nga rreziku.

Amvisa e mirë ka të drejtë të kujtojë se shtëpia e saj është e pastër dhe e rregullt, veçse sado që të pastrohet me themel dhe shpesh, rreziqet nga infektimet kanosen edhe atje ku më së paku pritni. Secila shtëpi është vendbanim natyror i parazitëve mikroskopikë, kështu që nganjëherë është shumë me rëndësi si pastrohet shtëpia dhe jo a pastrohet shpesh. Në çdo centimetër katror të hapësirës ka rreth 200.000 mikrobe, por nuk janë që të gjitha të rrezikshme për njerëzit. Vetëm një përqindje e vogël mund të shkaktojë sëmundjet, ndërsa nikoqirë të tyre më së shpeshti jemi ne, kafshët shtëpiake dhe ushqimi. Kur ta pastrojmë shtëpinë, shpesh dhe më së shumti ndalemi në vende të gabuara, prandaj duhet mësuar ku dhe si duhet të pastrojmë. Nuk duhet harruar rregulla kryesore e higjienës dhe e shëndetit: DUART duhet pastruar sa më shpesh dhe me themel, në mënyrë që të shmangen infektimet e zorrëve, nga të cilat vuajnë një nga pesë njerëzit çdo vit.

Banja: Lavamani dhe guaca e nevojtores 
RREZIK I ULËT! Shumë studime kanë treguar se në dërrasën e guacës ka më pak mikrobe se në vende të tjera përreth. Rreziku më i madh nga infektimet vjen nëse dikush nga anëtarët e shtëpisë ka barkqitje ose vjellje. Gjithherë pas përdorimit të guacës së WC-së, duhet pastruar dhe tharë mirë duart. Mos harroni ta pastroni rregullisht dorëzën për lëshimin e ujit.Duhet kontrolluar ventilimi, sepse ventilimi i dobët mundëson krijimin e mykut dhe të pluhurit. Lavamani duhet pastruar me sfungjer të veçantë, ndërsa guaca me tjetër.

Vaska dhe kabina e dushit 
RREZIK I ULËT! Nëse dushi nuk është përdorur një kohë, ndodh, ndonëse rrallë, që në kokën e tij të shpërthejnë legionelet, baktere të cilat e shkaktojnë sëmundjen legionare, një formë e ndezjes së mushkërive. Nëse dushi nuk është përdorur për një kohë të gjatë, atëherë hapeni ujin dhe lëreni që me vrushkuj të fuqishëm të rrjedhë për një kohë, në mënyrë që mikrobet të pastrohen. Pastaj mund të bëni dush.

KUZHINA: Frigoriferi
RREZIK I MESËM! Nëse ushqimet e ziera dhe ato të njoma mbështillen pa kujdes dhe vendosen pranë njëra-tjetrës, ekziston mundësia e kontaminimit të ndërsjellë. Temperatura në frigorifer duhet të jetë nën 5 shkallë C. Ushqimi duhet të qëndrojë veç e veç, ndërsa mishi vendoset në fund.

Peshqirët, leckat dhe sfungjerët
RREZIK I MADH! Pëlhurat e lagështa i mbledhin dhe i përhapin bakteret! Duhet përdorur lecka të ndryshme, sfungjerë dhe peshqirë veç e veç, për punë të ndryshme.

Rubineti, lavapjata
RREZIK I MESËM! Nëse mishin e freskët e përgatitni për zierje në lavapjatë, e pastaj i pastroni duart, do t`i lini bakteret në rubinet. Herën tjetër, kur ta lëshoni ujin, ato baktere do t`i bartni në duar. Rubineti duhet hapur para se të punoni me mish të freskët. Nga sipërfaqja e lavapjatës duhet
pastruar yndyra me anë të sapunit dhe të ujit të nxehtë, pastaj duhet
dezinfektuar dhe tharë me letër.

Dërrasa për prerje 
RREZIK I MADH! Nëse e shfrytëzoni të njëjtën dërrasë për prerjen e perimeve dhe për prerjen e mishit, ekziston rrezik i madh nga kontaminimi i ndërsjellë. Për çdo sasi ushqimesh duhet përdorur dërrasa e veçantë. Pas çdo përdorimi, dërrasa duhet pastruar, dezinfektuar dhe tharë.

SHKAKTARËT E SËMUNDJEVE
Bakteret dhe viruset në kushte ideale, siç janë lagështira, nxehtësia dhe ushqimi, shumëzohen shumë shpejt! Prej një bakteri, për 8 orë mund të krijohen 4 milionë të tjerë! Prandaj, është shumë e rëndësishme që ushqimi i zier të ftohet sa më parë dhe të futet në frigorifer. Viruset, që të rriten dhe të shumëzohen, duhet të jenë në organizëm. Porse, ndryshe nga shumica e baktereve, mund të qëndrojnë kohë më të gjatë në sipërfaqe të thata edhe jashtë trupit.

- Kampilobakteri (Campylobacter) -
Është i izoluar në mishin e pulës, në mish, në qumësht jo të pasterizuar dhe në djathë. Është shkaktari më i shpeshtë i helmimit me ushqim, shkakton jashtëqitje intensive dhe dhimbje në bark. Edhe pse shkatërrohet me përpunimin termik të ushqimit, mjaftojnë vetëm disa baktere që ta nxisin sëmundjen. Kampilobakteret nuk shumëzohen në ushqim, por në sipërfaqet punuese, në thika dhe në rubinet, ku mund të jetojnë një orë.

- Klostridia (Clostridium perfringeus) -
Është e izoluar në shumë ushqime, më së shpeshti te mishi i pulave si dhe te ushqimet me mbetje të baltës ose të plehut. Shkakton barkqitjen me dhimbje në bark. Lëshon spore të rezistueshme në temperatura të larta, të cilat është vështirë të largohen plotësisht me anë të zierjes. Nëse ushqimet e përgatitura nuk përdoren menjëherë, sporet shumëzohen shumë shpejt. Nëse nuk nxehet ushqimi së paku në 75 shkallë C, bakteret do të mbijetojnë.

- Salmonela -
Është e izoluar në ve, në prodhimet e gatuara nga vezët e freskëta, në qumësht jo të pasterizuar dhe në djathë. Është bakter më i njohur dhe i dyti për nga prania, që shkakton helmimin me ushqim, ngërçe në lukth, barkqitje, në raste më të rënda vjellje dhe temperaturë. Edhe numri më i vogël i baktereve në ushqim është i rrezikshëm, sepse mund të shumëzohen, ndërsa shumë lehtë, me higjienë të pamjaftueshme, bartet nga njeriu në njeri. Shkatërrohet me përpunim termik të ushqimit. Në kushte të nxehta dhe të lagështa mund të jetojë gjatë.

- Listeria (Listeria) -
Është e izoluar në rrethinë dhe në të ashtuquajturin ushqim me rrezik të lartë: në djathëra, në pashtetë, në qumësht jo të pasterizuar. Ndryshe nga shumica e baktereve, mund t`i durojë temperaturat e ulëta. Shkakton temperaturë, kokëdhembje, marramendje dhe vjellje. Për fëmijët e palindur, bebet, fëmijët e vegjël, të moshuarit ose për njerëzit me imunitet të dobësuar, mund të jetë fatale.

- Escherichia coli -
Është e izoluar në mish të bluar me përpunim jo të mjaftueshëm termik, në djathë dhe në qumësht jo të pasterizuar, te shtazët e infektuara. Shkakton barkqitje me gjakosje dhe ngërçe në lukth, te disa raste mund të shkaktojë pengimin e funksionimit të veshkave, anemi të rënda dhe probleme neurologjike. Bartet lehtë nga kafshët tek njerëzit si dhe nga njeriu te njeriu.

- Norovirusët -
Janë të izoluar në ushqim të kontaminuar dhe në organizmin e njeriut. Norovirusët barten prej njeriut te njeriu dhe janë shkaktarët më të shpeshtë të gastroenteritisit virusal. Shkaktojnë marramendje dhe barkqitje të hollë, ndërsa mund të barten edhe përmes ushqimit të kontaminuar, përmes ujit ose me anë të kontaktit me sipërfaqe të infektuara. Norovirusët mund të jetojnë edhe disa ditë.

- Stafilokokët (Staphylococcus aureus) -
Janë të nizoluar në kanalet hundore si dhe në lëkurën e njërit nga tre njerëzit.Nëse arrijnë në trup, mund të shkaktojnë infektimin e lëkurës ose të plagës, infeksionin e traktit urinar dhe ndezjen e mushkërive. Disa lloje të stafilokokut, të ashtuquajtura mikrobe spitalore, janë të rezistueshme ndaj antibiotikut meticilinë.

- Viruset e gripit dhe të ftohjes -
Janë të izoluara në trup të njeriut. Mund të jetojnë disa orë në sipërfaqe jo të gjalla, të forta, siç janë filxhanët, bravat dhe kufjet e telefonit.Viruset e gripit dhe të ftohjes përhapen përmes frymëmarrjes, kollitjes dhe teshtitjes. Sa herë që i infektuari të kollitet ose të teshtijë, në rrethinë përhap rreth 100.000 mikrobe.

 

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version