Ti je ketu: Ballina > Aktuale >

Në kujtim të primadonës Nexhmije Pagarusha

 

Zë i pazëvendësueshëm e i papërsëritshëm deri më sot! Primadonë e melosit shqiptar, zë i kristaltë. Këngët e saj ishin klasikë e këngës sonë. Brezave që erdhën e vijnë pas saj u la visare të padiskutueshme të artit shqiptar. Viti 2018 është vit që shënon 85-vjetorin e lindjes së primadonës. Mirëpo, si jeton sot Nexhmije Pagarusha? A e viziton kush? Si ndihet? Është kjo pyetje që më bën ta vizitoj ekskluzivisht për këtë çështje këto ditë funddhjetori.

Shkruan Sanije Gashi

Ditë e zymtë, ajo ulur në divan, tek merr disa hape, që i përdor rëndom. Sapo hyj, ngrit kokën e më drejtohet: Ku je, të prita, më the se do të vish? Ja, erdha, i them. Vitet e jetës kanë lënë gjurmë, natyrisht, veçse mban memorie të mirë, për moshën që ka. E rregulluar, me flokë kaçurrela ngjyrë portokalli e bizhu të lehtë, lë përshtypje të zonjës së mirëmbajtur, që na e kujton Nexhën e dikurshme. Po, ama, megjithatë…
Lexoj para pak kohësh një mendim të shkruar të shkrimtarit Ramiz Kelmendi te Ditari i tij: Emra nga më të merituarit u harruan dhe mezi përmenden – Esad Mekuli, Fehmi Agani, Anton Çetta, Gazmend Zajmi. Veçse, a e dini si jeton sot Nexhmije Pagarusha? - shkruan.
Vërtet, si jeton Nexhmija sot? E vetmuar, e harruar? A i shkon mendja dikujt, jo vetëm nga kultura, ku bëri emër të madh e u shqua në jetën e saj, që na bëri të njohur edhe jashtë vendit, ngado, me këngën e me zërin e saj brilant, që deri më sot nuk pati të ngjashëm! I thuhet kjo këngëtares në atë ndejë mesdite, bisedë për qejf, ndërsa ajo tund kokën në shenjë pakënaqësie për këtë fazë të jetës së saj vetmitare!
– Askush, askush nuk ma hap derën! – shpreh zhgënjimin. Kam 3-4 shoqe që më vizitojnë herë pas here, që interesohen për shëndetin tim. Lilianën (Çavolli) e kisha shoqe për shumë vjet, edhe ajo më la. Kur më ka komunikuar përmes telefonit se ishte e sëmurë, se kishte kancer, kam qarë, shumë kam qarë! Nga dhembja as nuk kam bërë ballë ta vizitoj… Asnjëherë! Jemi dëgjuar përmes telefonit. Them, askush nga tanët nuk më vjen, as më kujton. Kryetari, Ilir Meta, ma ka uruar ditëlindjen… Ish-ministri i kulturës, Kujtim Shala, po kështu, por pak me vonesë, pas dy ditësh... Kaq. Them, kjo është jeta ime tani.

Malli për çezmën e fëmijërisë
Nexhmija jeton vetëm, krejt vetëm, në një banesë në Ulpianë. Jetën e ‘sodit’ nga dritarja e ballkonit. Në qytet del rrallë, shumë rrallë, për shkak të shëndetit të molisur dhe viteve të moshës, tashmë të shtyrë. Përballë ka një barnatore, e vetmja ku shkon për ilaçe të domosdoshme. Dhe, rri pak aty.
Në çaste vetmie, pa dyshim i vete mendja te vendi ku u lind, te Pagarusha e fëmijërisë së saj dhe mbase mallëngjehet me kthimin e kujtimeve të çiltra fëmijërore. Ndien mall?
- Ndiej, po si jo, i kam disa të mitë që më thërrasin të shkoj, më lusin, po ja që s’ma merr mendja të nisem. Kam qejf të shkoj, për shembull, te ajo çezma ku merrja ujë si fëmijë… kam mall, kam. Eh, nuk mundem, jo, jo.
Vetmia, e rëndon këdo, sidomos në këto kohë që po jetojmë, ku njerëzit janë tëhuajtur, janë bërë të largët për njëri-tjetrin. Nexha bashkon pëllëmbët, shikon përtej dritares, me sy paksa të lodhur:
- Sanije, vetmia është e rëndë. Shumë. Sidomos në pleqëri. E ndiej, e përjetoj, veçan kur bie mbrëmja, kur lëshohet nata, ose në mëngjes, kur zgjohem. Uh, sa e rëndë është, o Zot!

Kur një ditë të kthehesh ti…
Me këngën e kënduar aq me shpirt – ‘Çil njat zemër plot kujtime’, dua t’i kthehemi pak së kaluarës, për pak relaks shpirtëror, t’u largohemi përjetimeve të vetmisë. Nexha nuk këndon më, as pëshpërit refrene kënge të preferuar dikur, bile sa për vete. Ndërkaq, me vargjet e këngës ‘Kur një ditë të kthehesh ti, i përbuzur nga të gjithë’ - të kënduar me Ardit Gjebrenë, sikur i kthehet humori, i shndrisin sytë, kënaqet në rrëfimin e saj për atë ngjarje në Tiranë. Asnjëherë nuk e lë pa e thënë se - Arditi ishte ai që e nxori nga ‘harresa’, që bëri një kthesë të madhe në jetën e saj! Arditi, shton, është i mrekullueshëm.
- Në Tiranë kam qenë shumë herë që nga viti 1970. Ta zëmë, kam shkuar për dy ditë, e kam mbetur dy javë! O, si më pritnin atje, o sa më donin, o Zot!

Teksa bisedojmë këndshëm në kujtim të atyre ditëve, kthehem prapa, shumë prapa në vite, në gazetarinë time të hershme. Në redaksinë e ‘Zanit të Rinisë’, atëherë, kishim planifikuar të zhvilloja një intervistë me Nexhmijen. I telefonoj, ia tregoj qëllimin. Pa një pa dy, dhe pa naze, caktojmë kohën e takimit për të nesërmen në mesditë, kur do të vinte në redaksi. Vjen. Hapet dera, hyn bashkë me Gjeto Lekën e Radios. Sapo ulet, nis: I thashë, Gjeto, më ka telefonuar një zë aq i ngrohtë, aq i dashur, sa nuk bën të mos shkoj! Veçse, do të vish edhe ti me mua, patjetër!
Intervista u zhvillua dhe u botua në numrin vijues të ‘Zanit’. I kishte pëlqyer. Mbetet ky një kujtim i këndshëm për të dyja, sot e atë ditë.

E zhgënjyer me realitetin
I kthehemi së sotmes. Është e zhgënjyer! Shprehet: Çfarë njerëzish jemi ne? Ku na çon e gjithë kjo? U harruan njerëzit që kanë bërë shumë për ­këtë vend, që ishin dikush dikur… thua se çdo gjë ka filluar nga e sotmja… Nuk jam e kënaqur me këtë situatë tonën të turbullt. Nuk po kam vullnet, thjesht, për asgjë, për asgjë...
Në dhomën e saj të ngrohtë ku çon ditët e pleqërisë, janë në mure disa portrete të kornizuara. Një foto qëndron përballë: është Nexha me mbesën, Fletën, që jeton në Zvicër. Çohet, e merr, ma afron: Ja, për këtë jetoj unë!

Në të dalë nga dera, tek më përcjell, më thotë: Eja, mos më harro! Eja, për ty gjithnjë jam në dispozicion!
Nexhmije Pagarusha është dhe mbeti këngëtare e shekullit, zë i papërsëritshëm!
Megjithatë, më duhet ta përfundoj me thënien e shkrimtarit Kelmendi:
Pse, u dashka të vdesë njeriu që të na kujtohet vepra e tij?

© REVISTA TEUTA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

#RevistaTEUTA

 

Ju gjithashtu mund të jeni të interesuar në..

 

 

Revista TEUTA
276

Revistë Moderne për Gruan Dhe Familjen
"Revista TEUTA"
Prishtinë, Kosovë

 

 

Të gjitha të drejtat e portalit www. revistateuta.com janë të rezervuara.
Asnjë material, nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjeter pa leje të shkruar nga TEUTA.
Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin. COPYRIGHT 2017 TEUTA
Kontakt: info@revistateuta.com  www.revistateuta.com
Prishtinë, Kosovë
 

Mobile Version | Desktop Version