Ti je ketu: Ballina > Intervista >
Bisedë me çiftin Bujar dhe Mirlinda Gjikolli
Si rrallë te ndonjë njeri tjetër, te specialisti i njohur kosovar i fushës së radiologjisë diagnostike dhe terapeutike, emri dhe karakteri i tij janë bërë bashkë. Dr. Bujar Gjikolli, apo "Pejani i Prishtinës", siç i ka pëlqyer atij ta thërrasë veten gjithmonë, për faktin se vetëm një muaj pasi ishte lindur në Pejë, kishte ardhur me prindërit për të jetuar në Prishtinë, është një emër i respektuar në mjekësinë kosovare, në mesin e pacientëve, të studentëve dhe kolegëve të tij. Mbi të gjitha, për shkak të sukseseve në karrierën profesionale, humanizimin dhe altruizmin e shprehur përgjatë një veprimtarie mbi tridhjetëvjeçare, qysh se ka diplomuar në mjekësi dhe e ka vënë veten në realizimin e misionit të një mantelbardhi.

EKSKLUZIVE: Në familjen e dr.Bujar Gjikollit

Në familjen ku kryefjalë është mjekësia

"Bujari nuk ka ndryshuar as pas kaq vjetësh, sa e njoh dhe jam me të. Ka mbetur i ri, mikpritës, jashtëzakonisht punëtor, një njeri që i mban premtimet, një bashkëshort dhe prind shumë i përkushtuar. Është i tillë sikur e ka edhe emrin", thotë Mirlinda, bashkëshortja e Dr. Bujarit.

Bisedoi Faik Hoti
Fotografitë Ridvan Slivova

Gjatë një bisede, të realizuar në shtëpinë e tyre në Lagjen e Spitalit në Prishtinë, Bujar dhe Mirlinda Gjikolli ndajnë për lexuesit e Revistës "Teuta", me dashamirësinë më të madhe, momente nga karriera profesionale dhe jeta e tyre.

"Na ka njohur anglishtja..."
Bujari e Mirlinda, që të dy janë nga Peja. Por, ata janë njohur në Prishtinë. Rastësisht. Gjatë kohës së studimeve, derisa Bujari kishte shkuar në një kurs të anglishtes, një shoqe e tij e kishte sjellë shoqen e saj (Mirlindën) në kurs, me të cilën pastaj ishte njohur Bujari. "Në fakt, meqë Linda studionte anglishten, ajo nuk kishte fare nevojë për kurs. Nuk kishte nevojë ta vijonte. Shoqja e saj po, ajo e vazhdoi anglishten, kurse unë e Linda vazhduam rrugën tonë së bashku. Pra, na ka njohur gjuha angleze", rrëfen Dr. Bujari.

Ai dhe Mirlinda ishin martuar në vitin 1995, pra gjatë kohës sa ishin studentë, dhe po atë vit kishin pasur edhe fëmijën e parë. "Dea ishte gëzimi ynë i parë", thotë Dr. Bujari, teksa vajza, që sot është 24 vjeçe, ndjek me vëmendje rrëfimin e prindërve, pjesë e të cilit rrëfim është edhe ajo.
Dea është fëmija i parë i çiftit Gjikolli. Ajo është në përfundim të studimeve në Mjekësi të Përgjithshme në Universitetin e Prishtinës. Por, jo vetëm Dea ka ndjekur rrugën e babait. Djali i madh i familjes Gjikolli, Ardi, gjithashtu ndjek studimet në Mjekësi të Përgjithshme (Viti IV), sikurse e motra, me një mesatare impresive. Ndërkaq, djali i dytë (fëmija i tretë) Mik-u vijon mësimet në klasën VIII fillore në shkollën "Hasan Prishtina", duke u shquar si nxënës i dalluar dhe me suksese të larta në të mësuarit e gjuhës angleze dhe me pasion pianon e basketbollin.
"Ne po na bëjnë krenarë fëmijët për atë që kemi investuar në ta", thotë Dr. Bujari, karriera e të cilit është e gjatë, me plot suksese dhe sfida, që nisin që nga studimet në mjekësi, ndërprerja e tyre në kohën e okupimit serb për tre vjet, vazhdimi i tyre, specializimi, dhe punët në shumë projekte të rëndësishme.

Një karrierë për lakmi
Dr. Bujari ka diplomuar në Mjekësi në vitin 1998. Pas diplomimit, karrierën profesionale e kishte filluar në UNHCR, ku kishte shërbyer në ekipin koordinues mjekësor në kampe të refugjatëve kosovarë në Maqedoni, gjatë luftës në Kosovë. Pas luftës, prej gushtit të vitit 1999 deri në dhjetor të vitit 2001, kishte punuar në Organizatën Ndërkombëtare për Migrim (IOM) si zyrtar kombëtar mjekësor, ku kishte iniciuar, implementuar dhe menaxhuar projekte të shumta, në rimëkëmbjen e shumë sektorëve në Kosovë.

Në periudhën 2001-2006 ka kryer specializimin e Radiologjisë në QKU në Sarajevë (Bosnjë e Hercegovinë), ku edhe kishte punuar për një vit si radiolog në Diagnostikën e Neuroradiologjisë (korrik 2006 - korrik 2007). Ndonëse në QKU në Sarajevë i ishte ofruar kontratë e përhershme, Dr. Bujari kishte zgjedhur të kthehet në Kosovë. "Më ftuan në Qendrën Klinikë Universitare të Sarajevës dhe më dhanë në dorë kontratën e përgatitur për ta lexuar dhe për ta nënshkruar. E lexova, por nuk e nënshkrova, ndonëse kushtet ishin shumë të mira. Dua të kthehem dhe të kontribuoj në vendin tim", tregon ai t`u ketë thënë drejtuesve të QKU-Sarajevë, që për ta kishte qenë diçka befasuese. Por, ky vendim i Dr. Bujarit nuk e kishte befasuar Mirlindën. Ajo thotë se, kur kishte shkuar për të punuar në Sarajevë më 2006, Bujari i kishte premtuar asaj se po shkonte vetëm për një vit. "Dhe, është kthyer në momentin që është mbushur një vit", tregon bashkëshortja e tij, duke shtuar se ishte dëshira e saj dhe i kishte vënë vetes si parakusht që fëmija i tretë (Mik-i) të lindte në Kosovë. Mirlinda, që me profesion është profesoreshë e gjuhës angleze, ka mbaruar gjithashtu edhe magjistraturën për burime njerëzore (në formën online në Frederick Taylor University), ka punuar për 10 vjet si profesoreshë e anglishtes në shkollën fillore "Dardania" në Prishtinë; pastaj 3 vjet në OSBE, për të vazhduar pastaj për 16 vjet të tjera në Departamentin e Burimeve Njerëzore në Telekomin e Kosovës, aty ku punon edhe sot. Në sytë e familjarëve të saj, ajo është njeriu kryesor i familjes. "Linda është shtylla e familjes, ajo i ka rritur e i ka edukuar fëmijët, me një kujdes të jashtëzakonshëm, e me mungesën time për rreth 9 vjet, sa kam qëndruar jashtë vendit gjatë kohës së specializimit dhe projekteve të tjera", tregon Dr. Bujari.
Angazhimet e tij, ndërkaq, përfshirë edhe ato jashtë shtetit, kanë pasur gjithsesi një shpagim, sepse Dr. Bujari, përveç kthimit dhe punësimit në Radiologji-QKUK më 2007 si radiolog, pastaj edhe si shef i Radiologjisë Intervente, e sot drejtor i Klinikës; ai ka formuar dhe ka zhvilluar edhe Shërbimin e Radiologjisë në Spitalin Amerikan në Kosovë dhe ka kryer aftësime të shumta profesionale mjekësore në Suedi, Çeki, Hungari, Slloveni, Kroaci, SHBA, Turqi, Bullgari, Ganë, Austri, Francë, Angli, Shqipëri, Maqedoni dhe Gjermani, si dhe ka iniciuar dhe ka udhëhequr projekte të shumta mjekësore në Kosovë dhe jashtë saj.
Është udhëheqës i "Kosova Open Medical Club", me të cilin, përgjatë 12 vjetëve, ka mundësuar aftësimin profesional të më shumë se 500 mjekëve kosovarë në Austri (përfshirë edhe aftësime njëvjeçare në spitalet e Austrisë me shpenzime të mikpritësve), si dhe ka organizuar disa simpoziume satelitore me ekspertë ndërkombëtarë, në bashkëpunim me Fondacionin Amerikano-Austriak në Vjenë/Salzburg të Austrisë.
Ky nuk është projekti i vetëm i Dr. Bujarit, kontribut për shëndetësinë kosovare, pasi që, përveç sigurimit të donacioneve të ndryshme në pajisje e aparaturë, ai është edhe organizator i KOMC, shkollës së ultratingullit me seli në Prishtinë, të akredituar nga Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina". Në rrafshin individual, Dr. Bujari thekson se në vitin 2004 ka bërë stentimin e parë në Kosovë të arteries së gjymtyrëve të poshtme dhe, së fundi, për herë të parë ka bërë venografinë TK.
Ai është dëshmuar i suksesshëm edhe gjatë kohës sa ka qenë në pozitën e Dekanit në "Kolegjin AAB", ku, falë kurrikulave të përgatitura prej tij, niveli i programeve të studimeve bachelor ishte akredituar nga eksperti i jashtëm, me ç`rast ishte lejuar rritje e numrit të studentëve në drejtimin e Infermierisë nga 30, fillimisht në 50, dhe më pastaj në 80 studentë. Si një profesionist shëndetësor me përvojë të gjatë dhe i magjistruar në Universitetin e Sarajevës nga fusha e rezonancës magnetike dhe vijues i studimeve të doktoratës (PhD) në FM -UP, Dr. Bujari mendon se edukimi i vazhduar profesional duhet të jetë prioritet për të inspiruar gjeneratat e reja për arritje në fushën e mjekësisë dhe për të ngritur si nivelin e edukimit mjekësor ashtu edhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore.

Familja, koha e lirë, hobi...
Me gjithë angazhimet e shumta profesionale të Dr. Bujarit dhe Mirlindës, nuk do të thotë se ata nuk kanë kohë për familjen dhe për jetën përtej "petkut profesional".  U pëlqen të shëtisin brenda dhe jashtë vendit, ku udhëtojnë shpesh së bashku, të lexojnë libra, të ftojnë familjarët e miqtë, sidomos gjatë fundjavave në oborrin e bukur të shtëpisë së tyre për të kaluar kohë së bashku, për të bërë skarë... Gjithashtu, shikojnë film dhe ndeshje futbolli, diçka që pëlqehet prej Dr. Bujarit e Mirlindës, duke qenë se doktori, kur ka kohë të lirë, edhe vetë luan futboll me kolegët. Ai tregon se që prej dy vjetësh ka një hobi të veçantë, siç është kultivimi i kërmijve. "Jo për shitje apo për diçka të ngjashme, më shumë për atraksion dhe të studioj mënyrën e jetesës dhe ekzistencës së tyre. Janë shumë interesantë... ", thotë Dr. Bujari.
Mirlinda, ndërkaq, dëshiron që gjatë fundjavave të dalë për kafe veç me Dr. Bujarin, derisa gjatë sezonit të pushimeve, duan të jenë së bashku me fëmijët, apo ta kalojnë së paku një pushim të përbashkët. "E konsiderojmë si vlerë të shtuar faktin se, megjithëqë dy fëmijët e mëdhenj janë rritur dhe shkojnë në pushime me shokët dhe kolegët e tyre, së paku një pushim na bashkohen dhe shkojmë të gjithë së bashku", tregon Mirlinda. "Ne gjejmë kohë vazhdimisht për ta, të tre janë të mirë. Ata po na bëjnë krenarë dhe qysh tash janë më të mirë se ne", shton Dr. Bujari, i bindur në suksesin dhe trashëgiminë e tyre. Si familje, ata kanë shumë plane për të ardhmen. Vetë Dr. Bujari llogarit se projektet që ai ka, kanë një mision që të kontribuojnë bashkë me të tjerët, që shëndetësia në Kosovë të jetë në një nivel më të lartë, ashtu siç e kishte ëndërruar ai dhe brezi i tij gjatë studimeve, kurse Kosova një vend ku fëmijët e tij dhe të të gjithë Kosovës do të krenohen me atdheun e tyre. Në këtë mes, një nga projektet më madhore, në të cilin ai është i përfshirë aktivisht, është hapja e qendrës së parë nacionale për trajtimin e sulmeve në tru në QKUK. Por, edhe projekte të tjera.

Ai dhe Mirlinda janë të bindur se ndryshimet janë të mundshme. "Potenciali i të rinjve tanë, na thotë se kjo është e mundur", pohojnë Mirlinda dhe Dr. Bujari, derisa modelin për këtë, ata nuk ka nevojë ta kërkojnë larg, e kanë tek fëmijët e tyre shembullorë.

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
276

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version